Në koncertin e paraparë të mbahet më 5 maj në «BBC Arena» në Schaffhausen në kufi me Gjermaninë, përveç dy reperëve gjermano-marokenë janë ftuar edhe Sabri Fejzullahu, Leonora Jakupi, Meda dhe këngëtarë e mikrofon-mbjatës të tjerë.
Përmes një deklarate publike Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë thekson se është e papranueshme që një i ashtuquajtur «Festival shqiptar» të ftojë reperët Kollegah dhe Farid Bang, të njohur me tekstet e tyre me përmbajtje antisemite. Koncerti do të organizohet nga një person me emrin Beslim Memishi, i cili është pronar i një autoshkolle në Schaffhausen.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë ka njoftuar se është informuar mbi një të ashtuquajtur «Festival shqiptar» që është parashikuar të mbahet në Schaffhausen në muajin maj të këtij viti në të cilin janë ftuar të marrin pjesë dy reperë të quajtur Farid Bang dhe Kollegah.
Sipas Ambasadës së Shqipërisë në Zicër, ky aktivitet nën emrin «Festivali shqiptar» është i papranueshëm për arsyen se të dy të ftuarit, përmes muzikës së tyre përhapin tekste antisemite duke përçuar një mesazh të dënueshëm. Pjesëmarrja e tyre si të ftuar në aktivitetin e quajtur «Festival shqiptar» cenon rëndë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve e për pasojë është kategorikisht i papranueshëm. «Kjo është e papranueshme si për Republikën e Shqipërisë ashtu dhe të gjithë popullin shqiptar i cili botërisht dihet se ka qenë dhe është një ndër popujt e rrallë që ka mbrojtur e strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore».
Ambasada e quan po ashtu të papranueshëm faktin që festivali të quhet «shqiptar» pasi aty nuk përfaqësohet as Shqipëria, as Kosova dhe as shqiptarët e diasporës.
Shpallja e njoftimit të organizimit të këtij «Festivali», ka shkaktuar reagimin e mediave, artistëve dhe opinionit publik zviceran. Ambasada shqiptare dhe komuniteti shqiptar në Zvicër i bashkohen këtij reagimi dhe distancohen dhe e dënojnë fuqishëm këtë aktivitet duke e konsideruar si një përpjekje të dështuar për të njollosur reputacionin e shqiptarëve.
«Organizatorët nuk kanë asgjë të përbashkët me komunitetin shqiptar i cili është krenar për kontributin që ka dhënë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në mbrojtje të jetës së hebrenjve.
Ambasada e Shqipërisë në Bernë i bën thirrje komunitetit shqiptar që të dënojnë dhe bojkotojnë këtë pseudo-aktivitet. Organizatorët e tij do të duhej të ndërgjegjësohen për dëmin që me veprimin e tyre i shkaktojnë vetes dhe imazhit të shqiptarëve», theksohet në deklaratë.
Në koncertin e paraparë të mbahet më 5 maj në «BBC Arena» në Schaffhausen në kufi me Gjermaninë përveç dy reperëve gjermano-marokenë janë ftuar edhe Sabri Fejzullahu, Leonora Jakupi, Meda dhe këngëtarë e mikrofonmbjatës të tjerë. Kundër koncertit kanë protestuar disa politikanë zviceranë, të cilët janë të shqetësuar që në Zvicër synohet të mbahet një koncert që përqesh viktimat e kampit të shfarosjes në Auschwitz, ku nazistët vranë mbi 1,1 milionë njerëz, shumica hebrenj. Koncerti do të organizohet nga një person me emrin Beslim Memishi, i cili është pronar i një autoshkolle në Schaffhausen. (dp)