Arkivat angleze, sa arka me florinj mori Zogu para se të linte Shqipërinë?

0
901

Historiania dhe studiuesja e njohur angleze Miranda Vickers, mbështetur në arkivat britanike, por edhe në ato italiane dhe serbe, jep një tablo befasuese se si u përgatit terreni për pushtimin e Shqipërisë në 1939 nga Italia fashiste e Musolinit. Po ashtu ajo shkruan se Ahmet Zogu, mbreti i parë i Shqiptarëve para se të ikte nga Shqipëria mori me vete arka me napoleona.

Miranda Vickers shkruan:

Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina“.

Nga Miranda Vickers

Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit.

Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij.

Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë.

Pavarësisht se në Tiranë e morën vesh të gjithë se Curri vdiq në duart e agjentëve të Zogut, vendasit këmbëngulnin se ai vrau veten. Shumë udhëheqës të tjerë kosovarë, si fjala vjen Zija Dibra, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit nga policia, pësuan të njëjtin fund të parakohshëm.

Zogu me motrat e tij…

Mandej Zogu kurdisi lëvizje për të ndërprerë aktivitetet e Komitetit të Kosovës, i cili përbënte një rrezik për marrëdhëniet e tij të mira me Jugosllavinë. Trupat që kishin qenë besnike të Nolit u çarmatosën dhe u shpërbënë. Megjithëse jugosllavët kishin mbështetur kthimin e tij në Shqipëri, ata nuk ishin në gjendje t’i jepnin Zogut ndihmë financiare, për të cilën ai kishte shpresuar dhe kishte aq nevojë për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Prandaj dhe ai u detyrua të miratonte një politikë bashkëpunimi me Italinë. Ndërkohë, një territor që kishte mbetur i diskutueshëm, parandalonte përcaktimin përfundimtar të Shqipërisë. Zona e njohur tashmë si Shën Naum në brigjet e liqenit të Ohrit, vazhdonte të ishte e pushtuar nga trupat jugosllave. Jugosllavët pretendonin se Zogu ua kishte premtuar këtë territor si shpërblim për mbështetjen që ata i kishin atij për rikthimin në Shqipëri në dhjetorin e kaluar.

Gjithsesi, Zogu e mohoi këtë dhe çështja iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve. Problemi u zgjidh përfundimisht duke i dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe zonat përreth malit të Vermoshit, ndërkohë që Shqipëria mori qytetin fqinj të Peshkopisë dhe disa fshatra të tjerë të vegjël.

Vendosja e monarkisë

I pasigurt për shkallën e mbështetjes nga ana e popullit, Zogu vendosi që ndoshta një monarki do t’i jepte regjimit të tij më shumë siguri dhe vazhdimësi se sa forma republikane e qeverisjes. Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk ishte monarki.

Prandaj dhe më 1 shtator 1928, Zogu braktisi emrin e tij turk Ahmet, bashkë me ‘u’-në nga Zogu dhe e kurorëzoi veten ‘Zog I, Mbret i Shqiptarëve’. Ky titull shkaktoi shtangie në Beograd. Ndërsa jugosllavët nuk kishin ndonjë kundërshtim ndaj një ‘Mbreti të Shqipërisë’, ata e akuzuan Zogun për nxitje të prirjeve irredentiste midis shqiptarëve kosovarë duke e quajtur veten Mbret të të gjithë shqiptarëve.

Sidoqoftë, ata e njohën atë, në mënyrë që ai të mos shtyhej më tej drejt Italisë. Për t’i dhënë një peshë solemniteti këtij momenti midis nënshtetasve të tij tejet apatikë, Zogu shpalli tri ditë festime me hedhje fishekzjarresh dhe manifestime ‘spontane’ në qytetet kryesore.

Një dekret zyrtar përcaktonte se: ‘E gjithë popullata duhet të marrë pjesë… asnjë burrë apo grua nuk duhet të qëndrojë i ulur nëpër kafene apo restorante gjatë manifestimeve; të gjithë duhet t’i bashkohen manifestimeve popullore’.

Katolikët në veri nuk ishin fort pëlqyes me idenë e një mbreti mysliman. Për të fituar mbështetjen për monarkinë, Zogu i dha çdo oficeri të ri të ushtrisë një gradë më të lartë, një rritje rroge si dhe një uniformë të re plot shkëlqim. Megjithatë kalimi nga republika në monarki pati pak ndikim në kufijtë e ekzistencës së shumicës së shqiptarëve.

Edit Durhami ka mendimin si edhe shumë të tjerë të huaj se monarkia u vendos kryesisht për të garantuar interesat italiane. Ajo më vonë i shkruante një miku: “Gjithnjë kam menduar se si Mbreti Zog, aq injorant dhe i pakulturuar, të ishte në gjendje të sundonte me drejtësi, ndaj dhe ishte kjo arsyeja që italianët e lanë atë të bëhej Mbret, në vend që të vazhdonte si President. Me qëllim që ata ta kishin atë vegël të tyre. Si president ai mund të binte dhe në vend të tij të zgjidhej një burrë më i mirë. Por si mbret, ata do ta kishin atë përherë në duart e tyre…” Kushtetuta e re që u shpall në dhjetor 1928 i dha Mbretit pushtet të pakufizuar legjislativ, juridik dhe ekzekutiv, duke i garantuar Zogut mbizotërimin.

Një dokument i përbërë nga 234 nene, kushtetuta shpallte që Mbretëria e Shqipërisë ishte një monarki demokratike, kushtetuese dhe e trashëgueshme. Ajo nuk ishte një shtet fetar; të gjitha besimet janë të barabarta përpara ligjit. I gjithë pushteti buronte nga kombi dhe trupëzohej te Mbreti dhe parlamenti njëdhomësh. Si mbreti dhe parlamenti kishin të drejtën e formulimit të ligjeve. Interpretimi i mirëfilltë të ligjeve i përkiste pushtetit legjislativ (artikulli 10); zbatimi në praktikë i ishte rezervuar Mbretit.

Procesi zgjedhor vazhdonte të siguronte që vetëm kandidatët besnikë të Zogut kishin shanse për të fituar, për më tepër që partitë politike ishin shpallur të paligjshme. Kështu që vetëm këta kandidatë zgjidheshin gjithmonë. Çdo kandidat duhej të paguante 100 franga ari në zyrat bashkiake para se emri i tij të futej në listë; mirëpo të paktë ishin në gjendje ata që mund të paguanin një shumë të tillë.

Zogu në ditën e pushtimit

Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Mbretëresha dhe djali i saj dy ditësh një orë e gjysmë para pushtimit u nisën me një karvan makinash përmes malesh drejt kufirit grek.

Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij.

Përpjekja e tij përfundimtare për të biseduar me italianët qe krejt e kotë, ndaj dhe ai mandej mori vendimin fatal të ndjekë gruan e tij në arrati.

Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Foreign Office britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina.

Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi. Ai nuk do të shkelte kurrë më në tokën shqiptare.