Anton (Ndoc) Papleka – një prezantim

0
2929
Anton Papleka

Gjon Necaj

Anton (Ndoc) Papleka u lind në vitin 1945 në fshatin Lekbibaj të Nikaj-Merturit. Ka kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi dhe ka punuar si mësues, redaktor, skenarist etj.

Ai ka filluar të shkruaje poezi që në moshë të re. Libri i tij i parë me poezi është: “Zëri Im”. Më pas vijnë vëllimet me poezi “Ecim”, “Ngjatjeta Diell”, Arkitektura e dritës; Rrathët e lisit; Gjaku i tokës; Lumi e di ku buron; Gjethnaja në trup; Qypi me florinj; Poetë shqiptarë nga shekulli XII deri në shekullin XIX: antologji; Mynxyra: roman; Balada shqiptare; Kodi i metaforave: studime për poezinë tonë moderne etj., etj. Jeton dhe punon në Tiranë.

1. TOKA E GJAKUT TIM

(Pjesa e VII)

“Shkon haberi në shtatë krajli:
– S’mund e shkela ket’ Shqipni,
Gjuej me top, gjylen ma kap,
Mitrolozit i thotë rrokaç…”
Edhe po të mos na jepni të drejtë për të jetuar të lirë,
S’mund të na hiqni të drejtën për të dashur lirinë,
Për t’i dhënë gjithçka lirisë, për të vdekur të lirë.
Edhe po të mos kemi topa për të luftuar kundër jush
E të hidhni nga njëqind gjyle për çdo kokë njeriu,
Gjylet e topave tuaj do ti kapim me duar.
Edhe po të lëshojmë plumba si kokrrat e breshërit,
Mitrolozave tuaj ne do tu themi rrokaçe,
Me këngë majëkrahu do ta mbytim ulërimën e tyre.
Edhe po ta bëni shoshë trupin tonë me plumba,
Nga njëra anë e plagëvë do të dalë përjashtë vdekja,
Nga ana tjetër e tyre do të futet pavdeksia.
Edhe po të vrisni jehonën e malit, cicërimat e zogjve,
Gurgullimën e ujrava, shushurimën e drithrave
S’do të arrini ta shuani gjuhën tonë të bukur.
Edhe po të biem si duaj të korrur në logjet e gjakut,
Mbi rënjën tonë do të ngrihet kryelartë Shqipëria
Si bima që mugullon nga fara e rënë në tokë:
Ne jemi fara ku do të mugullojë kalliri i Lirisë.

2. BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESË

Qëmoti
Një njeri që shtegtonte në male
E paska gjetur gurin e rrufesë
E paska mbajtur me vete
Qysh nga ajo ditë
Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë
Në terrin e verbër të natës pa hënë e pa yje
Shihte qartë si ditën në drekë
Në zjarr, nuk digjej; në ujë, nuk mbytej
Edhe në kulmin e acarit nuk mërdhinte
Nuk kishte vapë në pishë të diellit
Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë
Mund të rronte njëqind ditë pa bukë e pa ujë
Mund të rrinte njëqind net pa fjetur
Me tre hapa mund t’i kapërcente malet
E të mbërrinte në breg të detit
Njeriun që mbante me vete gurin e rrufesë
Nuk e priste dot shpata
Nuk e zinte dot plumbi
Nuk e prishte dot syri i keq
Njeriut që mbante me vete gurin e rrufesë
I shmangej Ujku i Çartur
I hapte udhën Syqenëza
Kuçedra ikte ku sytë këmbët prej tij
Prej tij dridhej tutësh edhe Vdekja…
Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë
Thonë se vazhdon të ecë nëpër kohëra
I mbështjellë me një shark të bardhë legjende…

3. L’ETERNEL RETOUR

Në vitin 39 para Krishtit
Oratori romak Asinius Pollion
Nënshtroi parthinët, një popull të Ilirisë
Pas kthimit të tij në Romë
Për të u organizua një triumf
Më vonë, ai vazhdoi të merrej me ushtrime oratorie
Siç thotë Seneka ( Plaku )…
Në vitin 1939 pas Krishtit
Një pinjoll tjetër i Ujkonjës, me emrin Konti Ciano
Në trupin e të cilit ndoshta kishte shtegtuar
Shpirti i oratorit romak Asinius Pollion
Përgatiti nënshtrimin e të njëjtit popull
Me ndryshimin e vetëm se tashti parthinët
Quheshin albanezë ose shqiptarë
Ashtu si stërgjyshi i tij i largët
Oratori romak Asinius Pollion
Edhe Konti Ciano ka pasur prirje letrare
Madje ka shkruar një libër të trashë…
Duke lexuar Senekën ( Plakun )
I cili i ka kushtuiar një kapitull të tërë
Oratorit romak Asinius Pollion
U befasova nga ngjashmëria e këtyre dy datave
39 para Krishtit,1939 pas Krishtit
Në të cilat ka ndodhur e njëjta ngjarje
Ku kanë marrë pjesë të njëjtët protagonistë…
Përsëritja e të njëjtës ngjarje në dy data të ndryshme
Më solli në mendje të frikshmin L’ Eternel Retour!

4. PASTISH NGA LASGUSHI

Kushtuar „profesorëve” që për vite të tëra
kanë predikuar teorinë e realizmit socialist, kurse
tashti organizojnë mexhlise „shkencore” për të sulmuar
autorët që shkruan në kohën e diktaturës së proletariatit.
Profesorët trukokallë
I gjykojnë vjeshëtorët,
Po më thoni cilët vallë
I gjykojnë Profesorët?
Profesorët zemërpisë,
Përdhosës të poezisë,
Shpirtkatran që denigrojnë,
Janë qen që të kafshojnë!

5. PISHA MAJË SHKËMBIT

Nga vera në verë
Shihja se si degët e ulëta
Të asaj pishe majë shkëmbit
Thaheshin vetvetiu
Vareshin si gjymtyrë pa jetë
Pastaj vjeshta sillte me vete
Erërat dhe stuhitë
Që i thyenin me rropamë
Dhe i rrëzonin përtokë
Degët ku nuk qarkullonte më limfa
Pisha nuk vishej me të zeza
Nuk shfrente në të qara
E bindur nga një urtësi e fshehtë
Se flakja e degëve të thata e të thyera
Ishte çmimi që ajo duhej të paguante
Për t’u ngjitur përpjetë
Qysh në fëmijëri
Më janë ngulitur në kujtesë
Degët e thata që rrëzoheshin nga stuhitë
Dhe tashti e vë re
Se gjithë jetën jam përpjekur t’i ngjaj
Asaj pishe majë shkëmbit…

6. VAJZA FLOKËKUQE

Vrapi nëpër diellin e asaj dite qershori
Ia kishte skuqur fytyrën e rrahur nga ajri i nxehtë
Ia kishte skuqur gushën, llërët
Lëkurën e zbuluar të kraharorit
Ajo vajzë që dielli e kishte mbështjellë me petale paparunesh
I ngjante një shisheje syrealiste
Antropomorfe
Të mbushur me verë të kuqe
Vallë, kush do ta pinte atë shishe?
Kush do të ngrinte me verën e saj dolli dashurie?…
E pata zili njeriun që do t’i digjeshin gishtat
Nga flakët e flokëve të saj prej komete
Dhe buzët do t’i ndizeshin nga prushi i buzëve të saj
Binjak me zjarrnajën e diellit
Si të mos e kisha zili unë
Një qenie tokësore, mëkatare
Kur edhe dielli vetë e përpinte me sy
Nga maja e zenitit
Duke njomur me gjuhë buzët e tij të përflakura?!
Vajza me fytyrë të skuqur ngq ajri i nxehtë
Vraponte për të mbërritur në takim
Duke lënë prapa nja hulli të zjarrtë komete…