ARBORA

0
806
Zymer Mehani - bibliotekë

Zymer Mehani

Arbora
T’kam heshtje
Fjalë të kam
Arbora
Të kam dhe buzëqeshje
Zemërbardhë si bora

Arbora
E fortë-gur
Hënë në natë të kam
Të kam dhe Flamur
Me Ty unë mbret jam

Arbora
T’kam lumë
Me valë të shkumbëzuar
Të kam rreze-drite
Zemër t’dashuruar

Arbora
T’kam lule
Me fletë ngjyra-shumë
Të kam dhe Princeshë
Arborë, lumë si unë!

ARBORË
T’kam vetëtimë
Që qiellin e ndrin
ARBORA- qe dora!
Ta fal dashurinë

AS TI S’MË NDAHESH

Si s’ndahet
Gurra prej lumit
Ariu prej gjumit
Flaka prej zjarrit
Nëna prej djalit
Peshku prej valës
Burri prej fjalës
Drita prej yllit
Dreri prej pyllit
Bariu prej tufës
Flutura nga lules
Lulet nga ngjyrat
Trimi nga arma
Bujku nga ara
As ti s’më ndahesh
Më del përpara

PSE?…

Pse, vdekje mizore
Je kaq djallëzore?!
Pse je e pam’shirshme
Dhe e lemerishme?!

Me atë kosë të prehtë
Pse kosit çdo jetë?!
Pse, ti vdekje e ftohtë
Shkretëron në këtë botë?!

Pse na bën me lot
Si dikur, dhe sot?!
Na merr mëmë e atë
Na lë shtëpinë thatë?!

Pse, ti vdekje e rëndë
S’e kursen askënd?!
Na merr vëlla e motër
Na lë thatë në votër.

Pse s’ke mëshirë dot?!
Na mbush sytë me lot.
Pse, moj zonja vdekje,
Jeta plot përpjekje,
Përpara s’mund t’dalë?!
Na merr vajzë dhe djalë.
Pse si vetëtimë
Përdhe gjithçka shtrin?!