‘Peshqit e mëdhenj’ gati për të rënë në rrjetë, nën hetim presidenti, ministrat, ish-ministrat dhe deputetët
Pamfleti.com, 21 Shkurt 2018
Arta Marku me “dorë të hekurt”, 33 prokurorë për të goditur korrupsionin; ‘peshqit e mëdhenj’ gati për të rënë në rrjetë, nën hetim presidenti, ministrat, ish-ministrat dhe deputetët.
Kryeprokurorja Arta Marku ka hapur rrugën e arrestimeve VIP. Ditën e djeshme Marku u ka dërguar një udhëzim dhjetë prokurorive, ku u kërkon që të ngrejnë me urgjencë njësitë e posaçme për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ky udhëzim ka ardhur në kuadër të marrëveshjes që kreu i akuzës firmosi pak ditë më parë me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me të cilin u ra dakord të ngrihen dhjetë struktura me prokurorët më të mirë të vendit, me qëllim nisjen e arrestimeve në nivele të larta.
Kështu në udhëzim thuhet se dhjetë strukturat e reja që do të ngrihen do të jenë Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë, Korçë, Gjirokastër, ndërsa një strukturë do jetë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjithashtu, në udhëzim Marku ka prezantuar edhe përbërjen dhe se si do të jenë këto struktura.
Kështu në udhëzimi thuhet se në njësinë e posaçme të Tiranës do të atashohen 5 prokurorë, ndërsa në njësinë e Prokurorisë për Krime të Rëndë do jenë disponibël 4 prokurorë. Kurse 8 njësitë e tjera të posaçme do të kenë nga tre prokurorë për secilën strukturë. Në total do të jenë 33 prokurorë që do të godasin korrupsionin dhe krimin.
Organizimi i seksioneve
Po ashtu në udhëzim thuhet se në përbërjen e këtyre seksioneve, drejtuesi i prokurorisë cakton ata prokurorë të cilët kanë përvojë në hetimin e veprave penale në fushën e krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe korrupsionit, krimit në fushën e lëndëve narkotike dhe krimit kundër pastrimit të parave, si dhe kalojnë me sukses procesin e verifikimit të integritetit moral dhe profesional nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ndërsa sipas udhëzimit një nga prokurorët e seksionit caktohet drejtuesi i seksionit. Nga ana tjetër, Marku në udhëzim thotë se prokurorët e caktuar në këto seksione bashkëpunojnë me shërbimet e policisë gjyqësore pranë Task- Forcës Speciale Qendrore, Task-Forcës Speciale Rajonale për shkëmbimin e informacionit, për kryerjen e analizave dhe vlerësimeve të përbashkëta rreth grupeve kriminale si dhe realizimin e veprimtarisë hetimore në zbatim të detyrimeve specifike, të përcaktuara në Planin e Veprimit kundër Krimit të Organizuar, Operacioni “Forca e Ligjit”.
Ja subjektet që do të hetohen
Interesant është fakti se në udhëzimin e saj, kryeprokurorja Arta Marku bën me dije edhe mënyrën se si do të hetohen zyrtarët e lartë që kanë bërë korrupsion. Dhe për këtë, në udhëzim ajo citon nenin 135/2 të Kushtetutës, në të cilin shkruhet qartë se më të rrezikuarit për t’u hetuar për vepra penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëse do jenë të përfshirë, do të jenë Presidenti i Republikës, ministrat, ish-ministrat dhe deputetët.
“Hetohen akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”, thuhet në nenin 135/2 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Ndërkohë në udhëzimin e saj, Marku thekson se kompetencat lëndore të këtyre seksioneve do të jenë nga veprat penale në fushën e lëndëve narkotike dhe fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, vepra penale në fushën e korrupsionit, deri tek vepra penale në fushën e tatim-taksave./SOT