ARKITEKT I SHTETIT ARBËROR

0
1738

Në 574-vjetorin e Besëlidhjes Arbërore, të mbajtur në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444

Gjergj Kastrioti ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve Testamentin e tij e zgjoi rilindja kombëtare shqiptare. Flamuri i Kastriotëve, që Skënderbeu e shndërroi në flamur kombëtar, u ngrit në Krujë më 28 nëntor 1443, kurse Kastrioti shtetin gjithëarbërorë e themeloi në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Daljen e Gjergj Kastriotit në ballë të jetës politike e ushtarake e favorizuan shumë faktorë. Së pari, duhet të kihet parasysh roli i tij në organizmin e kryengritjes fitimtare të vitit 1443, pastaj shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve në zemër të vendit, qenia e Krujës në duart e Skënderbeut, qendrës më të rëndësishme politike e ushtarake të tokave arbërore të çliruara, por edhe lidhjet farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë bujarë e familje sundimtarësh të tjerë arbërorë. Në fakt, këto martesa paraqitnin një akt politik, që e ndoqi edhe Gjergj Kastrioti, për hir të përforcimit të politikës së brendshme, politikë kjo që shpiente drejt bashkimit sa më organik të sundimtarëve të fuqishëm arbërorë.

Në këtë frymë u bë edhe martesa e Gjergj Kastrioti me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit. Pastaj, martesa të këtilla ishin bërë edhe më parë. Bile, lidhje të shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve kishte pas edhe me shumë familje fisnike tjera si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët) Balshajt etj.

Lezha – vend i shenjtë i shtetësisë arbërore të Gjergj Kastriotit

Në këtë drejtim, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sapo kishte shpalosur flamurin tashëm kombëtar në Kalanë e Krujës, ai shkoi prej një vendi në tjetrin për të ftuar popullin arbëror (shqiptar) në luftën e përbashkët çlirimtare kundër Perandorisë Osmane që kishte okupuar edhe shumë vise arbërore. Si rezultat i atyre vizitave e bisedave me kryezotërinjtë arbërorë, doli thirrja e një kuvendi të përbashkët. Për shumë arsye, vendi se ku do të mbahej kuvendi ishte caktuar Lezha, që atëbotë ishte kryeqendër e Dukagjinit, por që ishte nën sundimin e Republikës së Venedikut.

Kuvendi i përgjithshëm i arbërorëve, apo Lidhjën arbërore e Lezhës, përkatësisht Besëlidhjen arbërore (shqiptare), u mbajt në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444, Kuvend ky që ishte mbajtur sipas traditave të hershme arbërore.

Në këtë Kuvend morën pjesë shumë kryezotërinjë nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut (Jahja Drançolli: Më 2 mars 1444, 574-vjet më parë mbahet Kuvendi i Lezhës, një përpjekje për themelimin e shtetit tonë të njësuar).

Vend i përshtatshëm për mbajtjen e Kuvendit ndërmjet princave arbëror ishte Lezha. Pozicioni gjeografik i Lezhës ishte i favorshëm për mbajtjen e Kuvendit, për arsye se ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte territor i veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara arbërore, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Ndaj, edhe Lidhja e Lezhës u bë shprehje e një nevoje objektive; bashkimi i vendit në plan politik dhe ushtarak nxitej nga kërkesat e luftës mbrojtëse dhe i shërbente asaj. Si e para organizat politike e përbashkët e njohur në historinë e mesjetës, Lidhja e Lezhës hidhte themelet e bashkimit politik të popullit arbërorë (Besnik Kurteshi: Roli unifikues i Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, 23 janar 2018).

Në Kuvendin e Bashkimit Kombëtar, që u mbajt në Lezhë, në vendin e shenjtë të shtetësisë arbërore, pra në vendthemelet e shtetësisë së shtetit arbëror, pjesëmarrësit përkundër dallimeve që i kishin, me propozimin e Gjergj Kastriotit kishin miratuar strategjinë shtetformuese, që ishte përpjekje e kahmotshme për të krijuar shtet arbërorë.

Ky në fakt ishte një shtet, që në fillim i kishte përmbushur të gjitha premisat juridike. Nga ai Kuvend kishte dalë kërkesa që të formohej një organ juridik, që do ta luante rolin e një qeverie, që ishte pagëzuar Lidhja e Lezhës, përkatësisht Lidhja Arbërore e Lezhës.

Në Kuvend ishte vendos formimi i forcave të bashkuara, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbër, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e vendit, me një kryetar të vetëm. Kryetar i Kuvendit të Lezhës ishte zgjedh Gjergj Kastrioti. Në fakt, Gjergj Kastrioti atëbotë ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve). Sipas Martin Segonit, nga Novobërda, biograf i parë i Gjergj Kastrioti (1481), Kastrioti qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm i thirrur mbret, kurse sipas Frëng Bardhit, Kastrioti ishte zgjedhur komandant i përgjithshëm.

Kështu që Gjergj Kastrioti – Skënderbeu arriti ta bashkojë popullin arbëror dhe t’i mbaj për 25 vite princat arbërorë të bashkuar në shtetin e Arbërit duke i bërë ballë forcës më të madhe të botës asaj osmane.

Njëherësh, në Kuvend Gjergj Kastrioti njëzërit ishte zgjedhur komandanti apo kapiteni i përgjithshëm i Lidhjes. Lidhja po ashtu kishte formuar edhe ushtrinë (armatën e vet), e që kishte deri në 18 mijë ushtarë, prej të cilëve shumicën e mbante Gjergj Kastrioti rreth vetes, e të cilët do të mblidheshin nga princat shqiptarë. Bërthamën themelore të ushtrisë e përbënin fshatarët duke marrrë feude të vogla dhe duke u bërë oficerë të ushtrisë arbërore. Gjergj Kastrioti e kishte ndarë ushtrinë në të rregullt dhe në të përkohëshme. Ushtria e Lidhjen së Kuvendit të Lezhës ishte e përbërë nga kalorësit dhe këmbësoria. Në fakt, ushtria e Beslidhjes përbëhej prej dy formacioneve si ato të përhershme dhe të përkohshme. Ushtria e përheshme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas marrëveshjes në Kuvendin e Lezhës.

Do përmendur se kuadrin komandues të ushtrisë së Gjergj Kastriotit e përbënin oficerët e rekrutuar nga radhët e aristokracisë feudale, por oficerë bëheshin edhe ata ushtarë, që dalloheshin për trimëri, taktikë dhe aftësi për udhëheqje. Ekspertët ushtarakë të kohës brenda e jashtë atdheut e kanë çmuar Kastriotin si strateg të madh dhe e kanë konsideruar si njërin nga prijësit më të shquar ushtarak të asaj kohe. Atij i shkoi për dore jo vetëm të organizoj një ushtri të tillë, që iu përgjigj më së miri kërkesave të Lëvizjes Arbërore, por ishte edhe mjeshtër i madh i taktikës strategjike ushtarake të sulmit dhe të mbrojtjes së kombinuar. Ai i hartonte planet e luftës në konsultim me bashkëluftëtarët e vet. Gjergj Kastrioti njëkohësisht udhëhiqte ushtrinë dhe luftonte heroikisht si çdo ushtar i thjeshtë shqiptar.

Shtrirja e shtetit arbërorë

Shteti arbërorë i Gjergj Kastriotit përfshinte pjesën më të madhe të trevave të banuara me fise arbërore. Ai shtrihej nga malet Pindus dhe Janinë e deri në Kotorr, nga Adriatiku e deri në Ohër, Dibër, Prizren e Gjakovë, kurse Peja, përkatësisht Vushtërria, Novobërda, Prishtina etj., kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit të Kastriotit. Arsyet ishin këto: Pejën e qeveriste Leka III Dukagjini, i cili qe vasal i Sulltanit dhe rival kryesor i Kastriotit, kurse Sanxhaku i Vushtrrisë qeverisej nga pashallarët e sidomos nga kusherinjtë e Zognos Mehmed pashës. Mirëpo, më vonë Leka III Dukagjini hoqi dorë nga vasaliteti i sulltanit dhe iu bashkua Gjergj Kastriotit, i cili edhe iu bë miku më i ngushtë deri në vdekje, por atëbotë Peja ishte pushtuar nga ushtria osmane. Me këtë pushim u krijua dinastia e Mahmudbegollajve të Pejës. Mahmud beu ishte i biri i Nikollë Dukagjinit, i cili si endrenas qëndroi në Stamboll deri në vdekje.

Shteti i Skënderbeut ishte ngritur mbi parimin demokratik

Shteti i arbëror ishte ndërtuar mbi parimin demokratik. Këtë e dëshmon e dhëna se krijimi i kombit anglez dhe shteti kombëtar angleze si dhe kombi francez dhe shtet kombëtar francez, si kombe dhe shtete të para të Evropës Perëndimore, dallojnë në shumë aspekte. Së pari, se ato u formuan më vonë – nga fundi i shekullit XV, dhe se ato shtete u krijuan nga lart, pra nëpërmjet monarkive absolute, monarki këto që u sollën shtresave të gjera shfrytëzim politik, ekonomik arsimor e kulturor. Ndërkaq, shteti arbërorë i Gjergj Kastriotit, në radhë të parë, ishte pothujse shteti i parë i popullit arbërorë në Evropë, pastaj se ai u krijua nga poshtë dhe se ishte popullor e human. Po ashtu, princat arbërorë në atë Kuvend kishin arritur një aleancë politike e ushtarake, duke ndërtuar raporte mjaft demokratike në drejtim të pengimit të ushtrimit të pushtetit të pakufishëm nga një person.

Ata ishin të bindur se lufta për çlirim duhet të vazhdojë deri në çlirim. Mu për këtë edhe shteti arbërorë ishte përkrahur edhe nga vende të tjera e veçmas nga principatat arbërore, që tashmë kishin karakter të një konfederalizmi, si me ushtarë, ushqime, armë e mjete materiale. Pra, në Kuvend pjesëmarrësit ishin marrë vesh se burimet financiare do të grumbulloheshin nga ndihmat e princave arbërorë, nga principata e Krujës dhe nga kriporet e Durrësit. Këto të ardhura do të arrinin deri në 200 mijë dukatë – flori në vit.

Se në Kuvend, kishin marrë pjesë burra të fjalës dhe se atje kishin arritur një pajtueshmëri të plotë për bashkim dhe mbrojtje të atdheut dëshmon edhe realizimi i vendimeve, që filloi menjëherë. Pas Kuvendit ishte tubuar ushtria, kishte filluar mbrojtja, forcimi i fortesave, ishin krijuar dhe mbuluar me ushtarë të gjithat pikat strategjike për mbrojtje, ishin emëruar dhe vendosur komandatët kryesorë dhe të besueshëm. Po ashtu, Gjergj Kastrioti menjëherë e kishte përpunuar strategjike ushtarake deri në detaje dhe atë e kishte biseduar me kapedanë e deri edhe me ushtarë.

Struktura e pjesëmarrësve në Kuvend nuk ishte e kufizuar as sipas moshës, fuqia, renomea e as për nga divergjencat e mëparshme. Me mbajtjen e Kuvendit të Lezhës u realizua strategjia shtetformuese e Gjergj Kastriotit dhe u krijua një atmosferë e tolerancës dhe e mirëkuptimit, që në fakt i siguroi sukses të plotë Kuvendit.

Megjithatë, Kuvendi i Lezhës nuk ishte vetëm kuvend i thjeshtë politik. Ai është Kuvend ku u miratuan aktet më të mëdha historike të popullit arbërorë, por ai është edhe kuvend i madh për mbrojtjen jo vetëm të popullit arbërorë nga barbarët turq, por edhe për mbrojtjen e civilizimit të përgjithshëm të popujve europiane. Do përmendur se historia e përgjithshme e Europës duhet ta njoh këtë kuvend si Kuvend Europian, që shërbeu për shpëtimin e familjes së përgjithshme Europiane (Gjon Keka: Kuvendi i Lezhës zuri vendin qendror në historinë e kombit arbnor).

Betimi në alterin e shtetit kombëtar – në Lezhë

Çdo kryetar i shtetit me rastin e inaugurimit jep betimin para deputetëve të parlamentit. Edhe kryetari i Shqipërisë vepron kështu. Por, do të ishte me inters që në të ardhmen kryetari i Shqipërisë betimin ta japë para parlamentarëve, por jo në Kuvend të Shqipërisë në Tiranë po në alterin e shtetit kombëtar, në kompleksin memorial të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë, aty ku u bë bashkimi i parë kombëtar, por edhe shteti i parë gjithëkombëtar. Bile, do të ishte me interes dhe mjaft simpatik që çdo konstituim i parlamentit në nivel të Shqipërisë të bëhet në atë vend të shenjtë të kombit dhe të shtetësisë shqiptare, atje të betohen edhe parlamentarët se do të veprojnë për të mirën e gjithë atdheut etnik, të gjithë popullit shqiptar, që është synim edhe i gjithë shqiptarëve.

Megjithatë, Lezha e shenjtë ka nevojë të restaurohet, të meremetohet kompleksi i memorial i Skënderbeut së bashku me Katedralen e Shën Kollit (Nikollës), që vërtet të jetë simbol për të gjithë shqiptarët, por edhe për mbarë Evropën (Frrok Kristaj “Pavdekkshmëria e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, “Bujku”, Prishtinë, 27-31 janar 1998, faqe 11-21, përkatësisht “Bota sot”, Prishtinë, 16-25 maj 2004, faqe 17).

Katedralja e shën Nikollës në Lezhë