ARQILE VASIL GJATA – CIKEL ME POEZI

0
1280

Përgaditi për botim: Gjin Musa.

ARQILE VASIL GJATA
Nji pene brilante, qe ja vlene te lexohet nga dashamiresit e poezisë. Ne vijim do publikojm ne gjuhen Shqipe dhe ate Italiane poezit e poetit Arqile Vasili Gjata. /Gjin Musa, gazetar

PO KUSHE KY POET QE SHKRUAN DHE BOTON NE DY GJUHE?

Arqile VASIL Gjata

Arqile V Gjata ka lindur më 24-6-1942 në qytetin e Vlorës-Shqipëri.
Aty mbaroi shkollën 7 vjeçare dhe shkollën e mesme (Gjimnazin “Ali Demi”)
Në vitet 1972-75 vazhdoj Institutin e lartë tre vjeçar në Shkodër për Gjuhë-Letërsi Shqipe. Ndër vitet 1966 dhe derin në vitet 1975 ka shkruar në organe te ndryshme, si ne gazetën “Zëri i Rinisë”, “Puna” dhe në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”.
Nga viti 1995 jeton dhe punon në Athinë familjarisht. Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon ngushtë me shtypin Shqiptarë në Athinë ku ka botuar shumë artikuj problemor për emigracionin, reportazhe, skica, poezi, tregime dhe mendime estetike.

Ai ka botuar këto libra:
– “Kur trazohet jeta”, vëllim poetik, 2005.
– “Kurorë me ngjyra”, vëllim poetik, 2006
– “Qyteti që kërkon muzikë”, vëllim me tregime, 2007
– “Gratë e poetëve” vëllim me poezi, 2009
– “Një ESSE për Jetën” vëllim me esse dhe mendime kritike më 2010 botuar nga Shtëpia Botuese “LULU” në SH.B.A
– “Jeta më vjen si poezi” vëllim me poezi botuar nga Shtëpia Botuese “LULU” në SH.B. të Amerikës Tetor 2010.
– Vëllimi me poezi të zgjedhura “Kur Thinjet Deti”, Maj 2012
– Vëllimi poetik- “Lumenjtë janë të vjetër”, Korrik 2014
– Vëllimi poetik “Mik me ajrin”, 2017-10-21

Arqile Gjata është autor i Historikut të Shoqatës Atdhetare “Vëllazërimi”, “NJË JETË ME SHOQATËN VËLLAZËRIMI”, 2015
– Librin me studime letrare “Të piktursh fjalën, të pikturosh dritën” (mozaik letrarë) 2017
A.Gjata është bashkautor në disa Antologji dhe Revista Letrare si: Revista Letrare numër 38-të “Mehr Licht”, Në Antologjinë e studiuesit dhe kritikut F.Terziu “Vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë Shqiptare”, 1 dhe 2.

– Arqile Gjata është pjesëmarrës në disa Koferenca shkencore me tetë Kumtesa. Së fundmi me Kumtesën “Vlera Artistike e frazeologjisë në poezinë Çame.”, Qershor 2017.

Ka botuar në revistën letrare “ILLZ”, numri 2-7, 2017, (kumtesa rreth poezisë së vëllimit poetik “Përshpirtje”- “Sa bukur është të jetosh” të autori Rami Saari, Izrael)

Në disa numra tek Revistën letrare “Haemus” si tregime, esse dhe poezi që botohet nga Akademikët Ardian e Kopi Kyçyku në Bukuresht, “Pelegrini”, “Pegasi”, “Çelësi i shpirtit” (në Rumanisht). “Qiejt e shpirtit” si dhe bashkautor në Antologjinë “EAGLE’S VOICES” në Anglisht, që sot është pronë e Biblotekës Mbretërore të Anglisë. Në Revistën “Obelisk”.
Ai është pasqyruar në Antologjinë me autorë vlonjat “Mendime estetike mbi letërsinë bashkëkohore” nga Eqerem Canaj
Bashkautor në Antologjinë e krijuesve emigrant “As i gjallë dhe as i vdekur” botuar në Suedi nga Shkrimtari dhe poeti Bahtir Latifi.
Bashkëautor në vëllimin me kujtime të Lavdie Bisha “Ti je Lulja më e Bukur e Jetës” Nëntor 2011 – kushtuar Artistes së Pupullit Vaçe Zela.
Është bashkautor në Antologjinë poetike “LOTËT E VIRGJËR”, Mars 2012 përgatitur nga Agim Mato dhe Dr. Fatmir Terziu botuar nga Shtëpia Botuese LULU në SH.B.Amerikës.

Në shkurt te vitit 2014 është pjesëmarrës në antologjinë poetike botuar nga Mark Simoni me poezi për Muzgun!
-Është i përfshirë me një intervistë në librin “Kujtime nga Diaspora”!(numri 4) të publicistit dhe shkrimtarit Sokol Demaku-Shtator 2014.
Arqile Gjata ka botuar në disa Revista si “METAFORA” Organ i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës etj.
Ai është pjesë e vëllimeve me studime “Kritika Ndryshe” të Dr.Fatmir Terziu. Pë krijimtarinë e tij krijuese kanë shkruar më se 25 Emra të njohur të kritikës, pedagogë dhe më se 8 prej tyre me titull Pr. Dr.

Po kështu është pjesë e një antologjije në anglisht, 100-tëpoetët më të mirë. etj.
Arqile Gjata ka disa cikle poetike të përkëthyera e të botuara në anglisht, greqisht, rumanisht dhe rusisht.
Ai është prezantuar me cikle poetike dhe në shumë gazeta të ndryshme elektronike dhe jo elektronike në mbar botën Shqiptare. etj.
Ai është redaktor në tri vëllime poetike; të vëllimit – “ËNDRRA PA QIELL” të poetit Gëzim Strora, në vëllimin poetik “SYRI I SË DIELËS” i poetes Lida Lazaj dhe librin me poezi të poetes Irena Gjanci, “Një strehëz me vargje”, 2016

Arqile V Gjata ka marrë pjesë në krijimin e KUVENDIT mbarëkombëtar të krijuesëve në diasporë më 23 Nëntor 2013 në Koblenz të Gjermanisë, ku dhe është zgjedhur si një nga N/Kryetarët.

Krijuesi A.Gjata njihet dhe si një publicist sidomos gjatë viteve 1995 e deri më sot në emigracion-Greqi dhe në faqe të ndryshme elektronike.
A.Gjata është anëtarë i Klubit “Së bashku” (me qendër në Athinë)dhe njëkohësisht dhe i Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko “në Vlorë.

Disa poezi të zgjedhura nga ARQILE V. GJATA

NJË DITË FESTE ME TË ÇMENDURIT

Në nderim të kujtesës!
Unë e di…
ku e kanë derën e mendjes të çmendurit.
Ata,
janë kalimtarë të ëndrrave, shtratin e kanë të thyer,
brohorasin,
si epshor tundin mendjen e tyre!
Janë apo nuk janë të dhunshëm,
me kokë poshtë e shikojnë kohën dhe botën,
kujtesën e kanë të ngujuar në nervin ireal!
Të çmendurit numërojnë kokrrizat e rërës,
nuk ndjejnë uri, as ngopje
festë kanë çdo çast në mendjen e tyre.
Një ditë,
më ftuan…
më gostitën me fjalë çmëndurisht të bukura…
Ju betohem, kanë fantazi e trillime reale!
Janë të besueshëm
e kanë njohur botën pa mëkate e dëshira seksuale!
Në kopsht,
aty ku dëfrehen, nuk shajnë
veç përgjërohen për dashurinë.
Në gji,
mbajnë të palosur një letër
a fotografi të heronjve të tyre.
Qajnë e qajnë deri sa qeshin me veten e të thonë:
-Nuk jemi të çmendur!…
Ju jeni të tillë, vidhni dashuri,
fëlliqni biblioteka e shtëpi publike!
Më dhanë shumë kartolina e letra…
më dhuruan buzëqeshje pa maska!
Rroj në botën e tyre delire…

Dy Nëntor 2012

LETRA E ËNDRRËS

…ndjej fëshfërimën e pranverës!
Po vjen e dashura ime,
më tund dorën me letrën
që i dërgova mbrëmë në ëndërr.
Rrobat i ka të bardha,
feksin në ngjyrën e luleve
me gjinjtë si dy pëllumba të porsa fluturuar.
Është e bukur, lindur brenda meje,
si pemë stine ngarkuar…
E lehtë si zogu,
fluturon, vjen e malluar
dora i dridhet
kur lexon letrën e ëndrrës time!
Nuk Pata Kohë të Qaja!
Me zërin e vjeshtës erdha tek ty
kur era valviste gjethe.
Unë jepja e merrja me buzët e tua,
kur t’i putha ata sy
nuk pata kohë të qaja,
se m’i thave lotët me puthje!
Qava me ngashërim
kur era…
të zhveshi lakuriq,
të bënim dashuri…

Janar 2013

FITOVA NJË DITË PAQE!

Nga pjesa e kundërshtisë së etjes
fitova një ditë paqe…
* * *
Nga kënaqësia them:
Dhe luleshqerkat përçmohen,
mbrëmja vjen e lodhur nëpër çatit
e kuqe!
Njerëz, me hijen e tyre dorë-përdore
I fishkllejnë natës…
të largohen të vdekurit e ditës,
me gjuhën e fjalës tharë
trupi mbetur mjeran, pa faj!

14 Maj 2013 –Athinë

NGA MEMORJA E LARGËT!

Nuk di kush ka lindur i pari në botën tonë,
as të vdekurin e parë…askush nuk e di.
Të gjithë puthën-njeri tjetrin!
Vend banimi i të parit
ende nuk ka atdhe,
t’i falesha, t’i flisja me shpirtin tim!
Më i bukuri,
dhe sot jeton, diku nën tokë…
Ai! Ishte i pari që notoj në det
atë,
askush nuk e pa kur bëri dashuri.
As kurqau, as kur qeshi,
as kur vdiq…

Gjashtë Janar 2013-Athinë.

DREJT LAKURIQËSISË…

…Po ecim drejt lakuriqësisë,
nën këmbët tona
gjethet i përkëdhelim si piktura.
Çmendurisht po puthim tradhëtitë!
Një tjetër varg,
që se kemi jetuar, do ta zbresim
te zgjojmë dyshimet!
Dorëpërdore, në rrjedhën e lumenjve
…mes erërave të kapim diellin!
Me dëshirë,
ta zhveshim, ta diegim globin,
me hirin e mbetur
plagët të mjekojmë!

Dhjetor 2012 -Athinë

MEDITIM DIMËRI

Gjithmonë përshëndeteshim heshtur,
vetëm me një puthje.
Tani, që dimri erdhi
pëllumbat, nuk fluturojnë kur bie shi.
Si kalamanjë,
hipëm mbi çatinë e një kopshti
për të parë,
se si pëllumbat puthen
tani,
në kohë dimëri!

7-12-2012

E PANJOHURA

Sa po lexova një shkrim
për disa drurë,
rritur lartësive.
Midis gurëve,
Ata
nga perëndimi i diellit
ndizeshin zjarr
Një herë në ditë,
ata drurë qanin,
mërdhinin!
Pas disa orësh,
bashkonin krahët
të dashuruar rriteshin…
Si në legjendë…
nga puthjet,
avuj nxirrnin!
Dhe ëndërronim, për një jetë më të bukur…