AMANETI I FUNDIT I MARTIN CAMAJT

0
1847

Flet Dr. Erika Camaj – bashkëshortja e poeti të madh

marrë nga Revista FJALA

Thuhet se gjallërimi i kombeve ka nisë me frymën e poetëve!

Në magjen e Alpeve tona madhështore, 91 vite më parë me frymën dhe shëmbëlltyrën e tyre, lindi dhe u gatua kolosi i letërsisë shqipe Martin Camaj – një shqiptar i vërtetë, kampion i florës sonë alpine, plot shkëlqim, tejet i ujdisur, i gjatë, trupdrejtë, i bukur, sykaltër e me vështrim romantik, i shartuar me sythet më dalluese të një gjeniu artistik. Ai komunikoi me shaminë e kaltër të qiellit tonë arbëror, me tokën, lulet, zogjtë, ujëvarat dhe stinët. U gëzua, u mallëngjye, qau, qeshi dhe u dashurua. Kjo është një interviste filluar (ose me sakte e premtuar) kater vite më parë, me bashkëshorten e Martin Camajt, Zj. Erika Camaj, e cila duke qene se ishte në udhëtim e sipër atë ditë, më la adresën dhe me tha; – Më dërgo pyetjet se do të përgjigjem.

Për disa kohë, për arsye objektive humbëm komunikimin. Në fund të vitit 2013, intervista u zbardh dhe mbërriti në postën time elektronike. Dëshira e përbashkët u realizua duke i kërkuar falje njeri tjetrit. Unë për mos rikujtimit më shpejt të porosisë dhe Erika për vonesën e gjatë për shkak te humbjes se numrit tim te kontaktit. Kjo intervistë, për shkak të tirazhit me madh, është botuar në gazetën “Telegraf “ dhe në adresën e internetit www.prelemilani.com. Tani po e ribotoj në Gazetën qe mban emrin e vendlindjes së poetit tone të madh, ky ribotim është më i plotë, pasi tek “Telegrafi” duhej përmbledhur brenda një formati jo me shumë se një faqe.

Doktoreshë Erika Camaj është një grua e veçantë, gjithë delikatesë dhe elegancë, e zgjuar por dhe praktike, pikërisht si një gjermane e vërtetë, tregon për dashurinë e madhe, që e lidhi në mënyrë të pa zgjidhshme, me poetin tonë kalorsiak, dashuri që nuk iu nda as nuk u t’kurr as pas vdekjes fizike të poetit, dashuri që e bëri gjermankën të ndihet shqiptare e vërtetë.

Pyetje: Zonja Erika, ju komunikoni shumë lirshëm në gjuhën amtare të bashkëshortit tuaj, shqipen e mësuat nga pasioni apo si detyrim për hir të respekti për bashkëshortin tuaj?

Përgjigje: Kam qenë e lumtur dhe me fat, që u dashurova me një njeri me zemër të madhe e mendje të ndritur si Martin Camaj. Dashuria nuk njeh kufi, unë fillimisht dashurova njeriun Martin, pastaj edhe gjuhën amtare të tij, e cila më ka bërë të ndihem tërësisht shqiptare.

Pyetje: Sa e vështirë ishte për ju fillimi i mësimit të gjuhës së panjohur shqipe?

Përgjigje: E vështirë ishte të dashuroje Martin Camaj, një burrë aq hirplotë e zemër madh, një njeri me një botë universale kulturore, që bëri institucionet më prestigjioze të kulturës gjermane të flasin shqip, jo mua – njeriun e tij më të shtrenjtë. Gjithsesi në fillim nuk ka qenë shumë e lehtë. Sapo ishim martuar, kur ra zilja e telefonit, por im shoq nuk ishte në shtëpi. Ngrita receptorin dhe dëgjova fjalët e pa kuptimta për mua atëherë: “Si e keni punën?”- unë u përgjigja çfarë ke pse bërtet?! Pastaj ai vazhdoi; – Thuaj Martinit jam në burg”! Kur erdhi im shoq, unë i shpjegova fjalën “burg” e zbërtheva sistematikisht si një kështjellë kalaje, ku shkonin studentët për vizitë. Në ketë kohë, Martini nxori duart prapa, i kryqëzoi dhe menjëherë e kuptova se cili ishte kuptimi i fjalës burg, ku kishin përfunduar miqtë e tij kosovarë.

Pyetje: Fillimisht, cila fjalë e gjuhës shqipe, që ju ka bërë më përshtypje?

Përgjigje: Ka qenë fjala “pilaf“, që dëgjoja më shpesh. Kjo ndodhte kur në shtëpinë tonë vinte i madhi Ernest Koliqi dhe menjëherë thoshte: “Sot do të hamë pilaf”, bile ai ngrihej dhe e bënte vetë, apo nuk hante vençe një tenxhere të tërë. Koliqi kishte shume oreks, në kontrast të madh me Martinin, i cili nuk ka ngrënë kurrë shumë. Pija që ai e dashuronte, ishte vera. Vera dhe Martini, kurrë nuk e tradhtuan njëri-tjetrin.

Pyetje: Dinit ndonjë gjë për Shqipërinë, përpara lidhjes suaj me Camajn?

Përgjigje: Para se njihesha me Martinin, nuk kisha asnjë njohuri për Shqipërinë. Tre emrat e parë, që më ka mësuar për vendin, im shoq, kanë qenë Shqipëri, Shkoder dhe Dukagjin. Qysh nga viti 1968 kam jetua me Shqipërinë, jam njohur me virtytet e shqiptarëve; besën, burrninë, ritet, zakonet. Për mua fjala shqiptar është nder dhe krenari, burri im kishte rrënjë të thella me tokën, që e lindi dhe këto rrënjë thoshte ai rriten e bëhen lisa, në çdo degë bëhen kokrra, që domethënë, rrënjët ishin themeli, lisi ishte gjuha e pasur shqipe e Martinit dhe kokrrat e çdo degë janë veprat e tij.

Pyetje: Kush është Martin Camaj ,sipas njeriut më të dashur, që jetoj 38 pranë tij?

Përgjigje: Një njeri zemërmadh, me gjak të kulluar shqiptari, me talent me dhunti fenomenale natyrore, që prezantoi me dinjitet kulturën shqiptare, duke i dhënë asaj pasaportën e munguar evropiane, një qytetar i madh i botës, Një Nikë i vërtetë i maleve shqiptare, një rapsod i viseve të Dukagjinit, një këngëtar i gjatë dhe i pashëm, i saktë, lakmues i çdo gjëje të bukur, të cilit kurrë nuk i mungoi fjala e bukur shqipe!

Pyetje: Pa i rënë tërthorazi, si njohe dhe u dashuruat me Martin Camajn?

Përgjigje: Një shoqja ime po jepte provim përpara Camajt dhe një bashkëkolegu të tij profesor. Ajo po qante, pasi nuk ishte e përgatitur dhe nuk arrite të merrte provimin. Në ketë kohë, Camaj i ishte afruar kolegut duke i thënë: – Ia japim ketë provim, pasi unë nuk mund të shoh një femër duke qarë. Ajo e mori provimin e për këtë shtroi një darkë, në të cilën isha e ftuar nga shoqja ime dhe për rastësi më takoj të rrija pranë profesor Martinit.

Pyetje: Po më pastaj?

Përgjigje: Nuk e di as vetë një kryqëzim shikimesh, një drithërimë zemre, një prezantim i shkurtër emocional dhe një bisedë këndshme për Shkodrën, të cilën e donte aq shumë, sa nuk e hiqte dot nga goja as nga zemra.

Pyetje: Vetëm kaq, jo asgjë më tepër?

Përgjigje: Pse pak është të lexosh në sy vegimin e një dashurie të pakufishme?!

Pyetje: Puthjen e parë, e morët apo e dhatë?

Përgjigje: Puthjen e parë e mora nga Martini.

Pyetje: Ua dhuroj, apo ua volli?

Përgjigje: Ma dhuroj me shumë sinqeritet dhe fisnikëri, një njeri si ai, që dehë e të bën për vete, nuk ka nevojë ta rrëmbejë vjedhurazi. Unë e prisja atë puthje që akoma edhe sot, njëzet e ca vjet pas ndarje fizike nga im shoq, më bën të ndihem e lumtur.

Pyetje: Bukuria e shquar e bashkëshortit tuaj ju ka bërë xheloze, se mos mund ta adhurohej nga të tjera femra?

Përgjigje: Martini ishte një starë, të cilit edhe Afërdita do të ishte e lumtur sikur ta kishte përkrah, unë ketë e dija mirë dhe isha e lumtur që e kisha. Madje kisha mësuar nga Martini fjalën e bukur shqipe; – “se qoftë burri, qoftë gruaja, që nuk t’i lakmon kush në krah, nuk duhej gja”! Ndërmjet tri virtyteve që janë besim, shpresë dhe dashuri – dashuria është më e lartë, sepse kupton dhe falë gjithçka, domethënë toleron dhe nuk mbaron kurrë. Atëherë mund të thuhet se dashuria pa tolerancë është e pakuptueshme.

Marti Camaj ishte një kala që nuk merrej lehtë, ai kishte një karakter dhe univers shpirtëror shumë më të bukur se fytyra e tij engjëllore.

Pyetje: Na trego ndonjë moment krejt të veçantë nga jeta juaj intime?

Përgjigje: Kemi aq shumë sa është vështirë të bësh diferencë, gjithsesi ndoshta nga më të veçantit është rasti i i udhëtimit me avion mbi Atlantik, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Martinit. Avioni pasi vonoi dhe bëri një ulje të detyruar në ishullin e Nju–Fuland. Aty festuam gjysmën e ditëlindjes, gjysmën tjetër e festuam në avion, se morëm një avion tjetër për të vazhduar udhëtimin.

Pyetje: Cilët kanë qenë miqtë më të ngushtë shqiptar të Camajt gjatë azilit të gjatë në perëndim?

Përgjigje: Martini pati miqësi të pathyshme me Koliqin, Nolin, At Danjel Gjeçajn, Arshi Pipën, Antoni Athanas, Lin Delinë, Prof At’Luigj Marlekajn, Dom Prekë Ndrevashajn etj. Kishte miq kudo në mërgate nga të gjitha trojet shqiptare, Kosovën e donte me dhimbje të madhe. Ëndërronte ta shihte të lirë dhe shpresonte në kthjellimin e kohës nga vranësirat e dendura të konjukturave diskriminuese ndërkombëtare.

Pyetje: Çfarë ndjeje kur lexoje poezitë Camajt?

Përgjigje: Ndjeja kënaqësi të jashtëzakonshme. Unë i lexoja pozitë përpara se ai t’i botonte. Edhe pse ishim në profesione të ndryshme, kishim mjaft pika të përbashkëta, që na bashkonin. Unë në çdo fund-javë kthehesha në një sekretare të tij. Sistemonim punën e bërë gjatë javës, jepnim mendime e bënim gati materialin për botim.

Pyetje: Sa e ndjente Camaj mungesën e lexuesit shqiptar?

Përgjigje: Ai ishte i vetëdijshëm se i mungonte hapësira e pritur e lexuesit shqiptar, por gjithnjë ishte i bindur se një ditë do ta kishte. Camaj nuk ishte nga ata njerëz, që mërzitej dhe brengosjen e shfrynte mbi të tjerët. Ai ishte i përmbajtshëm, me një jetë të brendëshme shumë aktive. Në momentin që përfundonte një libër, e shikoja se kalonte një gjendje të tensionuar, pasi vriste mendjen nëse kishte bërë libër apo jo?!

Pyetje: A është vërtetë se ju keni banuar në një shtëpi karakteristike tradicionale shqiptaret, ngritur enkas nga Camaj?

Përgjigje: Kemi banuar dhe banoj përsëri, shtëpia jonë gjendet në Lengriesi rreth 50 km larg Mynyhut, gati në kufi me Austrinë. Këtë shtëpi im shoq e ngriti, për të pasur përpara syve imazhin e vendlindjes së tij, Dukagjinit. Shtëpia ka një odë të madhe pritje, me oxhak, në ballin e së cilës qëndron e varur lahuta kreshnike, dyshemeja e shtruar me lëkura dashi gjithçka është mobiluar nga një mjeshtër arbëresh, me orendi sipas traditës etnografike shqiptare. Kjo shtëpi është një muze i gjallë i etnografik, ku Camaj çlodhej, përtërihej dhe shuante mallin për vendlindjen e tij.

Erika Camaj dhe shkrimtari shkodran Gjergj Jozef Kola,
pranë varrit të Martin Camaj, me gur nga Telumi në krye të varrit

Pyetje: A pati Camaj ndonjë amanet të fundit, nëse pati cili qe ai?

Përgjigje: Kur kuptoi se sëmundja po e rrëzonte përfundimisht, im shoq më la dy amanete:
1. Ditën e varrimit t’i vinim mbi kokë qeleshen e Dukagjinit, ndërsa amaneti i dytë
2. tek koka e varrit, ku të prehej përjetësisht, t’i vini një gurë varri nga fshati i lindjes Telumë.

E parandjeu dhe sfidoi me dinjitet rrugën e pa kthim drejt jetës së pasosur. Vdiq i mbarsur me shkrime e pasuri letrare e studimore, të cilat i mori me vete dhe nuk pati fat që t’i lindte, t’i pagëzonte, as t’i rriste si trashëgimtarët e tjerë të pavdekshëm, që la pas. Mesha e përmortshme e dritës u mbajt nga miku i tij personal nga Dukagjini, i ardhur nga SHBA Dom Prekë Ndrevashaj. Mbi varrin e tij, studentet shqiptarë në shiritin e kurorës shkruan: “Ti je i yni, ne jemi tutë”, ndërsa pas 4 muajsh, studentet shkuan në fshatin e vendlindjes së Camajt, morën një gur të kuqrremtë atje dhe e çuan në Mynih dhe e vendosën tek kryet e varrit të Camajt, sipas amaneti të tij të fundit.

Pyetje: Një kolos kaq i madh, i varrosur në një varr modest, si e shpjegoni ju?

Përgjigje: Madhështore të bën puna, virtyti dhe veprat e dobishme për njerëzimin. Martini nuk ka vuajtur kurrë nga deliri i madhështisë, thjeshtësia që e karakterizonte e bëri atë akoma më të dashur dhe më të shtrenjtë. Ai ishte poet dhe njeri i lirë, në këtë bote plot trazime. I lirë dëshironte të ishte edhe në boten tjetër, ndaj dëshironte të rrinte rroka- rroka me tokën, që i fali jetën, nuk donte të murosej në beton, as në mermerë, adhuronte natyrën, gjelbërimin, lulet. Sipas dëshirës së tij, varri i Camajt është në një lëndinë, mbi dheun e tij ka lule, që lulëzojnë në çdo stinë, te koka ka gurin e marrë nga shkëmbi nënë i Dukagjinit

Pyetje: Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe a vazhdoni të vini përsëri?

Përgjigje: Kam ardhur në vitin 1993, dhe nuk jam ndier aspak e huaj. Farefisi Camaj ma ka lehtësuar qëndrimin këtu. Në Shqipëri kam gjetur bukë, kripë e zemër dhe unë e kam pranuar me kënaqësi dhe zemër. Unë vij në vendin e shqiponjave si nuse (tani plakur) Shqipërie. Jam shkodrane dhe dukagjinase e vërtetë, ashtu siç ishte Camaj ynë i madh.

Intervista nga Prelë Milani