ARTI – URË BASHKIMI

0
1303
Ndue Lazri

Ndue Lazri

Në festivalin interkulturor në Riva del Garda

Bukuritë që na shpalosen bregut të Liqenit të Gardës janë të panumërta dhe befasuese. Rruga ndjek përthyerjen e bregut shkëmbor, që prej mijëra vjetësh debaton herë ëmbël e herë ashpër me valët e kaltra. Aty-këtu rruga hyn tuneleve malore të gdhendura tërësisht në shkëmb e ne na duket sikur dikush na mbulon sytë me dorë që të çlodhen për ca çaste nga bukuritë magjepsëse të bregut. Pastaj sërish fshatra turistike, vila e hotele luksoze, lule e plantacione agrumesh apo ullinjsh. E njerëz në lëvizje. Shumë njerëz. Një trafik marramendës. Turistët duan të shfrytëzojnë edhe këtë fundjave të bukur që mbyll sezonin veror.

Me zëvendësministrin e kulturës Zef Çuni dhe me miqtë e kolegët e mi Klodian Cami e Nikolin Çepi ngjitemi drejt Riva del Garda për të marrë pjesë në Festivalin interkulturor, organizuar nga shoqata “Rinia”, anëtare e Federatës FNAI. Jemi nisur herët që të shijojmë bukuritë e bregut. Përpara na shfaqet qyteza e bukur Salò. Një gji i bukur i liqenit me një rrip toke që zgjatet si gadishull në liqen. Dikur këtu kreu i fashizmit, Benito Musolini, pat sjellë qeverinë e tij, duke krijuar të ashtuquajturën Republika e Salò. Kjo republikë, një mikroshtet brenda shtetit italian, u krijua më 23 shtator 1943. Pas grushtit të shtetit të 25 prillit 1943 Musolini ishte arrestuar dhe mbahej në burg në Gran Sasso të Abruzzos.

Gjermanët, ndonëse nuk e konsideronin më një aleat besnik, vajtën dhe e rrëmbyen nga burgu, duke e dërguar në Mynih. Prtej atje, nën diktatin e gjermanëve, Musolini shpalli nëpërmjet radios krijimin e kësaj republike të vogël, që kishte si synim të ndalonte avancimin e forcave aleate drejt veriut të Italisë, të ndihmonte gjermanët, duke luftuar partizanët, dhe të përpiqej të rindërtonte qeverinë fashiste. Por tashmë lufta shkonte drejt fundit. Aleatët përparonin, gjermanët po shkonin drejt disfatës përfundimtare. Republika e Musolinit nuk zgjati as 600 ditë dhe pushoi së qëni më 29 prill 1945, pasi një ditë më parë kreu i saj dhe i fashizmit ishte vrarë. Në Gargnano është vila e bukur Feltrinelli, ku gjatë asaj periudhe qëndronte Musolini.

Bisedojmë mbi këto fakte me zëvendësministrin Zef Çuni dhe ai nuk pushon së bëri fotografi. Duke qenë arkitekt nga profesioni, syri i tij i kap menjëherë ato ndërtime të veçanta, që harmonizohen aq bukur me bregun shkëmbor dhe pamjen piktoreske të liqenit. Ndalet në detaje, në ndriçuesit e rrugës, në ato kalime si tunele nga rruga kryesore në bregun e liqenit, ku vendësit kanë ditur të ndërtojnë lokale simpatike e tërheqëse. Mbi to shtëpitë karakteristike të prehërit të Alpeve e lulet e shumta që mbushin kopshtet e vegjël, ballkonet, dritaret, bregun e liqenit. Është hera e dytë qe Zefi vjen në Itali të ndjekë me përkushtim prej nëpunësi shtetëror, por edhe me pasionin e dashamirësinë e artistit aktivitetet tona. Më kanë bërë përshtypje profesionaliteti i tij, por edhe thjeshtësia, ngrohtësia për të komunikuar me secilin emigrant dhe palodhshmëria e tij në gjurmim të bukurive të arkitekturës dhe të terrenit.

Ndërsa ne jemi rrugës, na arrin edhe grupi i pjesëtarëve të tjerë të Federatës, Tonin Nikolli, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve e artistëve që vjen nga Verona dhe Fitim Kajo e Dashi Zguro që janë ngjitur nga Pesaro. Bashkërisht ndalemi e pimë një kafe në ambientet e Grand Hotel në Gardone Riviera. Pikërisht këtu, një tjetër qytezë e bukur e një tjetër emër i shquar. Tërheq vëmendjen kompleksi “Vittoriale”, i ndërtuar nga poeti i shquar italian Gabrielle D’ Annunzio. Ai ishte nga Pescara, por ishte ngjitur këtyre anëve, i tërhequr nga bukuritë e brigjeve të Gardës.

Gruas së tij, Maries, ai i shkruante se do të qëndronte një fundjavë këtu, por u tërhoq aq shumë nga bukuritë e vendit dhe të shtëpive, sa i hyri dhe ndërtoi një kompleks të bukur kulturor e arkitekturor, brenda të cilit edhe shtëpinë e tij, ku jetoi deri në fund të jetës.Për ta vizituar këtë kompleks me teatrin e gjithë strukturat e tij, nuk mjafton një ditë e tërë. Këtë poet dikur e kanë cilësuar si beniamin të fashizmit e të Duçes. Mos vallë është thjeshtë një rastësi prania e vilës së tij aq pranë me atë të Duçes në këto anë?!.

Përmes bukurive të tilla arrijmë në qytetin e bukur të Riva del Garda, në sheshin qëndror të të cilit do të zhvillohet koncerti.

* * *

I kisha ende të freskëta mbresat e koncertit të një viti më parë. Veçse këtë radhë mbrëmja bie më e qetë, pa atë shiun e breshërin e herës tjetër që mendova se do na sabotonin shfaqjen. Nën këtë atmosferë të qetë, ndërsa njerëzit vazhdojnë të grumbullohen dhe tingujt e muzikës parakoncertale dëgjohen gjer larg në shpatin e maleve që mbajnë në prehër liqenin, në sallën e komunës zhvillohet konferenca për shtyp, ku autoritetet lokale të komunës, zëvendësministri i kulturës shqiptare, drejtues të federatës e të shoqatave që kanë ardhur nga larg, bisedojnë për shkëmbimet interkulturore jo vetëm midis Italisë e Shqipërisë, por edhe midis etnive të ndryshme që jetojnë në zonën e Trentinos.

Janë të pranishëm zëvendëskryetari i Bashkisë, Mario Caproni, assesorët Luisa Rigatti, Fabio Fedrigotti e Renza Bolletin dhe zëvendëspresidenti i 12 komunave, Carlo Pedergnana. Nga komuna e Riva del Garda, i dorëzohet zëvendësministrit Zef Çuni targeta simbolike ku nënvizohet kontributi i tij si ambasador special në shkëmbimet kulturore midis dy vendeve. Ndërsa ai, nga ana e tij, u dorëzon përfaqësuesve të komunës albume me foto turistike të Shqipërisë, me mirënjohjen për gjithçka ata bëjnë për komunitetin shqiptar në këto treva e për kulturën shqiptare. Atmosfera e ngrohtë përshkon edhe aperitivin e darkën që pasojnë konferencën. Dhe pastaj fillon koncerti.

Presidenti i shoqatës “Rinia”, Erio Korani dhe organizatorët e këtij evenimenti, kanë bërë mirë që e kanë quajtur Festival interkultural. Sepse, në fakt, spektakli ashtu është konceptuar e ndërtuar. Një ndërthurje e bukur vlerash artistike e kulturash të ndryshme, jo thjesht një koncert me këngëtarë shqiptarë. Regjisori Aleksandër Kolshi, artisti mirditor që jeton në Rovereto e që bën një punë të palodhur e me nivel artistik, ka vënë në shfrytëzim më së miri aftësitë e tij profesionale për të prezantuar para publikut diçka të re, të larmishme e me vlera të larta artistike, duke harmonizuar e shkrirë natyrshëm komponentët e programit të etnive të ndryshme.

Sheshi është i mbushur në mënyrë impresionuese nga shqiptarë, italianë e emigrantë të shteteve të ndryshme që jetojnë në këtë zonë të bukur të paraalpeve.

Janë mbi 2500 vetë, familje të tëra me fëmijët e tyre. Shumë prej tyre mbajnë në duar flamuj shqiptarë, të tjerë janë veshur me kostume popullore shqiptare, dikush mban thjeshtë një qeleshe e dikush një bluzë me shqiponjën e flamurit tonë. Momente të tilla konsiderohen e kthehen në një festë të vërtetë të kulturës e artit.

Prezantuesit karizmatikë Anila Kaja e Riccardo Cis hapin programin duke prezantuar këngëtarin italian Alberto Beltrami me këngën “Il mio canto libero” (Kënga ime e lirë). Një zgjedhje e bukur e domethënëse, që i hap udhë asaj lirie për të kënduar e ndërtuar art pa njohur kufinj e barriera mes kombesh e etnish, atij arti që vetëm bashkon, duke patur në qendër të vet lirinë e individit dhe lirinë e përbashkët.

Këndojnë pastaj Ertila Koka e Bujar Qamili. Publiku në shesh merr një gjallëri të veçantë. Vargje valltarësh krijohen natyrshëm e spontanisht në shesh dhe vallzojnë vallet shqiptare nën tingujt e muzikës. Nuk kuptohet më, skena është podiumi i ngritur përpara kështjellës, apo sheshi i madh që shtrihet deri në rrugët që lidhen me të. E ç’ rëndësi ka. Është mbrëmje artistike e arti i gjen ngado shtigjet për në zemrat e njerëzve.

Pastaj kalohet në një numër të bukur baleti klasik, përgatitur me mjeshtëri nga baletmaestri Enkel Zhuti, drejtor artistik i “Olimpiada Danze”, i cili drejton kurse baleti në gjithë Italinë e Veriut, ndërsa vetë jeton në Rovereto.

Këngëtarja Mariola Kaçani, që sjell këngë të tjera të bukura nga trevat shqiptare, ja lë pastaj vendin një grupi interesant, me veshje popullore ndryshe nga ato tonat. Është grupi i valltareve emigrante moldave, përgatitur nga Veronica Cubatoru, drejtore artistike e grupit “Moldavia” në Trento. Publiku i pret me duartrokitje. Është gjë e bukur të shikosh bashkërisht në skenë valltare shqiptare e moldave. Mbase në jetën e përditshme ka një konkurencë midis tyre përsa i përket vendeve të punës, në shenjën e respektit reciprok, ndërsa këtu vallja i bashkon.Pas tyre, grupi valleve “Shqiponja” i ardhur që nga Lecco, me të palodhurën Drita Gega, sjell vallet tropojane. Në një moment, mediatorja kulturore në Sarche, që është edhe valltare, Eva Mitrollari, e cila është ulur krah meje në ndjekje të programit, e rrëmbyer nga entuziazmi e atmosfera, vishet me kostumin popullor që e ka me vete e ngjitet në skenë bashkë me valltarët e tjerë.

Koreografja dhe mësuesja e “Danze emotion”, Elisa Versini, në Riva del Garda, ka përgatitur një sërë vallesh të bukura me grupin e shkollës së saj dhe di të transmetojë tek publiku art e emocione të vërteta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për grupin e baletit “Il mondo di Lilith”, përgatitur nga Francesca Lilith Miceli nga Rovereto. Emocion i veçantë të shikosh në këtë podium vallzimin can-can si në skenën e Moulin Rouge në Paris, apo vallzimet e belit të sjella me finesë dhe art. Mjeshtret kanë menduar edhe për kostumet përkatëse të përshtatshme për këto lloj vallzimesh. Publiku armiron lojën e tyre artistike në skenë e shumë nga ata fotografojnë apo filmojnë pjesë nga performanca e tyre.

Në një moment, prezantuesja Anila Kaja, fton për të kënduar kolegun e saj, Riccardo Cis, i cili ësht ënjë tenor shumë i mirë nga zona e Trentos. Anila e bën këtë gjë natyrshëm, si të kishte bërë gjithnjë prezantuesen e programeve artistike. Në fakt përvoja e saj është e gjatë dhe e larmishme. Në Mantova, ku ajo punon dhe drejton shoqatën “Shqiponjat”, ka organizuar e prezantuar aktivitete të shumta, madje ka patur rastin të prezantojë edhe një nga tre tenorët më të mëdhenj të botës, Placido Domingo. Ajo vjen këtu në Riva del Garda edhe pas suksesit që pati në organizimin e Ditëve të Kulturës Shqiptare në Mantova.

Riccardo Cis interpreton këngën e famshme të Domenico Modugnos “Nel blu, dipinto di blu”, e njohur më shumë me titullin e shkurtër “Volare”. Interpretimi i tij është me vlera të larta artistike dhe fton edhe publikun të bashkohet me zërin e këngëtarit. Në refrenin “Volare”, duket sikur zëri i publikut e këngëtarit bashkë kërkon të ngrihet nga valët e liqenit mbi kreshtat e maleve të thepisura përreth e të përplaset tej në shpatet e Alpeve krenare.

Këndojnë edhe këngëtarë të tjerë si Fisnik Berisha e Serena Darsi. Pastaj sërish valle e në fund të gjithë artistët në skenë të përshëndetur e përgëzuar nga autoritetet pjesëmarrëse. Assesorja Renza Bolletin, me të cilën tashmë jemi bërë miq, thotë që eksperienca të tilla është mirë të përsëriten më shpesh. Ndonëse ka kaluar mesnata, duket sikur njerëzit nuk duan të largohen nga sheshi dhe u kërkojnë Bujarit, Ertilës e Mariolës të këndojnë përsëri e përsëri. E vallëzim i tyre mbush sheshin e gjerë.

Mund të them që ishte një ngritje në cilësi dhe një prezantim dinjitoz, për të cilin me të drejtë Erio dhe organizuesit e tjerë merituan komplimente e përgëzime nga të gjithë. Spektakli tregoi se shqiptarët në Itali tashmë nuk kënaqen e nuk mjaftohen me aktivitete sporadike, që gjithësesi bashkojnë e zbavisin, por pretendojnë të paraqesin përpara publikut italian e edhe turistëve të shumtë në qytetet turistike, verat e larta të artit, kulturës, etnografisë e folklorit, për të cilat ndjehemi krenarë.

* * *

Ky festival ishte organizuar në prag të shenjtërimit të Nënë Terezes dhe për nder të shenjtes shqiptare, që ka marrë edhe çmimin Nobel për paqen. Por nuk ishte ky i vetmi aktivitet. Të nesërmen, në shenjë nderimi u organizua një vizitë tek Kambana e Paqes në Rovereto, ku bashkë me zëvendësministrin Zef Çuni ishin edhe drejtues të Federatës dhe të shoqatave të ndryshme. Aty na presin “të zotët e shtëpisë”, presidenti i shoqatës “Besëlidhja” në Rovereto, Miltjadh Ziu, bashkë me Gjovalin Gjergjin e aktivistë të tjerë të shoqatës. Pastaj bashkërisht drejtohemi tek kisha ku mbahet një meshë e posaçme kushtuar Nënë Terezes.

Kjo meshë mbahet në të njëjtën kohë më meshën e shenjtë në Vatikan për shenjtërimin e Shën Terezës shqiptare. Madje në atë meshë në Romë merr pjesë edhe një grup përfaqësues i Federatës sonë, i kryesuar nga anëtarja e Këshillit drejtues, Erida Çela Përlala.
Në kishën ku kemi ardhur në Rovereto, aktivistja e palodhur Nereida Cristina Xhakolli, na thotë se ndodhet edhe një ikonë e zonjës së këshillit të mirë, e ardhur shekuj më parë nga Shkodra. Nereida ka përgatitur edhe një tufë lule për ta vënë në emër të Federatës FNAI në altarin e kishës me rastin e kësaj dite të shenjtë.

Emri i Nënë Terezes na çon edhe në një veprimtari tjetër organizuar në Arco nga shoqata më e re, “Shqipet”. Veprimtaria titullohet “Nënë Tereza, një laps në dorën e zotit”. Tema e veprimtarisë është marrë pikërisht nga përcaktimi që i bënte vetes Nënë Tereza, laps në dorën e zotit.

Pasdite, ndërsa marrim rrugën e kthimit, bashkë me zëvendësministrin Zef Çuni dhe zëvendëspresidentin e Federatës, Hamit Çorrogjafi, shijojmë të tjera bukuri që ofron riviera e Liqenit të Gardës. Duke soditur e fotografuar ato, bisedojmë edhe për projektet dhe aktivitetet e tjera artistike që na presin, duke e vlerësuar artin si një urë që bashkon popujt dhe zemrat.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar