ANTIKUSHTETUTSHMËRI E (PA)PROVUAR!

0
480

AV. XHABIR ZEJNUNI

Personalisht, zhdekretin Meta e konsideroj të papajtueshëm (ose antikushtetues) me Kushtetutën.

Por, nga ana tjetër duhet verifikuar, nëse ky çdekret arrin “pikëzimin antikushtetues” të tillë aq sa ai të kalojë “stekën e antikushtetutshmërisë”, duke sjellur si rrjedhoje nisjen e procedurës së shkarkimit të Metës nga posti i Presidentit.

Ky çdekret, u bë “sebep” që të kërkohet nga Parlamenti shkarkimi i tij.
Kushtetuta, tek Neni 90, par. 1, parashikon se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”. Që do të thotë se Presidenti e kryen detyrën e tij, pa pasur ndonjë pengesë kushtetuese dhe ligjore, që ta kufizojë atë në ushtrimin e po kësaj detyre. Por, papërgjegjshmëria e Presidentit nuk është e pakufishme, pasi par. 2, parashikon se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. (…)”.

Tek pjesa e parë e par. 2, bie në sy togfjalëshi “mund të shkarkohet”, ku përdoret folja ndihmëse “mund” (dhe jo “duhet”). Që do thotë se vetëm nëse ndodhemi para një “shkeljeje të rëndë të Kushtetutës”, ose para “kryerjes së një krimi të rëndë” nga Presidenti, atëherë ai “mund të shkarkohet”. Dhe në bazë të një procedure të përcaktuar në detaje. Shtrohet problemi jo vetëm se kush e ka tagrin për të verifikuar dhe përcaktuar këtë antikushtetutshmëri si të rëndë, por edhe se cili ka qenë “dëmi” që ka shkaktuar kjo “shkelje e rëndë e Kushtetutës”, aq sa të sjellë nisjen e procedurës për shkarkimin e tij, por edhe se kush e ka tagrin e përcaktimit të kësaj antikushtetutshmërie: Parlamenti apo Gjykata Kushtetuese. Të supozosh apo vlerësosh dëmin e një fakti, është tjetër gjë dhe të vërtetosh e përcaktosh të njëjtin fakt si të dëmshëm, është tjetër gjë.

Presidenti mund të bëhej objekt gjykimi vetëm nëse çdekreti i tij pasi u botua në Gazetën Zyrtare, do zbatohej duke sjellur si rrjedhojë mos zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, me pasojat përkatëse. Në këtë rast, do duhej që Gjykata Kushtetuese pasi të investohej, të verifikonte më parë se sa e rëndë do ishte antikushtetutshmëria e çdekretit Meta. Dhe më pas mbase të nisesj procedura e shkarkimit të tij.

A mund të kërkohet atëherë shkarkimi i Presidentit për arsye se ai ka nxjerrë një çdekret, që nga njëra anë anullonte datën e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër nuk caktonte një datë të re zgjedhjesh, por që ky çdekret u konsiderua si një “akt administrativ absolutisht i pavlefshëm” nga KQZ-ja dhe që solli mos zbatimin e tij e si rrjedhojë nuk shkaktoi asnjë dëm konkret, pasi zgjedhjet u bënë normalisht në datën e caktuar nga dekreti i mëparshëm i Presidentit?

Kush mund t’i përgjigjet me kompetencë kësaj pyetjeje: Parlamenti apo Gjykata Kushtetuese?

Aq më shumë kur Kushtetuta në nenin 90, par. 3, parashikon se “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Në këtë rast, vetëm pasi të investohet Gjykata Kushtetuese në lidhje me antikushtetutshmërinë e çdekretit Meta, ajo në bazë të “dëmit” që supozohet se ka sjellë “shkelja e Kushtetutës” nga Presidenti, duhet të verifikojë se sa e “rëndë” konkretisht ka qenë kjo “shkelje e Kushtetutës” dhe pastaj të përcaktojë ose jo “fajësinë” e tij. Nëse nuk e konsideron fajtor Presidentin, atëherë çështja ndalet këtu dhe Presidenti vazhdon detyrën e tij.

Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese mund të thotë katër gjëra (të motivuara):
1. Çdekreti Meta është një akt administrativ individual dhe si i tillë ai nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate dhe si rrjedhojë duhej të ankimohej pranë Gjykatës Administrative.

2. Çdekreti Meta është i vlefshëm dhe si i tillë ai duhej zbatuar;
3. Presidenti nuk mund të çdekretojë zgjedhjet me nismën e tij, pa u dakordësuar më parë me partitë politike të interesuara;
4. Presidenti kur shfuqizon me dekret një datë zgjedhjesh, duhet që po me këtë dekret të caktojë edhe një datë tjetër zgjedhjesh.

Por, nëse Gjykata Kushtetuese e konsideron fajtor Presidentin, atëherë i takon Parlamentit që t’i drejtohet përsëri Gjykatës Kushtetuese që të shkarkojë Presidentin.
Pastaj, është Gjykata Kushtetuese ajo që e jep fjalën e fundit(…)!

Problem tjetër është se askush nuk e ka ankimuar çdekretin Meta as pranë Gjykatës Administrative dhe as pranë Kolegjit Zgjedhor!

Duhet theksuar po ashtu se sipas nenit 131 të Kushtetutës, germa c) “Gjykata Kushtetuese vendos për: pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare”. Që do thotë se në rastin konkret është Gjykata Kushtetuese ajo që mund të vendosë në lidhje me pajtueshmërinë (ose antikushtetushmërinë) e çdekretit Meta me Kushtetutën.

Ndërsa germa dh) parashikon se “Gjykata Kushtetuese vendos për: shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij”. Që do thotë se është vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila “vendos për shkarkimin e Presidentit” dhe asnjë organ tjetër. Dhe duke e motivuar këtë shkarkim.

Kushtetuta tek neni 134, germa a) parashikon se “Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të: Presidentit të Republikës”. Në këtë rast, a mund të përjashtohet mundësia që vetë Presidenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ajo të vendosë për pajtueshmërinë (apo antikushtetutshmërinë) e çdekretit të tij me Kushtetutën?!

Sidoqoftë, është vështirë të supozohet dhe mendohet se vendimeve të para të saja, Gjykata Kushtetuese do i japë ngjyrë politike. Pasi peshën e këtij gjykimi politik kjo Gjykatë Kushtetuese do i duhet që ta mbajë për 9 vite me radhë.

Por, edhe më tej.