ANALIZË E PËRMBLEDHJES “TREGIME TË MOÇME SHQIPTARE” TË SHKRIMTARIT, MITRUSH KUTELI

22
115989
Tregime të moçme shqiptare

Përgatiti për publikim, Zymer Mehani

Të njëmbëdhjetë rrëfimet e vëllimit “TREGIME TË MOÇME SHQIPTARE” të Mitrush Kutelit (1907-1967), siç e thotë edhe vetë titulli, janë rikallëzime të motiveve tona popullore – të baladave, të eposit të kreshnikëve dhe të kohës së luftërave të gjata shqiptaro-osmane. Këto tregime, të veshura me bukuritë artistike të njërit nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të rrëfimit, Mitrush Kuteli, monumentalizojnë universe e drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë – të kohës kur arbërit sfidoheshin nga fuqi të padukshme e nga bajlozë dhe shkelës gjithfarësh, që vinin nga toka e deti (“Rozafati“, “Besa e Kostandinit“, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini“), të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë (“Muji dhe zanat“, “Muji dhe Behuri“, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri“) dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve (“Shega e Vllastari“, “Turku rrëmbeu një arbëre” dhe “Skënderbeu e Ballabani“).

Në tregimin “ROZAFATI“, njëri nga motivet më të dhimbshme të kohëve, që humbin në moçminë mitike, që të qëndrojë në këmbë kështjella që po e ngrinin të tre vëllezërit mbi Bunë, do të duhej që në muret e saj të murosej e gjallë nusja e vëllait të vogël, gjiri i së cilës vazhdon të pikojë qumësht edhe mijëra vjet më pas (simbol i dashurisë së pavdekshme të nënës për fëmijën, që e kishte lënë për gjiri).

Në tjetrin kallëzim “BESA E KONSTANDINIT“, i ndërtuar mbi dy baladat arbëreshe (të Doruntinës që hasej në Sicili dhe të Garentinës që njihej në Kalabri), krahas luftës së vazhdueshme të arbërve kundër shkelësve të huaj dhe vdekjes së dymbëdhjetë djemve të Zonjës Mëmë, ngrihet si një obelisk i paplakur ligji i pakthyeshëm i besës, i mbrujtur thellë në ndërgjegjen e etnisë: Konstandini, djali më i vogël, për ta mbajtur fjalën që i kishte dhënë nënës, ngrihet nga varri për ta sjellë Doruntinën, të motrën, nga larg, ku qe e martuar.

Në kallëzimin “GJERGJ ELEZ ALIA“, ndërkaq, pa dyshim balada jonë më monumentale e të gjitha kohëve dhe një nga stolitë më të bukura të artit tonë popullor, përkatësisht në rikallëzimin po me këtë titull të Mitrush Kutelit, fuqizohet mjeshtërisht metafora e qëndresës me ngritjen e heroit nga shtrati i vdekjes për t’i dalë zot atdheut.

Gjergj Elez Alia dhe motra e tij pa emër janë shembuj të ndritur trimërie dhe fisnikërie, pasqyrë e vërtetë e shpirtit të paepur shqiptar. Këto nuk ishin plagë sido-kudo, por plagë të fisme lufte për mbrojtjen e truallit të vet. E motra i rrinte mbi krye ditë e natë dhe mundohej t’ia mjekonte plagët e pamjekueshme; ajo kish mbyllur të ritë e saj, kish hequr dorë nga gëzimet e vajzërisë dhe të nusërisë, i qe blatuar me mish e shpirt të vëllait, të cilin donte ta shpëtonte nga kthetrat e vdekjes. Dhe, në mes të asaj dhimbjeje të madhe vjen një dhimbje tjetër edhe më e madhe, që e zhduk të parën. Na del një bajloz nga deti: i fortë, i vrazhdtë, që merr nëpër këmbë njerëzit. Dhe atëherë e pamundura bëhet e mundur.

Gjergj Elez Alia që ish dergjur nëntë vjet me nëntë plagë lufte në shtat dhe kish marrë prej kohësh udhën e varrit, ngrihet me armë në dorë për të mbrojtur nderin e motrës, nderin e shtëpisë, nderin e tërë atdheut; ai lufton dhe shtrin përtokë bajlozin e urrejtur.

Dhe të mos harrojmë një gjë: në themelin e kësaj rapsodie nuk kemi ndonjë fiksion përrallor. Jo, këtu nuk kemi mjegullira, por kemi diçka të nxjerrë nga realiteti i hidhur i dikurshëm i atdheut tonë. Gjergj Elez Alia është njeri si gjithë njerëzit, por më trimi nga të gjithë, është mbrojtës i atdheut dhe i nderit shqiptar. Edhe bajlozi është njeri – jo përbindësh, jo kuçedër a lubi – por pushtues, grabitës, shtypës, që ka shpallur dhe zbaton urdhëra të rrepta: kërkon desh të pjekur, vajza të njoma, pret koka trimash, djeg krahina të tëra. Këtij pushtuesi e dhunuesi i del përballë, kaluar, Gjergj Elez Alia. Përpara se të fillojë lufta, nis ngacmimi me fjalë të rënda- si te heronjtë e Homerit dhe mbase edhe më bukur – për të ndezur gjakun dhe urrejtjen: bajlozi mburret, shan, fyen; Gjergji i përgjigjet urtë, dhimbshëm, por me të prerë. Pastaj vringëllojnë topuzët e bajlozi armërëndë shembet me gjëmë në tokë. Trimi ynë ia pret kokën dhe ia hedh në tokë, shpëton vendin nga mynxyrat.

Një popull që nxjerr heronj të tillë dhe që thur këngë kaq të bukura për të lavdëruar heronjtë e tij mund të mbahet gjithnjë krenar dhe të shikojë plot besim të ardhmen e tij.

Ndërkaq, motivi i besës sërish mbruhet e metaforizohet si veçanti e etnisë në tregimin tjetër “YMER AGË ULQINI”: Ymer Agën, të cilit që të nesërmen e martesës iu desh të rendte në luftë në mbrojtje të atdheut dhe që më pas bie rob i mbretit të Spanjës, vetëm me besën e dhënë mundi ta shpëtonte gruan që e kishte pritur nëntë vjet dhe veten nga burgjet e mëtejshme të të zezës Spanjë.

Kënga e Ymer Agë Ulqinit ose Ago Ymerit i ngjet baladës së Konstandinit të vogëlith, që e këndojnë vëllezërit tanë arbëreshë. Kjo këngë këndohet në gjithë Shqipërinë dhe flet për dy besë: për besën e gruas ndaj bashkëshortit dhe besën e burrit ndaj fjalës që ka dhënë, se do të kthehet rishtas tek ai që e pat zënë rob lufte dhe që e liroi të shkojë tek e shoqja.

Tregimet me motive nga eposi i kreshnikëve, në dramat e të cilave marrin pjesë aktivisht edhe zanat (si jehonë e largët e përzierjes së perëndive pagane në fatet njerëzore në “ILIADA” e “ODISEU” të Homerit), vishen me bëmat e heronjve (Mujit, Halilit, Omerit, Ajkunës, Bohurit etj.) që kapërcejnë tej pragut të të pamundurës për ta legjendarizuar kështu qëndresën dhe flijimin për tokën mëmë.

Rapsoditë e Mujit dhe të Halilit me shokë janë këngë me frymëmarrje të gjerë poetike. Aty bashkohen në një njësi të plotë epika dhe lirika, humori dhe tragjedia, tregimi dhe përshkrimi e dialogu, mençuria e madhe e popullit, trimëria dhe qëndresa e fortë në çaste vështirësie. Në këtë çerthull s’di ç’të adhurosh më parë: përshkrimin e bukur të natyrës dhe sidomos të bjeshkëve dimrit dhe verës, ditës dhe natës, apo çastet kur tërë natyra vetiakësohet dhe i afrohet shumë e më shumë njeriut:

kur dielli, yjtë dhe hëna, ahu, lisi dhe bredhi, zogu i malit, zanat dhe orët e bardha shfaqen të gjitha të mbështjella me atë napën e përndritur të poezisë madhore, të poezisë së vërtetë. Pastaj kemi portretet fizike dhe shpirtërore të njerëzve, nga Muji dhe Halili e gjer tek Dizdar Osman Aga, tek Hysen Kraposhniku, Behur Kapedani, Paji Harambashi, Arnaut Osmani e Hysen Radoica; nga Tanusha e bukur e tek Ajkuna e dhembshur, tek e shoqja e Arnaut Osmanit apo tek Omeri i Ri dhe tek shumë të tjerë.

Aty kemi veprimin vrullmadh të veçuar dhe të përbashkët të luftëtarëve. Tërë kjo mori afshesh shpirtërore , luftarake, hovemadhe është njëfarë lumi bjeshkësh që niset nga gurrat dhe krojet e shkëmbinjve, rrjedh rrëmbyeshëm e kumbues, kapërcen pragje shkëmbinjsh, bëhet dallgë e shkumbëzuar , thërmitet në stërkala tek të cilat shndritin gjithë ngjyrat e ylberit, bashkohet prapë, del në një fushë të butë, kalon disa grima qetas nëpër një amëzë të shtruar, pastaj vërvitet sërish nëpër ngushtica dredha-dredha, egërsohet, buçet, sulmon, godet, çan udhë fitimtar.

Heronjtë dallohen qartë njëri nga tjetri me cilësitë dhe të metat e tyre. Muji është herë i matur dhe herë i rrëmbyer, i rëndë, përbuzës, fyes, por gjithnjë zemërfortë, si në çaste gëzimi ashtu edhe në çaste dhimbjeje; Halili është i hedhur, mendjeprehtë, trim, gjithënjë i shkathët; Dizdar Osman Aga është smirak, kryeneç, individualist; Hysen Kraposhniku është fisnik, trim, vëlla shpirtëror i Gjergj Elez Alisë; Ymer Deliu-vëllami i Hysos-është po ashtu i fismë dhe e do me shpirt Hyso Kraposhnikun; Halil Garria është besnik i fjalës; Omeri i Vogël është trim si i ati, Muji. Dhe sa shumë e do xhaxhain, Halilin, zemra e tij e njomë!

Mbi të gjithë, dashuria e lexuesit përqendrohet te Halili, shpirt i hedhur, i zjarrtë, i pastër, plot lirizëm, shkathtësi dhe mençuri.

Midis armiqve kemi bajlozët gjithmonë të vrazhdët, shëmtakë, grabitës, mburravecë. Ashtu kemi Behurin- të fortë fizikisht, të rrëmbyer, po mendjengushtë; kemi Kresho Kapedanin- lëvdarac e përdhosës të fëlliqtë varresh; kemi Pajin Harambash- të verbët nga urrejtja, harbut, por të fortë nga shtati; kemi krajlin mendjemadh e kështu me radhë. Një rol të dorës së parë lozin edhe vashat, nuset, gratë e plakat.

Vajza e njomë e plakut, mbase e Mujit, është e bukur, e zhdërvjellët, trimëreshë-pasqyrë besnike e malësores sonë; e fejuara e Hyso Kraposhnikut është e dashura e papërkulur, besnike gjer në fund, mendjehollë- një rreze drite që çan errësirën; e shoqja e Arnaut Osmanit është e bukur, por e ftohtë akull, ndaj kundron, si Helena e Trojës, luftën midis të shoqit dhe rrëmbyesit të saj, që të dy trima, të cilët, më vonë, dalin vëllezër; Tanusha e krajlit është dashnorja e përjetshme, që e do me gjithë shpirt Halilin e bukur dhe trim, saqë kalon mbi të gjitha pengesat, braktis nënë e babë dhe shkon atje ku e thërret zëri i zemrës; nusja e re e Mujit është e urtë, e bindur, por edhe e guximshme; ajo bën siç e porosit Muji dhe shpëton nga zanat bashkë me dasmorët e ngurosur; Ajkuna është nëna e përvëluar që vajton me kaq dhimbje djalin e saj të vrarë në luftë, Omerin e vogël. Dhe sa lirizëm kumbon në fjalët e saj!

I lutet të birit të dalë nga varri, t’i hipë gjogut e të shëtisë me gazmend bjeshkëve, të gëzojë jetën, të ritë e tij, kurse ajo vetë të hyjë në varr, në vend të tij. Ajkuna s’është veçse një malësore e thjeshtë. Muji nuk e lejon të bëjë gjëmë në shtëpi, që të mos gëzohet armiku, por e porosit të vajtojë djalin në bjeshkë, kur të shkojë për dru, si gjithë malësoret. Kemi pastaj mëmën e mençur të Mujit e të Halilit, që shfaqet rrallë, po gjithnjë gati për të dhënë këshilla të mira: ajo e qorton Mujin kur ky s’i jep gjogun e tij Halilit për të dalë në krajli që të rrëmbejë Tanushën. Ajo e këshillon Mujin të mos ketë frikë dhe të shkojë drejt te mbreti. E këshillon Halilin të niset vetë për në krajli e të sulmojë kullën e Pajit Harambash. Kemi edhe nënën plakë të Arnaut Osmanit dhe të Hyso Radoicës, të cilën luftërat dhe zjarret e kanë lënë qyqe mbi dhe, njeri pa njeri, nënë pa djem. Ajo vdes nga gëzimi në krahët e të bijve, të cilët i takon të rritur e të burrnuar, pas kaq vjetësh mjerimi.

Nuk duhet të harrojmë edhe qeniet e mbinatyrshme: zanat, orët e bardha, apo të lumet e natës. Por edhe këto nuk dallojnë shumë nga malësoret tona: kanë fëmijë që i rritin në djepa, kanë shtat të prekshëm e të dhimbshëm. Ato janë një idealizim i femrës, i malësores, plot urtësi e dashuri për të mirën, për të drejtën, për ata që marrin nën mbrojtjen e tyre dhe i ndihmojnë që t’ia arrijnë qëllimit.

Pra këngët e kreshnikëve tanë janë një botë e tërë njerëzish plot gjallëri e poezi, një botë e tërë ndjenjash të larta, ndodhirash epike, trimërish vetiake dhe të përbashkëta, një mori e tërë tragjedish të nxjerra nga jeta e popullit tonë.

Aty-këtu furfurin ndonjë grimcë humori: Muji e heq zvarrë mbretin e madh bashkë me shtrojcën të kapur pas kamcës së tirqve dhe nuk ia ndjen fare peshën fizike dhe morale; Paji Harambash e ka ngarkuar me gurë, si kalë, Mujin, të cilin e ka zënë të gjallë në pritë; Halilin, të cilin Muji e kish fyer, vonon e nuk ia shkarkon gurët; i biri shtatëvjeçar i Mujit e shpëton babain nga prangat dhe nga burgu. Këto kanë një kuptim të lartë; i madhi s’duhet ta përbuzë kurrë të voglin, i forti – të dobëtin.

Muji dhe Halili ishin nga vegjëlia, njerëz të varfër. Muji kish qenë bari lopësh, Halili-bari dhish. Edhe më vonë, kur u bënë të famshëm si luftëtarë, ata mbetën gjithnjë të thjeshtë, të varfër. Tërë pasuria e tyre: një kullë a shtëpi, një kalë e një shpatë. S’kishin shërbëtorë. Vetë ndiznin zjarrin në vatër, vetë mbathnin e shalonin kuajt. Ajkuna shkonte në mal e ngarkohej me dru, si gjithë malësorët. Muji dhe Halili luftonin për të mbrojtur malet dhe kullotat, të cilat donin t’i pushtonin njerëzit e krajlit.

Të hidhemi tani te çerthulli i baladave arbëreshe. Aty del në pah fytyra vigane e Skënderbeut (“Skënderbeu dhe Ballabani” dhe “Skënderbeu dhe vdekja”), ajo e bashkëluftëtarëve të tij:
Milo Shinit, Pjetër Shinit, Dedë Skurës, Radhavanit dhe të tjerëve. Ndër gratë kemi fytyrën fisnike të zonjës Rinë, atë të Shegës që e kish rrëmbyer një jeniçer, i vëllai i saj…
Po aty kemi edhe ndonjë fytyrë të neveritshme atdhemohuesi, si atë të Ballaban pashës, të cilin populli ynë e ka damkosur përgjithmonë me vulën e përbuzjes.

Për Kutelin folklori do të jetë jo vetëm burim dhe lëndë për rrëfimet, por edhe një fushë ku ai do të punojë për të thurur vepra të një lloji të veçantë. Në këtë rast raportet që vendos me folklorin janë të drejtëpërdrejta dhe detyra që i vë vetes është të kthehet në një ndërmjetës në mes folklorit dhe lexuesit. Ai vihet në rolin e përpunuesit dhe ritreguesit të krijimtarisë popullore. Njohja e thellë dhe zotërimi i gjithëmbarshëm i kësaj pasurie nga shkrimtari, përvoja e fituar si autor i rrëfimeve në shembullin e modeleve popullore, serioziteti dhe kriteret, sa artistike aq edhe shkencore që ndoqi e zbatoi, solli që kjo ndërmarrje të ketë sukses të plotë. Fryt i kësaj pune është edhe përmbledhja “Tregime të moçme shqiptare”, me balada e rapsodi popullore, të ritreguara nga autori për fëmijë.

Ai nuk ka marrë përsipër t’i rikrijojë motivet, heronjtë, ngjarjet e folklorit, por qëllimi i tij është më modest, sepse synon vetëm t’i ritregojë, por bukur dhe saktë. Duke shfrytëzuar epikën legjendare dhe atë historike, ciklin e kreshnikëve të malësorëve të Veriut dhe rrëfimet e moçme të arbëreshëve për Skënderbeun, ai ndërton prej tyre, një varg tregimesh në prozë.

Puna e tij është puna e një mjeshtri që duke u kapur pas thelbësores, pas ideve të rëndësishme dhe vlerave artistike di çfarë të marrë e di çfarë të lërë. Me synime e kritere të tilla, ai u është shmangur elementeve fetare e mistike, si dhe anakronizmave gjuhësore. Merita e tij kryesore është se ngjarjet dhe personazhet legjendare, mjediset dhe etikën, motivet dhe elementet mitologjike ka arritur t’i japë si krijesë të jetës dhe të historisë së moçme shqiptare, në një dritë të vërtetë, jashtë çdo mjegulle e fantazie boshe.

Bota e ritreguar nga Kuteli është një botë tipike shqiptare, me heronj të virtytshëm, me akte të larta njerëzore, me atmosferën epike e fllade lirike, me nota tragjike e komike. Në mendjen tonë mbeten të gjalla në rend të parë figura trimash, burrash e grash, njerëz të paepur, por edhe qenie të mbinatyrshme, te të cilët janë mishëruar atdhedashuria dhe shpirti liridashës, krenaria dhe besa, bujaria dhe guximi.

Puna e Kutelit në këtë vepër nuk është ajo e një ritreguesi të thjeshtë e formal. Duke i kthyer baladat e rapsoditë nga poezia në prozë, ai ka qenë i ndërgjegjshëm se edhe pse “e kanë humbur thelbin e tyre poetik”, u ka mbetur skeleti, zhvillimi i ngjarjeve, tharmi ideoartistik; janë këto elemente me të cilat ai operon dhe e ndërton veprën. Për shkrimtarin kjo është një nga format letrare për ta futur lexuesin, sidomos brezin e ri, në botën e madhe të legjendave e rapsodive, në mbretërinë magjepsëse të krijimtarisë së popullit.

Studiuesi i njohur i letërsisë për fëmijë, Astrit Bishqemi thotë se përmbledhja “Tregime të moçme shqiptare” mbetet kryevepra e Kutelit në letërsinë për fëmijë.

22 KOMENTE

  1. shum mirë dikush nuk ka nevoj ta blejë librin, sepse mund ta shikojë ketu, faleminderit shumë

  2. Shume bukur kame per ta bere referat krejt pe kqyri qitu hahahahahhha veç a munesh mem kallxu cila eshte shega e vllastari se falemimderit shume

  3. Vjerrshe per Shqiperin (Flamurin tone)

    Per ty moj shqiperi
    vendin tue rue
    per ty moj shqiperi
    duke luftue

    Moj Shqiperia jone
    je me bukura ne
    Kosove per ty japim
    edhe zemren tone

    Flamuri kuq e zi
    More flamuri kuq e zi
    sa te dua une ty.
    PER TY MOJ SHQIPERI

  4. Unë jam Olsa Avdiu
    Jam 9 vjeq jam ne klasen e 5
    dhe jam poetja me e mire ne shkolle
    dhe kam mare shum e shum like ne youtube
    per eset dhe vjerrshat

  5. Faleminderit me japet njohuri mete zgjeruara per romanin “TREGIME TE MOQME SHQIPTARE” AUTORI MITRUSH KUTELI -DHIMITER PASKO

  6. Faleminderit shumë, komentimi ishte vertet i bukur por kisha pas deshirë, qe me i pa publiku edhe pjeset tjera ose tregimet e tjera te librit si p.sh : “Turku rrembeu nje arbëresh” dhe “Ajkuna qan për Omerin”…

    • A o kjo Permbledhja e librit Tregime te moçme shiptare qe qka ke kuptuar nga ky liber a munesh mem tregu

Komentet janë mbyllur.