ALBINI SULMON, POR EDHE E MBRON HASHIMIN

0
400
Vëllai i Hashimit, Erdogani, falen

IDRIZ ZEQIRAJ

Vetëvendosje ka krijuar një kulturë dhe traditë protestimi, demonstrimi. Emërtesa e gjetur e protestës, me moton: “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu“, flet shumë. Masiviteti i këtij protestimi, tejkalonte një orgasnizim partiak. Një president dinak, i pabesë, konspirativ, në shërbim të agjensive të huaja informative, i shitur, narcizoid, i dashuruar në vetëvete dhe rrenacak, deri në rrugaçëri, ka neveritur shqiptarët, madje, të kudondodhur.

Organizimi i udhëtimeve gratis, falas, vendgrumbullimi, defilimi rrugëve të përzgjedhura dhe deri ke Sheshi “Skënderbeu”, ishte një mundësi reale për të prezantuar manifestimin madhështorë, para qytetarëve fizikë të Prishtinës dhe atë viziv para Shqiptarisë mbarë.

Vend-tribuna e ngritur ngjalli dyshime. Një shtrirje në Sheshin “Ibrahim Rugova”, do t`u jipte mundësi shumë dhjetra-mijërave protestuesëve, për të qenë më pranë Tribunës, më pranë shikueshmërisë “live”, të këtij manifestimi numerikë-rekord. Arsyetimi, “për mosafrim të godinave institucionale”, nuk ishte edhe aq bindës. Alergjia ndaj themeluesit të Shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, vazhdon t`i kushtojë, jo pak, Lëvizjes Vetëvendosje. Idolët ideologë të Albin Kurtit, Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti, dikur, qendrestarë të admirueshëm, karshi pushtuesit serbo-sllavë, mjerisht, dështuan në pluralizëm dhe nuk e ndihmojnë dot Vetëvendosjen e sotme.

Folësit e përzgjedhur: deputetja Saranda Bogujevci, bijë e një familje martire; një nënë me dy djemë dhe burrë të humbur përgjatë luftës: një minator luftarak i `81-shit dhe burgaxhi politik; deputeti i Republikës të Kosovës, preshevari Liburn Aliu, një luftarak, me përndjekje të gjithmonshme politike, deklaroi se nisma e Hashimit, më së paku i duhet Kosovës Lindore, Preshevës me komunat simotra.

Fjala e kryetarit Albin Kurti përshkohej nga kundërthënie domëthënëse. Bashkimin me Shqipërinë, e potencoi, madje, deri në tepëri. Dhe, këtu ishte në një linjë me Hashimin, për ndryshimin e kufinjëve. Të kërkosh këtë bashkim, do të thotë të përligjësh ndarjen e Kosovës, sidomos, Veriun e Mitrovicës me komunat e saja.

Një papjekuri politike, me një kërkesë absurde, në kohë e hapësirë, që devalvon edhe vet qëllimin e një proteste, vertet, masovike. Një Kosovë, edhe pa 20 vitësh çlirim, nuk po arrin të konsolidohet brenda kufijve të saj, kërkon revanshin sfidues ndaj Bashksisë Ndërkombëtare, e cila i dhuroi lirinë Kosovës! Kjo është çmenduri për kohën!

Të kërkosh ruajtjen e tërësisë tokësore të Kosovës, duke mos shpalosur flamurin e saj, qoftë edhe provizor, vënë në dyshim edhe seriozitetin e protestimit. Me flamurin aktual është shpallur Pavarësia e Kosovës, me këtë flamur përfaqësohemi, sot, para botës, edhe pse i imponuar. Anashkalimi i këtij flamuri, tani për tani, e lë Kosovën pa simbol dhe identitet shtetëror! E hidhur, por, e vëtetë.

Tirada sulmuese e Albinit, kundër Hashimit, ishte gjithë sentenca faktike. Por, sulmin e zvetnon mbrojtja e papritshme, pikërisht, e Hashimit, kur Albini akuzon Dick Marty-në, për akuzat e bëra kundër Hashim Thaçit dhe të “komandantëve” kriminelë të tij. Faturimi i kësaj akuze UÇK-së, siç u pëlqen “komandantëve”, është kamuflazhë e qëllimshme, për t`u fshehur prapa luftës së pa bërë.

Nëse në akuzën e Dick Marty-së potencohet edhe transplantimi i organeve dhe kjo e thënë konsiderohet si e pa bazë reale. Por, gama e akuzave të tjera, qoftë të Marty-së apo të Prokurorës Carla del Ponte, janë lëndore, rrast të dokumentuara, siç janë krimet vrastare të “komandantëve të UÇK-së”, me orientim ideologjinë staliniste, sllavo-ruse, kundër kundërshtarëve politikë shqiptarë, kryesisht, veprimtarëve të LDK-së dhe të FARK-istëve të Ibrahim Rugovës.

Albin Kurti, edhe pse e di mirëfilli, se “komandantët”, që fshihen rrejshëm prapa UÇK-së, nuk guxon dhe nuk ka kush t`i dënojë në Kosovë, ai me partinë e tij ka votuar kundër Gjykatës Speciale, si e vetmja shpresë e popullit të Kosovës, për t`u çliruar nga “komandantët”, me bandat e tyre aktive vrastare! Këtu Albini rezulton të jetë kundër popullit dhe mbrojtës i Hashimit me bandat e tij! Mjerisht!