Ambasadori rus dhuroi xhamadanin e tij të artë

1
1058
Kisha e Madhe - Katedralja, Shkodër

(In Memoriam: Kisha e Madhe ose Kathedralja e shën Shtjefnit në Shkodër në 161-vjetorin e ndërtimit të saj)

Klajd Kapinova

“Së këndejmi, shikuar nga aspekti politiko-juridik, Kisha e krishterë është bartëse e institucioneve dhe normave shtetërore romake, zbatimi i të cilave nënkuptohet në sintagmën – unitas et libertas, gjegjësisht uniteti dhe liria – në të cilën shprehet funksionimi i pragmatizmit politik të Perandorisë Romake ndaj popujve të nënshtruar dhe kulturave të ndryshme. Sepse ky unitet dhe liria në të, janë korelativ i fuqisë shpirtërore përmes së cilës ruhet identiteti dhe entiteti i bartësve të një kulture. Kjo është dëshmuar me plotëkuptimin e fjalës në krijimtarinë intelektuale, politike e kulturore, filozofike e shkencore, në art, letërsi, muzikë dhe veprimtaritë tjera shpirtërore të njeriut të botës së krishterë.” – Akademik Zef Mirdita, Kroaci

Dihet mirëfillti, se Krishtërimi depërtoi në vendin tonë, që në shekullin e parë të përhapjes së tij. Për këtë, historiani e albanologu i shquar i mesjetës së Ballkanit, kroati dr. Milan Shuflaj, shkruan: “Fillimi i krishterimit ndër këto vise (të Shqipërisë, shënim i K.K.) bën pjesë në historinë e shek. I të këtij besimi” (M. Sufflay, “Serbët dhe shqiptarët”, 1926, f.121).

Nga vetë përhapja e hershme e kësaj feje në Shqipëri, kuptohet, që kjo ka lënë gjurmët e veta të pashlyeshme në gjuhën dhe historinë e këtij vendi dhe populli stoic e martir.
Midis të tjerave, kjo mund të vëhet edhe në rrafshin e terminologjisë kishtare, që rezulton mjaft i pasur dhe përbën një nga shtresat më të vjetra të leksikut të gjuhës shqipe, sidomos ajo pjesë e pasur e terminologjisë, që rrjedh prej greqishtes së vjetër e të latinishtës…

Shtatë prill 1858 dhe viti 2000…

Për qytetarët shkodranë dita e 7 prillit e vitit 1858, është një nga ditët, që ka mbetur e gdhendur thellë e ngulitur në kujtesën e Historisë së Lavdishme të Shkodrës Martire dhe për shumë besimtarë të rrethinave e krahinave të ndryshme të vendit tonë.

Brezat, kujtimet, dorëshkrimet dhe hulumtimet e herë pas hershme, shpesh kanë shprehur me mall mendimin sinjifikativ: “Eh sa ka parë e shikon kjo kisha jonë Kathedrale e shën Shtjefnit!?”.

Dhe ky realitet, është i njohur edhe sot mbas 14 dekadave, kur famulitarët pasardhës të katedralës së Shkodrës shtojnë me pasion mundin dhe djersën e tyre me përkushtimi të veçantë për realizimin me sukses të ruatjes së madhështisë dhe krenarisë së kësaj Kathedrale të mirënjohur në botën kristiane në Ballkan.

Rreziqet e mbarsura me ngjarje dramatike deri në ditët tona e kanë mbajtur krenarë e të papërkulur krenarinë e kishës së madhe të Shkodrës…

Po cila është historia e ndërtimit të kishës kathedrale të Shkodrës?

Historia e ndërtimit të kësaj kishe historike të rëndësishme për banorët e devotshëm shkodranë, ka një të veçantë të saj, mbasi kjo dëshirë e ekzistencës së këtij objekti të kultit në fillim me të njëjtin emër kishte qënë ngritur nga banorët e hershëm në brendësitë Kështjellës së njohur legjendare “Rozafa” e cila, më pas u kthye nga okupuesit islam turq me dhunë për dy javë ne xhami…

Vetë fjala aq e njohur në “Kisha e Madhe”, siç e thërrasin ende sot të gjithë, kishte si synim të rëndësishëm që në gjirin e saj të jenë të pranishëm sa më shumë besimtarë të përkushtuar me lutje të përshpirtme.

Këtu mendoj, se duhet shpjeguar edhe shkaku i vonesës së ndërtimit objektit të kultit kristian, mbasi thuhej se piketat e vendosura gjatë ditës prisheshin natën, mbasi popullit i dukej e vogël.

Prandaj mbasi zunë vend këto piketa, atëherë mund të themi se filloi ndërtimi i rregullt i saj. Nga arkitektët ndërtues ishte menduar që kisha të kishte mbi 7500 vende për besimtarët qytetarë etj.

Nga burimet arkivore të Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe nga studimi serioz i përpiluar me kujdes nga studiuesi i shquar shkodran, mësuesi Gjush Sheldija mësohet se Dita e vendosjes së gurit të parë u kthye në një ditë feste, veçanërisht për popullin e Shkodrës.

Kuadri ka qenë i vendosur tek lteri, shkruan studiuesi Lec Zadeja (“Kultura dhe Jeta”, Nr.1, 1993, Shkodër, f.20) i madh dhe që u ripunua me rastin e 100-vjetorit të Kishës së Madhe Kathedrale të shën Shtjefnit nga mjeshtërit e pikturës prof. Simon Rrota, pater Leon Kabashi, dom Injac Dema, dom Ndoc Nogaj, etj.

Ajo kishte këto dimensione 8 metër gjatësi dhe i lartë 3.5 m. Pas një lodhje të mundimshme bashkautorët mundën të realizojnë me sukses objeksionin e tyre kryesor të kultit kristian.
Sikurse mësohet nga burimet e kohës, del se leja për ndërtimin e kishës në fjalë, ishte kërkuar më parë prej Qeverisë turke, që daton kërkesën e bërë në vitin 1834, kur në Stamboll u dërgua një lutje për ndërtimin e nevojshëm të kishës për besimtarët e krishterë.

Gjithashtu, duke parë indiferentizmin dhe vonesën e qëllimshme të Qeverisë Islame të Turqisë, mësohet se kërkesat me shkrim u përsëritën edhe në vitet 1842 për të arritë në vitin 1849, kur më në fund u dha leja për fillimin e ndërtimit të saj.

Më të vjetrit e qytetit të lashtë të Shkodrës, kanë ruajtur në shenimet e tyre kujtime për këtë evenimet të qytetit.

Kështu, si u vendos kryqi (ku sot është ndërtuar Lteri nga dom Ndoc Nogaj mjeshtër duarartë shkodranë)dhe u ngulën piketat, Avdi Pasha, Valiu i Shkodrës, lexoi formanin (dekretin) e Sulltanit.

Më pas e bekua me një ceremoni fetare guri i parë dhe u hodhën themelet, që ngritën më pas objektin madhështor, më të rëndësishëm kristian.

Gurin e bekoi imzot Topich. Në ceremoninë fetare të rastit morën pjesë famullitari i qytetit, me ndihmësat e tij: të ftuar ishin dhe hafiz Daut Efendi Boriqi, Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri, me përfaqësitë e konsullatave që kishte në qytetin e Shkodrës asokohe, ipeshkëvi të dioqezëve të ndryshme, klerikë, seminaritë, autoritete të tjera të vendit dhe shumë besimtarë e qytetarë jo të krishterë të pranishëm.

Si detaj i rëndësishëm është se arkëtari i financës së qarkut shprazi në themel 700 lira turke florini, të cilat ishin të vendosura në një pjesë të mbuluar me shami mëndafshi, dhuratë kjo e Sulltanit asokohe të Turqisë.

Nëpërmes ipeshkvit të vendit, papa Piu i IX, dërgoi për ndihmë me rastin e fillimit të punimeve për kishën e Shkodrës mbi 1000 skuda.

Ambasadori rus dhuroi xhamadanin e tij të artë

Duke njohur shumë mire historinë e mbijetesës martire të popullit shqiptar dhe rezistencën e tij antiosmane dhe për të ruajtur fenë e të parëve të krishterë, Ambasadori rus, duke shprehur dëshirën për praninë e tij, shprehu gatitshmërinë për ta marrë në mbrojtje nga ana e tij kishën kathedrale, si dhe në shenjë bujarie hodhi në themel xhamadanin e stolisur me ar.
Sipas zakonit të stërlashtë, në themel u bë prerja e dashit, ndërsa për punëtorë dhe gostinë e tyre u prenë 30 pendë qe.

Dhe menjëherë puna filloi me vrull dhe dashuri të veçantë. Falë bujarisë si gjest fisnik, nuk u kursye asgjë nga populli zemërgjërë i qytetit ashtu dhe nga rrethinat e tij.

Kështu, sipas mundësisë dhe zemrës bujare, kush me të holla apo stolina të ndryshme (kryesisht gratë), materiale ndërtimi falas, si gurë gëlqere, zhavor, etj., që nga Taraboshi e deri tek Zalli i Kirit, bënë që jovetëm punimet të mos ndërpriten, por ato të vijojnë më me intensitet.

Për ndekjen e punimeve ishte caktuar një komision miks të kryesuar nga specialistë të kohës dhe përfaqësues të banorëve të Shkodrës. Inxhinieri që i realizoi punimet ishte austriaku, po ashtu nga Austria erdhën të gjithë elementët e konstrukcionit metalik i kapriateve të tavanit.

Tregohet, gjatë punimeve se dy herë rresht ishte shembur trajta e formës së gungës. Edhe për ndërtimin e tavanit prej dërrase, sikurse shihet edhe sot është dora e mendja e mjeshtrit të njohur shqiptar shkodranit të njohur Kolë Idromeno.

Mirëpo fatkeqësitë natyrore, siç ishte termeti i 1 qershorit të vitit 1905, shkaktoi shumë dëmtime serioze.

Po të hysh brenda dhe të shikosh me kujdes do të përshkosh këto dimensione hapsinore të Kishës së Madhe që janë gjatësia 75.5 metra, gjërësia 40 m. dhe lartësia deri në tavan 23.3 metra.

Për të rujuar normalisht punimet janë derdhur shumë të ndryshme të hollash. Kështu kur këto të ardhura financiare po mbaronin, një komision i ngritur dhe i përbërë nga qytetarë të njohur të qytetit të Shkodrës (gjithsej 35 vetë) mundi të mbledhë prej popullit shumën prej 1750 napolona floriri.

Për më tepër përmes një kërkese, iu kërkue ndihmë edhe oborrit perandorrak austro – hungarez Franc Jozefit, për mbështetjen e punimeve të ndërtimit të obektit dhe si moment i përshtatshëm asokohe u gjet ceremonia e ditës së martesës së tij.

Dhe bujaria e gjestit të tij fisnik nuk mungoi, duke dhuruar në këtë ditë të rëndësishme të jetës së tij shumën prej 150 napolona floriri…

Kurse gjatë vitit 1998 atdhetari dhe bamirësi i njohur shqiptaro – amerikan Z. Kolë Preka Cacaj dhuroi për ndërtimin e kampanjilit të njohur të kishës kathedrale të shën Shtjefnit me lartësi 48 metra shumën me vlerë 110.000 dollarë amerikanë, duke qënë kësisoj kontributi më i madh i dhënë nga një individ me mallin e zhuritur për atdheun…

Shuma totale, që ka dhuruar ky bujar nga Triepshi i Malësisë është 160 mijë dollarë amerikanë, pa përfshirë këtu drekën në një restorant luksoz “Argenti”, në hyrje të Shkodrës më ditën e fillimit të punimeve të Simpoziumit Ndërkombëtar “Krishtërimi ndër shqiptarë” që u mbajt në Tiranë më 1999.

Duke u kthyer edhe një herë në momentet historike të kohës kur ndërtohej objekti i kultit kristijan për besimtarët katolik, është me rëndësi të evidentohet se punimet deri në përfundimin e saj zgjatën 9 vjet deri më 15 prill 1858 por pa kumbanare.

Për realizimin e saj u hap përsëri një fushatë financiare, duke trokitur tek zemra bujare shkodrane, ku edhe kësaj here popullsia i nda në tre kategori: ku secili mund të kontribonte sipas pasurisë që kishin.

Pjesa e sipërme e kishës e cila ishte e mbuluar me plumb, ishte sjellë prej Venedikut dhe paguar prej familjes Parruca dhe vëllezërit Mark e Pjetër Pema, të cilët shpenzuan 750 napolona floriri.

Edhe për ndërtimin e kumbanares punoi inxhinieri i talentuar e i palodhur Arsen Idromeno, që ishte i biri i piktorit te shquar shkodran Kolë Idromeno… Punimet inxhinierike të konstruksionit zgjatën 5 vjet.

Në vitin 1890, u vendosën tri kumbonet e para, kurse më vonë dy të tjerat.
Përurimi dhe riti i bekimit është bërë me ceremoni festive nga imzot Pjetër Gjura, që daton me 19 mars të vitit 1923.

Për herë të pare, tingëllimi kumbues i kumonëve u dëgjua me 19 mars, kurse tingëllimi i fundit i tyre po me datën 19 mars, por tashmë në një epokë të errët siç ishte e mbeti ajo e sistemit ateist antifetar të rregjimit komunisto – otoman të Enver Hoxhës.

Nipi i hoxhës, Dulla i Gjirokatrës: “Të djegim me zjarr kishat…”

Kështu, në analet e errëta të histories, ka mbetur 19 marsi i vitit 1967…
Një muaj pas “fjalimit” të 6 shkurtit 1967, të diktatorit ateisto – komunist – otoman Enver Hoxha, u shpreh hapur dhe qartë: “Të djegim me zjarr kishat…”.

Dhe me të vërtetë, vetëm kështu mund të realizohej ai qëllim i diktatorit, që do të quhej “Revolucion kultural”, përmes së cilës do të kryente veprën më të shëmtuaren dhe më të ndyrën ndaj popullit të vet dhe kulturës shqiptare.

Kështu në Shqipërinë e Gjergj Kastriotit, apo të shenjtërve të Krishterimit, që nga Iliria, Kastriotit legjendar si mbrojtës i krishtërimit e popujve europianë, Atdheu i shën Nënë Terezës, do të shpallej me Kushtetutë (1974) si “Shtet pa Fe”…

Gjatë asaj kohe të zymtë në shtetin e madh burg, do të shkatërrohen njeri mbas tjetrit veprat e artit të shekullit XIII, ku mendohet se është kurorëzuar Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti, në Vau të Dejës, kësaj kishe plot vlera iu vu dinamiti dhe së bashku me afreskët e saj u holl në erë, duke e kthyer në pluhur e gërmallë…

Dhe historia do të flasë, sepse është regjistruese e mirë…

Të gjitha kumbonat u punuan me kujdes të veçantë në Itali nga Francesco de Poli dhe kushtuan 28609 napolona floriri për të realizuar punimin dhe shkrirjen.

E para peshonte 608,300 kg., e dyta 436,500 kg., e treta 307 kg., e katërta 245 kg., dhe e pesta 175 kg.

Secila kumbonë kishte nga një emër të veçantë. Pas djegies së kumbanarës, që ndodhi aty rreth vitit 1912, me kujdesin e veçantë të imzot Pjetër Gjurës u bë e mundur që të vendosën përsëri kumbonat e reja (mbasi tre të parat pësuan dëmtim).

Dhe bujaria shkodrane u shpreh me madhështinë e saj karakteristike. Kështu për të parën kumbonë ndihmuan familja Kolë Kakarriqi me 1400 lira, për të dytën familja e Pashko Ashikut dhe Balto Çoba me kontribut prej 500 lira, për të tretën dhuruan Lazer Ristulli e Nush Topalli, për të katërten Dr. Gjon Saraçi dhe e Kel Palit, kurse për të pestën Lin Luka (i vogli) e Rrok Daberdaku, që dhuruan nga 5 napolona flori.

Po kështu – shkruan studiuesi i njohur Lec Zadeja, kanë kontribuar edhe Cina e Ejell Çobës dhuroi 37 napolona flori, ndërsa nga besimtarët të ndryshëm katolikë u grumbulluan mbi 1200 lireta e 750 korona.

Sahatet i dhuruan me fisnikëri familja Kaculini, duke i sjellur nga Austria.

Disa detaje të veçanta

Kështu mund të përmendim edhe faktin se deri në vitin 1922, Kisha ka qënë shtruar me dërrasa, ndërsa më vonë filloi shtrimi me pëllaka.

Bankat e para u sollën në vitin 1923 nga Italia prej z. Simon Kromiqi.
Siç dihet, vepra më e madhe e kultit kristian në qytetin më veriperëndimor të Shqipërisë, përveç Lterit të madh që ka mbetur i pandryshuar edhe (nga viti 1858) në vitin 1953, ka pasur edhe Lterë të tjera, ku, priftërinjtë celebronin meshen shenjte.

Kështu Lteri i Shejtes Trini, ka qënë paguar prej Nush Gjon Kovaçi, ai i Konakut të Shenjtë u dhurua nga Gaspër Markiçi, të shën Marisë Madalenë e dhuroi Ejëll Çoba, të shën Lorencit e fali si dhuratë Gjon Muzhani, të shna Ndout Kolë Çoba, të shën Kollit, Kolë Serreçi, ndërsa Lterin e Zemrës së Krishtit u ndërtua me ndihmat e mbledhura në popull si dhe me stolitë e ndryshme që dhanë gratë shkodrane.

Dy ujëbekoret, me material mermeri i dhuroi familja Pema.
Në të gjithë Lteret, ishin vendosur trupore të Shenjtorëve të ndryshëm, dhuratë këto të qytetarëve të familjeve fisnike bujare shkodrane…

Gjatë Luftës Ballkanike, në kishën kathedrale u strehuan shumë familje shkodrane, e asokohe për shumë kohë nuk u krye asnjë ceremoni fetare.

Ata u zhvilluan në Kappelë e në oborr të zyrës së famullisë. Qendra e Arqipeshkëvisë (Rezidenca Ipeshkvore e Arkidioqezit të Shkodrës, shenimi im K.K.) u vendos me 6 maj 1871 dhe është vepër e arkitektit Pjetër Marubi. Ajo më përpara ka funksionuar në rrugën Sakak-Nemce, pastaj në Shtëpinë e Misionit Shetitës (në afërsi të Gjukatës së rrethit të Shkodrës sot).

Kthimi i kishës kathedrale në pallat sporti…

Është e vështirë të përshkruash ato vite që si kam jetuar, por që më vonë deri më sot i kam mësuar nga të moshuarit e qytetit.

Sikurse flasin edhe burimet historike, kundër Klerit Katolik Shqiptar të shkolluar në universitetet më të famshme të Europës, nisi kalvari i anatemimeve dhe eleminimit fizik, burgje, litar, plumb, për të vetmin “faj”, se ishin të krishterë, që me stoicizëm kundërshtonin rregjimin ateist të komunistëve.

Dhe kështu filloi njëluftë e hapur dhe e ashpër ndaj çdo gjëje që kishte simbolin e Kryqit dhe kulturës Perëndimore…

Pas mbylljes së kishave, për më tepër mësohet se një pjesë e tyre iu nënshtruan dinamitit, tritolit, dhe kthimin në “vatra” kulture dhe “monomente” sporti.

Studiuesi Lec Zadeja shkruan: “Por pa shkue pak muej, gjoja me kërkesën e nji grupi sportistesh të rrethit, filluen punimet për kthimin e kishës në pallat sporti.

Kështu në vitin 1968, krahas rrëzimit të kumbanarës, filluen në stil të gjanë punimet brenda kishës.

E këto vazhduen me ritme të shpejta për të ardhë tek vitit 1969, kur do të bahej përutimi i pallatit të sportit, me sallë të lojnave me dorë, të ngritjes së peshave, të mundjes, tue u shfrytëzue edhe për koncerte, takime të zgjedhësve me deputetë gjatë fushave elektorale, etj.”

Një fat fatal të tillë do të kishin edhe kishat dhe kuvendet e tjera në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë, ku ekzistonin qendrat e kultit kristian.

Ndërsa të gjithë materialet e tjera të kishave u grumbulluan në “Muzeun ateist”, për t’u parë në formë të detyruar nga nxënësit e shkollave dhe populli. Ajo qëndroi e hapur 5 vjet, shëtiti e bredhi në fshatra, malësi, zona industriale.

Të gjitë këto shërbyen për ngritjen e një muzeu lokal ateist (ku, sot është restorant Chicago, shënimi im K.K.), ku ishin të vendosur dokumenta, foto, materiale të ndryshme, të ekspozueme, kryesisht nga Shkodra, dhe u përurue me 9 qershor 1973.

Muzeu përmbante 6 sektorë dhe secili kishte pamje dhe pikësynimet e veçanta.
Në hyrje të tij kushdo të vizitonte këtë, lexonte citatin e gjermanit Karl Marks: “Feja është Opium për Popullin”.

Është me interes të theksohet, se “Muzeu Ateist” qëndroi i hapur, për aq kohë sa qëndruan të mbyllura kishat në Shqipëri.

Në te u zhvilluan me dhjetra sesione “shkencore”, ku shumë servillë dhe “ndihmës besnik të PPSH, (punonin me histerizëm), për edukimin komunist të punonjësve dhe nxënësve të cikleve të ndryshme të shkollave…”, derdhen me afsh të zjarrtë dhumin e madh të urrejtjes ndaj Krishtërimit dhe prelatëve martirë të saj, të cilët njëri pas tjetrit nisin burgosen me dhe pa gjyq, të varen, pushkatohen dhe kalben në burgjet e hatashme komuniste dhe antiklerikale në Shqipëri.

Asokohe barra më e rëndë e Gjenocidit Komunist 1944-1990, ra në veçanti mbi ajkën e ndritur të Klerit Katolik Shqiptar, që ishte më i konsoliduari në kulturë organizim hierarkik kishtar dhe më atdhetari në vepra konkrete qysh me agimin e Krishterimit në Shqipëri.
U shkruan libra, artikuj të ndryshëm perves, në gazetat antishqiptare si Ze(h)ri i Popullit, Bashkimi, Puna, revista Hosteni, Shqipëria e Re, etj., libra si: “Veprimtaria reaksionare e Klerit Katolik Shqiptar” 1944-1967, shkruar nga Ragip Beqaj në tre vëllimdhe shoqëruar me “vlerësime” fyese, përmes një parathënie që mban nënshkrimin e prof.dr. Jup Kastratit dhe të shumë komunistë dhe antikatolikë të tjerë të tërbuar manjak, ku, arritën që të mbrojnë “Doktoratura” dhe nivelin e lartë të “shkencës” titullin bastardh për ta “Profesor”, kundër vëllezërve të gjakut të tyre.

Për shumë dekada vazhdoi propaganda antikatolike, ku, u mbushën me qindra e mijëra fletë rrufe, u shkruan artikuj, libra dhe broshura pervese, të cilat sot janë si njolla me e zezë e turpit të paskrupullt të tyre.

Dhe nuk janë pak, por një mal i tërë me gënjeshtra dhe mashtrime mediatike, që për brezat që do të vijnë do të ketë shumë mund e punë për t’i dlirë dhe për të nxjerrë në pah dufin patetik të urrejtjes, që kishin e kanë edhe sot shumë syresh, që pa të drejtë morale mbajnë dhe mburren me titujt bastardh të tyre.

Mbas dimnit vjen pranvera Dielli mbas shiut agon

7 mars 1991. Mbi ndërtesën e pallatit të sportit rreth orës 10 paradreke, disa qytetarë shkodranë vendosën me dashuni kryqin.

Klerikët e qytetit të Shkodrës, kanë marrë në dorë çelësat e Kishës së Madhe, që pas 50 vjetëve tashmë shkëmoi gjumin e gjatë letargjik, ku e pllakosi ateizmi këtë tempull lutjesh të shenjtë për besimtarët katolikë.

Po në këtë ditë festive të rihapjes së kishës kathedrale, përmes një ceremonie të thjeshtë, kleriku i nderuar pader Aleks Baqli, në prani të një numëri të madh besimtarësh shkodranë dhe nga rrethinat bëri bekimin e kishës, të dhunuar egërsisht nga sistemi komunist, duke e kthyer se forcë në sallë sportive shumësportësh.

Dhe gëzime të tjera do të shoqërojnë kishës kathedrale, siç ishte dita e paharruar e 25 prillit të vitit 1993, kur Ati i Shenjtë polaku papa Gjon Pali II (sot Shën Papa Pali II – Carol Woytila), në prani të shumë përsonaliteteve shqiptare dhe nga bota shuguroi katër ipeshkëvinjë të rinjë shqiptarë: Imzot Frano Illinë (1918-1997), imzot Zef Simonin (1928-2009), Imzot Robert Ashtën (1918-1998) imzot Rrok Mirditën (1939-2015).

Ish i burgosuri politik në Shqipëri, për shumë kohë, Shkëlqësia e Tij imzot Zef Simoni, drejtuesi i revistës popullore shkodrane: “Kumbona e së Diellës” (themeluar nga Eminenca e Tij Kardinal Mikel Koliqi, 1942), ku, unë kam qenë redaktor i saj, në librin e tij autobiografik: “Ngjarje në Tokë” (1998), e përshkruan kështu këtë epizodë të rëndësishme të kishës martire katolike shqiptare, që po i buzëqeshte ringjallja pas serisë së madhe të kalvareve të përgjakshme: “Me këtë rast ishte lajmërue kleri, 31 persona, me asistue në meshën që do të celebrohej, në Kishën Kathedrale prej këtyne dy meshtarëve. Në homelinë Mons. Celli, tha fjalë shumë të bukura tue e lidhë ditën e parë të pranverës me pranverën e re të Ringjalljes së fesë.

Para e mbas bani një mbledhje me tanë klerin në një dhomë në Pallatin e Arqipeshkëvisë, që ende nuk kishte nisë rindërtimin e tij.” (Zef Simoni Ipeshkëv, “Ngjarje në Tokë:, Shkodër, 1998, f. 246).

Së fundi, Kurja Arqipeshkvnore Metropolitane e Shkodrës në përgjigjen e kërkesës së dy klerikëve të meshtarëve dom Ndoc Nogaj dhe dom Nikollë Mazreku njofton se miraton ndërtimin edhe një herë të Lterit të ri në kishën Kathedrale, kushtuar “Zojës së Shkodrës” (Nana e Këshillit t’Mirë), sipas idesë së arkitektit të ndjerit mjeshtër Kolë Idromeno.

Dhe punimet filluan dhe pas disa viteve përfunduan me sukses, duke dhuruar për Kishën Kathedrale këtë dhuratë të Nanes Hyjnore dhe të popullit të Shkodrës që gëzon sot të gjithë. E historia e Kishës Kathedrale është e hapur dhe do të pasurohet me ngjarjet që do ta pasojnë qytetin dëshmitare e së cilës do të jetë edhe ajo…

Një mesazh nga profesori shqiptaro amerikan Prifti

I ndruari zoti Klajd Kapinova! Ky është një shkrim/studim, që vë në dukje të vërteta të krishterimit, që duhet t’i dijë çdo shqiptar. Studimi deshmon për një punë kërkimore serioze, por që ia vleu mundimit, sepse dha fruta. Studimi shquan dhe për një sërë shprehjesh të goditura, si nga ana gjuhësore, ashtu dhe për të vërtetat shkencore, që pasqyrojnë.

Me pak fjalë, është një studim, që ka zgjeruar njohuritë e mia për historinë e krishterimit në botën shqiptare. Mendoj, se ai meriton përhapje të gjerë, në forumet e publicitetit të diasporës sonë, që të përfitojnë edhe të tjerë, ashtu siç përfitova unë.

Prof. Peter Prifti
San Diego, California

1 KOMENT

  1. Ne te gjitha keto perpjekje per Katedrale, ti pisi komunist e titullon artikullin me nje detaj irelevant per qenefin dhe armikun ne te madh te kombit SHQIPTAR, Rusinē!!! Tphuuii

    Shënim: A po e sheh Dardan, se Enveri nuk e ka pasë të lehtë me këta fetarët?! Se i ka rrejtë tjetri me një xhamadan… /AÇ

Komentet janë mbyllur.