ARKITEKTURA E DASHURISË

0
1437

Vjollca Tiku Pasku

Prozë poetike

Fijet e kaltërsisë dridhen. Një fije u ngjyros me të kuqe. Është pikërisht kjo ngjyrë që lidh qiellin me tokën. Kjo fije është zanafilla e një ndjenjë. Përse rrezet e nxehta përshkojnë shtatin tim?…Dielli më lind në sy, ngjyros me kënaqësi gjithë mollëzat e faqeve dhe lë vektorin e shigjetave në zemër… Çdo përpëlitje kapakësh është një fërfërimë fluture. Qielli mbushet me flutura argjendi, ndoshta prandaj agimi është i bardhë. Ndërsa hëna vjedhacake tërheq të gjithë argjendin e grimcuar gjatë natës, dhe ndriçon gjithë errësirën e lagësht të tokës. Ti afrohesh ngadalë. Më hap një botë dhe unë pushtohem tërësisht nga magjia dhe misteri.

Vetëtimat e rrahjeve të çrregullta të zemrës prodhojnë rrufe emocionesh që japin ngjyrë mrekullisë së dashurisë. Ndjeva vetëm një tingull, “të dua”. Burimet e kristalta të ndjenjave rrodhën dhe në bashkëveprim me dritën u shndërruan në burime lumturie. Një i nxehtë, si një vullkan nënujor që del në sipërfaqe mbërtheu qenien time. Një kontak është lindja e një nuance pranverore, është akordi më i gjatë dhe më i bukur i bilbilit në agimet e Majit, është veshtulla e horizontit, kur puth buzën e paqme të oqeanit, është ndezja, përthithja e kënaqësisë, kur dielli zvogëlohet e përhumbet në trupin e errësirës. Një puthje dhe befas nga shkëndijat e ndjenjave lindin xixëllonja fryme, afshi i ndez,dihatja i fik, dhe spiralja yllësore vazhdon te dy burimet magjike, për të përthithur gjithë vakumin e dashurisë.

Stuhitë yjore vërtiten drejtë kërthizës së planetit. Valët e nxehta formësojnë një dallgë të stërmadhe, e cila copëzohet në fragmente të shkumëzave të bardha. Shiprti im valëzohet dhe bëhet njësh me flakën e lumturisë. Sa do të doja të pikturoja këtë çast nga yshtja eflakës, me të gjitha vargjet e petaleve të pranverës, përzier me vesën e agut dhe më pas ta latoja skulpturë me lëndën e përbërë nga krahët e fluturave,punuar me daltën e erës nga shqisat e zogjve, dhe ta vendosja në papafingon e universit. Njerëzit e thjeshtë e skalitin dashurinë në konturet e një zemre ajrore, duke i dhënë jetë me vibracionet e tyre e duke bekuar çastin e njohjes.

SHPIRTI IM I LIRË

Shpirti im i lirë është një pikëz, një frymë uji,
brenda ujëvarës së krehur nga shkëmbinjtë,
teksa thyejnë pasqyrën e lëngët nga flokët e gjatë.
Shpirti im lundron me rrjedhën, për të kërkuar një gjethe,
një rreze vargu, për tu ngjitur lart në hapësirë.
Nuk e di si u ngjita në fustanin e bardhë të pulëbardhës
ku dëgjoja meloditë e qiellit, valë valë zëra zogjsh
dhe ndalova në folenë e lartë me fije ari natyror,
ku çuk, çuk, dëgjohej kërcitja e sqepave të lindjes së jetës,
sy plotë dritë e krahë albatrosësh që bëheshin të fortë.
Burimi i qiririt të dritës tek shpërndahej më rrëzoi,
tek një gjemb trëndafili, që më mbuloi me petale.
si flutur e mërzitur prita gjatë, vesën e mëngjesit,
pa ditur sa shpirtra ëndrrash vinin e puthnin me dëshirë,
gjurmët e gjumit për të krijuar një tokë-qiell pa dhimbje.
Shpirtin tim, një copëz qiell e kamë lënë të lirë nëpër gjithësi,
në dritën e gëzimit, fluturon e qan në errësirën e mërzisë,
udhëton me erën e kohës borës dhe vullkaneve të jetës.
Mburojë kam diellin e besimit, tufat e fijeve të dritës mirësi,
që më reflekton në sy lirinë unë jetën me këngët e saj.