Armada Molla, një ikje që lë boshllëk në shoqëri

0
436

Rrapo Zguri: Nje kerkese miqesore per miqte e mi ne media. Nese e gjykoni te arsyeshme, botoni lajmin e meposhtem, ne respekt jo vetem te nje jete te humbur ne nje moshe te re, por edhe te kontributit te heshtur qe te saj per kete vend.

Shuhet në moshën 46 vjeçare drejtuesja e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në Shqipëri

Mbushi 46 vjeç vetëm një muaj më parë, por sëmundja fatale i mori jetën drejtueses së Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në Shqipëri, Armada Molla.

Pasi kreu studimet e larta universitare në degën e historisë si dhe studimet e nivelit Master Shkencor në fushën e trashëgimisë kulturore, Armada Molla punoi si lektore dhe specialiste e muzeologjisë në Muzeun Historik Kombëtar, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në paraqitjen e vlerave historike dhe në përmirësimin e imazhit të vendit tek vizitorët. Ajo është autorja e të parës guidë në audio për Muzeun Historik Kombëtar. Njëkohësisht për më shumë se 15 vjet Armada shërbeu si një guidë profesioniste për shumë ture kulturore të të huajve në Shqipëri.

Armada ishte themeluese dhe drejtuese e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në Shqipëri dhe pjesë e organizatës së njohur ndërkombëtare, Europa Nostra me president nderi Placido Domingo. Me insistimin e saj dhe të shoqatës që ajo drejtonte, si dhe më mbështetjen e Europa Nostra, amfiteatri i Durrësit u përfshi në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara, duke krijuar mundësinë që të investohej për rehabilitimin e tij. Armada është autore e projektit për rijetësimin e legjendës së Rozafës dhe e disa projekteve të tjera të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore. Ajo mori pjesë në shumë aktivitetete e konferenca ndërkombëtare në Berlin, Bruksel, në Spanjë, Greqi, Serbi, Itali, Bosnjë e të tjera, duke prezantuar denjësisht vendin e vet. Shoqata që Armada drejtonte ishte gjithashtu pjesë e Rrjetit Ballkanik të Turizmit Kulturor.

Në jetën dhe veprimtarinë e saj Armada do të reflektonte edhe vlerat e familjes Agolli, që njihet në Dibër e më gjerë për patriotizmin dhe për sakrificat për liri e demokraci. Rreth 100 vite burg e internim do të vuante kjo familje e nderuar gjatë diktaturës, Gjyshi i Armadës u dënuar me 25 vjet burg, ku edhe vdiq. Po ashtu i ati i saj, bëri rreth 15 vjet burg dhe internim. Kjo histori e dhimbshme la gjurmë tek Armada dhe e bëri atë të ndjeshme dhe të përkushtuar ndaj padrejtësive dhe ndaj çdo rasti të cënimit të lirive dhe të drejtave njerëzore, por edhe një njeri që rrezatonte mirësi, pozitivitet dhe energji, një qytetare të devotshme dhe të përkushtuar dhe një profesioniste të vertetë në fushën e saj.