Nga Alma Lama, 29.08.2011
Ndërsa po kaloja në shëtitoren kryesore të Prishtinës, si shumë të tjerëve besoj, më zunë sytë njoftimin që ftonte në një festë për të nderuar Sultan Muratin. I vendosur në vendin më të frekuentuar në këtë qytet, që nuk ka tjetër çfarë t’i ofrojë syrit, përveç një rrëmuje të madhe, njoftimi dukej se askujt nuk i ka bërë përshtypje, meqë ndodhej aty dhe madje ngjarja për të cilën bënte ftesën ka kaluar prej disa ditësh.
E sigurt është se historianëve të Kosovës, që mund të kenë kaluar në këtë pjesë të qytetit nuk ua kanë zënë syt,ë se përndryshe unë nuk mund ta besoj, se nuk do të kishin reaguar. Nuk i kanë parë as lajmet kur ceremonia është zhvilluar dhe pushtuesi Sulltan Murati, u nderua në vendin e tyre të dashur, mu si një hero.
E pra bjerrje më të madhe vlerash se kaq unë nuk di se mund të ketë. Kaosi urbanistik që e ka përfshirë jetën tonë duket se nuk është i vetmi. Kaosi i vlerave në këtë vend është edhe më i madh.
Sulltan Murati pra, ishte dhe la lëkurën e tij në këto troje, diku në komunën e Kastriotit, me qëllimin për ta vënë nën zap Kosovën, Ballkanin dhe madje gjithë Evropën. Dhe ia doli ta mbajë Ballkanin të pushtuar për 500 vjet.
E pra Sulltan Murati u nderua në të njëjtën kohë, që emblema e Lidhjes së Prizrenit është kërkuar të ndryshohet, as më shumë e as më pak, por nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Në vend të komentit do të botoj një reportazh, të cilin e kam realizuar dy vite me parë dhe që shpjegon gjithë domethënien e trajtimit të pushtuesit si një hero.
Te varri i Sulltan Muratit
Reportazh/ Një vizitë në tyrben dhe varrin e sulltanit turk në Obiliq të Kosovës
Hija e një mani të madh ka rënë në oborrin e tyrbes, ku prehet një sulltan. Askush nuk e di me siguri, por besohet se kjo pemë e egër është rreth 700-vjeçare. Gojëdhënat dhe ekspertët e drurëve thonë se, për nga vjetërsia, ky man është i dyti në Kosovë. Trupi i tij është çarë më dysh. Sa më shumë kohë ka rrjedhur, aq më shumë degët kanë shkuar në drejtime të kundërta, pikërisht si historia e këtij vendi nëpër shekuj. Është fshati Mazgit i Obiliqit, toka ku prehet Sulltan Murati, i vrarë në betejën e famshme të Fushë-Kosovës 618 vjet më parë. Tyrbja ose ndërtesa në të cilën është vendosur varri është e rrethuar me varre të personave e që e kanë ruajtur nëpër dekada. Janë gjashtë shekuj, e numri i tyrbedarëve, që në shqip do të ishte varruajtës, është i madh.
Një derë, ku bien në sy këpucët e hequra e të rreshtuara pa rregull është hyrja për të parë nga afër varrin e sulltanit. Njerëz që luten me duar të shtrira e kanë rrethuar. Njëri prej tyre këndon, ndërsa të tjerët e shoqërojnë duke ekzekutuar ritualin mysliman. Mes tyre, edhe fëmijë, të cilët luten me po aq seriozitet sa dhe të rriturit. Shkrepja e aparatit më sikletos disi. Asgjë nuk pipëtin. Duhet të fiksoj këto çaste. Ata çohen dhe dalin në oborr. Ndërsa tyrbja mbushet nga njerëz të tjerë, por kësaj here shqiptarë. I ngjan një xhamie. Një llambadar që zgjatet me një zinxhir nga kupola e pikturuar, bie në qendër të gjatësisë së varrit. Ndërsa, një libër i shenjtë, i një madhësie jo fort të zakonshme, është hapur në dritare duke krijuar një atmosferë edhe më mistike.
Pushtues apo shenjtorë?
Ciceroni zyrtar mungon dhe gjithçka që mund të thuhet nga ndonjë i pranishëm nuk mund të merret si e vërtetë. Sanija, një grua boshnjake me origjinë, e martuar me një shqiptar, por tashmë e ve, është personi i fundit, që kujdeset për mirëmbajtjen e varrit dhe të ndërtesës ku është vendosur. Ajo tregon se vizitorët te varri i komandantit të ushtrisë osmane, që la kockat në këtë tokë, janë të shpeshta. Kryesisht turq, por ka dhe shqiptarë që shuajnë kuriozitetin. Një nga këta është Anife Podgorica, një grua 45-vjeçare. Shtëpia e saj është vetëm disa metra më tej. “Jam lindur e rritur këtu, por shumë rrallë kam ardhur”, thotë ajo. A e shikoni këtë varr si diçka të shenjtë? Ngurron të flasë. “Nuk di në është i shenjtë…‘‘ A nuk ka qenë pushtues? – e ndihmoj. “Po thotë ajo, pushtues që na ka lënë 500 vjet mbrapa”…
Arsyetimi i zakonshëm i shqiptarëve kur flitet për pushtimin osman, që ka qenë dhe më jetëgjati. Por për disa, komandanti i ushtrisë turke është një shenjt. Kështu beson një tjetër grua nga Vushtrria, Mihane Jashari. Ajo vjen shpesh dhe beson se fati do t’i ndihmojë asaj dhe familjes për një jetë më të mirë. Qarkullojnë edhe legjenda, se ky varr bën mrekulli. “Mjafton ta prekësh”, thotë Mihania. Disa bëjnë rrugë të gjatë, vetëm për një prekje. Një plakë, edhe kjo shqiptare, madje ngurron edhe të vërë buzët e saj mbi pëlhurën me fjalë Kur’ani. Ajo shtron një copë të qëndisur, që e ka marrë enkas dhe pastaj mbështet kokën dhe buzët duke mërmëritur lutjen e saj.
Sulltani – rruga për në BE!
Lutje pëshpërit edhe Murat Unganes, një besimtar nga Izmiri, rreth të pesëdhjetave. Është avokat dhe ka ardhur në Kosovë për një vizitë turistike. Natyrisht, varri i Sulltan Muratit është pjesa më e rëndësishme e guidës së tij nëpër Kosovë. Por sa i gjallë është miti për Sulltan Muratin në Turqi? “Është mjaft i njohur”, thotë avokati, i cili mban të njëjtin emër me sulltanin. Për të, beteja e Fushë-Kosovës është lufta më e rëndësishme, që ka bërë Perandoria Osmane. “Unë mendoj se me këtë luftë ne fituam betejën me Evropën”, thotë ai. Nuk e fsheh. Është aspirues për Evropën, si pjesa më e madhe turqve që po përpiqen të imponohen në dyert e BE-së. Por Murati nuk mund t‘i shpëtojë “kurthit” të një kryqi.
Është në qafën time, një kryq i stilizuar, por për mua s’ka peshë fetare. Vetëm një formë e bukur artistike prej argjendi. Pyet në jam myslimane apo katolike. Jo vetëm për ta befasuar, i them se jam ateiste. Murati nis ‘detyrën‘ e tij prej besimtari të shpjegojë krijimin e jetesës. Një gjethe molle dhe një krijese të rastësishme aty si miza është objekti i “laboratorit” shpjegues. Biseda mbaron me një debat të shkurtër mbi lirinë, Evropën dhe fenë. Të tjerë turistë të ardhur nga Turqia i drejtohen një muzeu, që ende nuk ka filluar të funksionojë.
Kush e vrau?
Sulltan Murati, komandanti që më 1389 ishte vënë në krye të një ushtrie të madhe, e kishte ndalur marshimin e tij në fushën e gjerë të Kosovës për të pritur betejën e radhës. Ushtria e udhëhequr nga car Llazari ishte ajo, me të cilën do të ndeshej. Murati, sipas burimeve më të besueshme të historianëve të kohës, llogaritej se kishte një ushtri prej 27-30 mijë vetash, ndërsa Llazari 15-20 mijë. Serbët i kanë marrë të gjitha meritat për vete, por kronikat e hershme osmane të shek. XVI përmendin se shqiptarët ishin gjithashtu pjesëmarrës në ushtrinë e car Llazarit e, po kështu, edhe hungarezët dhe pjesëtarë të etnive të tjera të Ballkanit. Beteja thuhet se ishte shumë e egër. Humbjet ishin të mëdha në të dyja krahët. Të dy komandantët mbetën në fushëbetejë.
Njëri i shenjtëruar pas pak vjetësh, Llazari, ndërsa Muratin duket se e shenjtëroi koha dhe legjendat për vrasjen e tij. Janë kaq të shumta këto legjenda, sa studiuesve, në mungesë të dokumenteve, që lipset ta përshkruanin ngjarjen, ashtu siç ka ndodhur, u është dashur të hamendësojnë mes fjalësh e faktesh. Sepse të vërtetën e fundit duket se e ka marrë në varr përgjithmonë. Por të gjitha historitë dhe legjendat kanë një pikë të përbashkët. Sulltan Murati ka vdekur nga dora e një ushtari të quajtur Millosh Kopiliqi. Sipas studiuesve ai, heroi, ishte hungarez. Kronikat osmane përmendin një ushtar, i cili iu afrua Muratit me dredhi ose në sajë të fatit.
Disa thonë se ushtari ishte i fshehur mes të plagosurve, i mbuluar në gjak, dhe befas u çua në këmbë dhe ia nguli thikën sulltanit. Një tjetër thotë se “personi i pafe” ishte lutur që t‘ja puthte dorën, por në vend të saj i kishte ngulur thikën. Por studiuesit mendojnë se turqit nuk e dinin si kish ndodhur realisht vrasja. Ndërsa kronikanët e krishterë japin një tjetër version të ngjarjes. Një kalorës mes 12 të tjerëve, që çan turmën dhe sulmi i guximshëm e çon te Murati, ku dhe e vret duke e qëlluar me shtizë. Sa për Llazarin, ai u zu rob nga turqit dhe u vra fill pas vrasjes së Muratit. Fitues në këtë betejë ishte ushtria osmane.
“Fitorja e shenjtë”
Varri i Muratit dhe historia e tij ka mbetur në hijen e car Llazarit dhe të betejës e Fushë-Kosovës. Monumenti i saj, as një kilometër larg varrit të Muratit, u ngrit në vitet 60 të shekullit të njëzetë për t‘u bërë kështu edhe busull orientuese e mitit të tyre për Kosovën. Në majë të kësaj kulle ku një ushtar i KFOR-it piqet në diell duke e ruajtur, është gdhendur në një pllakë të metaltë edhe skema e betejës, që lartëson Llazarin. Pasi u vra, Kisha serbe e shpalli martir, por miti i katastrofës kombëtare serbe ishte ende larg. Vetëm në shekullin XIX, serbët filluan të ngjallin mitin dhe një festë që dikur ishte thjeshtë fetare; i kushtohej profetit Amos të Dhiatës së Vjetër, u bë festa e Vidovdanit.
Kurorat e vendosura më 28 qershor të këtij viti nga klerikët më të lartë serbë, janë tharë aty në rrëzë të murit, ku kryqëzohen shpatat, e ku me cirilikë shkruhet versioni serb i betejës. Car Llazari ishte sërish në qendër të vëmendjes, pasi grupe radikale, që krijuan një gardë me emrin e tij, tentuan të hyjnë në Kosovë. Por beteja e famshme, që vazhdon të ushqejë mitin serb për Kosovën, për sa i përket historisë së Perandorisë Osmane, nuk është më e rëndësishmja. Fitorja më e hershme e saj buzë lumit Marica në Bullgari, më 1371, besohet se ishte ajo që i hapi rrugë pushtimit të përgjithshëm osman të Ballkanit.
Ka rrjedhur shumë kohë, historia është transformuar, por varri i Muratit dhe monumenti i betejës, që përkujton car Llazarin shtyjnë ditët, vitet, shekujt në të njëjtën fushë, por me rrëfime të ndryshme, që frymëzojnë po kaq ndryshëm aspiratat për Kosovën.
Kosova Sot, 22 Shtator 2010