At Gjergj Fishta
Me rastin e 150 vjetorit të Lindjes
NIKË GASHAJ
Me rastin e 150-vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, për herë të parë, më 23 shtator 2021, mbajti konferencën shkencore “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.
Revista për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore “Malësia”, në Mal të Zi, të cilën e drejtoi, në numrin 14, në vitin 2019, ia kushtoi në mënyrë tematike At Gjergj Fishtës. Në këtë numër të revistës “Malësia”, punimet e tyre i kanë publikuar emra të njohur intelektualësh nga mbarë trevat etnike shqiptare. Arsyet pse një numër të veçantë të revistës sonë ia kushtueme këtij shkrimtari, studiuesi dhe patrioti kombëtar janë të mëdha, ndërmjet të tjerash, në veçanti po i nënvizojmë:
Së pari, motivimi i nxitjes së botimit është studimi më i thelluar i jetës dhe veprës së Fishtës, i cili në periudhën e sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet vjet nga mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Kjo ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figure të madhe të kulturës shqiptare.
Së dyti, ka të bëjë me vlerën e madhe artistike të veprimtarisë letrare të Gjergj Fishtës, e, në veçanti, të kryeveprës “Lahuta e Malcis”.
Së treti, kontributi jashtëzakonisht i madh i Gjergj Fishtës si kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (Bitoli i sotëm-Maqedonia e Veriut), më 1908.
Së katërti, rëndësia e madhe e tij si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919-1920.
Së pesti, në zgjedhjet e qershorit të vitit 1921, Gjergj Fishta zgjedhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Prandaj, është me rëndësi angazhimi i tij politik për mbrojtjen me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.
Së gjashti, merita e madhe e Fishtës, për mbrojtjen cilësore të interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave njerëzore të vëllezëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjestar i delegacionit shqiptar në konferencat ballkanike: 1930 në Athinë, 1931 në Stamboll, 1932 në Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.
Së shtati, kontribiti i madh i Fishtës si bashkë themelues dhe antar i Shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër (1899), qëllimi i së cilës ishte zgjimi i popullit me anë botimesh në gjuhën shqipe.
Së teti, Fishta u emrua në vitin 1902 drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër, e cila qysh prej themelimit të saj në vitin 1861 drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në shkollë bëri shtiemen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për here të parë si gjuhë në shkollë.
Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri. Shkolla e P. Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarvet, ku në mbrëmje mbledhshin rinia e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga goja e Mjeshtrit t’idesë kombëtare Gjerg Fishtës.
Së nënti, Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin, formuan “Komisin Letrare” në Shkodër, më 1916, e cila kishte për qëllim me i vë themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.
Së dhjeti, Fishta duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet themelor se shtypi asht arma ma e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti ma i përdorshëm për t’i çelë syt popullit, themeloi revistën letrare, filozofike dhe diturore “Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi dhe drejtoi gazetën politike-letrare “Posta e Shqypnisë”. Përveç, këtyre, për një kohë të gjatë drejtoi dhe revistën “Zani i Shdout”.
Së njëmbëdhjeti, në vitin 1923 Shoqëria “Rozafa” organizoi në Shkodër një ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë Ekspozitë, Fishta paraqiti 24 copë piktura origjinale të tij të punuara me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.
Së dymbëdhjeti, nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Së trembëdhjeti, ndjenja e borxhit ndaj këtij vigani dhe personaliteti të madh të kulturës kombëtare, i cili është nderi dhe krenaria e shqiptarisë.
At Gjergj Fishta( 23 tetor 1871-30 dhjetor 1940) është poeti kombëtar, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik dhe politikan. Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, në paralagje të Shkodrës. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Më 1886 u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë, ku studioi telogji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten.
Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në Urdhërin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në Kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famulltar në fshatin Gomsiqe.
Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare shprehet sidomos në kryeveprën “Lahuta e Malcisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit 1878 e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: Kundër Perandorisë Osmane në periudhën e shthuerjes së saj, dhe luftës kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga fqinjët.
Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër, është nxjerrun nga jeta e pasuria shpirtërore e popullit shqiptar (Martin Camaj). Kot mundohen Grekët e sotëm – thotë Faik Konica-të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.
Eqrem Çabej thekson: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipënisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruaj gjer sot jeta shqiptare”.
Lasgush Poradeci thotë: “Fishta është shkëmb i tokës dhe shkemb i shpirtit shqiptar”.
Fishta nihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzëmrt i këtij populli. Ai ka qenë figura emblematike e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj, ai është nderi dhe krenaria e shqiptarisë. Ai e meriton këtë ndrim dhe vlerësim. Është një botë e tërë që e ka nderuar si të tillë, që e ka cilësuar si poetin më të madh të kombit shqiptar.
Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të pashlyeshme, por jehuan edhe në botën letrare të jashtme, duke e bë të njohur emrin shqiptar ndër rrethet intelektuale të botës së qytetëruar.
Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroj Mbreti i Austro-Hungarisë me Ritterkreuz (1912), Paria e Përgj. E Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929), mbreti i Turqisë me dekoratën Mearij, kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën Foenix (1931).
Në mesin e vitit 1939 Fishta u emërua anëtar i Akademisë së Shkencave Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.
Karl Gurakuqi, thotë: “Në qoftë se sot mburret Italia për një Dante Alighieri dhe Francesco Petrarca, në qofttë se krenohet Albiona plakë për një Milton e Schakespeare, Gjemanët për një Goethe e Schiller, Francezët për Corncille e Racine; atëherë Fishta është krenaria e Kombit tonë, është gjenia më e naltë e fisit arbnuer, është pjella më fisnike e më e bukur e tokës së parëvet tonë… Fëtyra e tij rrall përsëritet në historinë e qytetërimit, emni i tij do të shkruhet me germa ari në historinë e Rilindjes sonë, vepra e tij është monument i shekujvet të historisë kombëtare…”.
Pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, Fishta përsëri këthehet në institucione arsimore, kulturore dhe shkencore pët t’u mësuar dhe studiuar, por jo dhe sa duhet. Andaj, ekziston nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Prandaj, është çështje kurajuese që, At Gjergj Fishta kthehet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë i vlerësuar për të gjitha kontributet e tij në fushën e albanologjisë, si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar dhe botues.