ATDHEU DHE RRËNJËT NË VËZHGIMIN POETIK

1
294
Tonin Nikolli - Atdheu im është në qiell

Shkruan: Anton Nikë Berisha

Vijimësi e shqiptimit poetik të pasur

Përmbledhja me poezi “Atdheu im është në qiell” e Tonin Nikollit, që vjen pas librit “Gjashtëdhjetë kambana të reja[1]”, është një vijimësi e shqiptimit të dukurive të ndryshme të njeriut e të botës së poetit. Ajo dëshmon se autori vazhdon ta pasurojë në mënyra të ndryshme sistemin e të shprehurit poetik. Pjesën më të madhe dhe më cilësore të këtij libri e bëjnë poezitë e ndërtuara mbi parime metrike, po ato përligjin një të shprehurit të mirëfilltë modern letrar artistik.

Tonin Nikolli vazhdon t’i bëjë objekt ato dukuri që lidhen me të e me botën në të cilën jeton, me atdheun dhe me rrënjët – me atë që e cilëson rrjedhën e jetës së tij e të njerëzve të tij, po njëherit që janë të rëndësishme (si të ngjashme) dhe për të tjerët. Autori niset nga e veçanta, nga vetja, për t’i dhënë mesazhit një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë poetike.

Ai nuk i nënshtrohet ndonjë gjedhi (modeli) të caktuar krijues, po i kushton rëndësi gjuhës dhe të shprehurit figurativ, i cili e përcakton vlerën e secilës krijesë letrare. Të shprehurit e tij është i menduar, i pasur dhe modern; teksti përshkohet nga një varg simbolesh e metaforash, që kushtëzojnë komunikimin dhe ndikimin estetik të dukshëm në marrësin.

Letrat e bardha qiellin kanë marrë,
si kuaj, ngarkuar me kujtimet mbi shpinë.
Të tjera ujërave, fatkëqij lundërtarë,
janë mbytur pa fat, detit në suferinë.
(Kanë fryrë shumë erëra)

ose

Se i riu ka gjakun musht,
gjunjë të drejtë, ballin në yje…
Gurët e malit shkrin në grusht,
ngado të hidhet, në këmbë bie…
(Be (time) moshe)

ose

Nata stërgjatët skutave,
fshehur në trishtim.
Në kufij të shpirtit,
errësira kafshon agimin.
(Prelud)

Poeti është gjithnjë në kërkim të qenësisë së njohjes e të zbulimit të vetvetes e të dukurive të ndryshme të botës; ato ndërlidhen dhe me aktin krijues të poezisë, që e bën atë gjithsesi të mëvetësishëm: Trillet e poetit / janë dridhje të marra / në zjarrmi ethesh (Lutja e ditës së poezisë); ai dëshiron të jetë pafundësisht i lirë, ta dëshmojë qenësinë e jetës e të veprimit të vet në mënyrën sa më të plotë, po shpesh kjo mbetet vetëm një gjakim; rrjedha e jetës i kundërvihet, ia shemb synimet, ëndrrat.

Ninulla ime nuk është më këngë,
dhe ti s’je më magji e përkundur.
U kthye në erë, gjithçka e thënë,
fjalë – meloditë, si gjethe e shkundur.
(Ninulla ime e fundit)

Qenësia e atdheut dhe e rrënjëve

Në këtë përmbledhje me poezi Tonin Nikolli i kthehet gjallimit të përditshëm dhe shenjave të qenësishme të botës që i përket; u kthehet atdheut dhe rrënjëve për arsye se nëpërmjet tyre e shpalos dhe e njeh më mirë të tashmen dhe e parashënjon të nesërmen.

Kjo mënyrë vështrimi poetik nuk është e pa njohur në poezinë tonë, po autori ka zbatuar një qasje dhe një vëzhgim të mëvetësishëm; ai nuk i këndon himne njerëzve, atdheut dhe të kaluarës; nuk e përfton tekstin me cilësi retorike për të treguar rëndësinë e tyre, po përmes të shprehurit artistik, përmes ballafaqimit, kundërshtimit e kundërvënies së kumteve, e shqipton atë që është e rëndësishme për të e për veprimin jetësor të tij, po që ndërlidhet me njeriun kudo që ai jeton. Pra, mesazhet poetike të tekstit të përftuar nga Tonini shtrihen e degëzohen dhe përherë synojnë shumësinë shprehëse kuptimore.

Nga teksti i poezive vërehet shqetësimi i poetit, dhembja dhe trazimi i tij shpirtëror, dyshimi, po edhe gjakimi që këtë ta shprehë përmes një strukture gjuhësore artistike të lartësuar.

Më thonë, ngaherë, ti përmbi shkëmb,
shkon ngadalë dhe flet me valët…
Vegim i largët sëmbon, dhemb,
në lot shiu, i shkrin tërë fjalët…
(Oqeanit, mbi shkëmb)

Gjithë atë që lidhet me atdheun dhe me rrënjët poeti i mërguar në dhe të huaj[2], e ndjen në mënyrë sa të veçantë, aq dhe të thellë; pa këto të dyja ai është i paqenë.

Jam, thjeshtë, një i ikur, zbuar nga fati,
Lidhur me ‘i litar, kryq e tërthor trupit…
Sa më larg shkoj, zgjatet e stërgjatët,
prej GURIT ZADRIMЁ, kurrë nuk këputet…
(Nuk jam një atdhetar)

Nikolli e shpreh qenësinë e atdheut dhe të rrënjëve përmes shenjave të rëndësishme: Mirditës, Zadrimës, Drinit, Fishtës, sofrës, kullës (odës) etj., që janë pjesë e mozaikut të madh e të pasur të pranishme në këtë vepër. Kështu, fjala vjen, Drini: më përkund ëndrrën / në djep malli” (Drini është malli).

Gjithë kjo ndodh nga fakti se dashuria për atdheun është mbi të gjitha dashuritë (Virgjili) dhe se atdheu është vendi ku robërohet shpirti (Volteri); atdheu i njëson të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Pra, në qoftë se arti s’ka atdhe, artistët kanë (Sen-San), ata janë të lidhur me të.

Për poetin tonë atdheu është foleja më e vlefshme, ku mbëltohet dhe prehet shpirti; për të duhet të bëhet gjithçka; nëse e mohon atë i ke mohuar të gjitha. Shkrimtari i shquar, Bjelinski, thoshte “Kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit”.

Poeti Tonin Nikolli është i vetëdijshëm për rëndësinë e atdheut, që mund të ndërlidhet me atë që thotë një personazh i romanit “Rudini” të Turgenjevit: “Rusia mund të jetë pa këdo prej nesh, po askush prej nesh nuk mund të bëjë pa Rusinë”. Pra, gjërat e gjallimit të individit dhe të ndërgjegjes së tij, maten e vlerësohen mirëfilli përballë atdheut. Poeti ynë e di se, siç thotë Uolltër Skoti, “Plagët që durohen për hir të ndërgjegjes kanë në vetvete balsamin shërues”:

Mbys thellë gurin e mërzisë time, pa faj,
Rrathëve të ndërgjegjes, të ligësisë që vret…
(Guri i mërzisë)

Tonin Nikolli sa e shpreh dashurinë e pazakonshme ndaj atdheut dhe rrënjëve të botës që i përket, ndaj të kaluarës dhe ta tashmes, po aq është kritik për pakujdesin që në kohën e tanishme dëshmohet për atdheun, për të ashtuquajturën vetëdije të fjetur që e përligjin shqiptarët për vetveten: ndërruam flamurët, siç thanë politikat, / herë shqipe n’shkëmb, herë gjarpërinj zvarrë”. Pra, poeti i përjeton thellë dhe bashkëjeton me dhembjet dhe me pësimet që u ndodhin njerëzve të botës së tij, po nuk gjunjëzohet përballë të papriturave dhe trazimeve:

As unë nuk e di, kur ka lindur Kombi,
as çfarë race jam, ç’geni i përkas…
Veç di, ndër shekuj, ec buzë një honi,
ringjitem vital, sa herë që rrëshqas…
(Metamorfozë pa asnjë kuptim)

Autori i përmbahet atij parimi të rëndësishëm, që e përmendte Lasgush Poradeci ynë kur thoshte se në shqyrtimin e historisë (lexo: të kaluarës, po dhe të tashmes) duhet t’i vëmë në dukje të mirat, por edhe të metat për arsye se në këtë mënyrë formohet shpirti i kombit[3].

Kam mbetur veç unë… As vdekur, as gjallë,
sajoj trurit përralla të kota të ritit.
I rilind, i rivras, i riqaj me mall,
të hershmet, dhimbje të mia të shpirtit.
(Kanë fryrë shumë erëra)

Botën poetike të kësaj përmbledhje të Tonin Nikollit e pasurojnë në mënyrën e vet edhe poezitë e cikleve “Atdheu im është në qiell”, “Lutjet e mia” dhe “Cikli im në haik”, ku përmes teksteve të shtjelluara me vargun e lirë, shqiptohen dukuritë e botës së njeriut të sotëm, të tronditur e të ngarkuar nga pesha e jetës, si dhe shqetësimet e vetë poetit, ku herë – herë ai e përdor me mjeshtëri dhe ironinë.

Prishtinë, korrik 2021


[1] Shih Parathënien time “Poezi e ndjeshmërisë së lartë artistike” për veprën e Tonin Nikollit “Gjashtëdhjetë kambana të reja” Shtëpia botuese Lena, Prishtinë 2020.

[2] E përjeton atë që thoshte Hirshfeld se në vend të huaj e ke vetëm të tashmen.

[3] Marrë nga libri, Petraq Kolevica, Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje. Studim kritik. Botoi “Marin Barleti”, Tiranë 2002.

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.