Anomalitë ligjërimore të Albin Kurtit

1
549

Për mua, formimi kulturor i një udhëheqësi është parakusht themelor për të kuptuar formimin e tij politik, dhe rrjedhimisht, edhe synimet e tij politike.

Shkruan Ndue Ukaj, 17/09/2019

Dje, duke parë gulçet, dokrrat dhe retorikën boshe të Albin Kurtit, ndër të tjera kam vërejtur disa anomali të mëdha kulturore, që për mua nuk janë periferike, por ontologjike dhe shumë të rëndësishme për t’i kuptuar edhe synimet e tij politike e ideologjike.

Kur u pyet se cilat janë figurat më të mëdha kombëtare, ai nuk e përmendi Gjergj Kastriotin, figurën qendrore të kombit shqiptar, por përmendi tri figura tjera (Sami Frashrin, Fan Nolin dhe Ukshin Hotin). Pa dyshim, te tria këto figura janë më peshë në historinë shqiptare dhe zënë vend të rëndësishëm, por asnjëra nuk mund të vendoset në qendër të historisë shqiptare.

Sa për dijeni, Fan Noli, në qendër të historisë kombëtare e ka vendosë kryezotin tonë. Ndërkaq, kur u pyet se cili është shkrimtari më i madh shqiptar, ai u përgjigj Ismail Kadareja. Por edhe këtu del në pah një anomali tjetër: si mund ta vlerësosh Kadarenë si shkrimtarin më të madh shqiptar dhe të mos e vendosësh Gjergj Kastriotin në qendër të historisë kombëtare?

Kadareja, në veprën e vet, Gjergj Kastriotin e ka vendosur në themelet e kombit shqiptar dhe në qendër të historisë kulturore shqiptare. Sa për kujtesë, te libri “Mosmarrëveshja” ai shkruan:

“Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.

Këtë përmasë dhe këtë dimension të figurës së tij, e hasim në veprën letrare të Kadaresë, por edhe në atë eseistike, ndaj, me të drejtë shtrohet pyetja: si mund ta përjashtosh Gjergj Kastriotin nga figurat kryesore kombëtare dhe në të njëjtën kohë të thuash se Kadarenë e vlerëson si shkrimtarin më të madh shqiptar?

Me këto qëndrime kundërthënëse, lideri i VV-së, mua më është dukur si një njeri që ka një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kurse, në pyetjen tjetër se cilat sipas tij janë tri figurat më të negative të kombit shqiptar, ai u përgjigj:
Esat Pasha, Rrahman Morina dhe i treti është i gjallë dhe ju e dini”.

Në këtë përgjigje, ka diçka të frikshme dhe kjo rrjedhimisht e shtron pyetjen: Mos deshi Kurti t’i amnistonte kobet e komunizmit, për të cilat ka shkruar edhe shkrimtari i tij preferuar, Kadareja? Kjo përgjigje, mos është mostër treguese e orientimit të tij ideologjik?

Kjo përgjigje, si e tillë fsheh kurthin i tij ideologjik dhe ngashërimi kah e ngreh litarin. Në të njëjtën kohë, me këtë përgjigje, ai tregoi qartë se ngjyen në tryezën komuniste, gjë që mund të kuptohet edhe nga përpjekja e tij për të shtetëzuar çdo gjë. Pra, dje, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në emisionin T7, për mua më shumë tingëlloi si një komisar i neveritshëm sesa një kandidat serioz për kryeministër.

Kosova, para se gjithash ka nevojë për udhëheqës që dinë të tregojnë sa mund ta duan vendin dhe jo sa mund ta urrejnë tjetrin. Duke e gjykuar dhe aspak paragjykuar ligjërimin e tij politik, rezulton se synimet e tij politike dhe pushteti që ai e kërkon, më shumë kanë qëllime ideologjike sesa politike.

Kurti, duke e poetizuar banalisht politikën, nuk po arrin t’i jep domethënie idesë së tij për pushtet. Si i lexuar që është, ai duhet ta di se “nuk ekziston asnjë pushtet që të ketë apriori domethënie dhe vlerë. Ai merr domethënien e vet përmes njeriut që ndërgjegjësohet për këtë pushtet, që vendos për të, e kthen në veprim, pra që merr mbi vete përgjegjësinë”, shkruan dijetari dhe filozofi gjerman, Romano Guardini, te libri “Fundi i kohës moderne, pushteti”. Kurti, deri me sot, nuk e ka treguar një gjë të tillë.

Mbrëmë, duke e parë si fliste ai dhe si ia mbushnin hambarin analistët politikë përballë tij, më është kujtuar Faik Konica i ditur, i cili qëmoti ka këshilluar:
Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari.” (Albania, korrik 1898).

Po, shqiptarët e Kosovës, të cilët në fillim të tetorit do të vendosin për orientimin e tyre politik, nuk kanë nevojë të bëhen naiv dhe ta presin Mesian, e as të ushqejnë dashurinë për individin.

Është koha të shërohemi nga kjo dashuri.

1 KOMENT

  1. Nuk jane anomali, por ANIMALI.
    Tayip Recep Orangutan i ka urdherue mos me permend Gjergj Kastriotin. Sami Frashri 49 vepra per Turqine, 5 ne Shqip!!!
    Al-bin Kurtoglûovski Islamokomunist

Komentet janë mbyllur.