Atdhedashuria-lajtmotiv i poezive të librit “Rreze në atdhe” të poetit Nuhi Potoku

0
533
Nuhi Potoku - Rreze në atdhe

Zymer Mehani

Nuhi Potoku është krijues letrar nga Podujeva që shquhet me talentin dhe stilin e tij të të shkruarit, ngase vargjet që i kultivon ua nënshtron ligjeve estetike dhe teoriko-letrare, duke u dhënë poezive të veta kësofare përmbajtje dhe formë. Për këtë autor poezia është shprehje e drejtëpërdrejtë dhe ndërmjetësuese e ngjarjeve shoqërore dhe historike.

Në çdo varg dhe në çdo poezi të poetit Nuhi Potoku hetohet qartë ndikimi i figurave kombëtare dhe i ngjarjeve historike, e që këto i japin formësim poezisë dhe artit poetik të tij.

Mendojmë se bashkë me elementin e pakontestueshëm kohë, poezia e Potokut ngërthen edhe diçka që e tejkalon edhe kohën dhe është e amshueshme, e pikërisht kjo është përjetësia, duke mbetur prore aktuale, që flet përmes vargjeve të poetit mbi ndryshimet historike, kombëtare dhe mbarënjerëzore.

Autori Potoku jo rrallë kërkon mirëkuptimin mes njerëzish, si virtyt, vëllazërinë kombëtare dhe unitetin kombëtar, pse jo edhe ribashkimin e kombit.

Tani autori Nuhi Potoku (shkrimtar dhe poet) para lexuesve po del me librin e tij të radhës, të titulluar “Rreze në atdhe”(Prishtinë, 2019), të cilën e ka konceptuar kryesisht me poezi përkushtuese, që mund t’i ndajmë në:

1. Poezi për familjarët (nëna, gjyshi, gjyshja, nipi…);
2. Poezi për dëshmorët e atdheut dhe figura të rëndësishme kombëtare (Ali pashë Tepelena, Dedë Gjo’ Luli, Hafiz Ali Korça, Motrat Çiriazi…, Demë Ahmeti, Afim Zhitia, Fahri Fazliu, Zahiri, Hakifi, Edmondi, Iliri, Isë Havolli, Elfir Behrami, Sabit Rrahmani etj…);
3. Poezi për figurat që lanë vlera të ndryshme, si veprimtarë të çështjes kombëtare dhe si njerëz të denjë që meritojnë për t’u kujtuar nga brezat që vijnë (Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Dr. Ibrahim Rugova, Xheladin Deda, Hysen Tërpeza, Hamit Abdullahu, Xheladin Rekaliu, Mustafë Bajraktari, Kadri Rashiti, Nexhmije Latifi etj.).

4. Poezi për figurën e nënës shqiptare (Mihane Ramoca-Shabani, Fjala jote, nënë, O nënë katanë), për qëndresën shqiptare nëpër shekuj (Kulla ime), për malësorin shqiptar (Xhafer Rrëzhana, Isuf Repa), për odën shqiptare (Oda jonë), për Universitetin e Tetovës (U hap Universiteti i Tetovës), për flamurin tonë kombëtar (Flamur kuqezi), për Prizrenin historik (Në Prizren), për pajtim të gjaqeve (Porosia e Madhe), për gjuhën shqipe (Qortimet e gjuhës, Tingujt e Manastirit), për arkeologët e rinj, për mërgimtarët, për shkrimtarët shqiptarë (Ku t’ju gjejmë?), për Ymer Elshanin, që okupatori e masakroi bashkë me nënën e tij dhe tërë familjen më 1999 (Rreze në atdhe), për mësuesit atdhetarë llapjanë (Remzi Demolli, Ruzhdi Ibrahimi)…

S’do mend se edhe në këtë përmbledhje poetike kryetemë dhe lajtmotiv është atdhedashuria.
Poeti Nuhi Potoku ambientin, hapësirën, truallin amtar e ka shndërruar në lëndë të poezisë së vet. Kjo është gjeografia e atdheut në tërësinë e saj, me karakteristika të veçanta, me ngjarje dhe njerëz të veçantë, që flet për një ekzistencë autoktone të qenies shqiptare nëpër mugëtira, stuhi e rrebeshe të shekujve dhe të hohërave. Poeti në poezitë e vëllimit “Rreze në atdhe” na jep edhe figura të shquara kombëtare, siç janë Skënderbeu, Ismail Qemali, Ali Pashë Janina, Dedë Gjo’ Luli, Hafiz Ali Korça, Demë Ahmeti dhe një vargan i pafund atdhetarësh, burra të pushkës e të penës, deri te epoka e luftës çlirimtare e UÇK-së, e prirë nga Komandanti legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Isë Havolli etj, etj, pa i harruar as veprimtarët, siç janë Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Xheladin Rekaliu, pastaj Dr. Ibrahim Rugova etj., të cilët e shkrinë rininë, burrërinë e pleqërinë e tyre vetëm për çështjen tonë kombëtare.

Këto figura, që poeti me të drejtë i quan RREZE NË ATDHE (shkrimtarin Ymer Elshani), i ka ravijëzuar me sukses, ngase ata përfaqësojnë burrërinë, bujarinë, përpjekjet shumëshekullore dhe mundimet e llojllojshme për liri të atdheut. Këto personazhe paraqiten dhe jepen në vargje dhe në poezi në çaste të ndryshme dhe kësofare vetëm sa e përmbushin dhe e përforcojnë, në mënyrë krejt të natyrshme mozaikun me figura të shquara kombëtare, të pushkës e të penës. Po ashtu, bashkë me këto personazhe kemi të paraqitur edhe topografinë konkrete kombëtare, siç janë Kruja, Vlora, Prizreni, Janina, Llapi etj, etj., pa e harruar as, Iliridën e Çamërinë. Kjo topografi vetëm sa e ilustron më mirë e më saktë gjeografinë poetike të poetit Potoku, në të vërtetë edhe të vetë poezisë së tij.

I gjithë ky ambient shqiptar për të marrë vlerën që edhe e ka, jepet edhe përmes ngjarjeve kronologjike, duke filluar me kohën e kreshnikëve (Gjergj Elez Alia), për të vazhduar me e epokën e pashallëqeve të Shkodrës e të Janinës (Ali pashë Janina), për të hecur drejt pragut të pavarësisë së Shqipërisë (Dedë Gjo’ Luli) e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së (Zahiri, Hakifi, Edmondi, Iliri, Isë Havolli etj.).

Në vija të trasha, kohën poeti e ka konceptuar në të djeshmën dhe në të sotmen. Por, ne e kemi kuptuar se ai është ithtar i kohës që paraqet zhvillim të gjithmbarshëm dhe perspektivë të truallit amtar, duke e pasur si pikësynim gjithnjë Ribashkimin Kombëtar.

Meqë vëllimi poetik “Rreze në atdhe” në duar të lexuesve po vjen pas një sërë librash të tjerë të autorit Nuhi Potoku, kësaj radhe, në këtë përmbledhje, poezitë e tij zgjerohen edhe për disa mundësi semantike, që gjithsesi janë dëshmi e evoluimit dhe e përvojës së shtuar e të pasuruar poetike të autorit.

Në frymën e tematikës autentike, mund të themi se lajtmotiv i poezive të autorit Nuhi Potoku është atdhedashuria. Në strukturë të poezive të këtij autori inkuadrohen edhe mjaft elemente të figuracionit poetik, që luajnë rol meditativ e artistik. Po ashtu, në këto pezi gjejmë edhe mjaft simbole e metafora të bukura.

Duke e lexuar vëllimin poetik “Rreze në atdhe” të autorit Nuhi Potoku, mund të përfundojmë se gjatë realizimit të vet poetik e artistik, autori është ngritur në bazë të një evolucioni të vazhdueshëm e cilësor, duke e pasuruar gjithnjë opusin poetik të tij.

Zymer Mehani, Podujevë, më 9 shtator 2019