Arratisja e lumit dhe Prarimi – poezi nga Mehmetali Rexhepi

0
501
Mehmetali Rexhepi

Mehmetali Rexhepi

Arratisja e lumit

lumi rridhte përpjetë
nuk e gjente udhën e vet
bishtin i lidhën nën shalë
si një kali të harlisur
shtratin i grabisin
shtrihej i molisur
i hoqën dhe jastëkët
stomet e tij jetik
nga doli nuk e shpinin dot
i rebeluar e krejt anarkik
i thyen shtratin horizontal
mbledh gjymtyrët në puset vertikal
rrjedhës tij kaltëroshe
vragat zijoshe
gjymtyrë të këputura
as pilivesa as flutura
pikturë e shpirtit i fanit rrjedhën
gurgullimat ia paqësoi amullia
ata tinguj të lëngshëm
tela të këputur kitarash të ujit
violina të thyera tutje çiftelia
copa të hedhura
dridhje të shtanguara
zukamë shushunjash
mbi invalidë ujërash
vërshëllimë ere thëllëzash të etura
i mbyllur në të zjarrtat korniza
vija e lumit një gjarpër i vardisur poetit
pa këndshëm mblidhej e këputej
në sfond joshte kaltërsia
gjarpri helmues ngrihej sakaq
nuk i ndërrohej as lëkura
zvarranikut nën saç
përderisa rrufetë tytave të shqyera
lakadredhur shfryjnë malit matanë
kujtimi i lumit të lanë
poeti mëtoi shtratin e shpirtit t`ia lëshonte rrjedhës
e kaplonte dëshpërimi një kuçedër prej erës
lum o lum
të është bërë shumëçka e palarë
si ta heqësh vetveten zvarrë
të ndërrosh lëkurën ujore
t`i vësh fikën jetës
vazhdës tënde të mbetur
t`i lësh arkivolin prej gëlqereje
prej dheu gurësh e rërës së vjedhur
padron ngrehinash dyzetkatësh
gjuhën jashtë prore ta mbash
për lëpirje jonesh
ndoshta do të shuash etje
shtegtimit të reve
atje ku u arratis lumi
të cilin e ndiqje
dhe kurrizin i theve

Gjilan, e rishkruar, më 12 kallnor 2020


P R A R I M I

erdhi prarimi
me vashën prej avulli
mbase ajo kishte harruar t`mi kthente thesaret
vaktësinë e atyre pikave avulluese
stisje filigrani
për qafë të asaj nuse

*
ti
dridhje tingujsh të blertë të kitarës
polen i shkundur prej gishtash të Jusuf Gërvallës
jepi shend melodisë së zamares
më nxirr jashtë kryqëzimeve
gërshërëve të zeza të hijeve
mos eja lot-vërshues
më hedh mes njomështish të lastarëve
praro bulëzat mbi trungun e thatësisë time

*
prarim
eja me fijet e fëmijërisë
urbanizmi sa kishte nisë
të thuret shporta e rrjepur prej zbrazëtisë
ndoshta ende përcëllon ngricë e vesës
cakërro me të kuqen e venës
t`i ndizet pigmenti buzë-qershisë
përderisa (a)gurron gjaku
e ruaj për shkrirjen e atij akulli
kur i trashet lirisë

*
i fryve valës dhe çele tiparin
të pa thënat lidheshin nyje
në dialogët e kakofonisë
kishin hyrë monologët e mbërthyer
kujt t`i duartrokiste publiku
fjalës e ditës i kishte ngelë e njëjta meny

*
pa rrezet tua
fshihet kontrasti
as matet hija
shkundet tërmeti

bie arkitektura
mbi skia

*
ja si më prarove mijëra dhurata sythash
le të ngjyejnë tej malesh të bardhët plisa
çastet buzë purpurta
le të më puthin
por ah
vetëm derisa të galdojnë petalet
mandej gjethet kërcejtë e ethet

*
ç`është e bukura
pa prekjen tënde
pos peng modeli
ai i pa vjeli

*
prarim i këtij rruzullimi
praroje dhe trungun tim
se ja po më thërret
amshimi

Gjilan, 16 kallnor 2020


PËRFUNDI FRONIT

të gjithë i përuleshin nën fronin e kadifenjtë
i bartej trupi kaba mbi koka njerëzish të errtë
një mjegull e mbështolli me helme e flakë
zbrazi turmën mijëra rrufe për qark
vartësit hodhën fronin
ngjitur bythës Perandorit
gjithkush ah e kah arratinë
shtegu shpinë mbi shpinë
mbi Perandorin froni kishte hipur
asnjëherë për të mos zbritur

Gjilan, mars 2020