ALEPPO, O LOT I GJAKOSUR NË SYTË E NËNAVE TË BOTËS!

0
857

Vjollca Tiku Pasku

Refleksion

Me çfarë të krahasoj ty Aleppo? …Mbi ty ra nëma e një eklipsi tinëzar, që këputi nyjet e jetëve duke krijuar tragjedinë e dhimbjes planetare. Bordellot e mortjes ulërijnë me qejf, duke vjellë zjarr bombash, e duke hapur gropa të zjarrta në kraharorin e tokës. Portrete të gjakosura, të fiksuara në sytë e njerëzimit, pa kokë dhe pa këmbë, me gjymtyrë gjysmë të varrosura u shpërndanë anembanë botës. Manaferrat e gj…akut dredhëzojnë e fshihen nën tokë. Kthetrat e zjarrta, pasi luajtën tragjedinë e tmerrit në skenën e qiellit, u fikën ngadalë mbi trupa njerëzish dhe tani lëshojnë tymin e zi. Marramendjet e ferrit u ngjitën mbi tokë duke djegur edhe retë e qiellit. Frymëmarrja njerëzore pikon helmin e dhembjes. Hijet e zeza të djallit përpijnë me etje dhe shuajnë ëndrrat e fëmijëve në kupat e zeza të varreve. Në frymën e tyre u fikën trëndafilat e jetës.

E pra, buzëqeshja e tyre përhap dhe shpërndan erën e farëzave të luleve, të lulëzojë bota. Sytë e tyre kanë paqen e e fashitur të oqeanit. Sot ata nuk kanë më ngjyrë, janë pa jetë… Toka dhe oqeanet janë rebeluar… Sot era e helmuar luan simfoninë e vajit, dhe përballet me kurvën politike, të veshur me një guaskë të zezë kërmilli. Tingujt e thatë e të hidhur recitohen nga liderët e saj, kur ajo lëshon ofshamat e kënaqësisë. Shpirti im ulërin me protestën kundër krimbave të tokës, qan me belbëzimet e fëmijëve, dhemb me mantelin e gjakosur të shpirtrave. Ah, sa hapësirë dhimbjeje ka zënë ngjyra e kuqe, që vetëm rënkon. Drita e hënës u gurëzua në emrat e engjëjve të tokës. Bari i shkelur e i shkrumbuar prej egërsisë më të pamëshirshme të qenies njerëzore, fshihet në dheun e zymtë të tokës…

Teksa dua të mbyll portat e lagështa të syve të mi, dëgjoj britmën e një fëmije që lebetitet:
– Dua të jetoj me frymën e luleve, jo në ajrin e zi, dua përkëdheljen e nënës çdo mëngjes, jo heshtjen e vdekur të saj, dua të eci në rrugën e sigurt me gjelbërimin e pemëve, jo në gërmadha e gjakut, dua motrat e dhe vëllezërit e mi, t’i përqafoj dhe jo ti thërras me frikë në hirin e zi… Fëmija foli me gjuhën e fëminore dhe dielli ra në trishtim. Dita qau bashkë me qiellin, yjet mblodhën cepat e vunë përsipër shami të zeza. Çfarë duhet të bëj, o zemër e vogël?… Ne u detyrohemi juve, gjithë bota e mbështjellur me heshtjen e dhimbjes, është në borxh me ju! Unë vuaj … gjithë globi vuan në verbëri… O Aleppo, o lot i gjakosur i nënave të botës!…