Atentat i dytë kundër Jusuf Gërvallës

1
447
Donika Gërvalla

Lis Bukuroca, Zëri

Të tërheqësh zvarrë një grua, nuk është vështirë. Këtë dinë shumica e burrave. Ata që e bëjnë rregullisht, ose ata që kanë parë vepra të tilla, ose ata që kanë dëgjuar ndodhi të tilla. Të tërhiqet zvarrë një grua, pse nuk gjykon siç pëlqen Mustafa, mund të kuptohej në Koren e Veriut. Të tërhiqet zvarrë një grua dhe të mos kundërshtojë apo të mos shprehë mospajtimin me asnjë fjalë drejtori politik i UÇK-ës, sot kryetar shteti, mund të ndodhë vetëm në një shtet malok: në një shtet ku gruaja nuk ka dinjitet, që mund ta ketë burri.

Të tërhiqet zvarrë një intelektuale, një avokate shqiptare në Gjermani dhe të shpërfillen të gjitha normat sociale dhe juridike, mund të ndodhë vetëm në një shtet rural, në një shtet-stallë. Në vendet ku gruas i respektohet dinjiteti, një grua mund të nxirret jashtë nga gra police, jo nga burrat që mund të prekin pjesë të trupit, që mund të interpretohet si denigrim i trupit dhe integritetit të një zonje.

Se mund të dilet fitimtar ndaj një gruaje, dinë shumë burra. Dinë ata që e bëjnë rregullisht dhe ata që lexojnë rregullisht barbari të tilla. Se mund ta bëjë të palëvizhshme një burrë një grua, edhe këtë dinë shumica e burrave. Se mund ta bëjnë dy burra të fuqishëm, këtë tani mësoi edhe Donika Gërvalla. Bija e Jusuf Gërvallës!!!

Pra Donika Gërvalla, e bija e heroit, që flijoi jetën për shtetin e Kosovës, gjersa kryeministri i sotshëm, ishte bukur mirë dhe bukur trash pjesë integrale dhe pajisje operative e sistemi represiv jugosllav dhe pastaj edhe atij serb.

Natyrisht se e bija e Jusuf Gërvallës dhe Isa Mustafa kanë mosdurim të madh të ndërsjellë. Është e natyrshme kjo sepse dy ideologjitë, kanë luftuar njëra tjetrën, qysh nga zanafilla. Është kacafytje me Donikën sepse ajo ishte që nga lindja, për shtetin e Kosovës, kurse Isa Mustafa, që nga nisma e karrierës, në shërbim të Jugosllavisë, pastaj të shtetit serb.

Se paska pasur fletë arrest kundër Mustafës, se qenka dënuar në mungesë, e besojmë të gjithë, por se kjo është taktikë e shërbimit sekret serb për të mundësuar depërtimin e agjentëve të vet në qendra të vendosjes, pak e marrin me mend dhe vetëm Thaçi nuk e beson.

Duke parë ashtu bijën e Jusuf Gërvallës, nuk mund njeriu të mos ndjejë rrëqethje në trup dhe pyes veten: i kujt është ky maskarallëk shtet? Si është e mundur pas atentatit në Gjermani, t’i zvarritet, përbuzet, poshtërohet bija Jusuf Gërvallës në Prishtinë, në Kosovën e pavarur? Si është e mundur në Kosovën e çliruar të bëhet kryeministër një ish ministër i Millosheviqit?

Si është e mundur një viktimë e vetëshpallur si Isa Mustafa, të ketë aq fuqi politike, sa të keqtrajtojë pa asnjë pasojë bijën e Jusuf Gërvallës? Si është e mundur që Kosova lejon të hakmerret Millosheviqit nga varri kundër Jusuf Gërvallës? Si mund të lejohet një kryeministër të jetë ashtu antishqiptar dhe të përfaqësojë vendin?

Familja Gërvalla ka sakrifikuar pjesëtarë të familjes për këtë Kosovë, Mustafa asgjë. Ku është fytyra e kryetarit të shtetit, që ka kohë të luftojë homofobinë, por që nuk ka nge të shprehë dy fjalë keqardhjeje, për abuzimin me trupin e bijës së Jusuf Gërvallës?

Ku është lideri i UÇK – ës, që më herët me emrin e Gërvallës mburrej? Ku janë ata atdhetarë kosovarë, që heshtin ndaj përdhunimit të bijës së heroit, i cili veproi, kur Isa Mustafa kishte pantallonat e mbushura dhe zemrën e zbrazët? Nëse populli i Kosovës konsideron normal këtë akt dhune ndaj një gruaje, atëherë populli i Kosovës, jo se ka merituar një ministër të Millosheviqit në krye, por ai popull, meriton Millosheviqin personalisht, kurse anëtarësia e LDK-ës, pas pajtimit, le të transferohet në Serbi.

1 KOMENT

  1. Lis,

    Je duke fole per nje rast kur politiakanja nga Gjermania Donika Gervalla e paftuar, dhe ne nje menyre deri diku te dhunshme, donte te hynte ne mbledhjen e nje partie politike qe eshte LDK. Ajo nuk ka pase ftese as aresye te shkoj ne mbledhjen e partise LDK.

    Krahasimet qe i ke bere jane si zakonisht pa lidhje, sepse nuk behen krahasime pa lidhje dhe pa relevance me idene e mendimit qe e ke shprehe.

    Jusuf Gervallen e ka vra dikush, dhe besohet qe ai dikush ka qene nje puntor i SHERBIMVE SEKRETE JUGOSLLAVE ne vitin 1982.

    Por rasti i Donika Gervalles nuk duhet lidhur me vrasjen e Jusuf Gervalles sepse per mue eshte poshtersi e madhe te behen kesi krahasime.

    Donika Gervalla duhet ta fitojë vetë krakterin e saj politik e jo siç e beni te te jete e vleresuar vetem sepse eshte vajza e Jusuf Gervalles. Donika Gervalla nuk mundet me hy ne nje mbledhje te ciles do parti politike, nese nuk eshte e ftuar.

    Aq me teper çdo aktivitet politik i lidhur me Kosoven eshte absurd dhe pa asnje relevance nese zhvilohet ne shtetet e huaja e jo ne Kosoven e LIRE qe nga 12 Qershori 1999.

    Pra kush mirret me politike ne baza partiake ne cilindo vend JASHTË KOSOVES e bene nje veprim ANTIKOSOVE, sepse aktivitetet politike ne baza partiake duhet te zhvillohen EKSKLUZIVISHT ne Kosove. KOSOVA sot ka AMBASADA ne shume shtete dhe ajo i perfaqeson INTERSAT e saj …ndersa keta qe pretendojne se mirren me poltike ne meyre private dhe joligjore siç e bën Donika Gervalla dhe secili antar i seciles parti politike qe vepron JASHTË KOSOVES, ne te vertete jane kunder PAVARESISE SE KOSOVES… sepse e nenvlersojne Juridikisht PAVRESINE duke u marr me politke ne vendet e huaja e jo ne KOSOVE… aty ku zhvilohet politka reale e jo virtuale anakronike anti Kosovare…

    Shtetasit e Kosoves qe jetojne jashtë Kosoves, nese dojnë veprime politike i kane dy mundesi:
    1. Te jetojne dhe veprojne politikisht ne Kosove
    2. Te votojne ne Kosove per ndonje preference politike

    Prandaj i nderuar Lis, artikulli i jauaj ka shum qasje patetike dhe eshte i mbushr me shume te pavertata.

Komentet janë mbyllur.