Astrit Bishqemi – studiuesi, romancieri dhe prozatori fantastiko-shkencor

0
3402

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Astrit BISHQEMI u lind në Elbasan më 1943. Pas shkollës së mesme pedagogjike, vazhdoi për matematikë-fizikë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës dhe mandej studimet e larta për gjuhë e letërsi në qytetin e lindjes. Në Universitetin e Tiranës mbrojti doktoraturën me temë “Teoria dhe historia e letërsisë për fëmijë e të rinj”. Ka shërbyer arsimtar në shkolla të ndryshme tetëvjeçare e të mesme të rrethit të vet, në Librazhd, në Peqin e në Elbasan dhe redaktor i gazetës lokale “Shkumbini”.

Që nga viti 1981 (fillimisht pedagog i jashtëm, më tej efektiv), jep leksionet e lëndës së letërsisë për fëmijë në Universitetin “A. Xhuvani” – Elbasan. Është autor e bashkautor në disa tekste të shkollës nëntëvjeçare dhe të lartë. Mban titujt Mësues i Merituar dhe Profesor i Asociuar. Në qershor 2009, nga Ministria e Kulturës dhe Sektori Shqiptar i IBBY-t u nderua me çmimin e karrierës “Orët” për “punë të përkushtuar në studimin e letërsisë shqipe për fëmijë dhe si krijues i afirmuar”.

Vjershën e parë e botoi te “Fatosi” më 1959; më tej iu përkushtua tërësisht krijimtarisë letrare për fëmijë, duke
publikuar:

I. Novela:

– Gjoksshkëmbi (fantastiko-shkencore) – NAIM FRASHËRI, T.1972
– Tregim për nënën trimëreshë – NAIM FRASHËRI, T.1974
– Përtej oborrit diellor (fantastiko-shkencore) – NAIM FRASHËRI, T.1978
– Partizani fotograf – NAIM FRASHËRI, T.1980
– Një verë plot ngjarje – NAIM FRASHËRI, T.1981
– Kur çelnin livarëzat e arrës – NAIM FRASHËRI, T.1984
– Epitafi dinak – gazeta FJALA E LIRË, Elb.1994
– Burgu i qelqtë – ONUFRI, Elb.1995
– Doriu i luftërave – ONUFRI, Elb.1996
– Zezona e qumështit – SEJKO, Elb.1996
– Për një gotë çaj – SEJKO, Elb.2004

II. Vëllime me tregime e përralla:

– Detyra – NAIM FRASHËRI, T.1974
– Çelësi i depos – NAIM FRASHËRI, T.1976
– Gëzofi i Tokës (fantastiko-shkencore) – NAIM FRASHËRI, T.1977
– Kallëzimet e kokërrzave të breshërit (tregim shkencor) – NAIM FRASHËRI, T.1978
– Fidani i dardhës – NAIM FRASHËRI, T.1978
– Drugdhendësi i vogël – NAIM FRASHËRI, T.1978
– Libri i grisur – NAIM FRASHËRI, T.1984
– Trimëria – NAIM FRASHËRI, T.1985
– Dhëmbët e ujkut – SEJKO, Elb.1996
– Kur nisa rrugën e shkrimeve – ONUFRI, T.1997
– Thesi i gjallë – TOENA, T.1998
– Gjyshër e nipër – SEJKO, Elb.2001
– Si ia hodhëm kompjuterit – SEJKO, Elb.2002
– Papuçe për princ Pison – SEJKO, Elb.2003
– Shtëpiza ime (përralla e kallëzime diturake) – SILVER, Elb.2003
– Maçoku me celular (Një pëllëmbë me përralla) – ERIK, T.2004
– Kallëzimet e Kaltrit – SEJKO, Elb.2006
– Mali i Vashës – JONALDA, T.2012
– Djali i zgjuar dhe vajza e bukur – RAMA GRAF, Elb. 2013
– Përralla elbasani 1 – JONALDA, T.2013
– Përralla elbasani 2 – RAMA GRAF, Elb. 2013

III. Romane:

– Me vështrimin lart – NAIM FRASHËRI, T.1986
– Udhëtim i jashtëzakonshëm (fantastiko-shkencor) – NAIM FRASHËRI, T.1987
– Zemër, o bir! – FLESH, T.2000
– Fustanet e dallëndysheve – SEJKO, Elb.2003
– Kronikë me tank – SEJKO, Elb.2004
– Klik: Rrapatushët 1 (Rrapatushë prej allçini dhe prej së vërteti) – EXTRA, T.2007
– Klik: Rrapatushët 2 (Endje nëpër botë) – EXTRA, T.2007
– Klik: Rrapatushët 3 (Hidhemi në të shtatën) – EXTRA, T.2007
– Klik: Rrapatushët 4 (Fillime dhe… maja) – EXTRA, T.2007
– Si u rrit një poet – SILVER, ELB. 2011

IV. Përkthime (nga gjuhët italiane e franceze), përshtatje etj.:

– Ali Baba dhe dyzet hajdutët (ritregim) – ONUFRI, Elb.1993
– Xhani Rodari: Pinoku dinak – KRISTOFORIDHI, Elb.[1993]
– Xhani Rodari: Xhelsominoja në vendin e gënjeshtarëve(roman) – SEJKO, Elb.2002
– Leit Sauervein: Indiani i vogël Hyshte – SEJKO, Elb.[2002]
– Zhak Deval: Misteri i Oqeanorit – SEJKO, Elb.[2002]
– Marie- Helene Deval: Fëmija egërsirë – SEJKO, Elb.[2002]
– Maria Markone: Anija kozmike e Alekut (roman) – SILVER, Elb.2003
– Daniel Defo: Robinsoni (përkthyer nga Lumo Skëndo, sjellë në gjuhën e sotme) – SEJKO, Elb.2005
– Zhyl Vern: Aventurat e kapiten Haterasit (përshtatur për fëmijë) – DY LINDJE…, Elb. 2007
– Xhonatan Suift: Udhëtimet e Guliverit (përshtatur për fëmijë) – DY LINDJE…, T.2007

V. Studime në fushën e letërsisë për fëmijë:

– Gazmore 300 e ca… buzëqeshje sa? – TOENA, T.1996
– Nga ditari i një shkrimtari për fëmijë – SEJKO, Elb.2005
– Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë – SEJKO, Elb.1997 (e ripunuar: SEJKO, Elb.2004)
– Eja, ta lexojmë bashkë një vjershë! (komentar) – “ELBASANI 2000”, T.1998
– Letërsia botërore për fëmijë – SILVER ,Elb.1999 (e ripunuar: SEJKO, Elb.2006)
– Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë – SEJKO, Elb.2001 (e ripunuar: DY LINDJE…, T.2008)
– Vlera të anatemuara… (Gjurmime e studime) – SEJKO, Elb.2005
– Autorë e tekste letrare, probleme e vlera… – SEJKO, Elb.2007
– Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj (lexikon) – DY LINDJE…, T.2009
– Tragave te letersise…(Gjurmime e studime) – RAMA GRAF, Elbasan, 2011

Me të vërtetë të entuziazmon krijimtaria letrare e shkencore e pedagogut, studiuesit dhe shkrimtarit Astrit Bishqemi. Autor i një sërë librash (10 romane, novela, 21 vëllime me tregime e përralla, si dhe disa shqipërime librash për fëmijë nga italishtja e frëngjishtja) spikat për një punë të jashtëzakonshme.

Qysh në librin e parë “Gjoksshkëmbi”, një novelë fantastike tepër interesante e ngjizur edhe me material shkencor, autori shfaq prirjet e tij për zhanrin fantastiko-shkencor, që do të bëhet fusha më e parapëlqyer e tij, duke na dhuruar krijime në zhanre të ndryshme, si: tregime, përralla, novela e romane. Kjo krijimtari që ka ngjallur mjaft interes tek lexuesit e vegjël për vlerat që ka.

Në novelën fantastiko-shkencore “Përtej oborrit diellor”, autori të dhënat shkencore i ka organizuar bukur në një fabul tërheqëse. Megjithatë, duhet të theksojmë se edhe saktësia shkencore në dhënien e njohurive, si dhe në përshkrimin e fakteve dhe fenomeneve nga fusha të ndryshme të shkencave të natyrës, përbëjnë meritë për autorin.
Çfarë vëmë re tjetër në krijimtarinë e autorit përsa i përket stilit, gjuhës, temave që trajton, vlerave artistike duke iu përshtatur moshave që u adresohet?

Tema e fenomeneve natyrore, që i ndeshim në jetën e përditshme, i drejtohet një lexuesi pak më të vogël, atij të shkollës sonë fillore; temë të tillë ka për shembull tregimi shkencor “Kallëzimet e kokërave të breshërit” (1978). Në atë krijim hidhet dritë mbi dukurinë e qarkullimit të ujit në natyrë. Mëson se si formohet vesa, bryma, mjegulla, reja, shiu, dëbora, breshëri, ylberi, nga se shkaktohet bubullima. Shkrimtari ka treguar artistikisht për qarkullimin e ujit në natyrë, për gjendjet e ndryshme të tij (të ngurtë, të lëngët, të gaztë), për rëndësinë që ka uji për jetën e bimëve, të kafshëve, të njerëzve dhe të gjithë organizmave të tjera të gjalla.

Vlerë në këtë krijim ka gjuha me të cilën komunikon me lexuesin e gjerë. Figurative dhe e thjeshtë për t’u kuptuar. Subjekti i krijimeve vjen natyrshëm e krejtësisht i besueshem, plot lëng jetësor.
Nga gjinitë e shkutëra të zhanrit artistik fantastiko-shkencor, me kohë, falë përvojës që fitoi, autori u hodh edhe në gjini më të gjata, në atë të novelës e të romanit fantastiko-shkencor.

Në romanin “Udhëtim i jashtëzakonshëm”, botuar në 1987, autori tenton të trajtojë një temë paksa ireale. Shpikja dhe lëvizja nën koren e tokës së një automjeti, i cili udhëton nëpër galerinë që hap vetë me mjete tepër të sofistikuara e që njerëzimi ende nuk i njeh, është vënë në qendër të këtij libri. Autori përveç njohurive gjeodezike, na shpjegon e na hap horizonte edhe për ndërtimin e automjeteve të tillë të fuqishme që mund të marrin përsipër operacione të tilla. Fabula e romanit është e shkathët, plot aksion e befasi, me fantazi të ndezur.

Edhe këtu, merita e parë e romanit është informacioni i pasur shkencor, i cili jepet si pakuptuar, nëpërmjet narracionit artistik.
Shkrimtari, me një logjikë të besueshme, arrin të krijojë para lexuesit imazhe të bukura e plot kërshëri shkencore.

Meritë e dytë e romanit mendojmë se qëndron në dhënien e disa karaktereve njerëzorë të apasionuar me shkencën, e këtyre njerëzve të guximshëm, vullnetfortë, të sakrificës, të papërkulshëm. Dhe të gjitha këto janë shumë frymëzuese për brezin e ri, u edukojnë lexuesve fëmijë dashurinë për shkencën dhe cilësi të tjera admiruese të karakterit të tyre, që është në formim e sipër.
Përsa i përket gjuhës së përdorur në këtë roman bie në sy thjeshtësia, dialogët e shkathët e plot ngarkesë emocionale. Edhe emrat e personazheve janë të gjetur. Kjo bën që libri të lexohet me ëndje nga të gjithë grupmoshat.

Romani ” Udhëtim i jashtëzakonshëm” i botuar në fund të viteve ’80, është vlerësuar nga kritika letrare e asaj kohe dhe ka njohur disa ribotime. Gjithë këta elemente: gërshetimi i logjikes dhe saktësisë shkencore, të së tashmes me të ardhmen, reales me fantastiken, paralelizmi midis relitetit konkret e atij fantastiko-shkencor, të gjitha këto krijojnë momente artistike tërheqëse që të emocionojnë dhe, pa dyshim, që mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit. Pra, përveç vlerave njohëse shkencore, romani ka edhe vlera edukative, edukon tek fëmijët pasionin për shkencën dhe teknikën, guximin, dashurinë, nxit fantazinë e mendimit shkencor dhe zgjeron horizontin.

Veçanti e autorit Astrit Bishqemi përsa i përket spektrit tematik e motivor është jeta e fëmijëve, loja dhe ëndrrat e tyre, bota e pasur e faunës dhe florës, atdheu dhe puna për ndërtimin e tij, peizazhet e bukura plot jetë të natyrës.

Novela satirike “Burgu i qelqtë” është ngritur mbi një gjetje artistike origjinale, mbi një fakt tepër të thjeshtë e interesant.
Në novelë ka mjaft situata komike, që e zbavisin lexuesin dhe e bëjnë të qeshë. Gjithashtu, novela shquhet për fabulën dinamike, gjuhën artistike, për aksionin e dialogun e shkathët.

Autori ka ditur t’i përshtatet mirë psikologjisë së fëmijëve duke u mbështetur tek humori që, siç na mëson edhe psikologjia, është kërkesë e domosdoshme e botës së të vegjëlve. Kështu në librin me tregime “Thesi i gjallë”, disi i veçantë në llojin e vet, pasi në të autori ka përmbledhur tregime që janë ndërtuar mbi fakte reale nga jeta e njerëzve të shquar të shkencës, artit ekulturës, të huaj e vendës, që nga lashtësia e deri në ditët tona. Libri ështe tërheqës e interesant. Duke dhënë me art copa jete njerëzish të shquar, autori na ka pasqyruar jo vetëm pasionin e pakufishëm të këtyre njerëzve për shkencën e kulturën, vullnetin e hekurt për punë, po edhe botën e tyre shpirtërore, të pasur e humane. Të gjitha tregimet janë shkruar me ndjenjë, me fjalor e figuracion të pasur, ndaj vëllimi lexohet me endje jo vetëm nga të vegjëlit, po edhe nga të rriturit. “Thesi i gjallë” është cilësuar libri më i mirë në prozë për vitin ‘98 në konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Duke qenë një krijues ambicioz, autori na ka dhënë edhe një vepër model të karakterit epistolar. E kemi fjalën për romanin
“Klik: Rrapatushët”, që bazohet mbi letërkëmbimet, nëpërmjet e-maileve, këtij elementi tejet bashkëkohor. Ai roman më së shumti u ngjan ca veprave të letërsisë botërore me autorë të njohur si Azis Nesini e ndonjë tjetër, por në vetvete ajo vepër mbetet origjinale dhe risuese. Romani mbart jo vetëm realizëm por edhe vërtetësi jetësore.

“Klik: Rrapatushët” është një simfoni me fjalë dhe brenda kësaj simfonie derdhen mesazhe të mëdha, lehtësisht të kuptueshme, që kanë të bëjnë me probleme aktuale e universale, si dashuria për atdheun, për njerëzit, për kafshët e shpendët, për ruajtjen e gjuhës si shprehje e identitetit, për parapëlqimin e së bukurës kudo ku ajo shpërfaqet, për dashurinë dhe zgjerimin e horizontit të dijeve, duke përdorur jo vetëm librin, rrëfimet e ndryshme, por edhe burime të tjera si kompjuteri.

Romani “Klik: Rrapatushët” përveç origjinalitetit në kompozicion, shquhet edhe për gjuhë e leksik të pasur, që janë karakteristike për Astrit Bishqemin (kujtojmë këtu përdorimin e dialektalizmave të qëmtuara nga autori si një vjelës i kujdesshëm te tregimi për Kostandin Kristoforidhin që përfshihet në atë roman). Fjalitë që përdor autori janë të shkurtra, të ngjeshura, dinamike e rrjedhëse. Kompozitat e fjalëve përdoren me shumë sukses. Stili i këtij romani është i veçantë, në dallim me romanet e tjerë të tij, çka përbën padyshim një vlerë stilistike të shkrimtarit.

Shkrimtari dhe studiuesi Astrit Bishqemi ka dhënë një ndihmesë të çmueshme edhe në fushën e studimeve të letërsisë për fëmijë.
Le të ndalemi kalimthi në disa nga këto vepra studimore.
Së pari, përmendim tekstin“Hyrje në teorinë e letërsise për fëmijë” (Tiranë, 1997; e ripunuar ne 2004). Me këtë studim serioz autori hyn me kompetencë në sekretet e krijimtarisë për fëmijë, gjë që përbën një ndihmë shumë të rëndësishme në teorinë e kësaj letërsie.

Por “bibla” e këtij studiuesi mendojmë se është teksti “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” (Tiranë, 2001, 2004, e ripunuar 2008), e cila është bërë tanimë pronë e studentëve, e pedagogëve dhe e shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë. Kjo vepër mendojmë që është rezultat i një pune të gjatë hulumtuese. Studiuesi nga Kosova, Dr. Xhevat Syla, e vlerëson “Një studim voluminoz me vlerë”. Ndërsa Prof. Dr. Klara Kodra vlerëson: “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” e studiuesit Astrit Bishqemi, përbën një hap jo të vogël përpara për afirmimin e kësaj dege të rëndësishme të letërsisë shqiptare me një dinjitet të barabartë artistik me letërsinë për të rritur, për t’i dhënë kësaj Hirusheje të letërsisë shqiptare vendin e saj të merituar si princeshë në krah të motrës së vet të madhe, letërsisë për të rritur.

Astrit Bishqemi aty shtron edhe problemin e periodizimit të kësaj letërsie. Edhe pse ai e merr atë si problem të hapur, në studimin e tij mbështetet në periodizimin që ka bërë akademiku Bedri Dedja, të cilin ai e konsideron më të plotë dhe shkencërisht më të argumentuar. Mbi këtë bazë (duke bërë edhe ndërhyrje të veta), autori e koncepton shtrirjen e kësaj letërsie në katër periudha e kaptina kryesore: 1) Burimet e letërsisë shqiptare për fëmijë, folklori për të vegjlit; 2) Letërsia e shkruar didaktike-fetare për fëmijë; 3) Letërsia e shkruar artistike për fëmijë në filllimet e saj; 4) Letërsia moderne shqiptare për fëmijë.

Gjithashtu, në këtë vepër nga autori janë bërë përpjekje për unifikimin e letërsisë për fëmijë që krijohet brenda kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë me letërsinë shqipe për fëmijë të krijuar në trojet e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi e në Diasporë.
Në këtë vëllim është bërë gërshetimi sipas dy kritereve: a) mbi bazën e kapitujve gjinorë – tematikë; b) mbi bazën e kapitujve monografikë të autorëve të shquar.

Për secilën gjini është dhënë një përshkrim i shkurtër, si dhe janë renditur disa arritje, të meta e dobësi.
Në këtë tekst është bërë nje seleksionim e një përzgjedhje e veprave të shkruara në periudha të ndryshme kohore. Është patur parasysh karakteri rivlerësues për disa autorë e vepra të shkruara gjatë kohës së Monizmit. Janë paraqitur dhe janë marrë në analizë ato vepra që i mbijetuan kohës dhe janë çmuar për vlerat e tyre të mirëfillta letrare. Libri përmbyllet me shtojcën ku jepen të dhënat për autorët dhe veprat e vlerësuara në konkurset kombëtare, me bibliografinë dhe me treguesin alfabetik të bibliografisë së autorëve.

Studimet e Prof. Bishqemit vazhdojnë me tekstin universitar “Historia e letërsisë botërore për fëmijë”, 1999 (i
ripunuar: 2006), i pari libër i botuar te ne në përmasa kaq të gjera për letërsinë botërore për fëmijë, si dhe botimin në vitin 2009 të fjalorit enciklopedik “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj”(1886-2009).

Profesor Astriti, një studiues kaq këmbëgulës, me vullnet punon dhe na sjell studime të tjera me vlerë. Kështu përmendimme librin me gjurmime e studime në fushën e letërsisë për fëmijë me titull “Vlera të anatemuara” . Siç e thekson dhe vetë autori në parafjalën e këtij vëllimi, aty janë përmbledhur disa gjurmime e studime, kryesisht rreth letërsisë për fëmijë e të rinj, por edhe më gjerë, duke përfshirë artikuj rreth disa autorëve dhe përkthyesve të anatemuar e të përndjekur prej sistemit monist, vlera këto që i kanë munguar letërsisë sonë për fëmijë. Autori i ka vendosur sipas kriterit kronologjik të botimit të tyre studimet e përmbledhura në këtë antologji.

Në këtë vëllim ka studime për figura poetësh e shkrimtarësh të persekutuar nga regjimi komunist, si monografia “Herezia artistike e poetit Genc Leka” apo “Një dorëshkrim i harruar”, monografi për përkthyesin Osman Bishqemi dhe poezitë e Hajnes të përkthyera prej tij. Studimi “Pionierja e përpunimit artistik të folklorit për fëmijë” bën fjalë për Musine Kokalarin, kurse “Ndihmesa e Sulejman Harrit në letërsinë didaktike për fëmijë” është një monografi për Mësuesin e Popullit Sulë Harri. Rezultat hulumtimesh të pasionuara janë edhe studime të tilla, si: “Kur fliste shqip Robinson Kruzo”, “Receptimi ne shqip i romanit “Zemer” te Edmond de Amiçis”, “Ferenc Molnar: Djemte e rruges Pal”, “Perrallat e Engleskës” etj.

Një punë tjetër studimore voluminoze dhe serioze paraqitet dhe në leksikonin “Autorë të letërsisë shqipare për fëmije dhe të rinj” ( 1886 – 2009), i cili përmban rreth 830 autorë librash artistikë për fëmijë që nga viti 1886 gjer në vitin 2009. Në hyrje të këtij fjalori autori përcakton edhe përparësitë e leksikonit, ku rëndësi marrin:

– botimi i librave për fëmijë dhe të rinj për çdo autor, duke lënë jashtë botimet për të rriturit;
– pasurimi i leksikonit me shkrimtarët e anatemuar nga Monizmi të cilët nuk janë përmendur në asnjërin prej leksikoneve të mëparshme;

– ndihmesa që kanë dhënë shkrimtarët në pasurimin e bibliotekës së lexuesve të moshave të reja me shqipërime nga letërsia botërore për fëmijë e të rinj;
– për çdo libër është shënuar në kllapa edhe zhanri letrar të cilit i përket: vjersha, poema, përralla, tregime, novelë, roman, pjesë teatrore etj,;

– veç zhanrit dhe vitit të botimit, shënohet edhe shtëpia botuese dhe qytetin ku ndodhet ajo;
– veç autorëve për fëmijë, në leksikon janë përfshirë edhe studiuesit kryesorë të kësaj fushe;
– në këtë leksikon rëndësi të veçantë i është kushtuar botimit të parë të secilës vepër, vitit kur libri artistik ka parë dritën e botimit dhe ka qarkulluar. Këtu është patur kujdes edhe në ribotimet e përpunuara, ato me titull të ndryshuar, qofshin këto të bëra nga e njëjta shtëpi botuese ose nga një tjetër.

Ky leksikon sot përmbledh një informacion të pasur e të gjerë, pra ka karakter informues dhe u vjen në ndihmë mësuesve të ciklit të ulët dhe atyre të letërsisë të arsimit bazë e të mesëm, studentëve, studiuesve të letërsisë për fëmijë e të rinj, shkrimtarëve e më gjerë.

Së fundi, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe vëllimin tjetër “Tragave të letërsisë” të studiuesit në fjalë, ku janë përmbledhur disa gjurmime e studime në fushën e letërsisë për fëmijë e më gjerë. Shkrimtari dhe studiuesi për fëmijë Astrit Bishqemi aty na tregon edhe njëherë se si krijues, i është dashur që t’i njohë kolegët e tij të penës, të hulumtojë rreth jetes dhe krijimtarisë së tyre, botimeve në prozë apo në poezi qofshin ato, dhe këtë ai e ka arritur me një vullnet dhe disiplinë të fortë.

Duke përfunduar themi se shkrimtari dhe studiuesi Astrit Bishqemi ka dhënë një ndihmesë të veçantë për letërsinë shqipe për fëmijë dhe të rinj, si me vepra letrare, ashtu dhe me vepra studimore e kritike, të cilat u vijnë në ndihmë nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve dhe studiuesve të ardhshëm të letërsisë sonë për fëmijë. Numri kaq i madh i titujve të librave, por edhe vëllimi e cilësia e tyre, flasin më së miri për përkushtimin e devotshëm kësaj fushe të krijimtarisë letrare.