Arsyeja është ajo që na duhet!

1
1117
Hamed Abdel-Samad

Përkthyer nga Gilman Bakalli

Fjalimi i mëposhtëm mbahet nga politologu germano-egjiptian Hamed Abdel Samad.
Imagjinoni sikur jemi të gjithë bashkë në një anije dhe duam të ndërmarrim një udhëtim rreth botës. Papritmas konstatojmë se kapiteni i anijes përdor për drejtimin e anijes një hartë detare të shekullit të 7-të. Disa prej udhëtarëve të anijes u duket i lezetçëm ky fakt, disa të tjerëve më të arsyeshëm, i rrezikshëm.

“Vernunft ist das, was wir brauchen. Vielen Dank.”Hamed Abdel Samad

Posted by Frieden durch Bildung on Sunday, March 27, 2016

Islami ka lindur në kohëra krejtësisht të tjera dhe u ka folur njerëzve krejtësisht të tjerë, njerëz me probleme dhe nevoja krejtësisht të ndryshme prej nesh. Prandaj është e drejtë që, ne sot, të mos e gjykojmë Islamin, Profetin dhe Kur’anin me kritere matëse të shekullit të 21-të. Por ama, për ekuilibër, do të duhej që edhe Islamit t’i kërkohet të mos përzihet në çështjet e shekullit të 21-të.

Shpesh flasim për 30 nenet e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut. Thelbi i këtyre të drejtave është e drejta e vetëvendosjes. Vetëvendosje për trupin tënd, për seksualitetin tënd, të drejtat e barabarta midis gruas dhe burrit, apo midis pakicës dhe shumicës. Kush pretendon se keto të drejta përputhen me parimet e Islamit, gënjen veten. Islami dhe demokracia nuk janë kompatibël dhe nuk kanë pse të bëhen kompatibël në shoqërinë moderne. Islami ka dy anë: anën spirituale dhe anën juridiko-politike. Vetëm duke shfuqizuar këtë anë të dytë të tij, mund të arrihet bashkëjetesa e tij me jetën e shoqërisë moderne. Gjithçka tjetër është iluzion.

Ku qëndron problemi kur flitet për integrimin? Si shpjegohet që sa herë që flasim për integrimin del dikush që na thotë se Islami është pjesë e Gjermanisë? Islami nuk është pjesë e Gjermanisë, për arsyen e thjeshtë se Islami nuk ka pranuar kurrë të jetë pjesë e diçkaje. Islami don të jetë gjithmonë E Tëra e madhe, e cila vendos gjithçka nga lart dhe gjithçka tjetër duhet t’i nënshtrohet atij. Debati për integrimin në Gjermani është njëkohësisht debat për shumë gjëra dhe probleme të tjera, që nuk ecin mirë në këtë vend. Prandaj shpresoj që ta përdorim debatin për Islamin, për të diskutuar për rolin e fesë në këtë shoqëri, për pushtetin e kishës në arsim, sistemin juridik dhe në media. Nëse nuk e bëjmë këtë, i tërë debati për Islamin është i padobishëm.

Le të kthehemi tek anija jonë. Askush nuk ka kundërshtim për faktin që në bordin e saj ka besimtarë myslimanë, të krishterë, hebrenj apo ateistë që ushtrojnë fenë e tyre, ritualet e tyre. Çështja bëhet problematike, nëse disa nga besimtarët ngrihen dhe shkojne drejt kabinës së timonierit. Në këtë moment duhet të alarmohemi, sepse historia na ka treguar se sa herë që feja ka qenë në timonin e një anijeje, kjo anije nuk ka mbërritur askund në rastin më të mirë, ose është mbytur me të gjithë udhëtarët e saj.

Nuk kemi pse i përdredhim nga të gjitha anët suret e Kuranit për t’ia përshtatur ato jetës sonë moderne, nuk kemi pse flasim gjithë kohën për ndërtim xhamiash, syntellëk apo minare. E mira do ishte të flisnim për rregullat e bashkëjetesës. Integrimi arrihet përmes arsimit, punës, mobilizimit social dhe komunikimit të shëndetshëm. Dhe në këtë pikë Islamin e shoh më shumë si pjesë të problemit, se sa si pjesë të zgjidhjes. Njoh shumë myslimanë demokratë, të cilët jetojnë në paqe në Gjermani. Por ato janë paqësorë dhe demokratë jo sepse janë myslimanë, por sepse janë njerëz të arsyeshëm. Arsyeja është ajo që na duhet!

Komentet janë mbyllur.