Ali Podrimja dhe fazat e krijimtarisë së tij letrare

0
488
Ali Podrimja - Tokë me nda nuk kam

Zymer Mehani

(Shkrim me rastin e ditëlindjes së poetit)

Ali Podrimja është lindur më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Që në rininë e tij të hershme filloi t’i  botojë poezitë e tij të para, të cilat i publikoi nëpër revistat e kohës. Edhe pse i ri ai u bë i njohur duke qenë pjesëmarrës i rregullt i takimeve të ndryshme poetike. I përket një brezi të tërë intelektualësh e patriotësh që kontribuan në çështjen e arsimit dhe kulturës në Kosovë.

Me Podrimjen fillon ndryshimi rrënjësor në artikulimin poetik, ku ndër të tjera poezia shqipe u njoh edhe në arenën ndërkombëtare. Me shkrime filloi të merret qysh si gjimnazist. Libri i tij i parë “Hija e Tokës” merret si revolta e parë poetike, kundër një shtypjeje çnjerëzore, që u bëhej shqiptarëve të asaj kohe. Edhe sot disa nga poezitë e Podrimjes merren si slogane të shtetformimit dhe shtetndërtimit të popullit të Kosovës.

Poezitë e tij: “Unë biri yt Kosovë” dhe “Rënkimi” edhe sot përdoren nëpër data të shënuara historike, nëpër veprimtari sportive, ku kultura jonë prezantohet edhe jashtë vendit. Poezia e tij njihet si poezi figurative, ku shquhen metafora, simboli, alegoria, përseritjet e ndryshme tingullore, antitezat me format antitetike.

Poezia e Podrimjes njihet gjerësisht për një gjuhë të paparë me herët në letërsinë shqipe. Vepra e tij më e rëndësishme“Lum Lumi” u botua dhe u përkthye në shumë gjuhë të huaja, edhe jashtë kufijve shqiptarë, duke u bërë një sinonim i kulturës sonë. Një nga veprat e tij më të rëndësishme janë edhe: “Thirrje” ,“Shamijat e  përshëndetjeve”(1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj, deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum, Lumi” (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj, deri te dy librat në prozë: “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999).

Pos  poezive, Podrimja shkroi ese e tregime. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me çmimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau”. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosferë agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën.

Tri fazat e krijimtarisë së Podrimjes

Po të përqendrohemi në rrugën dhe ecurinë krijuese për këto dyzet vjet, mund të themi me plot bindje se Ali Podrimja e filloi rrugën e vet poetike nën ndikimin dhe frymëzimin gati magjepsës nga e kaluara e kombit dhe e Kosovës. Në këtë hark kohor poetik, nën fuqinë e brishtë dhe të virgjër të lirikut, poeti ka arritur të unifikojë zërin e unit folës, me atë të unit kolektiv.

Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë, ku nis faza e parë e krijimtarisë së tij letrare. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi).

Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosferë agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku ishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi[1] im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një… [2]

Më pas, sidomos me vëllimin poetik “Torzo”, (Prishtinë, 1971) që me të drejtë vlerësohet si kulmi artistik i Ali Podrimjes, fillon faza e dytë krijuese, ku uni lirik gradualisht tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga patosi i unit kolektiv, personalizohet. Në këtë fazë të rrugës krijuese (rrethi tematik është gjithnjë në valët e lirikës patriotike), uni përthyhet përmes filozofisë dhe botëkuptimit të poetit, tanimë të pjekur dhe të formuar apo gërshetohet me reflekset e përjetimeve intime nga përditshmëria e poetit.

fazën e tretë, ku mund të radhiten dhe ciklet poetike “Mbi lumin”, si lirikë poetike ka prirje për t’u zhveshur nga mbështjellja figurative e artikulimit poetik. Kjo është faza kur poeti, jo domosdoshmërisht dhe jo përherë, botën e vet e shqipton përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (simbolit dhe metaforës).

Në vend të saj kemi një shqiptim të prerë, të drejtpërdrejtë, që kryesisht artikulohet përmes shkallëzimit të ironisë dhe, në raste të rralla arrin në sarkazëm dhe anatemë.


[1] Fjala është për Rrafshin e Dukagjinit.
[2] Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik  ”Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.