Artistët në politikë përdorin dyfish figurën e tyre

0
396
Ilir Muharremi

Ilir Muharremi, kritik i artit

Artisti në momentin që i futet politikës figura e tij bëhet e dyfishtë ngaqë në njërën anë duhet të merret me problemet politike të shtetit dhe në anën tjetër në vetmi me krijimtarinë e tij artistike. A është lëvizje e zgjuar kjo? Me këtë pjesë jam marrë edhe më heret në librin tim filozofik “Moskuptimet”, dhe e kam kritikuar artistin-politikan. Kam bërë shumë analiza brenda diskursit kombëtar e ndërkombëtar artistik, në disa revista të artit. Kam ardh në përfundim se në hapësirën ndërkombëtare arti ynë nuk ka fare zhvillim dhe ndryshimi as që po ndodh edhe brenda territorit tonë. Andaj, artisti-politikan nuk ka se si ta zhvillojë botën e tij të artit e as atë të politikës, ose ndodh kur politikanët – artist përdorin botën e artit për ta pastruar imazhin e tyre.

Artistët në politikë aq shumë u politizuan për qëllimet dhe përfitimet e tyre aq edhe emrin do ta ndrrojnë. Nëse bëhemi kritik të distancuar nga emri i partive politike vërejmë ndryshim të madh në emër të tyre dhe asnjëra nuk ka ndonjë program politik. Në këtë kohë fushate, po përpiqem të lexoj platformat e tyre, në fakt janë vetëm ca fletushka të dobëta. Partitë nuk po funksionojnë mbas platformave politike, nuk po bazohen fare në ide, por në patronazhe, kontakte, marrëdhënie klanore e personale. Asnjë platformë nuk u realizua dhe besimi për premtimet e tyre të mëdha janë fjalë dhe vetëm fjalë.

Artisti gjithmonë duhet të jetë kundër pushtetit. Kushdo që vjen në pushtet, duhet të analizohet mirë, kritikohet dhe të ndiqet vazhdimisht. Shtetet në gjithë botën korruptojnë, edhe opozitat janë në gjendje të mjerueshme, por gjithmonë ato duhet ta kritikojnë pushtetin. Pozitat bëjnë gabime pas gabimit e çfarë kemi të themi këtu, kur të gjithë e dimë këtë. Ne si kritikë dhe artistët e sinqert mund vetëm të reagojmë me shkrime dhe vepra arti, dhe s’ka sens të kritikosh ose të bësh vepra arti më shumë kundër tyre derisa ata vazhdojonë t’i përdorin zyrat qevëritare dhe shumë vepra tjera kriminale. Opozita në fakt nuk bëri asgjë vetëm po ulërinë, po e ngritë zërin nëpër debate dhe vazhdon të mos bëj e ky është problem shumë i madh në Kosovë. Andaj, e shohë të arsyeshme si artist se duhet të jemi anti-pushtet dhe nga sinqeriteti im e ndjej si detyrim të jem shumë kritik ndaj pushteti cilido që fiton me 6 tetor.

Artistët e mëdhenj kosovar që njihen në botë si Sislej Xhafa, gjithmonë janë opozitë me pushtetet aktuale dhe ky artist ka ikur nga Kosova dhe punon në formë të pavarur. Ka mbajtur një qëndrim kritik dhe inteligjent gjatë gjithë aktivitetit të tij. Sidomos me veprat dhe ekspozitën e fundit në Kosovë atë më fermën e lopëve. Artistët e pavarur dhe të kundërt me pushtetin nuk kanë të ardhme në Kosovë. Për të mbijetuar ata obligohen të punojnë jashtë vendit ose t’i futen politikës në vend. Ata që kanë pranuar të punojnë duhet të bashkëpunojnë ngushtë me pushtetin dhe janë artist – politik.

Në këto vite në Kosovë e kuptoj se është shumë e vështirë të jetosh si artist, pasi të gjitha hapësirat, shërbimet janë nën zaptimin e një klike shumë të vogël njerëzish. Është kalbur Galeria e Arteve, ka shumë pak mundësi për artistët e tjerë të depërtojnë aty dhe jo veç aty por në të gjitha sferat e kulturës dhe artit. Edhe teatri është i klanizuar dhe inskenohen vetëm tekstet e klikave të komisioneve dhe politikës. Artisti nuk mund të gjej dialog, duhet të ketë një personalitet të fortë dhe të pavarur për të rezistuar, ta njohë aq mirë situaten politike në vend sepse përfundon duke prodhuar një lloj arti të pavlefshëm dhe të dobët dhe ai asnjëherë nuk mund të na përfaqësoj në skenën ndërkombëtare. Mjerim i vërtetë.

Artist, duhet të jemi rezistentë të zgjuar për ndonjë strategji të rezistencës. A ka dallim rezistenca në art me atë në politkë? Po sepse janë dy botëra të ndryshme me realitete të ndryshme. Atëherë, këta artista në politikë me figurë të dyfishtë a kanë aktivizm kreativ, nuk e besoj, e dini pse sepse vet aktivizmi kreativ nuk mund të jetë i tëri politik, ndërsa artistët në politikë janë komplet politik. E kanë harruar logjikën e artit. Mos të harrojmë se politka dhe rezistenca ndaj saj historikisht nuk kanë pasur fare lidhje njëra me tjetrën, por nuk e përjashtoj që nuk mund të bashkohen këto të dyja, por t’i bashkosh nuk është fare punë e lehtë. Atëherë, artisti në politikë mund të përdorë vetëm figura të dyfishta.