Arben Malaj: Duhet më shumë punë reale, se sa dalje televizive

0
686
Arben Malaj

GazetaMapo.al01/03/19

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, bën për MAPO një analizë të situatës ekonomike, të gjendjes së shoqërisë, të trendit dhe shanseve që mund të ketë vendi dhe njerëzit për të dalë nga kriza e varfërisë. Arben Malaj ka spikatur për shumë vite në skenën politike, por ai aktualisht është tërhequr në botën akademike. Me gradën Profesor Doktor në ekonomi, Malaj drejton Institutin për Politika Publike dhe Mirëqeverisje.

Zoti Malaj, a ndikon situata politike në ecurinë e ekonomisë, duke pasur parasysh ngërçin e krijuar së fundmi nga kriza politike? A ndikon situata aktuale drejtpërdrejt në ekonomi, investime etj.?

Dy janë faktorët që me pasoja të konsiderueshme mund të pengojnë rritjen ekonomike. Së pari – pasiguritë dhe e dyta – paqartësitë. Acarimet politike mund t’i ushqejnë të dyja këto risqe. Format, shkalla e ndikimit dhe jetëgjatësia e këtyre efekteve jopozitive varen shumë nga trendi i zhvillimeve sociale dhe politike.

Raportet e ndryshme tregojnë se gjysma e shqiptarëve jetojnë nën minimumin jetik 5 dollarë në ditë. Si shpjegohet gjithë kjo varfëri, ndërkohë që qeveritarët flasin për një ekonomi në rritje?

Është e vërtetë që Shqipëria pas viteve ‘90 ka disa arritje të cilat duhen njohur dhe vlerësuar. Por është po ashtu e vërtetë se arritjet janë shumë më poshtë niveleve që të gjithë shpresonim dhe për më tepër janë poshtë niveleve të demokracisë dhe mirëqenies që shqiptarët meritojnë. Kjo diferencë nuk është e pak viteve të fundit. Por dështim i përsëritur në elementet thelbësore të zhvillimit të çdo ekonomie, ku përfshihet shteti ligjor, e drejta e pronës, gjyqësori i pavarur, administratë profesionale. Ne kemi pasur rritje ekonomike, por kemi pasur dhe kemi probleme lidhur me ritmet e saj, cilësinë e rritjes, qëndrueshmërinë e rritjes dhe sidomos nuk është një rritje ekonomike kundër varfërisë.

Si mund të jetë jeta e një njeriu në minimumin jetik? Çfarë shoqërie mund të kemi nëse gjysma e saj jeton në këto kushte?

Pranohet se nga rritja ekonomike disa qindra milionë kanë dalë prej varfërisë. Problemi qëndron se është thelluar pabarazia dhe jo vetëm ajo materiale. Kjo konstatohet edhe në vendin tonë. Është e dhimbshme nga pikëpamja humane, nuk është e lehtë që ta ndryshosh shpejt, por lufta kundër varfërisë, rritja e kohezionit social, krijimi dhe rritja e konsolidimi i klasës së mesme, të integruara, duhet të jetë në qendër të çdo strategjie kombëtare dhe lokale. Duhet politika rritëse, pro të varfërve. Duhet strukturuar ekonomia jonë drejt sektorëve më produktivë. Vendet e zhvilluara konkurrojnë midis tyre, sa për qind e ekonomisë prodhohet nga ekonomia e gjelbër, dhe sa nga ekonomia e dijes. Pa një ristrukturim modernizues të ekonomisë sonë, ne do të prodhojmë më shumë pabarazi, më pak kohezion social dhe më shumë paqëndrueshmëri politike.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet përgjegjëse për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që do ta nxirrte Shqipërinë nga fasha e varfërisë?

E para – politika aktive parandaluese, politika të reduktimit të numrit të të varfërve. Kjo arrihet me mirarsimim, uljen e braktisjes së shkollës, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe një sistem efektiv trajnimi dhe ritrajnimi. E dyta – lehtësim të hyrjes në mundësitë për biznes individual, të vogël dhe të mesëm, kjo nënkupton uljen e kohës, uljen e kostove, uljen e burokracisë për të bërë biznes. E treta – politika efektive, praktike dhe të suksesshme për lehtësimin e kalimit nga biznesi informal në atë formal. Aksionet e gjobave dhe penaliteteve prodhojnë efekte jo pozitive dhe jo afatgjata. E katërta – asistencë dinjitoze për shtresat e pambrojtura të shoqërisë. Kohezioni social është parimi themelor i ekonomisë sociale të tregut që aplikon BE.

Në çdo fushatë elektorale flitet për hapje vendesh të reja pune. Në fakt çfarë po ndodh me shifrat e punësimit në vend? A kemi më pak të papunë sepse janë hapur vende të reja pune, apo ka më shumë emigracion të krahut të punës?

Ndoshta pyetja më e mirë mund të ishte, kemi më shumë apo më pak shqiptarë në Shqipëri? Ka shumë që shkojnë jashtë për mirarsimim dhe ky është një investim shumë i mirë, individual, familjar dhe kombëtar. Por janë më shumë ata që ikin të zhgënjyer, që ndihen të lodhur, që zgjedhin rrugën më të shkurtër, braktisjen e vendit. Ata nuk besojnë, nuk shpresojnë dhe nuk angazhohen ta përmirësojnë demokracinë funksionale të vendit të tyre. Kjo krijon kosto negative mbi cilësinë e kapitalit human dhe social, të cilët janë kritike në sfidat për mirëqeverisjen e vendit tonë dhe për modernizimin e ekonomisë sonë.

Punësimi në biznesin fason është punësimi më i shpeshtë në vend, një sektor që ofron paga minimale. A mendoni se ky sektor po krijon një treg punësimi “skllavërues”, në vend që të nxitë rritje të ekonomisë së familjeve shqiptare?

Tranzicioni i çdo vendi kalon në etapa të ndryshme të zhvillimit të tij. Janë reformat strukturore të munguara që nuk kanë nxitur modernizimin e ekonomisë. Nuk është një sektor privat që kërkon skllavërim, është mungesa e mundësive më të mira. Kur këto mungojnë, punonjësit angazhohen në çdo punë që iu mundëson të përballojnë kostot e tyre familjare nga ushqimi tek arsimimi, shëndetësia dhe nëse është e mundur, të fillojnë biznese të vogla individuale e familjare.

Qeverisja aktuale në mandatin e parë u fokusua te “rilindja urbane” si koncept zhvillimi i rajoneve të ndryshme të vendit, por kjo në fakt nuk e ka ndryshuar nivelin e varfërisë dhe papunësisë në këto qytete. A ka një mungesë vizioni në nxitjen e zhvillimit ekonomik, nëse po, çfarë do të këshillonit ju si strategji të nxitjes së zhvillimit ekonomik në qytetet shqiptare?

Reduktimi në maksimum i çdo vështirësie burokratike, ekonomike dhe në kostot financiare ndaj biznesit është rruga më e mirë për të gjallëruar bizneset, krijuar vende pune dhe reduktuar papunësinë dhe varfërinë. Këshilla është; qartëso kuadrin ligjor, strategjitë e zhvillimit, elimino pengesat burokratike dhe kostot informale e korruptive dhe ndërhyj sa më pak.

Planet e zhvillimit nga ato të territorit te strategjitë vendore të arsimit, shëndetësisë, ambientit etj., janë gjithashtu kritike për gjallërimin e ambientit të biznesit dhe zhvillimit. Qeverisja vendore duhet të jetë më aktive e produktive për të merituar votën e qytetarëve të saj në vlerësim të politikave të tyre, duke mos u shfajësuar me qeverinë kombëtare. Nuk jemi në fazën të pyesim herë pas here, se çfarë duhet të bëjmë dhe aq më keq ta fillojmë përherë nga zero.

Sfida e qeveritarëve dhe administratës publike në çdo nivel është të bëjnë sinqerisht më të mirën duke u përkushtuar më shumë për punë reale, se sa për prezencë mediatike, duke i ballafaquar problemet, jo duke i anashkaluar ato. Duke shërbyer me profesionalizëm të thellë dhe integritet të lartë, këto janë disa kolona të rëndësishme të mirëqeverisjes. Teoritë moderne të zhvillimit po i japin një fokus të veçantë lidhjes shkakësore midis cilësisë së institucioneve dhe zhvillimit, midis demokracisë funksionale dhe varfërisë.

Si e shikoni faktin që ekonomia merr pak ose aspak vëmendje në opinionin publik shqiptar, i cili nga mediat ushqehet kryesisht vetëm me politikë? Pse ekonomia nuk është tërheqëse?

Vlerësoj se kjo vjen për shkak se institucionet tona janë të dobëta, ndaj opinioni publik vlerëson se vetëm nëpërmjet politikës mund të ndryshojë ekonominë. Në vendet me institucione të konsoliduara, politika ka ndikime jo kaq të forta mbi biznesin. Prandaj njerëzit fokusohen si të përfitojnë nga mundësitë ekonomike. Ekonomia do të mbetet përherë fokusi kryesor i çdo individi, familjeje dhe qeverisë, sepse vetëm një rritje ekonomike më e lartë, e qëndrueshme, dhe e drejtë, mund të lehtësojë objektivat socialë të çdo qeverie.

Intervistoi: Blerina Gjoka