Milazim F. KADRIU
ATA QË PËR LIRI U FLIJUAN
Ata na i hapën shtigjet,
nëpër të cilat na vijnë rrezet e diellit.
Ata na sollën pranverën e lulëzuar,
bilbilat të lirë për të kënduar.
Ata nuk kursyen asgjë nga vetja,
që për ne të jetë e ëmbël jeta.
Ata që për liri u flijuan
Nuk vdiqën, pavdekësi fituan.
LUFTËTARIT TË UÇK-së
Shkele nëpër borë,
nëpër male e bregore,
me këpucë të grisura,
plagë dheu more.
Se ndjeve të ftohtit,
nëpër atë stuhi,
në flakë të barotit,
Atdheu dhe ti.
Errësirën shekullore
e kalle ndër flakë,
liria e Kosovës
u lind përmbi gjak.
NJËMIJË E NËNDË QIND E NËNTËDHJETË E NËNTË
Luftë, furtunë, tmerr e gjak…
Acar e stuhi
Qëndresë e krenari.
Ngadhënjimi mbi armikun shekullor
Dëshmorët tanë lisa të pa rrëzuar
gjerdan në kohë e të paharruar.
JETA, ERA, VDEKJA…
I ngjeshën armët,
përpara u prin shqiponja në flamur,
shkojnë tek bregu i dritës,
të gjithë zemërgur.
Zemrën e helmuar
e mblodhën dhe e shtrënguan,
me armikun përballë,
vdiqën ose mbijetuan.
Atje lart në bregore,
te lisi i gjatë,
jeta,mbijetesa, qëndresa
dhe vdekja janë bashkuar,
kryelartë.
TRIMAT KOSOVAR
Lirinë e Kosovës
të gjithë duhet ta mbrojmë,
dhe gjakun e derdhur
ta ruajmë në dhé,
Trimat e UÇK-së
t’i kujtojmë,
me një mirënjohje të thellë,
çdo ditë të re.
Ata i dolën vdekjes përballë,
nuk pyeten se çfarë është rreziku,
kur vdiqën,
u kthyen në shkëmb,
përballë armikut.