Shkruan prof. Zymer Mehani
Krijimtaria poetike e Nolit është ndër gjërat më të fuqishme, më të thella e më tronditëse të letërsisë shqiptare. Vargjet e tij përshkrohen nga një filozofi e thellë humaniste dhe janë demaskuese të një bote të vjetër, të mykur ku mbretërojnë intrigat, prapaskenat, krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara demokratike, optmizmi se gjithçka që i ka kaluar koha do të përmbyset.
Krijimtaria poetike e Nolit u përmblodh për herë të parë nga shkrimtari dhe kritiku ynë i shquar Mitrush Kuteli, më 1948. Ky material u botua nga federata “Vatra” në Amerikë, në përmbledhjen “Albumi”. Më vonë Noli botoi edhe disa poezi të tjera si “Sulltani dhe kabineti” etj.
Poezia e parë e Nolit është “Tomsoni dhe kuçedra„ (1914), në vargjet e së cilës shpërthen me forcë kundër tradhtisë së feudalëve me Esat pashë Toptanin në krye. Pas saj Noli botoi poemën “Jepni për nënën”, e cila u bë mjaft popullore. Aty u bëhet thirrje në formë prekëse të gjithë shqiptarëve, kudo që të ndodhen, të ndihmojnë pa hezitim Shqipërinë, të cilën elementet antikombëtare e kanë çuar në greminë.
Cilët bij të tradhëtuan
Dhe të dogjën dhe të shuan
Dhe të lan’ o shkab` e ngratë
Pa fole, pa zogj, pa shpatë,
Këta qena, o shok, mbytni,
Mbushni gjylet që t’i shtypni
Që në këto dy poezi bien në sy dy karakteristika të krijimtarisë së Nolit: frymëzimi nga ngjarjet aktuale dhe qëndrimi i rreptë e i prerë antifeudal.
Pas Revolucionit të Qershorit (1924) Noli botoi njëra pas tjetrës poezitë tij më të fuqishme si: “Syrgjyn vdekur”, “Shpellë e Dragobisë”, “Himni i flamurit„ etj. Dy të parat janë elegji për L.Gurakuqin dhe B.Currin, bashkëluftëtarët e Nolit gjatë Revolucionit, të cilët u vranë të dy më 1925 brenda një muaji, nga Zogu. Në këto dy elegji poeti jep meritat e secilit nga këta demokratë e patriotë të shquar dhe mishëron në art tiparet e tyre. Në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit, Noli njëkohësisht e vajton me hidhërim të thellë, e mbron dhe e lartëson nëpërmjet antitezash të fuqishme figurën e pastër të tij dhe gjithashtu demaskon edhe dorën gjakatare dhe synimet e A. Zogut:
Nëno, moj, mbaj zi për vëllanë,
me tre plumba na i ranë,
na e vranë e na e shanë,
Te “Shpella e Dragobisë„ poeti sjell një paralelizëm tjetër të heroit deri në përmasa epike me figura që i afrohen krijimtarisë popullore. Vërtet ajo është shkruar në formën e një elegjie, por e gjithë poezia shpreh revoltë dhe kushtrim për luftë; Thon’ u shtri e thonë u vra, por t’i s’vdiqe or Baba, as te Shkëmb’ i Dragobisë as te zemr’, e djalërisë!.
Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi jepen në këto poezi si shprehës të aspiratave të vegjëlisë.
Me ngjyrë epike e emocion të fuqishëm është shkruar edhe poezia “Himni i flamurit”, e cila i kushtohet flamurit kombëtar që simbolizon qëndresën e paepur të popullit tonë gjatë 2000 vjetëve për të ruajtur kombësinë, vazhdueshmërinë e tij.
O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend e vatër, o nën’ e babë,
lagur me lot, djegur me flakë,
flamur i kuq, flamur i zi.
Poeti pasi rendit gjithë luftrat e mëdha e të gjalla të popullit për liri, nën këtë flamur, thekson një atribut të ri të tij, që e ka përfituar në lëvizjen për demokraci : flamur i madh për vegjëli.
Poezi me motive biblike siç janë “Moisiu në mal”, “Marshi i Barabajt”, “Krishti me kamçikun”, “Marshi i Krishtit” dhe “Marsh i kryqëzimit”, “Shën Pjetri mbi mangall” etj, shprehin aspekte të ndryshme të jetës politike gjatë viteve 1920-1924. Pavarësisht nga motivet dhe simbolet biblike, ato s’kanë as frymë as karakter fetar.
Të gjitha së bashku, krijojnë një autobiografi në vargje të Nolit gjatë dhe pas Revolucionit. Kështu p.sh., në poezinë “Krishti me kamçikun”, Noli aludon për rolin dhe programin e vet të viteve 1921-1924. Në këtë konceptim qëndrojnë edhe poezitë “Marshi i krishtit” e “Marshi i kryqëzimit”. Krishti simbolizon figurën e shpëtimtarit, i cili, si ai, do të jetë mbrojtës i masave të varfëra nga shfrytëzimi dhe tirania. Në këto poezi ndihet adhurimi i masave, i turmës së paditur për heroin çlirimtar. Noli shpreh bindjen se masat pa heroin nuk mund të arrijnë fitoren e ëndërruar.
Në këto poezi, sidomos te “Krishti me kamçik”, gjithashtu shprehet edhe ideja tjetër e rëndësishme e Nolit se toleranca duhet përdorur me kujdes. Larot dhe tradhëtarët feudalë duhen shtypur me dhunë, ndryshe ata rrezikojnë fitoren e arritur.
Momente të jetës së vështirë të Nolit në emigracion trajtohen në mënyre alegorike edhe në poezinë “Moisiu në mal”. Këtu nëpërmjet simbolit të Moisiut, kryeprofetit të dhjatës së vjetër që simbolizon udhëheqësin, autori flet për përpjekjet e veta, idealet dhe luftën e tij për çlirimin e popullit shqiptar.
Poeti ndihet i dëshpëruar për disfatën e tij, por nuk është pesimist për të ardhmen e popullit të tij. Kurse tek poezia “Shën Pjetri mbi mangall”, Noli ironizon deri në sarkazëm gjithë renegatët e revolucionit:
S’ka e s’ka si heroizma
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.
Nga poezitë më të mira të Nolit janë “Anës Lumenjve”, “Rent or Marathonomak”. Të dyja poezitë krijojnë një imazh të qartë të gjendjes katastrofike të Shqipërisë nën pushtetin e Zogut dhe njëkohësisht shpreh padurimin e poetit për të parë shenjën e parë të kryengritjes shqiptare prej katundarëve e punëtorëve, të vetmit te të cilët i ka varur shpresat ai.
Pas kësaj vjen besimi në fitore, drithërima e poetit që ndjen nga larg se së shpejti do arrijë nëpërmjet “Marathonomakut” lajmi i fitores jo mbi pushtuesin, por mbi shfrytëzuesin e pushtetin feudal të Zogut. Ky është dallimi i Marathonomakut të Nolit nga Marathonomaku i Greqisë së Lashtë, i cili lajmëroi fitoren ndaj ushtrisë së huaj. Të dyja këto poezi të fuqishme pasuruan ideoartistikisht jo vetëm krijimtarinë e Nolit, por poezinë shqiptare në përgjithësi. Vargjet si:
Ku e lamë e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjerë-mileti
Anës detit i palarë
Anës dritës i paparë
Pranë sofrës i pangrënë
Pranë dijes i panxënë
Lakuriq dhe i dregosur
Trup e shpirt i sakatosur
Janë ngjethëse edhe sot dhe mbeten gjithnjë aktuale. Forca demaskuese dhe thirrja për kryengritjen në këtë poezi dallohet nga gjithë krijimtaria tjetër poetike e Nolit dhe e ka mbështetjen në vetë zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, të cilat kishin tronditur prej kohësh jetën shoqërore e politike evropiane… Veprat e tij kanë hyrë në fondin me të cilin kontribuon populli ynë në kulturën botërore.