Arta Sopaj, studentja nga Prizreni, që po e bën doktoratën në Universitetin e Humboldit

0
851
Arta Sopaj

Arta Sopaj është studentja 24-vjeçare nga Prizreni, e cila po bënë doktoratën në Universitetin e Humboldit në Berlin. Arta ka mbaruar Masterin në Universitetin e Tiranës me mesatare 10.0, ku ka marrë mirënjohjen studente e dalluar në Universitet. Ajo ndan me ne përvojat, sfidat dhe se si arriti në moshën 24-vjeçare të jetë studente e doktoratës në Universitetin e Humboldit në Berlin.

Intervistoi: gazetari Hajriz Mamaj, Berlin 2020

  1. Ju lutem mund të prezantoheni?

Po, jam Arta Sopaj, nga Prizreni. Vij nga një familje intelektuale, babai im Haxhi Sopaj ishte ekonomist, ndërsa nëna Shemsije Sopaj është arsimtare e gjuhës shqipe. Në vitet ’90 kur Kosovës iu vërsulën të këqijat nga pushtuesi serb, familja ime u shpërngulën për të kërkuar strehim dhe punë në Zvicër. Atje qëndruam për shtatë vjet, por duke mos harruar për asnjë moment Kosovën. Me mbarimin e luftës u kthyem në Kosovë. Shkollimin e kam filluar në Kosovë. Kam mbaruar studimet themelore në Universitetin e Prizrenit, pranë Fakultetit të Filologjisë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pastaj nga aty pata rastin të vazhdoj studimet e Masterit Shkencor në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega e Gjuhësisë së Sotme.

 2. Na flisni pak për Universitetin e Humboldit ku ju aktualisht po bëni studimet e doktoratës?

Universiteti i Humboldit është një nga universitetet më prestigjioze, jo vetëm në Gjermani por edhe në Evropë. Viteve të fundit është radhitur në ranglistën e top 70 universiteteve më të mira në botë, universiteti i parë në Berlin dhe i katërti në rajon. Është Universitet me traditë 200-vjeçare, nga i cili kanë dalë emra të njohur, disa fitues të çmimit Nobel, si: Albert Einstein, Karl Marx, Max Born, Theodor Mommsen, Rudolf Peierls, Edward Schunck, Walter Benjamin, Henry Adams etj.

  1. Si arritët që të jeni pjesë e Universitetit të Humboldit?

Universiteti i Humboldit aktualisht numëron më pak se 3000 kandidatë për studime të doktoratës nga të gjitha drejtimet, nga të cilët bëj pjesë edhe unë. Rruga për të arritur deri këtu ka qenë e vështirë dhe me shumë sfida. Fillimisht, erdha këtu si studente shkëmbimi nga Universiteti i Tiranës. Vlerësimi i lartë nga profesori Christian Voss më shtoi vullnetin dhe dëshirën për punën e mëtejshme. Prof. Voss është një ekspert në fushën e Sociolinguistikës dhe analiza e hulumtimeve tona zgjaste me orë të tëra derisa më në fund mora konfirmimin e tij për të vazhduar studimet e doktoratës. Tani ai është mentori im në studimet e doktoratës, ku do të doja ta falënderoj publikisht për mbështetjen që më ka dhënë për të realizuar qëllimet e mia.

  1. A është e vërtetë që e keni mbyllur Masterin Shkencor me mesatare 10.0?

Po, por për mua gjithmonë ka qenë e rëndësishme që të zhvilloj mendimin kritik te vetja, nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme për mua se me çfarë note do të notohem. Informacionet janë shumë të rëndësishme për aq gjatë sa i shërbejnë logjikës. Informacionet mund të merren në mënyrë të gabuar, mund të merren në forma të pasakta ose edhe mund të jenë të sakta por të përdoren në vendin e gabuar. Pra, çfarë dua të them është se unë jam munduar maksimalisht që gjatë studimeve të shfrytëzoj kohën për të lexuar e më pas ato informacione t’i sinkronizoj brenda logjikës sime dhe t’i përdor drejt, jo vetëm brenda kornizave të një flete testi.

  1. Si ia dolët të ishit një studente kaq e dalluar?

Në studimet Bachelor kemi pasur një program të ngjeshur, ku përfshiheshin në mënyrë të barabartë lëndë nga gjuha dhe letërsia. Në semestrin e parë kemi pasur tetë provime, nga të cilat nxora të gjitha dhjeta. Natyrisht jam shumë krenare me të gjitha dhjetat që kam marrë gjatë studimeve të mia, por do të veçoja një provim nga më shumë se 50 provimet që kam dhënë. Isha notuar me dhjetë, gjë të cilën e prisja, por çfarë nuk prisja ishte se gjatë konsultimeve profesori kishte lënë njërin nga provimet anash dhe me një shprehje padurimi pyeste se kush është Arta Sopaj. Ngrita dorën dhe u afrova, profesori më pa dhe m’u drejtua me pyetjen: ti je Arta Sopaj? Po, i thashë, unë jam Arta Sopaj. Profesori më pa, pastaj shikonte provimin sikur bëhej fjalë për një gjë shumë të rëndësishme, pastaj u kthye nga klasa dhe ngriti provimin tim para sallës dhe vazhdoi: Kam ardhur nga Shkupi me një padurim të madh sot, sapo erdha këtu u futa në zyrën e Dekanit dhe iu drejtova atij “E shihni se çfarë studente kemi në mesin tonë”, ai më pas do të tregonte që gjatë përvojës së tij 30-vjeçare ky ishte provimi që e kishte mahnitur më së shumti, që dorëshkrimi im i ngjante shkronjave të shtypura me kompjuter, se gjatë vlerësimit të provimit tim, kishte pirë një kafe dhe kishte shijuar provimin tim sikur të lexonte një gazetë… por unë isha aty e përhumbur në mendimet e mia, nuk e ndiqja dot.

Diçka e çuditshme ndodhte brenda meje, por e dija saktë se isha pikërisht në vendin ku duhej të isha. Ajo çfarë unë kisha shkruar në atë fletë provimi, nuk kishte të bënte me atë se çfarë mund të shkruajë një student i vitit të parë në një afat me 8 provime. Ajo çfarë unë kisha shkruar aty ishte diçka spirituale, që unë e kam brenda vetës dhe as nuk mund  të shpjegoj se pse dhe si është aty. Aty e kuptova qartë që ajo çfarë po bëja, nuk ishin thjesht studime sa për t’u bërë, por ishte pasioni im, të cilin deri në atë moment e shihja të turbullt. Pastaj kështu rrodhën gjërat, lavdërimet që merrja nga profesorët dhe kolegët më motivonin që studimeve t’u qasem me një vështrim kritik, deri kur më në fund kisha arritur nivelin në studimet Master ku kisha biseda mjaft interesante me ish profesorët e mi, sidomos në fushën e Morfologjisë, të Sintaksës e të Sociolinguistikës.

  1. A mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në Universitetin e Berlinit? Cilat ishin sfidat me të cilat u përballe në fillim?

Zakonisht të huajve që vijnë këtu u duhet shumë kohë të përshtaten me jetën dhe kulturën e vendit, por për mua ishte pak më lehtë sepse gjuhën gjermane e flisja dhe e kuptoja. Pra, jam lindur në Zvicër dhe kam jetuar atje para se të filloja shkollimin. Jetën dhe kulturën perëndimore e kisha të njohur, prandaj faza e ambientimit nuk është se zgjati shumë. Për një kohë të shkurtër kam bërë shumë miq, kam parë shumë vende dhe provuar shumë gjëra të reja. Sfida kryesore për mua ka qenë para ardhjes sime këtu, procesi i shpërnguljes nga familja, procedurat e marrjes së vizës për studime, gjetja e strehimit, aplikimi për bursë si dhe gjetja e ndonjë vendi të punës.

  1. Çfarë mendoni të bëni në të ardhmen, do të qëndroni në Berlin apo do të ktheheni në atdhe?

Kosova jonë e dashur është ende në proces të shtet-ndërtimit dhe rëndësia që ka gjuhësia nuk është akoma e adresuar sa duhet. Duke pasur parasysh që gjuhësia është çelës për realizimin e komunikimit të duhur, për dijen dhe kodin e mirësjelljes, mendoj që pjesëmarrja ime në Universitetin e Humboldit është e një rëndësie të veçantë. Për më tepër, aftësitë, teknikat, mjetet dhe metodat e reja, idetë inovative të cilat po i marr me përvojën time në Universitetin e Humboldit, mendoj që jo vetëm se do të forcojnë zhvillimin tim akademik dhe profesional, por gjithashtu do të rrisin horizontet e mia gjuhësore, për të kontribuar si model për shoqërinë e Kosovës, sidomos në fuqizimin e femrës, pasi që shoqëria në Kosovë për shumë vite ka qenë një shoqëri patriarkale. Mendoj të qëndroj në Evropë, aq gjatë sa i shërben ngritjes së nivelit tim akademik, por asnjëherë nuk e përjashtoj idealin e kthimit në atdhe për të dhënë kontributin tim si shkencëtare për gjuhën dhe vendin tim.

 Cili është vizioni juaj?

Vizioni im është që gjithmonë të jem më e mirë se ajo që isha dje dhe më e dobët se ajo që do të jem nesër.

  1. Çfarë hobi keni, cilat janë gjërat që ju pëlqejnë dhe cilat janë gjërat që nuk të pëlqejnë?

Hobi im është leximi, kaloj një kohë të gjatë duke lexuar dhe kjo më bënë të lumtur. Edhe pse jam një këngëtare e tmerrshme, më pëlqen të dëgjoj muzikë të mirë. Gjatë dëgjimit të muzikës, motivohem për shkrime të ndryshme. Më pëlqen shumë të shëtis nëpër botë, të njoh vazhdimisht njerëz të rinj, të mësoj fjalë në gjuhë të ndryshme të botës, të mësoj për kultura të ndryshme. Më pëlqen të kaloj kohën me njerëz të cilët kanë mendime të thella, për gjëra të ndryshme, për botën, natyrën, njeriun. Më pëlqen të kaloj kohën me familjen time… por definitivisht nuk më pëlqen futbolli.

  1. Çfarë të pëlqen te vetja?

Guximi dhe besimi te vetja.

 11. Cila është pika juaj e dobët? A ka diçka që luftoni të largoni nga vetja?

Jam shumë e ndjeshme dhe në shumë raste më mungon durimi.

 12. Ku mendon se do të jetë perspektiva jote pasi të diplomohesh?

Kudo.

  1. A keni qenë përfituese e ndonjë burse apo jeni shkolluar me vetëfinancim?

Po, kam qenë përfituese e bursës komunale dhe përfituese e bursës universitare në Prizren. Më vonë kam qenë përfituese e bursës universitare edhe në Tiranë. Po ashtu kam qenë përfituese e bursës Erasmus+, njëherë si studente shkëmbimi dhe shumë herë si pjesëmarrëse në trajnime e Konferenca të ndryshme në Evropë. Po ashtu, momentalisht jam përfituese e bursës në Universitetin e Humboldit në Berlin.

  1. Kush ka ndikuar në sukseset tuaja?

Për te gjitha sukseset e mia i jam mirënjohëse familjes sime. Jam vajza më e vogël në familjen time dhe duke qenë kështu sukseset e mia gjithmonë i kam konsideruar si të vonuara në familje. Po ashtu, rezultatet e mira në mësime janë marrë si të mirëqena në familjen time, pasi që edhe motrat e mia kanë qenë studente të dalluara. Kjo më ka motivuar vazhdimisht në përpjekjen për suksese e rekorde të reja. Jo vetëm motrat, por edhe prindërit e mi kanë qenë të arsimuar dhe të suksesshëm në profesionin e tyre. Babin tim e kam parë gjithmonë si njeri vizionar dhe të paarritshëm. Para se të ndërronte jetë, isha një fëmijë 13-vjeçar, por kishim biseda shumë të gjata dhe interesante. Ai kishte pritshmëri të mëdha prej meje, që jo vetëm pse u nda herët nga jeta, por edhe sikur të ishte akoma mes nesh, nuk besoj se do i prekja majat e suksesit ku ai më shihte. Gjatë jetës sime, besimin dhe pritshmëritë e prindërve të mi, i kam bartur si barrë të rëndë, por tani kur e kthej kokën e shoh që ato më kanë motivuar më së shumti. I falënderohem nënës sime të mrekullueshme e cila ka qenë udhërrëfyese në jetën time. Unë dhe mami kemi shumë të përbashkëta, madje edhe profesionin. Kur isha e vogël, mami më ndihmonte të bëja detyrat, sidomos në shkrimin e eseve. Sa herë që mami mundohej të më ndihmonte, unë herën tjetër mundohesha ta shkruaj edhe më mirë. Dalëngadalë  u bëra konkurrente e mendimeve të mamit dhe ushtrova që gjërat t’i mendoj me logjikën e të rriturit. Falë mamit, si e vogël m’u zhvillua pasioni dhe dashuria për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Por nuk i falënderohem që më ka nxitur të lexoj Balzakun gjatë shkollës fillore.

  1. A jeni e dashuruar? Nëse po, si arrini ta menaxhoni kohën për studime? Nëse jo, pse?

Jam e dashuruar në shkencë, në art, në natyrë dhe në kafshë. Mendoj shumë rreth impaktit që ka njeriu mbi natyrën dhe kafshët.

  1. Ishte ideale përpjekja juaj për t’i ikur pyetjes se a keni të dashur, por nuk do të shpëtoni nga kjo pyetje që besoj i intereson publikut?

Jo, nuk kam të dashur. Unë nuk e di arsyen se pse nuk kam të dashur sepse do ta zgjidhja shumë kohë më parë, hahaha.

  1. Çfarë këshille do t’u jepje të rinjve në Kosovë?

Unë kam jetuar në Kosovë një kohë të gjatë dhe e di që të rinjtë atje po kalojnë në një fazë të vështirë, ku rrethanat ua pamundësojnë ndërtimin e vetes. Megjithatë këshilla ime për të rinjtë është se ata duhet të qëndrojnë të motivuar dhe të durueshëm në planet e tyre për realizimin e arspiratave të tyre sepse as “Roma nuk u ndërtua për një ditë”.