Artisti i partisë

0
503
Ilir Muharremi

Ilir Muharremi, kritik i artit

Partitë politike janë përfituese edhe mbi kurriz të artistëve sepse ato dinë t’i japin vetes pamjen e martirit duke tërhequr zemrën e mirë të artistëve e kështu fitojnë imazhin e shpirtëmirësisë, e kjo i shpie në përfitim të madh. Artisti nëse lundron drejt detit partiak, ai e rrënon shkëmbin artistik. Ai mund të vazhdoj si politikan, por nuk mund të bëj prapakthim në universin e artit. Edi Rama ishte artist, por tash është vetëm politikan edhe pse ai vishet si artist. Para trembëdhjetë vitesh ai vishte çorape të kuqe dhe pantallona elegante. Atëbotë Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës.

Ndërsa, në samitin e fundit për Ballkanin në Bruksel, ai, duke qenë kryetar qeverie ai u paraqit me bluzë të ngushtë, me pantallona të gjera dhe me atlete. Ai tashmë është artist i dështuar në krijimin e një vepre arti, sepse artistit i duhet tetë orë kohë të nxjerr një çik art të vlefshëm, ndërsa Rama tetë orë i kalon nën kthetrat e politikës. Ai vishet si artist, por veshja nuk të bën artist, ndonëse vepra është ajo që të lidh me artin. Nga kjo na del se ai që braktisë artin për politikën kurrë më nuk mund të jetë artist. Rama gjatë kohës së lirë mund të skicoj dhe të vizatoj, por kjo prapë nuk e bën artist, kjo quhet hobi për artin. Thjeshtë ta humbas kohën duke shkarravitur.

Artisti kur braktisë artin për partinë politke, çfarë bën? Ai nuk mëson më nuk bën gjë tjetër veçse eksperimenton ose gjykon. Ai tashmë është partizan, është ndjekës i kushtëzuar duke bindur veten se vullneti dhe ndjenjat i përkasin vetëm partisë. Kjo sëpaku aktrohet në publikë, ndërsa në vetminë e tij ai e përdorë partinë për përfitime materiale dhe ekonomike. Aq shumë zgjerohet apetiti i lakmisë saqë ngopja më nuk ekziston, këtu njeriu shndërrohet në bish dhe nuk ka vend më në sferën e artit. Është mëkat nëse “artisti i partisë” tenton sërish të ngjyjë në art. Ujin e pastër e turbullon.

Artistët nëse braktisen nga arti ose e braktisin artin për të bërë politikë, braktisen nga e mira, estetika, andaj edhe si politikanë të mëdhenj janë njerëz krejtësisht bosh, edhe pse dikur kanë qenë të plotë dhe të pasur me ngjyra. Tash shpirti i këtij “artisti” është i mbuluar me vello, ndërsa tendenca e tij është për qeveritë dinastike me shpatë për të “drejtën” duke goditur atë që ju shkakton frikë ose i kundërshton. Ky njeri tashmë është transformuar në një person me prirje të brendshme të fshehtë për të gjithë ata që e urrejnë publikisht.

Çdo qëllim i politikanit është ta ketë në dorë popullin të ketë frikë dhe të jetë i bindur. Çdo udhëheqës e adhuron shpirtin e mesjetës, andaj sundimi edhe më modern gjithnjë do të ekzistojë.

Edhe artisti i sotëm jo i sinqertë dhe i drejtë me veten lakmon pas partisë politike. E adhuron thesarin dhe karrigen ose pushtetin dhe vullentin primitiv për këtë. Mirëpo, këtij heroi i mungon ngjyra ose nëse eksploron ngjyrën ai ka qejf t’i vendos kuadrot e tij mbi një sfond të kuq, gri, të blertë ose të ndritshëm si ari, pra mbi ndjeshmërinë nervore. Ky kompozicion është i papërshtatshëm për shekullin sepse figurat e mëdha të pikturuara në vete kanë diçka valëvitëse që dridhet pështjellohet, e në thelb nuk u zihet besë fakteve të këtyre figurave dhe nuk e përmbushin burrërinë artistike.

Artisti është i lirë dhe jeton me realitetin e brendshëm të vetes me mendje egoiste dhe me karakter ose moral të qëndrueshëm. Ndërsa, ai që vishet me petkun politik e me ngjyra të ëmbla false të artit ngjanë me majmunin ideal të keqkuptuar në këtë sferë.