Alkooli dhe 17 pasojat e tij: Sa gota mund të ktheni pa rrezikuar shëndetin

0
11443
Freunde stossen bei einem gartenfest mit alkohol an symbolbild

Gazeta Dita, 21 shkurt 2017

Konsumi i alkoolit tej normave të lejuara, po favorizon në mënyrë shqetësuese shtimin e gamës së sëmundjeve kanceroze, hepatike, gastrointestinale, kardiake, neuro-cerebrale, etj. Alkooli dëmton në mënyrë të shpejtë sferën psikomotore dhe njohëse të njeriut.

Dëmtimi i sferës së kontrollit emocional mund të çojë në ushtrim dhune ndaj vetes dhe të tjerëve. Përveç kësaj alkooli shton rrezikun e problemeve në familje, në vendin e punës dhe problemeve sociale, siç janë: “moskryerja e punës, mungesa në punë, papunësia, aksidentet, futja në borxh dhe problemet e strehimit”.

Përballë problematikës në rritje të konsumit të alkoolit, veçanërisht tek të rinjtë, ekspertët e dikasterit të shëndetësisë kanë hartuar Strategjinë për Parandalimin e Dëmeve të Lidhura me Alkoolin (2017-2021), ku parashikohet ndërhyrja institucionale për ndërgjegjësimin dhe edukimin ndaj dëmeve në shëndet kryesisht tek të rinjtë e arsimit parauniversitar, njohjes së niveleve të lejuara të pirjes, ndryshimit të politikave të çmimeve dhe taksave ndaj produkteve të alkoolit, si dhe reformimit të shërbimeve mjekësore për trajtimin e problemeve të lidhura me alkoolin, rishikimit të licencave dhe kushteve për ambientet ku lejohet shitja dhe konsumimi i pijeve, etj.

Sipas autoritete të shëndetit, Kodi i Punës duhet të përfshijë udhëzime kundër abuzimit të alkoolit, apo përdorimit të substancave të tjera gjatë punës dhe në ambientet e punës. Prioritet duhet t’i jepet edhe krijimit të Programeve të Asistencës së Punonjësve, të cilat do të sigurojnë një shërbim konfidencial për të ndihmuar punonjësit me probleme me alkoolin.

“Fillimi i hershëm i alkoolpirjes (para moshës 14 vjeç) gjykohet si një faktor risku për probleme të shumta shëndetësore, si dhe për varësi ndaj alkoolit me kalimin e viteve. Për më tepër, kur të rinjtë pijnë, kanë tendencë të konsumojnë sasi më të mëdha alkooli në një episod pirjeje, një model ky me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe jetën.

Ndërsa me moshimin e tyre, alkoolpirësit e moderuar tentojnë uljen e konsumit të alkoolit, ndërsa ata të rregulltit me moshimin tentojnë drejt rritjes së alkool-pirjes, duke shtuar edhe problemet që mund të kenë me rrëzimin, frakturat, etj”, sqarohet në dokumentin e strategjisë së përgatitur.

Femrat rrezikojnë më tepër

Ekspertët e shëndetit vënë në dukje se parë në aspektin gjinor, edhe pse pasojat shëndetësore nga abuzimi me alkoolin nuk njohin gjini, është provuar se femrat mund të jenë më të prekshme nga dëmet.

Kjo ndjeshmëri e rritur e femrave ndaj alkoolit ndodh për shkak të disa specifikave fiziologjike të tyre, siç janë peshë më të ulët, përqindje më të ulët hidrike të trupit, mëlçi (hepar) në përmasa më të vogla dhe përqindje më të lartë të lipideve totale.

Kanceri i gjirit është një nga shtatë kancerat që mund t’i atribuohet alkoolit dhe është veçanërisht i përhapur në gratë në krahasim me burrat.

Po ashtu alkoolpirja gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun e spektrit të çrregullimeve fetale-alkoolike dhe kushteve të tjera të parandalueshme shëndetësore tek të porsalindurit.

Gratë janë gjithashtu më shumë në rrezik prej dhunës ndërpersonale nga partnerët meshkuj (nxitur shpesh nga abuzimi i alkoolit). Studimet e shumta tregojnë se konsumi i alkoolit mund të ndikojë në zhvillimin e kushteve të caktuara shëndetësore, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Sëmundjet kardiovaskulare

Përdorimi tej normave i alkoolit favorizon sëmundjet kardiovaskulare, duke përfshirë çrregullime të zemrës, të enëve të gjakut dhe qarkullimit të tij, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë.

Megjithatë, disa studime sugjerojnë se përdorimi i moderuar (sasi e lejuar) i alkoolit, ndryshe nga pirja e tepërt, por edhe abstenimi, ul rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës.

Hypertonia

Njerëzit të cilët konsumojnë më shumë se dy njësi alkool në ditë, kanë një rritje deri në dyfishim të zhvillimit të presionit të lartë të gjakut në krahasim me ata që nuk konsumojnë. Megjithatë, efekti i alkoolpirjes me më pak se dy njësi në ditë për presionin e lartë të gjakut, mbetet ende i paqartë.

Ataku kardiak

Pirja e një sasie të moderuar të alkoolit është e lidhur me rrezikun më të ulët të incidencave të atakut kardiak.

Sëmundje të sistemit vaskular periferik

Abuzimi i alkoolit mund të çojë në çrregullime vaskulare periferike, në claudicatio intermitens, etj. Ndërkohë përdorimi i moderuar i alkoolit ul rrezikun për sëmundje të arterieve periferike në individë të shëndetshëm.

Insult cerebral

Konsumi i alkoolit ka treguar të ndikojë në rrezikun e insultit cerebral në mënyra kontradiktore, në varësi të sasisë së alkoolit të konsumuar dhe llojit të insultit (ataku mund të jetë ishemik, ose hemorragjik).

Përdorimi i rëndë i alkoolit rrit rrezikun e dy insulteve, si atij ishemik, ashtu edhe atij hemorragjik.

Përdorimi moderuar i alkoolit është i lidhur me pak goditje ishemike, rreziku duket të jetë më i ulët tek njerëzit të cilët konsumojnë jo më shumë se një njësi në ditë. Në të kundërt, rreziku i atakut hemorragjik duket se rritet edhe me përdorimin minimal të alkoolit.

Kanceret

Përdorimi i alkoolit është i lidhur me disa lloje të kancerit, si ato të orofaringut, laringut, ezofagut, stomakut, mëlçisë, zorrës, gjirit, madje edhe në nivele të ulëta të konsumit.

Njerëzit që pijnë alkool dhe duhan njëkohësisht, kanë një rrezik më të madh se nga secili abuzim më vete.

Ka prova të qëndrueshme se rreziku nga kanceri i gjirit është më i lartë për femrat që konsumojnë nga sasi të moderuara e më shumë alkool (dy ose më shumë njësi në ditë) në krahasim me abstenuesit që nuk pijnë. Pirja e më pak se dy njësive në ditë mund të jetë po ashtu e rrezikshme.

Hepatitet alkoolike

Degjenerimi i qelizave hepatike nga konsumi i rëndë i alkoolit mund avancojë deri në cirrozën hepatike, që është shkaku kryesor i zhvillimeve malinje, të cilat shkojnë drejt kancerit të mëlçisë. Niveli i ulët i alkoolit nuk është provuar si shkaktar i cirrozës.

Megjithatë, edhe në nivele të ulëta konsumi i alkoolit mund të rrisë rrezikun e kancerit hepatocelular në njerëzit me hepatite virale.

Njerëzit me hepatit kronik duhet absolutisht të shmangin alkoolin. Një mëlçie të shëndoshë i duhet të paktën një orë, që të eliminojë një njësi alkool nga trupi.

Nëse pini sasi të madhe alkooli menjëherë, do të sforconi shumë mëlçinë dhe pjesë të tjera të trupit. Është e këshillueshme, që pas episodeve të intoksikacionit të mos pini alkool të paktën për 48 orë. Kështu do t’i jepni mundësi trupit tuaj të rimarrë veten

Kolelitiaza

Përdorimi i moderuar i alkoolit ka treguar që ul rrezikun e formimit të gurëve të tëmthit. Në të kundërt, pirja e rëndë mund të favorizojë kolelitiazën.

Pankreatitet

Alkoolpirja e rëndë rrit rrezikun si për pankreatit akut, ashtu edhe për atë kronik.

Osteoporoza

Pirja e rëndë rrit rrezikun e frakturave, sidomos të baçinit dhe të qafës së femurit, edhe për shkak të osteoporozës, sëmundjes që çon në dëmtimin e kockave, të cilat rrezikojnë më tepër nga rrëzimet dhe thyerjet.

Shtatzënia

Ekziston një rrezik i madh i defekteve të lindjes që lidhen me përdorimin e alkoolit gjatë shtatzënisë.

Pirja e rëndë mund të shkaktojë sindromin alkoolik fetal, i cili pengon rritjen normale, dhe mund të shkaktojë paaftësinë intelektuale (prapambetje mendore), keqformime të kafkës dhe fytyrës, etj.

Gjatë shtatzënisë edhe konsumi i moderuar i alkoolit mund të jetë i dëmshëm, edhe pse kjo është një çështje ende e polemizuar.

Nuk ka asnjë përfitim të njohur të përdorimit të alkoolit gjatë shtatzënisë. Kështu, ekspertët këshillojnë shmangien plotësisht të alkoolit gjatë shtatzënisë.

Ul potencën seksuale

Alkooli rrezikon seriozisht përgjigjet seksuale. Studimet tregojnë se edhe kur merret në doza të vogla ai mund të ulë potencën seksuale te meshkujt, frenon ereksionin dhe pakëson kënaqësinë. Alkooli vepron si frenues i sistemit nervor.

Perceptimi i shëndetit dhe cilësisë së jetës

Përdorimi i tepruar dhe i shpeshtë i alkoolit, ul cilësinë e jetës për individët, familjet e tyre dhe rrethin shoqëror, potencialisht çon në dështim në punë, ose në shkollë, probleme ndërpersonale, situata fizikisht të rrezikshme, etj.

Aksidentet dhe traumat

Përdorimi i alkoolit rrit rrezikun dhe gravitetin e lëndimeve nga aksidentet me mjete motorike. Ekspozimi ndaj alkoolit matet kryesisht me përqendrim e alkoolit në gjak (BAC), se sa me sasinë e konsumuar ditore, ose javore.

Rreziku për të pësuar aksident dyfishohet në një BAC prej vetëm 0.05 për qind, dhe aftësitë drejtuese të mjetit ulen edhe me BAC 0.02 për qind.

Alkooli gjithashtu rrit rrezikun e lëndimeve edhe në situata të tjera. Përveç kësaj, aksidentet në punë, mbytjet, djegiet, etj, janë më të shpeshta tek ata që përdorin alkool, sidomos tek konsumuesit e rëndë.

Dhuna

Alkooli rezulton të jetë shkaktari kryesor i më shumë se një të katërtën e të gjitha dhunimeve, në të paktën e gjysmës së sulmeve të rënda dhe në gjysmën deri në dy të tretat e totalit të vrasjeve.

Vetëvrasjet

Abuzimi i alkoolit është i lidhur me një rritje të rrezikut për suicid.

Edhe pse pirja e moderuar nuk duket se rrit rrezikun e vetëvrasjes, episode të pirjes së tepruar shkaktojnë çrregullime, që mund të rrisë rrezikun për vetëvrasje.

Rreziku nga ndërveprimi me medikamentet

Më shumë se 150 medikamente ndërveprojnë me alkoolin. Këto ndërveprime mund të rezultojnë në rritjen e rrezikut për sëmundje, plagosje, deri edhe në vdekje.

Efektet e alkoolit rriten nga depresivët e sistemit nervor qendror, si: somniferët, antihistaminikët, antidepresivët, ansiolitikët dhe disa analgjezikë.

Veç këtyre, antidiabetikët, hipotensivët dhe medikamentet kardiake në përgjithësi mund të kenë ndërveprime të dëmshme me alkoolin.

Limitet e sigurta të alkoolit

Konkretisht propozohen si më të përshtatshme, limitet vijuese:

Burrat duhet të pijnë jo më shumë se 21 njësi të alkoolit në javë, maksimumi 3 njësi në ditë, dhe të ketë të paktën 1 ditë pa alkool në javë.

Gratë duhet të pijnë jo më shumë se 14 njësi të alkoolit në javë, maksimumi 2 njësi në çdo ditë dhe të kenë të paktën 1 ditë pa alkool në javë.

Gratë shtatzëna apo gratë që planifikojnë shtatzëni nuk duhet të pijnë alkool përgjithësisht. Nëse zgjedhin të pijnë, për të minimizuar rrezikun ndaj fëmijës, ato nuk duhet të pijnë më shumë se 1-2 njësi të alkoolit një herë deri dy herë në javë, dhe për asnjë arsye nuk duhet të dehen.

Shembuj të pijeve alkoolike që përmbajnë një njësi:
Rreth 284 ml birrë 3.5 për qind konsiderohet 1 njësi.
Një gote verë e vogël (125 ml) 9 për qind konsiderohet 1 njësi.
Një masë 25ml raki 40 për qind konsiderohet 1 njësi.