Ambasadorja Alma Lama dorëzon letrat kredenciale në Maltë

0
877

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama dorëzoi letrat kredenciale në Maltë ku do të shërbejë si ambasadore jorezidente. Në ceremoninë e dorëzimit të letrave tek presidentia e Maltës, Shkëlqesia e saj, Marie-Louise Coleiro Preca, ambasadorja Lama foli për raportet e ngushta që Kosova ka me shtetin e Maltës dhe e falenderoi presidenten për mbështetjen që shteti i saj po i jep Kosovës në rrugën e integrimit Europian si dhe në procese të tjera.

Presidentia e Maltës gjithashtu foli për miqësinë që kanë ndërtuar me shtetin e ri të Kosovës në vitet e fundit, për shkëmbimin e vizitave të nivelit shumë të lartë mes dy shteteve si dhe për nevojën e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera si ekonomia, dhe kultura. Nga ana e saj ambasadorja Lama e siguroi presidenten se do të intensifikohet bashkëpunimi dhe shkëmbimet tregrtare dhe kulturore në të ardhmen.

Ndërsa në pritjen e organizuar nga presidentja e Maltës për ambasadorët e akredituar në këtë vend, Ambasadorja Lama foli për rëndësinë e vendosjes së paqes në Kosovë dhe ndikimit të saj në rajon dhe për vullnetin e Kosovës për të pasur raporte të mira më të gjithë fqinjët. Ambasadorja tha përfaqësuesit e Kosovës i janë shumë mirënjohëse Maltës për rolin e saj proaktiv në BE, në raport me Kosovën.

Më pas ambasadorja Lama u takua me kryetarin e parlamentit maltez, Anglu Farruguia të cilin e ftoi për një vizitë në Kosovë dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve. Po ashtu gjatë vizitës së saj në Valleta, ambasadorja Lama u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës dr. George W.Vella, me të cilin u diskutuan mbështetja e Kosovës në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare dhe çështje të tjera bilaterale. Edhe në takimet me zyrtarë të tjerë të lartë të Maltës, Ambasadorja Lama bisedoi në lidhje me mundësi të bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet dy shteteve.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar