ARSIMTARJA E NJOHUR LUMTURI VLADI, NDEROHET ME TIRULLIN DIPLOMATIK, “MISIONARE E PAQES DHE PROSPERITETIT”…

0
2706
Murat Gecaj, foto

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues (*)

1.
Nuk është rasti i pare, që shkruaj për mësuesen dhe drejtuesen e njohur të arsimit në kryeqytet dhe veprimtaren e shquar, Lumturi Vladi. Ndër të tjera, ajo është anëtare dhe veprimtare e palodhur e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Gjithashtu, kam patur kënaqësinë që atë ta shoh gjatë punës drejtuese. në shkollën 9-vjeçare “Dora d’Istria” të Tiranës, të cilën e bëri shembullore, me mbështetjen e kolegëve të saj dhe bashkësisë, ku ndodhet ajo shkollë. Kam marrë pjesë në përurimin e disa botimeve të posaçme, që i janë kushtuar asaj, në Panairet vjetore të Librit.

Sigurisht, këta libra kanë qenë vlerësime të merituara për tërë punën e saj të përkushtuar, në shërbim të mësimit dhe edukimit të brezit të ri dhe të arsimit tonë kombëtar, në përgjithësi. Prandaj libra të tillë do të mbeten thesar i çmuar, për t’ua transmetuar brezave të mësuesve tanë, se si duhet të punojnë e përkushtohen ata, në gjithë punën profesionale, në drejtimin e shkollës ose në veprimtaritë jashtë saj, në marrëdhënie të forta me bashkësinë, e intersuar për problemet e saj.

Por, siç është e natyrshme, erdhi një ditë që edhe Lumturi Vladi u shkëput fizikisht, nga puna ditore me nxënësit e kolegët e saj, pra doli nnë pension. Por ky ishte vetëm një akt formal, sepse ajo gjithnjë mbeti me mendje e zemër te shkolla e saj e dashur, pranë nxënësve e kolegëve. Po edhe në biseda të lira me të, ajo përherë shprehet me interesim të veçantë dhe shqetësim të ntyrshëm për mbarëvajtjen e çështjeve të arsimit tonë sot: drejtimit, mësimdhënies, edukimit e vepreimtarive etj.

2.
Sa detyrim është për të gjitha instiucionet zyrtare të vendit, por dhe shoqatat e ndryshme, që shembuj të tillë t’i vlerësojnë sa më lart e t’i përgjithësojnë. Mësuesit e drejtuesit e dalluar të arsimit lipset t’u japin dekorata e tituj, që janë parashikuar ose t’u bëjnë vlerësime, në mënyra sa më të përshtatshme. Prandaj dhe të gjihë patëm kënaqësi, kur këto ditë u publikua njoftimi. se arsimtaren e shquar, Lumturi Vladi, OKB dhe SHBA e çertfikuan, “Misionare të Paqes”, në Shqipëri.

Në një ceremoni të bukur, që u organizua me këtë rast, ishin të pranishëm mjaft të ftuar. Ndër ta, ishte dhe Dr. Otto F. Von Figenblatt, President i Trupit Diplomatik Ndërkombëtar, profesor në disa Universitete, në SHBA dhe Evropë, si dhe këshilltar për çështjet e Euroazisë.

Në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni. duke iu drejtuar Lumturi Vladit, ai tha: “Paqja fillon me arsimin dhe, në shumë raste, puna që bëjnë arsimtarët nuk vlerësohet as sa duhet…”. Ndërsa Dr. Shefki Hysa, Guvernator i Shërbimit Diplomatik të Paqes dhe Zhvillimit në Shqipëri, u shpreh: “Drejtoreshën e nderuar Lumturi Vladi, ne kemi nderin e madh sot ta çertifkojmë “Misionare të Paqes”.

Veprimtaria e gjërë e saj, e bën atë të tillë. Ne besojmë që ajo jo vetëm është ndër misionaret më të mira, por ka ende potencial për të dhënë dhe dëshirë për t’u aktivizuar…”.

Në këtë ceremoni të paharruar jo vetëm për Lumturi Vladin, por dhe për gjithë pjesëmarrësit, folën, përshëndetën e uruan: Nora Malaj, zevendësministre e Arsimit e Sportit dhe miq e të njohur të saj, si: Rajmonda Ballvora, Irena Toçi-drejtoreshë e SHB “Toena: Vjollca Lubonja, dejtoreshë e Shtypshkronjës “Elve” etj.

Me fjalë përshëndetëse e falënderuese, plot me emocione, Lumturi Vladi u shpreh: “Këtë titull nderi ia kushtoj nënës sime, Xhavite Karaj, e cila ka qenë gjithmonë heroina ime, frymëzimi im, në punë dhe në çdo veprimtari jetësore. Prandaj, për mua ajo gjithnjë është e pranishme”.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, e përshëndesim dhe e përgëzojmë kolegne dhe miken e nderuar, Lumturi Vladi, për titullin e merituar, që ajo mori dhe i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë, mbarësi dhe veprimtari të pandërprera, në shërbim të arsimit kombëtar shqiptar, si dhe gezime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 10 janar 2017
…………..
*) Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, Tiranë