KOZETA ZAVALANI
Po ju percjell nje fragment nga romani “ANKTHI”… per te pasur shprese per sherim, me dashurine per jeten… Tetori-muaji kunder Kancerit te Gjirit.
* * *
Në spital mbërrijnë para kohe dhe hyjnë të dy në dhomën e mjekut. Infermierja u tha të uleshin sa mjeku të vinte me përgjigjen. Klara donte të ishte vetëm, por Besmiri kishte këmbëngulur dhe ajo nuk e kishte kundërshtuar. Klara nuk e fshihte më shqetësimin dhe ankthin. I shtrëngoi dorën Mirit, duke mërmëritur si me vete:
– Dy fjalë, si më ke thënë ti, vetëm dy fjalë, që do ta ndryshojnë jetën time përgjithmonë. Por nuk pati kohë të mendojë më tepër, sepse mjeku hyri në dhomë. Ajo u çua he i dha dorën, duke i prezantuar Besmirin. – Gëzohem që jeni së bashku me Klarën sot, – thotë
mjeku.
– Pse, apo që rezultatin t’ia thoni atij dhe jo mua? Ma thoni doktor, unë tashmë u mësova me lajme të këqija. – Jo. Nuk ka lidhje fare me rezultatin. Më vjen mirë që, ti ke pranuar t’i hapesh dikujt, që besoj se do të shoqërojë gjatë, sepse do të duhet të vish shpesh këtu dhe unë e kam pritur këtë.
– Për të gjithë jetën, doktor! – flet me vendosmëri dhe pa asnjë shqetësim Besmiri, duke iu drejtuar mjekut. Vetëm na thuaj se çfarë duhet të bëjmë.
– Gjendja është shumë më mirë nga sa e prisnim, urime Klara, gëzohem shumë me këtë reagim të organizmit tënd!
Domethënë që nuk do të vdes?! – Dhe ajo nuk e përmban gëzimin. Përqafon në fillim mjekun, pastaj Besmirin, i cili i thotë:
– Të thashë, që duhet të më merrje me vete, sepse do të të sillja fat.
– Po, shpirt, dhe unë të besova. Çfarë duhet të bëj doktor?
– Për një muaj mendoj të pushosh, sikur të mos kesh asnjë kimioterapi, pas një muaji takohemi përsëri. Ti e di e çfarë duhet të besh kujdes te vetja! Kam besim te ty! Kalofshi sa më mirë, deri në kontrollin e ardhshëm!
– Eja, të të përqafoj edhe njëherë, eja se qenkam e lirë, të paktën për një muaj. Oh, çfarë lehtësimi! – i thotë ajo Besmirit, porsa largohet doktori dhe lot gëzimi i rrjedhin syve të bukur.
– Po bukuroshja ime, edhe unë do të përqafoj! Ku dëshiron të shkojmë? Do ta festojmë sot! Më thuaj çfarë dëshiron të bësh dhe unë do të bindem.
– Më fal që nuk do të festojmë, sot! Fillimisht le të njoftojmë tim vëlla dhe Marianën. Pastaj, meqë dëshiron të bëjmë çfarë dua unë, po të them se, nuk do të dëshiroja gjë tjetër sot, veçse të shijoj qetësinë. U bënë shumë muaj që nuk fle një natë e qetë, që kam vetëm ankthe e shqetësime nga kimioterapia, aq sa më duket çudi, që do të mund të fle, sepse vetëm këtë dëshiroj; të fle! Po, po, të fle, pa pasur frikën se, do të më dalë gjumi pas orës 2.00 nga ankthi i ndonjë ëndrre të tmerrshme.
– Pse, kështu ka qenë çdo natë me ty, zemër? Ndaj nuk pranoje të flija me ty, por dije se tani nuk do të le më vetëm, asnjë natë.
Por ajo sikur të mos kishte dëgjuar asnjë fjalë prej tij, vazhdonte:
– Dhe kur të ngopem me gjumë, do të udhëtojmë së bashku nëpër të gjitha kullat e larta të botës.
* * *
Përtej derës së ballkonit gjethet e plepave duken sikur notojnë midis tisit të natës nën valëvitjen e erës. Në dhomë hyn një dritë e zbehtë përmes rrezeve të hënës, që lëkundet së bashku me hijet e drurëve.
Klara dëgjon në CD këngëtaren Dido me “Life for rent” të cilën e pëlqen aq shumë, sa e këndon edhe vetë, duke i rënë kitarës. Zërit të saj i bashkohet edhe Miri, ndonëse në këto momente do të donte të këndonte një këngë optimiste: Unë gjithmonë mendoja, se do të doja shumë, të jetoja pranë detit, të udhëtoja mbarë botës e vetme dhe të jetoja më thjesht.
Nuk e kam idenë se, çfarë i ndodhi kësaj ëndrre…- dhe Besmiri nuk vazhdon më tej me tekstin që këndon Dido, po sajon një tekst tjetër me këtë përfundim:
“Sepse në të vërtetë nuk ka asgjë që të na ndalojë, Sepse ne të dy së bashku çdo pengesë do të kalojmë dhe përjetë në lumturi do të jetojmë…”
– Të lumtë goja! – i thotë Klara dhe përsërisin edhe njëherë së bashku tekstin e sajuar.
Kjo këngë melankolike, që dikur i sillte trishtim, tani çuditërisht i ngjall optimizëm. Kështu u gdhi mëngjesi. Kishte jetuar edhe një ditë më shumë, madje shumë të bukur. Ndërkohë vazhdon normalisht punën e ditës dhe shkon në gjimnastikë tri herë në javë, ashtu siç ka bërë gjithmonë, para se të fillonte kimioterapinë. Ndihet shumë më mirë. I merret fryma më pak dhe ndien se trupi po i bëhet më i fuqishëm. Për t’i provuar vetes që nuk është e sëmurë, nis e thotë se ka filluar të shtojë në peshë.
Vdekja! Ajo ndoshta nuk do të guxojë të trokasë më në shpirtin e saj, do ta lërë të qetë, deri sa të jetë mbi të tetëdhjetat, siç rrojnë të gjithë njerëzit normalë. Atëherë le të vijë, kur të dëshirojë! Klara e di tashmë se, nuk ia ka frikën. Gjen kohë për miqtë, sikundër është më e kujdesshme në biseda e takime si dikur. Nëse dikush e trajton pa respekt, ajo e braktis, ashtu si shqetësimet e saj.
Ajo falënderon Zotin, për ndjenjën më të bukur dashurinë, që lulëzon në shpirtin e saj duke kujtuar thënien mbi dashurinë nga romani “Lufta dhe Paqja” i Leon Tolstoit: “Dashuria i vë gardhe vdekjes. Dashuria është jetë. Gjithçka, gjithçka që unë kuptoj, e kuptoj vetëm sepse dashuroj. Gjithçka është e kufizuar vetëm nga dashuria. Dashuria është Zoti, dhe të vdesësh do të thotë për mua, një grimcë dashurie të kthehet mbrapsht tek origjina universale dhe e përjetshme e dashurisë”.
Një ide sa e pamundur, po aq edhe e bukur nis e formësohet në kokën e saj. I lutet Zotit që porsa të mbarojë kimioterapinë, të ngelet shtatzënë e të bëhet me fëmijë. Dhe në veshë i jehon sërish Dido me këngën e saj “Life for rent”, tashmë me tekstin e ndryshuar, që përshkonte gjithë ajrin e dhomës e shpërndahej larg në det e në qiell.
Per ndergjegjesimin kunder Kancerit te Gjirit, po ju percjell nje fragment nga romani “ANKTHI”….Nga kaseta tingëllon melodia e këngës “Life for rent” nga këngëtarja Dido, që asaj i pëlqen shumë. E merr magnetofonin me vete dhe del, duke ecur si majë një ure të harkuar, me tela. Vazhdon të marrë compazine sipas udhëzimeve të mjekut, çdo tetë orë. Të dielën në mesditë nuk ishte e qetë. Kokën e ndien të rëndë, sikur ta kenë goditur me një çekiç të mbuluar me peshqir.
Në të njëjtën kohë sikur ndien gjithnjë e më tepër ankth dhe ngutje. Ka nevojë të flejë, por kur shtrihet në shtrat, sheh makthe të tmerrshme. E përndjekin vazhdimisht. Dhe ajo nuk di se ku ta fusë kokën. Sheh veten të kërcejë nga dritarja e katit të dymbëdhjetë. Dhe nuk vritet. Zemra i rreh fort, vrapon si e çmendur dhe djersitet aq shumë, sikur të ketë ndenjur mbi një kazan me ujë që vlon. Ngrihet përsëri. U hedh një sy shënimeve, që doktoresha i ka dhënë. Asgjë nga këto që ndien, nuk shënohen në listë.
Vetëm diku flitet për një lodhje rraskapitëse. Nuk ka ndonjë kartë informacioni mbi compazinën. Me trupin e rënduar zvarritet drejt raftit të librave, tërheq manualin e tabletave dhe kërkon të mësojë për compazinën. Nuk ka parë kurrë kaq efekte të mundshme anësore. Reaksione skizofrenike, lodhje, letargji, mungesë qetësie, hiperveprimtari të metabolizmit. Natën zhytet në konfuzion, ëndrra të çuditshme, zgjohet, pastaj e ka të pamundur për të fjetur. Ndien depresion dhe eufori njëkohësisht. E nervozuar në kulm i thërret doktoreshës në telefon. Por ajo e qetëson. – E di si ndihesh.
Është një ndjenjë ankthi, që nuk të le të qetë dhe të bën të ndihesh, sikur do të dalësh nga lëkura jote, – i thotë ajo dhe vazhdon: – Oh po, duhet të jetë compazine. Plot të tjerë reagojnë kështu, por nuk duhet të kesh frikë, duhet të pushosh së menduari keq. As fjalët e doktoreshës nuk e qetësojnë aspak. Përsëri ndien sikur i kanë veshur një këmishë të hekurt, e cila nuk e lejon të lëvizë as gishtin e vogël.
Gjithçka brenda saj sikur bymehet e rrathë të hekurt i shtypnin kockat, ndërsa gjaku i pikon mbi qilimin e gjelbër. Kishte idenë se kjo sëmundje aq e lodhshme, e çonte deri në kufirin e humbjes së shpresës. Tronditja që i vinte nga e gjithë kjo, sikur e bënte trupin e saj, të endej në një bosht të lemerishëm, diçka midis ëndrrës e zhgjëndrrës, midis purgatorit e ferrit, midis një vullkani që digjej e nuk shpërthente dot.
Ndiente kështu zemrën t’i copëtohej, nën kafshime shpirti, aq të lënduar sa, ideja e vetëvrasjes sillej mbi kokën e saj, si një re e zezë e kërcënuese. Sheh me sy të mjegulluar. Në mes të trajtimit ka nxehtësi. Ato afshet e nxehta, vullkanike, i vijnë sidomos në mes të natës. Kur zgjohet e djersirë, ka një hutim të habitshëm. Mendon se, ndoshta, janë lënë hapur radiatorët e apartamentit. Kthjellohet. Kujtohet që është maj dhe radiatorët janë fikur.
Dërgoi për publikim: Gjin Musa, gazetar
Faleminderit koleg i nderuar Gjin Musa per publikimin dhe suksese Admin. Arben Çokaj; gjithe te mirat!
Komentet janë mbyllur.