Fjala e redaktorit, Prof. Fetah Bahtiri
Sot doli libri i titulluar “AVDYL UKA HERO I DËSHMUAR I ATDHEUT” i autorit z. Hysen Ibrahimi, titulli i këtij libri, i cili, në vete përmban një domethënie të rëndësishme dhe porosinë e tij patriotike.
Në të vërtetë autorit Hysen Ibrahimi i është dashur të bëjë hulumtime të thukëta, të takojë personalitete të shumta, të bisedojë me ta gjerë e gjatë për të nxjerrë në dritë argumentet pse Avdyl Uka është hero i dëshmuar i Atdheut. Autori ka bërë një punë voluminoze dhe ia ka arritur qëllimit që para lexuesve ta prezantojë në mënyrë komplete personazhin kryesor të këtij libri – Avdyl Ukën, i cili sot jeton dhe vepron në Suedi.
Prezantimi i këtij personaliteti në libër është bërë në mënyrë bindëse, gjithnjë duke u mbështetur në dokumentacionin të cilin e ka pasur në dorë autori, me anë të disa intervistave të cilat i ka zhvilluar ai me personalitete të shumta të profesioneve të ndryshme si dhe me Avdyl Ukën e me familjarët e tij, e po ashtu edhe me figurat aktuale politike nga komuna e Vushtrrisë, qytet ky në të cilin ka jetuar Avdyl Uka, ku më datë 22 qershor 1991, ka shtënë me armë zjarri për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjen nga barbarët e shfrenuar serbë, që natën kishin mësyrë shtëpinë e tyre për të bërë masakër. Atëbotë e edhe sot, pushka e Avdyl Ukës dhe e familjes së tij të madhe ishte dhe është edhe sot një pushkë e krenarisë kombëtare, ishte dhe është një krismë dhe jehonë e fuqishme e lirisë.
Këtë akt heroik të Avdyl Ukës e kanë vlerësuar lart edhe strukturat udhëheqëse të komunës së Vushtrrisë, prandaj, ndër të tjera kanë vendosur që në shtëpinë e Avdyl Ukës ta vënë një pllakë përkujtimore, e cila u zbulua solemnisht më datë 17 gusht 2019.
Siç e cek edhe autori në libër për këto ngjarje që lidhen me heroizmin e Avdyl Ukës, personazhi kryesor i librit vetë në hollësi i ka regjistruar të gjitha ngjarjet dhe i ka prezantuar në disa libra të tij të botuara e të ribotuara në kohën prej vitit 2009 deri më 2015, e që janë:
– ”Mbrojtja e pragut të shtëpisë” (2009), ribotim 2015
– ”LOTI mbeti në gjirmë të zemrës” 1 (2012)
– ”LOTI mbeti në gjirmë të zemrës” 2 (2013)
– ”LOTI mbeti në gjirmë të zemrës” 3 (2014)
Kur marrim parasysh heroizmin e dëshmuar të Avdyl Ukës, argumentet e prezantuara në këtë libër të Hysen Ibrahimit dhe të dhënat nga vetë veprat autobiografike të Avdyl Ukës, atëherë sqarohet pastër si loti i syrit se Avdyl Uka është hero i gjallë dhe i dëshmuar i atdheut.
Të dhënat që Hysen Ibrahimi ua prezanton lexuesve janë kryesisht fakte të argumentuara me dokumente. Kjo bën që librin mund ta quajmë dokumentar për një hero të gjallë e të dëshmuar, i cili quhet Avdyl Uka. Avdylin e kemi të gjallë në mesin tonë. Ai jeton dhe vepron bashkë me ne, kudo që e kërkon nevoja. Gëzon nderimin dhe respektin maksimal nga të gjithë bashkatdhetarët në mërgatë dhe në atdhe.
Unë mund të pohoj pa hamendje se Hysen Ibrahimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme që heroizmin e Avdyl Ukës e ka prezantuar në mënyrë komplete dhe të hollësishme, për çka kjo gjeneratë e jona i është mirënjohëse, por ky libër do të mbetet dokument i rëndësishëm edhe për gjeneratat e ardhshme dhe do të jetë një lloj abetareje që do t´i udhëzojë dhe mësojë të gjithë se si duhet vepruar për ta mbrojtur atdheun.
Duke pasur parasysh këtë dimension të rëndësishëm të librit “AVDYL UKA HERO I DËSHMUAR I ATDHEUT”, mund të them se autori ka bërë një punë të madhe dhe korrekte, për çka i jemi mirënjohës dhe falënderues.