AT GJERGJ FISHTA: “MBRETI I POETËNVET SHQIPËTARË”

0
1631
At Gjergj Fishta

Nga Frank Shkreli

Kështu e kishte cilësuar At Gjergj Fishtën Lefter L. Dilo, publicisti, historiani, studiuesi e muzeologu i njohur gjirokastrit në një artikull të titulluar “Patër Gjergji – ‘Mësues i të gjithë Shqiptarëve’, botuar në vitin 1941, në një botim të posaçëm përkujtimor, ku u botuan, pas vdekjes së Poetit Kombëtar, kujtimet dyzina shkrimtarëve dhe njerëzve të njohur të kulturës së asaj kohe — vendas e të huaj — të cilët e kishin njohur dhe që kishin bashkpunuar me At Gjergj Fishtën, gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij.

Kjo përmbledhje e shkurtër dhe e rastësishme që pason, e artikullit të Lefter Dilos kushtuar At Gjergj Fishtës — them e rastësishme pasi nuk lidhet me ndonjë përvjetor ose datë të veçantë — është vetëm një kujtesë tjetër për ne sot, pas pothuaj 80-vjetësh të ndarjes nga kjo jetë e Fishtës, se ç’mendonin bashkohasit e tij për ‘të si person, si patriot dhe si shkrimtar e poet i Kombit shqiptar. Ja vlenë që vlerësimet e bashk-kohasve të Fishtës, të cilët e kishin njohur shumë mirë atë, t’i kujtojmë nga koha në kohë dhe të marrim frymëzim se si duhet të nderohen burrat e Atdheut, si At Gjergj Fishta – emrin e të cilit regjimi komunist i Enver Hoxhës e zhduku (së bashku me eshtrat e tija, fati I të cilave nuk dihet as sot) nga kultura, letërsia dhe nga historia e Kombit Shqiptar. E sidomos në një periudhë të ashtuquajtur demokratike, post- komuniste, ku edhe entet dhe institucionet zyrtare të shtetit shqiptar siç është Ministria e Kulturës, qëllimisht e kanë lënë pas dore duke e hedhur në harresë.

Por sado që përfaqsuesit e “kulturës” së atyre, që janë sot në pushtet, duan ta lënë në harrresë Fishtën, bashkohasit e tij, si Lefter L. Dilo dhe të tjerë, nuk na lënë ta harrojmë atë as kontributet e At Gjergj Fishtës për të gjithë brezat e shqiptarëve – për kulturën, për letërsinë, për gjuhën dhe për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. “E me të vërtetë, kush tjetër”, ka shkruar Lefter L. Dilo në vitin 1941, “Veç Patër Gjergjit mund të paraqesi më shumë punë mendore e më shumë aktivitet kultural se akutori i Lahutës së Malcis? Si themelues i Gjimnazit Françeskan dhe si drejtor i gjithëherëshëm i Hyllit të Dritës, At Fishta u çqua kurdoherë dhe e bëri Gjymnazin, që ay vet e drejtoi për shumë kohë, një alma matter dhe Hyllin e Dritës një flamur e një fole përpjekjesh e mendimesh serjoze, një të përkohshsme, që nderon plotësisht botën intelektuale të Fretënvet të Kuvendit të Gjuhadollit.”

Lefter Dilo ka theksuar kontributin patriotik e kombëtar të At Gjergj Fishtës, duke shkruar se, “Mbreti i Poetënvet Shqiptarë, Patër Gjergji, qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe dolli e mprojti me trimëri të drejtat e Kombit t’onë në çdo Konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me veprën e tij poetike i fali Shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri. Nuk mjafton vetëm derdhja e gjakut. Luftat dhe peripecitë e një kombit të vogël, me kalimin e kohës harrohen, po të mos përjetësohen nga penda e shkrimtarit”, ka vlerësuar Llefter Dilo At Gjergj Fishtën, në shkrimin e tij në librin përkujtimor “At Gjergj Fishta –1871-1940”, botuar me 20 Tetor, 1941 në Milano.

“Jetën e popujve e bën të gjallë e të pavdekëshme talenti i Poetit, i cili me shkrimet e veta pasqyron të shkuarën e kombit dhe i siguron të arthëmen, sepse epopeja kombëtare siç është kjo e Poetit shkodran, do të ushqejë brez pas brezi djalërinë shiptare nepërmjet fuqisë së vet,” është shprehur Lefter Dilo. “E me të vërtetë, kush mund t’i dalë përball diellit satirik të Patër Gjergjit e kush mund të prekte me kaq mjeshtri të metat tona të djeshme, si njerës, si qytetarë dhe si qeveritarë”, pyet Dilo dhe njëkohësisht përgjigjet: “Vetëm At Fishta, i cili sa qe gjallë punoi pa përtim, mund të quhet mësues i yni, sepse nuk jetoi në “kështjellën e fildishtë”, por u hodh me enthuasiasmë djaloshare nga një misjon në tjetrin, për të mirën e kulturës, e të racës shqiptare”.

Lefter Dilo tek kulla e sahatit të kalasë së Gjirokastrës ne vitin 1957

Lefter Dilo ka shkruar se megjithse kishte ndërruar jetë, Gjergj Fishta është i gjallë dhe më i flakët se kurrë, me veprën e tij e cila nuk do të vdesi kurrë, sepse sipas tij, “Kur me kalimin e kohës, familja shqiptare e mbledhur rreth e rrotull vatrës plot flakë, do të përmend emërin e fratit-poet, figura e këtij do të shkelqejë më me forcë, sepse ahere do të jenë zhdukur njëherë e mirë edhe vogëlsinat më të kota të njerëzvet. Ahere, jeta e poetit do të bëhet më interesante e më e pasur në kujtime”, ndërkohë që Lefter Dilo ka shprehur shpresën dhe optimizmin e tij se, “Ndërtesa e Kuvendit t’Arrës së madhe, ku qendronte Poeti do të bëhet atëherë vend pelegrinazhi …sepse aherë banesa e Poetit do të jetë bërë muze, vend përmallimi për të gjithë Shqiptarët.”


Loading…


Fatkeqsisht, Lefter Dilo do ishte sot shumë i zhgënjyer në Shqipërinë e ashtuquajtur demokratike, ashtu siç janë shumë shqiptarë kudo, se as sot e kësaj dite, pas pothuaj 30-vjet post- komunizëm, At Gjergj Fishta, të cilin ai e pat cilësuar si “Mbretin e Poetënvet Shqiptarë”, nuk ka një shtëpi muze as, “nuk shkëlqen me forcë” në Shqipërinë e tij post-komuniste. Për Gjergj Fishtën asgjë nuk ka ndryshuar, sidomos në qarqet akademike dhe të kulturës zyrtare të Shqipërisë. Fatkeqsisht, Gjergj Fishta dhe adhuruesit e tij duhet të presin edhe më gjatë ashtuqë, “familja shqiptare e mbledhur rreth e rrotull vatrës plot flakë”, të kujtojë, të nderojë dhe të përmend “Mësuesin e të gjithë shqiptarëve”, At Gjergj Fishtën, ashtu siç shpresonte Lefter Dilo në vitin 1941.

Sot, 28 vjet pas shëmbjes së diktaturës komuniste, për fat të keq, jemi dëshmitarë të një atmosfere konfliktuale të përhershme midis rrymave të ndryshme të kësaj klase politike post-komuniste, anë e mbanë trojeve shqiptare, që në dëm të të mirës së përbashkët, vetëm lufton për interesat personale dhe partiake ndërkohë që ka harruar krejtësisht – nëqoftse i ka pasur ndonjëherë në zemër — interesat kombëtare në përgjithsi dhe të drejtat dhe liritë e çdo shqiptari në veçanti. Sot, më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për një “ndërmjetës” të autoritetit të At Gjergj Fishtës, mbasi për më shumë se 80-vjetë, shqiptarët nuk vepruan as nuk po veprojnë sipas idealit të tij atdhetar.

Të këtij burri të madh — që sipas At Benedikt Demaj, i cili shprehet në parathënien e librit kushtuar Fishtës e ku është botuar edhe artikulli i Lefter Dilos, Gjergj Fishta ishte “Gjithëherë i gatëshëm me vrapue aty ku e lypte nevoja për të shtrue themelet e patrandshme të nji idealizmi kombëtar, për të pri ndër luftime në mprojtjen e Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqyptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit.” Për këtë, At Gjergj Fishta meriton përmendore dhe muze, ashtu siç shpresonte Lefter Dilo, por për më tepër dhe mbi të gjitha, në këtë moment të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve, nevojitet — ashtu siç i ka hije një kombi të qytetëruar — një bashkim i fuqive dhe i zemërave rreth idealeve kombëtare për të cilat veproi dhe të cilat At Gjergj Fishta i mbrojti dhe i kultivoi gjithë jetën e tij. Dhe të “Zhduken njëherë e mirë vogëlsinat më të kota të njerzëve”, në lidhje me veprimtarinë dhe kontributin e At Gjergj Fishtës, do të këshillonte sot Lefter Dilo.