Aulonë Nuhiu: Dashuria dhe Sakrifica për Baletin

0
251
Aulonë Nuhiu

Intervistoi: E.B., Nju Jork

Aulonë Nuhiu është e lindur më 22 prill 1993 në Prishtinë. Ajo ushtron profesionin e balerinës në Trupën e Baletit të Kosovës që nga viti 2008 fillimisht si nxënëse në shkollën e mesme të muzikës drejtimi balet, kurse pas përfundimit të shkollës së mesme, ka vazhduar tutje nga viti 2011 si balerinë profesionale e Trupës. Aktualisht ajo është gjithashtu absolvente në fakultetin juridik. Profesionin e balerinës e ushtron me shumë pasion dhe vullnet duke qenë edhe pjesë e 40 premierave për 10 vite. Ndër shfaqjet më të pikasura nga Aulona janë: “Pushimi i kalorësve”, “Gisele”, “Karmen”, “Andërr”, “Pa mure”, “Le Corsaire”, “Recomposed”, “Spartaku”, “La Sylphide”, “Dasma”, “La fille malgarde”, “Neë born”, “Otaka”, “Exile” etj.

Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?

Aulonë Nuhiu: Baleti është një art që kërkon shumë punë, vullnët, angazhim, pasion, dashuri, e specifikisht në Kosovë edhe shumë sakrificë. Them që duhet shumë sakrificë pasiqë në vendin tonë për të ushtruar këtë profesion na mungojnë kushtet elementare për punë. Me këto kushte që ne punojmë, po të na mungonte dashuria dhe vullneti për këtë profesion, baleti në Kosovë do të pësonte ngecje esenciale për të mos thënë dështim total. Të ushtrosh profesionin e balerinës/balerinit në Kosovë, do të thotë të përballesh çdo ditë me luftë për mbijetesë, luftë të cilën ne e fitojmë çdo herë falë përkushtimit tonë maksimal.

Çfarë është baleti për ju?

Aulonë Nuhiu: Baleti për ne fillimisht është sakrificë dhe dashuri e madhe. Është dashuri aq e madhe saqë nuk e braktisim dot, e për të mos e braktisë detyrohemi të bëjme shume sakrifica qe ta mbajmë gjallë si art në Kosovë, ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe ta jetojmë si çdo profesion tjetër, sepse për ne baleti është vet jeta.

Ku jeni pregatitur si balerinë?

Aulonë Nuhiu: Në Kosovë e vetmja rrugë për të ushtruar profesionin e balerinës është përmes shkollimit që e ofronte vetem shkolla e mesme e muzikës „Prenk Jakova“. Aty fillon karierën çdo balerinë dhe balerin, e tutje vazhdon në Trupën e Baletit të Kosovës. Kështu ka filluar dhe vazhdon edhe kariera ime si balerinë.

Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?

Aulonë Nuhiu: Si balerinë e Trupës së Baletit kemi pasur rastin të punojmë me koreograf të ndryshëm të stileve të ndryshme, andaj jam ballafaquar të luaj shfaqje thuajse të të gjitha stileve të baletit. Unë individualisht gjithmonë duke mos e anashkaluar baletin klasik, parapëlqej edhe atë modern sepse është mënyrë më e lëhtë për të shprehur dhe shfaqur storien dhe emocionet e një shfaqjeje.

Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtarë të Kosovës dhe si e konsideroni pjesmarrjen tuaj?

Aulonë Nuhiu: Unë jamë bërë zyrtarisht pjesë e Baletit Kombëtarë në vitin 2011, dhe që nga atëher jeta ime ka ndryshuar rrënjësisht, pasiqë duke e konsideruar si një hap shumë të rëndësishëm të jetës time të qenurit balerinë e Baletit të Kosovës, më ka sjellë sa privilegj dhe kënaqësi ashtu edhe përgjegjësi.

Për cilat shfaqje ruani kujtimet më të mira?

Aulonë Nuhiu: Secila nga 40 shfaqjet që kamë marrë pjesë bartë në vete veçanti speciale dhe kujtime të veçanta. Por ndër shfaqjet që kanë lënë më shumë gjurmë tek unë janë: „Pa mure“ , „Andërr“, „Sisters“, dhe shfaqja që aktualisht jemi duke e përgatitur.

Po për mentorin apo profesorin tuaj?

Aulonë Nuhiu: Çdo moment kur përmendet emri dhe figura e profës Ahmet rrahjet e zemrës bëhen më të shpejta dhe sytë na përloten. Ende është i pashmangshëm malli për të, ende na mungon jasht mase. Kjo do të thotë që ai ka qenë dhe mbetet personi më i rëndësishëm sa i përket karierës sime si balerinë, pasi ishte mesuesi i hapave të parë të baletit për mua dhe kolegët/koleget e mia. Pa angazhimin e tij, Kosova sot nuk do të kishte fare Trupë të Baletit, andaj me këtë besoj kuptohet dhe rëndësia e tij si tek secili prej neve e gjithashtu edhe si figurë jashtzakonisht e rëndësishme e artit dhe kulturës në Kosovë.

A keni luajtur role kryesore në ndonjë shfaqje?

Aulonë Nuhiu: Po kam luajtur. Janë pikërisht shfaqjet që i përmenda më lartë si shfaqjet me kujtime më të veçanta tek une si balerinë, pasi në këto shfaqje mu besua të luaj rolin kryesor. Ka qenë nderë dhe privilegj, por gjithashtu edhe përgjegjësi.

Cilat momente do ti veqonit jashtë vendit dhe si ju kan pritur?

Aulonë Nuhiu: Përgjatë këtyre 10 viteve, thuajse çdo vit kemi qenë pjesmarrës në festival të ndryshme nëpër botë, duke e perfaqësuar gjithmonë Kosovën si shtet. Ndër shumë pjesmarrje do të veqoja: performimi në Paris me shfaqjen “Recomposed”, performimi në Berlin dhe Hamburg të Gjermanisë me shfaqjen “Neë born”, tutje në Itali, Bullgari, Austri, Zvicërr, Finland, Turqi, Shqipëri, Maqedoni etj.

Duhet të theksoj se mikëpritja në secilin prej këtyre shteteve ka qenë mbreslënëse dhe jemi ndi shumë krenarë që po e përfaqësojme vendin denjësisht, pasi në secilin vend publiku me duartrokitje n aka treguar se po e vlerësojnë shumë performancën tonë.

Me cilën shfaqje po angazhoheni tani?

Aulonë Nuhiu: Tani jemi duke punuar me premieren e re të titulluar “Entre dos aguas – the troy game”. Është shfaqje shumë interesantë e ndarë në dy pjesë, e punuar nga koreografi i njohur amerikan Robert Nort.