Dita, 7 gusht 2018
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike publikoi të hënën disa tregues të performancës së kompanisë për gjashtëmujorin e parë të vitit.
OSHEE pranon se treguesi i humbjeve në rrjet për gjysmën e parë të këtij viti ishte 25.4%.
Kjo do të thotë se të paktën 1/4 e energjisë që konsumohet, nuk paguhet.
Shifra konfirmohet edhe nga Instat, i cili raportonte vitin e kaluar se se niveli i humbjeve në rrjet kishte qenë 25.2%.
OSHEE është akuzuar se ka vijuar praktikën e çekëve duke faturuar humbjet në rrjet, në mënyrë të paligjshme në faturat e konsumatorëve të rregullt.
Kjo do të thotë që qytetarët që paguajnë, paguajnë më shumë se konsumojnë, që OSHEE të arkëtojë nëpërmjet tyre edhe paratë e atyre që nuk paguajnë.
Këto akuza asnjëherë nuk janë hetuar seriozisht, megjithëse si për ish-CEZ ashtu edhe për OSHEE në Prokurori ka çështje të hapura.
Megjithë aksionin e njohur kundër atyre që nuk paguajnë energjinë si dhe forcimin e masave ligjore, kundër tyre, shifrat e fundit konfirmojnë se një sasi e madhe e energjisë elektrike, ende nuk paguhet.
n.s. / dita