ATMOSFERA E FESTAVE DHE DIJES

0
1491

Ndue Lazri

Atmosfera e bukur festive e festave tona 28-29 Nëntorit vazhdoi për një javë të tërë këtu tek emigrantët në Itali. Meqenëse dëshira e shoqatave anëtare të federatës FNAI ishte që aktivistët dhe simpatizantët të merrnin pjesë sa më shumë në festat e njëri-tjetrit, disa shoqata e shtynë qëllimisht për fundjavën pasardhëse, pra në datat 3-4 dhjetor.

I kam ndjekur me kënaqësi nga afër një pjesë të mirë të festave, ose kam qenë në lidhje me kryetarët e shoqatave, të cilët me dashamirësi më kanë dërguar informacione mbi festat e zhvilluara nga bashkatdhetarët.

Mikja dhe kolegia Silvana Xheneti më dërgon linkun e një gazete lokale italiane, e cila pasqyron gjerësisht festën e emigrantëve shqiptarë në zonën e Teramos. Po e sjell këtu linkun, që të keni mundësi ta lexoni të plotë shkrimin dashamirës.

Autorja e shkrimit thekson se ishin krenaria dhe shpirti tiparet themelore që i karakterizuan shqiptarët në zonën Abruzzo-Marche gjatë festimeve të 104-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë që u zhvilluan në restorantin Acquamarina në Teramo.

Në atë mbrëmje festive, ku ishin të ftuar këngëtarët Xhevit Dedej e Mirjeta Mema mernin pjesë mbi 200 shqiptarë. Gazetarja shkruan se komuniteti shqiptar në Teramo është i madh dhe ka 23.957 qytetarë shqiptarë që përbëjnë 7.7 për qind të popullsisë së zonës. Në hapje të festës, organizatorja dhe mediatorja kulturore Silvana Xheneti ka folur pikërisht për integrimin e mirë të shqiptarëve në realitetin shoqëror e ekonomik të teritorit ku jeton e punon.

* * *

Dje paradite me drejtuesit e shoqatës “Nënë Tereza” në Pesaro, Fitim Kajo e Dashi Zguro udhëtuam luginave përmes apenineve marchigiane, kapërcyem qytetin e bukur të Urbinos që ka një nga universitetet prestixhioze dhe u ndalëm në Fermignano. Një zonë ku ka shumë shqiptarë dhe kanë organizuar një festë të veçantë, atë të dijes, duke hapur shkollën e parë shqipe. Puna e palodhur që kanë bërë Brunilda Ndini, Altin Koçi, Erion Verori, Dritan Koçi etj. në bashkëpunim me organet e pushtetit lokal jep frutin e vet.

Hapet shkolla e parë shqipe në zonë. Mësuesja Ana Bullari, një intelektuale që ka mbaruar studimet edhe në Shqipëri, edhe në Itali dhe ka një përgatitje të lartë profesionale, është e emocionuar. Ajo tregon që janë regjistruar 21 nxënës, pjesa më e madhe e të cilëve kanë ardhur në këtë festë të shkollës bashkë me prindërit e tyre.

Në këtë festë të bukur të shqiptarëve merr pjesë edhe kryetari i bashkisë, Emanuele Feduzzi, i cili e vlerëson si një moment të rëndësishëm hapjen e shkollës shqipe në Fermignano. Madje këtë ai e shpreh edhe në proifilin e tij në fb ku shkruan me kënaqësi: Sot bashkë me këshilltarin Othmane Yassine, kryetarin e këshillit komunal Ubaldo Ragnoni dhe drejtorin e shkollës Grottola morëm pjesë në hapjen e shkollës së kulturës shqipe nën kujdesin e shoqatës “Nënë Tereza”.

Kemi bërë një hap të madh përpara në aspektin interkulturor, por para së gjithash kemi dhënë një mesazh ndryshe, një sinjal të rritjes së qytetit tonë. Shoqata me vullnetarët e saj do u mësojë fëmijëve shqiptarë të lindur në Itali kulturën dhe gjuhën shqipe, duke mbajtur lidhje me vendin e origjinës. Është një sinjal i bukur qytetarie, por para së gjithash një sinjal distancimi ndaj atyre që me urrejtje dhe me dëshirën për të hedhur mosbesim mbi të huajt kërkon të bëjë karrierë të lehtë politike.

Festa, intervistat e të vegjëlve, ngjallën emocion tek pjesëmarrësit. Ledioni, që sot mbush 10 vjeç është i lumtur që e feston ditëlindjen pikërisht midis atyre që do të jenë shokët e tij të shkollës së gjuhës amtare.

* * *

Nga Pesaro në Reggio Emilia. Shoqata “Shqiponja” me pjesëmarje të gjerë jo vetëm të anëtarëve e simpatizantëve të saj, por të mjaft familjeve të emigrantëve shqiptarë në këtë qytet organizon festën kushtuar dy datave të rëndësishme të historisë sonë, 28 e 29 Nëntorit. Është diçka e bukur kur shikon edhe pjesëmarrjen e gjerë të familjeve shqiptare nga Kosova, kryesisht nga Suhareka. Janë anëtarë të shoqatës “Zëri i Atdheut” , të cilët i gjejmë gjithnjë bashkërisht në festa e aktivitete kulturore bashkë me shoqatën “Shqiponja”. Me dy drejtuesit e saj, Sadri Hamitaga e Haki Halitjaha takohemi gjithnjë e bisedojmë edhe për familjet e shqiptarëve nga Kosova, edhe për Kosovën, edhe për miqtë tanë të përbashkët.

Në këtë festë kanë ardhur edhe nga jashtë Reggio Emilias. Poetja Lili Bimi ka ardhur që nga Vicenza. Ajo ka sjellë edhe dy poezi kushtuar shoqatës “Shqiponja” dhe drejtuesve të saj për atdhetarizmin që tregojnë në veprimtarinë e tyre. Ndërsa sopranoja Mimoza Rama ka ardhur që nga Piacenza. Gazetari sportiv Sefer Kikija dhe kolegu i tij Tani, vijnë nga Ravenna.

Drejtuesja e programit, Blerta Premti hap mbrëmjen festive, pastaj fton dy vajza të veshura kuq e zi, ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, dy motrat Albina e Arlinda Qepi, të cilat recitojnë poezi me motive patriotike, ndërsa një vajzë e ulur në avanskenë improvizon qëndisjen e flamurit kombëtar. Surpriza e mbrëmjes është Benereta Cami, e cila recitoi mjaft bukur poezinë e Fan Nolit “Anës lumenjve”.

I gjithë stafi drejtues i shoqatës është çdo çast në këmbë në pritje e në nderim të pjesëmarrësve të shumtë. Dhe çdo gjë shkon mirë, atmosferë e këndshme me muzikë nën tingujt e këngëve të kënduara nga Skifter Etemi, vallet popullore nën valëvitjen e flamujve kombëtarë, kostumet popullore të veshura nga Brunilda Ziu, Esmerina Isufi e Haki Maz e bëjnë mbrëmjen të bukur e të paharrueshme.

* * *

Një tjetër shoqatë, një tjetër festë. Në qytetin e bukur të Ferrarës, shoqata “Vatra” ka mbledhur shumë familje shqiptare në restorantin “Bianconiglio”. Këngëtarët me origjinë çame Hysni Alushi dhe Enkeleda Arifi, sjellin atmosferën e këngëve nga gjithë krahinat e Shqipërisë. Edhe këtu shpërthejnë kënga e vallja e festa vazhdon deri në orët e mbrëmjes.

* * *

Shoqata “Nënë Tereza e shqiptarëve” në Modena, aktivitetin e saj të parë e organizon pikërisht me rastin e festave të Nëntorit. Anëtari i këshillit drejtues, inxhinieri Gaspër Gjeçi shkruan:

Aktiviteti i parë, i organizuar në nivel familjesh e anëtarësie, pas hapjes me Himnin kombëtar ,vazhdoi në atmosferën e një dreke të mirëorganizuar, të gëzueshme me këngë,valle e recitime. Prokupacionit tonë që kishim në mbledhjen e parë themeluese mbi pjesëmarrjen e aktivizimin e të rinjve po i vjen fundi. Festa u gjallërua e mori bukuri pikërisht nga të rinjtë e shkolluar e të mirëintegruar këtu në Modena. Objektivi e dëshira jonë është që pjesëmarrja e të rinjve të jetë sa më e madhe, që në një të ardhme sa më të afërt shoqata të kalojë plotësisht në duart e tyre.

Sepse janë ata garancia dhe e ardhmja. Me një përgatitje më të madhe e të gjithanshme, ata mund të bëjnë që, krahas punës për integrim të komunitetit, të bashkëpunojnë në mënyrë tëp frutshme me organet e pushtetit lokal dhe të kultivojnë më tej historinë, traditat, gjuhën e kulturën e vendit amm.

Një vlerësim e falënderim ju shkon të gjithë të rinjve pjesëmarrës, në veçanti avokates Danaida Delaj, që shprehu gatishmërinë e gjithanshme për ndihmë e për të qenë sa më aktive. Aktiviteti pati një efekt të menjëhershëm tek të rinjtë në Modena e më gjerë.Duke patur besim të plotë në përgatitjen e tyre i ftojmë të marrin drejtimin e shoqatës, duke gërshetuar natyrshëm përvojën e atyre që e krijuan, me atë të renë progresive…

Një falënderim ju shkon gjithë anëtarëve të shoqatës, anëtarëve të kryesisë e në veçanti sekretarit të shoqatës, Gjergj Doda, për punëne bërë për themelimin e organizimin e shoqatës.

Festa krijoi entuziazëm tek të pranishmit, të cilët shikojnë që në organizime të tilla jemi më pranë njëri-tjetrit e bashkimi më i fuqishëm.

Dergoi per botim: Gjin Musa