Anton Nikë Berisha: Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së Arbëreshëve të Italisë

0
1868
Anton Nikë Berisha - Arbëreshët

Isak Ahmeti

Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së Arbëreshëve të Italisë“, i autorit Anton Nikë Berisha, është një studim i veçantë, mjaft i gjërë dhe i thelluar mbi bastardimet që u janë bërë disa veprave të qenësishme të De Radës, por edhe autorëve të tjerë arbëreshë, madje edhe poetëve bashkëkohës. Këto gjymtime dhe shëmtime, të bëra nga Jup Kastrati, Andrea Varfi, Gjovalin Shkurtaj e ndonjë tjetër, sipas studiuesit Anton Nikë Berishës, janë jo vetëm të përçudshme, por edhe skandaloze.

Duke u nisur nga mendimi se çdo heshtje dhe symbyllje, për të mos thënë verbësi, para dukurive që i kishte vërejtur gjatë studimit dhe analizimit të disa veprave të letërsisë së Arbëreshëve të Italisë, dhe të studimit të tyre, Anton N. Berisha jo vetëm ka ndriçuar disa nga dukuritë dhe veprimet e shëmtuara në letërsinë tonë, por edhe ka shenjëzuar nevojën e veprimit për parandalimin e pasojave dhe të dëmeve që mund të shkaktojnë ato sot dhe nesër.

Kjo, sipas tij, nënkupton para së gjithash nxitjen e domosdoshme të botimeve të reja, edhe në Tiranë edhe në Prishtinë, të veprave të Arbëreshëve, të përgatitua me përkushtim e dije, të zbatimit të qasjeve dhe të studimeve thellësore dhe të plota, të interpretimeve e të analizave moderne meritore që do të bëjnë të mundur njohjen sa më të thellë e më të gjithanshme të veprave të kësaj letërsie (fq. 12).

Ky libër, i konceptuar sipas parimit të njohur “Asnjë shkencë nuk gjallon vetëm nga njohja e së vertetës, por edhe nga ndreqja e kapërcimi i vazhdueshëm i gabimeve të veta”, është ndarë në gjashtë kapituj dhe para kapitujve kemi njësinë shkrimore: A duhet të heshtën gjymtimet dhe përdhunimet e këtilla të letërsisë sonë, ku konstatohet se disa autorë me veprimet e tyre të përçudshme e të pakuptimta në qenësi i vranë disa vepra të letërsisë së Arbëreshëve të Italisë: hoqen ose ndërruan vargje gjatë përshtatjes ose përgatitjes për botim, bënë shtesa të ndryshme, hoqen dhe pjesë të tëra, të qenësishme, madje edhe në qindra vargje vetëm brenda një kënge siç është vepruar, fjala vjen, me Këngën e parë të Librit të Pestë te “Skanderbeku i pafan”, ku janë hequr 314 vargje ose vetën brenda Librit të pestë të kësaj vepre të De Radës janë hequr 934 vargje, etj.

Ngjashëm është vepruar edhe me “Një pasqyrë e shtegtimit njerëzor” e me “Këngët e Milosaos”, ku këngëve u është ndërruar vendi, Zoti është ndërruar me njeriun, Shën Mëria me zonjën, katundi me qytetin, etj. (fq.10). Një veprim i këtillë, sipas studiuesit Berisha, bëhet edhe më i rëndë dhe me pasoja më të mëdha kur kihet parasysh fakti se në to u hoqën pjesë që provojnë qenësinë e tyre shprehëse kuptimore ose ato që paraqesin nyjat e sistemit kuptimor. Kështu u veprua sidomos në përshtatjen e veprave të “Skanderbeku i pafan” dhe “Një pasqyrë e shtegtimit njerëzor” të De Radës, ku u rrënua përshpirtshmëria e tyre e thellë.

Qasje dhe interpretime mbi platformën e ideologjizuar

Në kapitullin e parë: Dëmet dhe pasojat e studimit tradicional dhe pozitivist, që përbëhet nga katër njësi shkrimore, studiuesi shpjegon dhe qartëson se një gjë e tillë ka mund të ndodhë, pos tjerash, për dy arsye kryesore. Së pari, në studimin e veprave të letërsisë së Arbëreshëve të Italisë u përdorën ato mënyra e qasje që nuk ishin as të përshtatshme për hyrjen në botën e tyre poetike e as për interpretimin dhe analizimin e përbërësve qenësorë shprehës poetikë. Së dyti, qasja, studimi dhe interpretimi i letërsisë së Arbëreshëve të Italisë u bë kryesisht mbi platformën e njohiur të ideologjizuar të sistemit komunist, përkatësisht të konceptit të të ashtuquajturit realizëm socialist, që zgjati gjatë gjithë kohës së diktaturës së E. Hoxhës, e të pasardhësit të tij Ramiz Alisë (fq.15-16).

Edhe te kapitulli i parë: Perceptim modern e shqiptim kompleks poetik, studiuesi në fjalë rithekson edhe njëherë se qasja dhe studimi tradicional dhe pozitivist ishte i dëmshëm dhe me pasoja të mëdha për veprat e letërsisë arbëreshe veçmas për “Këngët e Milosaos”, “Skanderbeku i pafan”, “Il canzionere albanese” (Këngëtorja arbëreshe) e F.A.Santorit dhe “Mili dhe Hajdhia” dhe të”Dheu i huaj”, botimi i dytë, të Zef Skiroit që cilësohen me një sistem modern të shtjellimit të tekstit e të sistemit shprehës poetik.

Te kapitulli i dytë: Ndryshime të përçudshme të Këngëve të Milosaos, autori merr në shqyrtim ndryshimet dhe heqjet që i janë bërë kësaj vepre. Për më tepër, në botimet, në transkriptimet, në transliterimet e bëra në Tiranë, gjatë diktaturës, janë të pranishme ndryshime, gjymtime dhe shëmtime më pasoja të ndjeshme për veprën dhe, natyrisht, për studimin e saj. Në lidhje me këtë dukuri, A.N.Berisha ka veçuar Jup Kastratin e më pas Andrea Varfin. Ç’është e vërteta me ndryshimet dhe shëmtimet që më parë i bëri, në tekstin e”Këngëve të Milosaos”, Jup Kastrati dhe Andrea Varfi, u pezullua dhe u rrënua jo vetëm madhështia e mjeshtëria poetike e jashtëzakonshme, por edhe tërësia shtjelluese e shprehjes poetike, u ndërruan dhe u rrënuan lidhjet e natyrshme e të shumta subjektive e përfytyruese, që, para së gjithash, provojnë mëvetësinë dhe origjinalitetin e çdo krijese poetike. Me këto ndryshime u lëkund në themel dhe u ndryshua qenësia, thellësia dhe fuqia e nëntekstit poetologjik, u zëvendësua ballafaqimi dhe përplasja e mendimeve dhe e përbërësve të tjerë të rëndësishëm të veprave të përmendura-konstaton studiuesi Berisha.

Akuza të paqena të Andrea Varfit ndaj De Radës

Edhe të kapitulli i tretë:Rrënim dhe shëmtim i ndjeshëm i Skandetbekut të pafan, siç e thotë edhe vetë titulli, studiuesi A.N.Berisha ka marrë në shqyrtim gjymtimin dhe shëmtimin e përshtatjes së: Skanderbekut të pafan, të bërë nga Jup Kastrati. Për të konkretizuar mirëfilli gjymtimet dhe shëmtimet që i janë bërë kësaj vepre poetike, ka sjellë të dhëna konkrete nga Libri i parë, Libri i dytë, Libri i tretë, Libri i katërt dhe Libri i pestë.

Në mënyrë mjaft të gjërë, të thellë dhe të argumentuar, te kapitulli vijues, bën fjalë për gjymtimet dhe shëmtimet që Andrea Varfi i bëri në përshtatjen e veprës së De Radës “Një pasqyrë e shtegtimit njerëzor” prej nga janë hequr sidomos vargjet që shprehin besimin në Hyjin dhe përshpirtshmërinë ku përmendet Zoti, Zoti Krisht, Shën Mëria e hyjni të tjerë, herë-herë edhe kisha, mesha, pagëzimi, etj. Për më tepër, A. Varfi jo vetm gjymtoi dhe rrënoi veprën “Një padqyrë…”, por shkoi edhe më larg: hoqi edhe pjesë ku bëhej fjalë për besimin në Hyjin, përshpirtshmërinë dhe botën qiellore dhe e shpall De Radën si antiungjillor (fq.85).

Te kapitullj i pestë, që është kaputull parapërmbyllës, në mënyrë të veçantë autori është ndalë në ndryshimet e bëra nga Gjovalin Shkurtaj në poezinë bashkëkohëse të arbëreshëve, sidomos në poezinë e Vorea Ujkos dhe të Lluka Perrones, dy nga poetët më të shquar bashkëkohës arbëreshë. Duke bërë ndërrime dhe gjymtime, duke lënë anash krijesat e mirëfillta poetike, që cilësohen me një strukturë moderne komplekse siç janë disa poezi të Vorea Ujkos e të Lluka Perrones,ata edhe në botimet e Tiranës janë paraqitur në mënyrë të shtrembëruar.

Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit, në bazë të asaj që ka thënë dhe konkretizuar në kapitujt e mëparshëm, autori ka ritheksuar nevojën e domosdoshme të botimeve të reja të letërsisë arbëreshe për ta njohur atë në dritën e saj të vërtetë. Duhet bërë botime për nxënës të shkollave të mesme e të larta dhe për studentë.Në këtë rrjedhë, shkruan studiuesi në fjalë, duhet filluar përgatitjet e botimeve shkencore.