ARBËRIA – SËNDUK BUKURISHË

0
1781
Ndue Lazri

Ndue Lazri

Tek arbëreshët e Kalabrisë

1.

Deti i bukur dhe i kaltër i Kalabrisë u shfaq me rrezet e para të agut. Ndërsa mbi qafën e malit nxori syrin e zjarrtë një diell i bukur, që i dha një shkëlqim të praruar faqes së lëmuar të detit dhe ndezi ngjyrën karakteristike të pemëve ullishtave që mbulonin shpatet e kodrinave që na shoqëronin anës rrugës. Grupi ynë, që kishte udhëtuar gjithë natën në makinë, sikur u zgjua nga ato rrreze të ngrohta, por edhe nga bukuria e pejsazhit. Hamiti është i përqëndruar në timon dhe i privuar nga shijimi i atyre bukurive. Klodiani, që herë – herë bëhet romantik, thotë që ndjen se po i realizohet ëndrra që e ushqen prej 12 vjetësh për të zbritur në këto anë. Anila e Rodela me telefonat në duar tentojnë të “vjedhin” ndonjë copëz nga ajo bukuri, duke fotografuar.

Jemi në udhëtim për tek arbëreshët. Si përfaqësues të Federatës FNAI, të ftuar nga zonja Lucia Martino, presidente e shoqatës “Vorea” në Frascineto, një nga 26 fshatrat në provincën e Kozencës, ku flitet gjuha arbëreshe e ruhen prej më shumë se 500 vjetësh kultura, kostumet dhe traditat shqiptare. Dhe ja tek kalojmë një kthesë rruge e përpara na delo fshati Frascineto, ku jemi drejtuar.

– Ndale makinën, – thotë Klodiani. – Dua të bëj një foto.

Zbresim dhe ndalemi përpara tabelës që tregon fshatin. Në të është shkruar edhe në gjuhën shqipe: “Mirëseerdhët!”. Një emocion i veçantë na pushton. Jemi mësuar ta shikojmë këtë fjalë në gjuhë të ndryshme, ngado që shkojmë nëpër botë. Por këtu është ndryshe, sepse është shkruar në shqip. Të duket sikur ke ardhur në vendlindje, ku ke munguar prej shumë kohësh e në atë urimin “mirëseerdhët” lexon edhe njëfarë qortimi për mungesën e gjatë. E ai lëmshi i mallit të mblidhet në grykë bashkë me emocionin që të pushton. Ndalemi tek tabela e bëjmë foto. Prej aty, të gjitha tabelat e rrugëve do t ‘i shikonim në dy gjuhë, në italisht dhe në arbërisht.

Vështroj fshatin, pastaj pejsazhin përreth. Poshtë, deti është fshehur pas një kodre e një lugine. Lart ngrihen malet, të larta, të thepisura, me pyje dhe kullota alpine. Parku i Polinit të Kalabrisë shpalos bukuritë e tij. Kisha lexuar një libër të një autori që ishte rritur pikërisht në këtë zonë. Ajo që më kishte tërhequr në atë libër ishte shtegëtimi i grigjave të bagëtive, nga fshatrat poshtë, në bjeshkë ku kishte më shumë kullota gjatë verës. Përshkrimi ishte aq i gjallë e më kujtonte fëmijërinë time, kur i çonim tufat në qershor deri në tetor në Fushat e Lugjeve përmbi Malin e Shenjtë në Orosh. Atje kishte bar të gjelbërt deri në vjeshtë e ujë të freskët, ku bagëtitë pinin lugjeve të drunjta të gdhendura qëllimisht për to në trungje pishe e bredhi. Më kujtohet që rreziku i ujqërve, madje dhe i arinjve atje ishte i përhershëm.

Këtë rrezik e përshkruante edhe autori në fjalë, tek i cili kishte lindur pasioni i fotografimit dhe filmimit të ujqërve, pasion që e kishte ruajtur edhe kur ishte ngjitur nga jugu, në Apeninet bolonjeze. Kujtoja këto gjëra nga libri, sepse vëreja një ngjashmëri midis traditave të ngulmimeve arbëreshe e atyre të vendit tonë. Ngulmimet. Të lind menjëherë pyetja: Përse arbëreshët u ngulën pikërisht në këto treva pas dyndjes së tyre nga Shqipëria më shumë se 500 vjet më parë? Ata ishin emigrantë në këtë tokë, siç jemi edhe ne sot, dhe ju ofruan terrene të tilla në prehër të maleve sepse ishin prona të braktisura apo zona të pabanuara, por edhe për t’u siguruar një farë mbrojtjeje, pasi ata kishin ikur prej pushtimit turk pas vdekjes së Skënderbeut.

Diku në një stendë lexoj: Arbëria e Polinit – sënduk bukurish. Ma kanë ofruar bujarisht titullin e reportazhit. Sepse vërtet, kur vjen këtu, të duket sikur hap një sënduk dhe aty një pas një, duke gërmuar, gjen bukuri që nuk të shpalosen përnjëherësh, por duhet t’i zbulosh pak nga pak. Duke shkelur udhëve të kalldrëmta, duke biseduar me njerëz që të përqafojnë me mall sapo marrin vesh se je shqiptar, duke u ndalur tek një kishë e vjetër apo tek një muze. Ata kanë ruajtur fjalën e bukur shqipe udhë për rrugët e fshatit. “Udha e Malit”, “Udha e pavarësisë” e shumë të tjera.

Ndër bukuritë e para që zbulon nga ky “sënduk” është mikpritja tradicionale shqiptare. Do ta ndeshnim këtë sapo shkelëm në shtëpinë e mikes sonë Lucia Martino. Duke na uruar në shqip mirëseardhjen, ajo na fut në ambientet e shtëpisë e na tregon kostumet kombëtare arbëreshe të ruajtura në stenda xhami, flamuj shqiptarë, foto e buste të vogla të Skënderbeut, objekte antike të jetesës e të kuzhinës shqiptare. E gjallë e pasionante, ajo flet sikur të na kishte njohur prej kohësh e nuk di se çfarë të na tregojë më parë. Në një moment, Anila, të cilën me sa duket udhëtimi tërë natën e ka dizorientuar pak, e ndërpret dhe i thotë:

– Më falni, unë kam edhe një porosi për të kryer. Dy miq të mi arbëreshë, që jetojnë në Mantova, më kanë porositur që në emrin e tyre të përshëndes dhe të përqafoj një zonjë me emrin Lucia Martino. Mund të më thoni si mund ta takoj?!

– Po të më thoni kush janë ata dy arbëreshë, do ju takoj unë patjetër me Luçien, – thotë e zonja e shtëpisë.

Anila i thotë dy emrat e miqve të saj dhe zonja e shtëpisë, duke buzëqeshur, i përgjigjet:

– Ata janë dy ish – shokë të mi të klasës dhe Lucia jam unë. Mund të më përqafosh.

Ndjenjën e mikpritjes e provuam edhe kur dolëm shetitje nëpër udhët e Frascinetos dhe takonim arbëreshë që na flisnin dhe përshëndesnin shqip. Pranë një kishe të vjetër, midis një grupi është edhe një burrë që na e prezantojnë si priftin e fshatit. Ai na përqafon me dashuri dhe thotë që është Anton Belushi, prift i fshatit, por na flet më shumë për bibliotekën arbëreshe që ka ngritur në fshat.

– Do vijmë ta vizitojmë, – i thamë me kureshtje.

– Më parë mikpritja, pastaj vizita, – thotë ai dhe ngul këmbë të shkojmë për një kafe aty tek bari pranë. Duke pirë kafenë i themi që po na pret kryetari i bashkisë i fshatit Civita (që në shqip e shkruajnë Çifti) dhe e lemë me Antonin që të shihemi tek biblioteka në orën katër pasdite.- Ju pres, – thotë ai. – Biblioteka është tek Udha e Malit.

Civita është një lokalitet me një bukuri spektakolare. I ngritur mbi një kodër prej shkëmbi, buzë një honi të thellë që zbret deri në përruan me emrin Raganello që duket si një gjarpër që zvarritet midis shëmbinjsh. Përballë një mal i lartë e i thepisur me faqe prej shkëmbi. Kjo është njëra nga luginat më të bukura të parkut gjigand të Polinit, i cili është ndër më të mëdhenjtë në Europë. Dy brigjet e përroit i bashkon një urë e vogël, e ndërtuar disi në stilin e Urës së Mesit në Shkodër, por në përmasa shumë më të vogla. Deri tek ura zbret një shteg i ngushtë e me shkallë prej guri. E quajnë Shtegu i dhive. Kurse ura quhet Ura e Djallit. Ajo është thuajse në fund të shtegëtimit të përroit që buron 13 kilometra më lart, nga burimi Lamia.

Përgjatë rrugës përroi kalon nëpër një sërë grykash të gdhendura në shkëmb nga forca e ujit me bukuri përrallore, që i quajnë Grykat e Raganollos. Ka një legjendë lidhur me emrin e kësaj ure. Njëra nga vajzat që na shoqëron e që ka një emër që më bën të buzëqesh, Rosanna La Cattiva (Rozana, e keqja) më tregon. Thonë që meqenëse sipërmarrja për ndërtimin e urës ishte e vështirë, u bë një marrëveshje me djallin që të ndihmonte ai në ndërtimin e saj. Për këtë iu premtua jeta e të parit që do kalonte mbi të. Djalli e ndërtoi, por njerëzit u treguan dinakë,.Bënë që i pari të kalonte një këlysh qeni. Djalli u zemërua shumë dhe i goditi me shqelm paretet e urës, duke lënë gjurmë që duken edhe sot. Kur Rosana ma tregoi legjendën i thashë për ta ngacmuar: Tani u bëre Rosanna La Buona.

Hyjmë në zyrat e bashkisë së Civitas. Aty gjejmë mikun tonë Piro Qëndro, i cili zbret shpesh këtej që nga Bolonja. Ai është i pasionuar në zbulimin dhe grumbullimin e dokumenteve, fotove e librave antike e me vlerë. Këtu është si në shtëpinë e tij, madje komuna e ka shpallur qytetar nderi. Kryetari i bashkisë, Alessandro Tocci na pret në zyrën e tij dhe bisedojmë për traditat e arbëreshëve të këtij fshati. Pastaj vizitojmë museun arbëresh në sheshin qendror të fshatit me pamje, relikte, kostume kombëtare, enë kuzhine tradicionale, mjete të punimit të tokës etj.

Më bëjnë përshtypje disa shtëpi, që ata i quajnë shtëpitë e Kodrës. Fasada e parë e tyre ka strukturën e fytyrës së njeriut. Aty na dhurojnë edhe kopje të dy revistave. Revista “Katundi ynë”, në italisht e në shqip botohet prej 46 vjetësh, kurse revista tjetër gjashtëmujore italo-greko-shqiptare botohet prej 21 vjetësh. Janë revista me mjaft interes e botojnë materiale me karakter historik, por edhe me probleme aktuale të komunës. Rosanna La Cattiva, tregohet edhe një herë shumë e mirë, se na njeh e ofron prodhime të shtëpisë, një verë të mirë dhe vaj nga ullinjtë e rritur mes shkëmbinjve.

2.

Ngremë sërish kapakun e sëndukut të bukurive arbëreshe. E befasitë janë të tilla që bëjnë të na shkëlqejnë sytë. Atje në krye të Udhës së Malit na pret prifti arbëresh Antonio Belushi. I veshur me rrobën e zezë të ceremonive kishëtare ai e ka kthyer në një ditë feste takimin me grupin e shqiptarëve që ka zbritur deri këtu në Kalabri. Tek dera na pret edhe e motra e, përpara bibliotekës “Antonio Belushi”, bëjmë disa foto. Përmbi hyrjen valëviten flamuri shqiptar dhe ai italian. Një shtëpi e vjetër karakteristike e ndërtuar prej guri, mbi një terren të gurtë. Vetëm prapa saj është një kopësht me ullinj, hardhi e pemë të tjera dhe një shteg që të ngjit drejt malit.

Antonio Belushi ka në trup rrobën e priftit, por brenda saj është një shqiptar i madh, një patriot i vërtetë, një studiues e poliglot i dashuruar me kulturën shqiptare, me gjuhën e dheut mëmë, për të cilën është shumë ekzigjent dhe nuk pranon që në bibliotekën e tij të flitet gjuhë tjetër, qoftë edhe ajo italiane. Vetë flet në mënyrë perfekte shqipen e sotme. Ai ka botuar mbi 12 libra me vlera të mëdha studimore dhe veprimtatia e tij është në vazhdën e shumë priftërinjve arbëreshë që i dhanë kaq shumë letërsisë e kulturës shqiptare, që nga Lekë Matrënga, Dhimitër Kamarda, Anton Santori, Domeniko Belushi (Voreo Ujka), Gjergj Skiroi e shumë të tjerë.

Ai na njeh me ambientet e bibliotekës së tij. Dhoma të tëra me libra (janë mbi 6000 volume), koleksione revistash e gazetash. Na tregon me krenari koleksionin e plotë të gazetës “Shenjëzat” të themeluar e drejtuar nga Ernest Koliqi. Na flet për shkrimtarë të shquar shqiptarë që kanë vizituar bibliotekën e tij, si Dritëro Agolli e shumë të tjerë, personalitete të kulturës, kineastë, etj.

Në video të ndryshme ka tërë aktivitetin e shoqatës që ai drejton, të bibliotekës së tij, dokumentarë nga jeta e arbëreshëve në këtë zonë. Është një arkiv i tërë ku mund të zhytesh e të kalosh ditë të tëra. Gjithandej buste të përmasave të ndryshme të Skenderbeut. Na servir pije me një tabaka ku është e gdhendur shqiponja.

Në katin përdhes të shtëpisë është një dhomë, ku rri më shumë e motra. Ajo na fton të hyjmë brenda dhe sytë na ndalen tek avlëmendi (vega), me të cilin ajo punon pëlhurët për veshje arbëreshe edhe sot e kësaj dite. Duke punuar na spiegon se si funksionon avlëmendi e ndërkohë vëlla e motër këndojnë për nderin tonë këngë karakteristike arbëreshe.

Antoni na tregon se jo larg prej aty gjendet Shën Mitër Korona, fshati i De Radës, poetit të famshëm që përfaqëson mitin më të madh të arbëreshëve pas Skënderbeut. Koha jonë është tepër e kufizuar që të shkojmë të vizitojmë muzeun e De Radës e institutin ku ai dha mësim e pati nxënës edhe patriotin e shquar Luigj Gurakuqi, atë institut që u ngrit edhe me ndihmën e Garibaldit në shenjë mirënjohjeje për kontributin që dhanë arbëreshët në bashkimin e Italisë.

3.

Bie mbrëmja mbi Frascineto e tani është Lucia që nxjerr diçka të veçantë nga sënduku i bukurive arbëreshe. Na fton në teatrin e fshatit, ku grupi teatral i shoqatës “Vorea” jep posaçërisht për ne shfaqjen e pjesës dramatike “Kostantini dhe Garentina”, varianti arbëresh i legjendës së famshme të fjalës së dhënë. Pjesë e shkruar nga Luigi Scarpelli dhe vënë në skenë nga Imma Guarasci. Një trupë e vogël me 10-12 veta, trupë amatoriale, por që di të transmetojë emocione në skenë, duke u dhënë jetë atyre personazheve të legjendës së lashtë e duke i sjellë ata në ditët tona.

Një spektakël i realizuar në tërë komponentët e tij, me lojën e aktorëve, me korin, me vallen e fantazmave, me muzikën që di të të fusë në atmosferën mistike të pjesës, me kostumografinë e me lojën e dritave, veçanërisht në rastin e siluetave. Spikasin për lojën e tyre Rossella Blaiotta në rolin e Garentinës, Giuseppe Basile në rolin e Kostantinit, Salvatore Giordano në rolin e Skënderbeut e Rossella Belushi në rolin e nënës.

Në sallë, përveç grupit tonë ishin ftuar edhe drejtues e punonjës të komunës, madje ishin edhe disa zonja emigrante të ditëve tona, ose arbëreshet e reja, të cilat kanë disa vite që janë stabilizuar në këtë zonë. Në fund të shfaqjes edhe ato, ashtu si ne, shprehin mendimet dhe emocione që u krijuan gjatë spektaklit.

Pastaj Lucia na fton të kalojmë sëbashku një darkë midis vëllezërish e motrash arbëreshe në një lokal, në katin e dytë të të cilit ndodhet muzeu i kukullave me të gjitha kostumet arbëreshe që nga dyndjet e para pas vdekjes së Skënderbeut e deri në ditët tona. Pjesëtarët e grupit tonë bashkohen edhe në vallet arbëreshe që kërcehen gjatë mbrëmjes.

Ishte një fundjavë emocionesh, zbulimesh, njohjesh, miqësish të reja. Lucia e Rosella vendosin të ngjiten në Mantova për të ndjekur Festivalin e Kulturës Shqiptare, ndërsa grupi teatral me shfaqjen “Kostantini e Garentina” do të ngjitet në shtator. Fillon një bashkëpunim i Federatës sonë me shoqatën “Vorea” dhe me dy shoqata të tjera të zonës, të cilat duan të aderojnë në Federatën tonë. E ne ndjehemi krenarë kur ndjejmë se federata po hedh rrënjë pikërisht atje ku zë fill emigracioni shqiptar.