Atentat islamik ndaj rendit kushtetues laik shqiptar

2
2066

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Arabisë Saudite drejtoi faljen e Bajramit në bulevardin e Tiranës – atentat islamik ndaj rendit kushtetues laik shqiptar

Nga Kastriot Myftaraj, 06/07/2016

Dje Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi faljen e namazit të Fitër Bajramit në bulevardin kryesor të Tiranës. Faljen e drejtoi Sheiku Saleh bin Muhammed bin Ibrahim al Talib i cili në Arabinë Saudite mban dy detyra, atë të imamit të Xhamisë së Kaabas (Qabes) në Mekë, të njohur si Masjid Al Haram, si dhe të anëtarit të Gjykatës së Lartë të Arabisë Saudite.
Në Arabinë Saudite shteti dhe feja (Islami) nuk janë të ndarë. Kurani është Kushtetuta e vendit dhe Shariah, ligji kuranik është ekuivalenti i legjislacionit penal dhe civil në vendet laike.

Shqipëria është një vend laik ku feja është e ndarë nga shteti. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me marrëveshjen që ka bërë me qeverinë shqiptare dhe që është ratifikuar nga Kuvendi duke u shndërruar në ligj (Ligji 10056, dr. 22. 1. 2009), ka fituar të drejta dhe ka marrë përsipër detyrime. Një nga detyrimet që ka marrë përsipër është ai i përcaktuar në nenin 12, që rregullon marrëdhëniet me bashkësitë e huaja fetare. Paragrafi i parë i këtij neni thotë:

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka të drejtë të krijojë dhe të mbajë kontakte me bashkësi fetare të të një vendi tjetër ose ndërkombëtare, të marrë pjesë në veprimtaritë e tyre fetare e bamirëse, për aq sa këto kontakte nuk bien ndesh me rendin e brendshëm kushtetues.”

Në rastin e ftesës zyrtare që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bëri imamit-gjykatës saudit kemi të bëjmë pikërisht me një kontakt që bie ndesh me rendin e brendshëm kushtetues laik shqiptar.

Neni 10 i ligjit të cituar më lart, përcakton se: “Palët angazhohen për respektimin e parimeve kushtetuese mbi të cilat ndërtohet kjo Marrëveshje dhe do të punohet së bashku për zbatimin e legjislacionit shqiptar në fuqi.”
Kjo do të thotë se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i detyruar të respektojë parimin e laicizmit, të ndarjes së fesë nga shteti.

Pjesëmarrja e një funksionari të lartë shtetëror të një vendi tjetër në ceremoninë zyrtare të faljes të organizuar nga një Komuniteti Mysliman, në rolin e e drejtuesit të ceremonisë, përbën një atentat ndaj rendit kushtetues laik shqiptar, madje një vepër penale.

Si zyrtar i lartë i një shteti tjetër, Sheiku Saleh bin Muhammed bin Ibrahim al Talib ishte nën mbrojtjen e posaçme të Policisë së Shtetit dhe posacërisht të agjentëve të Antiterrorit, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Me këtë rast edhe këta kanë kryer veprimtari antikushtetuese.

Nuk po merrem këtu me faktin që Sheiku Saleh bin Muhammed bin Ibrahim al Talib është një ideolog wahhabi, si klerik. Kjo është një histori tjetër. Fakti që ai është dhe një zyrtar i lartë shtetëror e bën edhe më të rëndë praninë e tij si drejtues në një ceremoni zyrtare fetare.

Tashmë është e qartë se kemi të bëjmë me një strategji për goditjen dhe zhdukjen e laicizmit në Shqipëri dhe ngjarja e mësipërme shkon në këtë kahje.

2 KOMENTE

  1. Nje tentim i shkrimit te mire, por Kastioti nuk po e kupton nenbaze te ketij shkrimi se kjo nuk ishte atentat… por Autogol, apo vetvrasje kombetare… sepse ky qenefoidi islamik nuk erdhi te perhape islamin i paftuar… Ate e ftoi dikush nga SHQIPERIA… edhe arabet do te vijne te shesin arabizem, perderisa ti Kastriot e ke EMRIN FANTASTIK, por e ke nje mbiemer arabik… te flliqtë… nderroje ate mbiemr te flliqtë, sepse arabet te konsiderojne vella… sepse edhe ne Gramatike Mbemri cileson emrin…

  2. Nuk dihet ça loje po luhet ne Shqiperi.
    Normal. Popull i vogel qe drejtohet nga njerez te vegjel.
    Ne kemi keto burra shteti sepse keshtu qekemi.
    Ky eshte populli jone. Fatkeqesisht.
    Do te deshiroja te kunderten. Qe te ishim te gjithe bashke si popull (si ne ndeshjet e kombetares) drejt nje ideali. Drejt mireqenies (kushtet jane) drejt vellazerimit dhe jo përçarjes.
    Por ne jemi popull tipik, special, i veçante.
    Me edukacion dhe kulture te kufizuar.
    Burrat publike (qeveritaré apo nga shoqeria civile) kane nje rol te madh edukativ.
    Fatkeqesisht kane dhene shembuj négativë, qe ndikojne keq dhe ne rinine tone.
    Dola pak nga tema por me vetedije sepse e gjitha vjen nga qeveria.
    Nje popull voton dhe zgjedh nje kapiten per ta drejtuar qe ta udheheqi. Beson te keto njerez per te cilët ai voton.
    Kam pershtypjen se ne Shqiperi qeveritaret tane nuk e dinë (te majte e te djathte).
    Me pushime ketë vere ne Shqiperi nuk mbaj mend çpo bisedonim (nuk jam as i djathte, sepse i zhgenjyer, as i majte), por nje shok i imi i zhgenjyer nga qeveria per taksat e shumta po bisedonte me mu. E degjova i dhashe te drejte per diçka dhe shtova qe qeveria para ketyre nuk ka bere dhe ajo gjona shume te mira. Nejse. Shkurt. Nuk m’intereson kush udheheq ne Shqiperi nuk jam i prangosur as nga nje pale as nga pala tjeter. Kush mendon per Shqiperine dhe Shqiptaret i them bravo, kush eshte i paafte te largohet se i bon keq shume ketij populli dhe kesaj Shqiprie. Deri sot nuk i them bravo askujt.
    2016. Akoma nuk ka ujë ne shpiat e shqiptareve.

Komentet janë mbyllur.