ALBINI ME AKTIVISTË KURBANË TË DEMARKACIONIT DHE “ZAJEDNICËS”

1
267
Albin Kurti

IDRIZ ZEQIRAJ

Pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm, qoftë edhe në mungesë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Skënder Hyseni, realizuan Demarkacionin dhe nënshkruan Asociacionin, përkatësisht, “Zajednicën”, për ta bërë Serbinë hisedare në Kosovë! Ishte, pikërisht, LVV, e prirë nga Albin Kurti, që u kundërvu, madje, dhunshëm, me kundërshtinë e tyre, në mbrojtje të Republikës të Kosovës. LVV çështjen e “Zajednicës” e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, duke e stopuar bërjen fakt të kryer.

Shtrohet pyetja: Kush duhet dënuar? Ata që realizuan Demarkacionin dhe nënshkruan edhe Asociacionin, apo Albinin, ngulmues për shpëtimin e tyre?! Ishte drejtësia e kapur nga PDK-ja e Hashimit, që i dënoi paligjshëm aktivistët e LVV. Është Gjykata Kushtetuese, e cila, me urdhër të Hashim presidentit, zvarriti për gjashtë muaj radhazi shqyrtimin e ankesës të LVV, për paligjshmërinë e deputetit Etem Arifi. Në pamundësi për të dhënë një vendim ndryshe, që do t`ia mundësonte Isa Mustafës zgjedhjen banditeske të një presidenti të dytë, për të vazhduar qeverisjen kontrabandë, deri në vitin 2023! Kapësit e drejtësisë, këtë herë, përmes Gjykatës Kushtetuese, duan goditjen e sërishme të Albin Kurtit, duke pamundësuar kadidimin domëthënës të tij.

Analistë dhe banalistë të bollshëm, me porosi, vazhdojnë sulmet denigruese kundër Albinit me shokë. Të pakët janë ata që gjykojnë drejt e paanshëm. “Harrohet” qëllimi atdhetar e fisnik i aktivistëve të LVV, në mbrojtje të Republikës. Ndërkohë, vendosmëria e atyre që e kishin “mizën pas veshit”, të shantazhuar nga Serbia, ishin gadi t`ia bënin gjëmën Kosovës, për ta “shpëtuar lëkurën” e tyre!

Qëllimi i LVV ishte madhor. Ndërsa provokimi i shqiptarëve, nga pushtetarët, ishte i vrazhdët dhe, skajshëm, cinik: “I kemi numrat, për ta kaluar Demarkacionin”, duke i lënë shqiptarët pa gjumë, me frikë dhe ankth të vazhdueshëm, për humbjen e territoreve të tyre stërgjyshore. Prandaj edhe mjetet sfiduese ishin adekuate, në proporcion me provokimet.

Ata që Demarkacionin e quajnë “kauzë të rreme”, si dhe ata që kërkonin ta këmbënin tokën e Kosovës me liberalizimin e vizave, edhe sikur t`ua zinte frymën gazi lotësjellës, i hedhur nga aktivistët e LVV, nuk do të ishte kurrëfarë humbje, në krahasim më mijëra hektarë tokë të Kosovës, të falur Malit të Zi, si dhe bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, me realizimin e “Zajednicës”.

“Thikat mbi hartën e Kosovës”, rezultuan të sakta, që nga deklarimet dhe veprimet të Thaçit, Vuçiqit, Ramës, Batonit, e deri ke ato të Bolton e Borell me kompani! Pra, nuk ishin imagjinare, por, faktike. Albini kishte të drejtë, kur paralajmëroi rrezikun dhe bojkotoi bisedimet konspirative.

“Korrigjimet”, “shkëmbimet”, “duhet dhënë diçka Serbisë, për ta pranuar Kosovën-shtet”, janë joshje direkte të Serbisë, për të zhvatur territore tjera të Kosovës. Ata që ofrojnë zgjidhje të tilla, janë për t`u dyshuar dhe hetuar, deri në ndëshkim. Albini me aktivistët e tij, kanë qenë dhe janë kundër pazarllëqeve të tilla të rrezikshme, në dëm të Kosovës.

Ndërkohë, Albini me shokë duhet të pyetet, nëse janë të vetëdijshëm, për dëmin që i bëjnë, sot, Kosovës, me deklaratat paushalle, për bashkimin me Shqipërinë, kur Kosova ende nuk është konsoliduar si shtet, në kufinjtë ekzistues?! Kjo favorizon Serbinë në kërkesat megallomane ndaj Kosovës dhe me këtë shantazhon ndërkombëtarët. Dy shtetet shqiptare nuk po merren vesh për vezë, patate, çimento, trarin, e lëre më të bashkohen! Broçkulla!

Sidoqoftë, reformimi personal e gruporë, është i shëndetshëm edhe për Vetëvendosjen. Populli, tetorin e vjem, refuzoi PAN-in – en bloc – dhe mirë bëri. Organizimi kriminal Hashimi-Isa, me horrakët tjerë, për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ka irrituar popullin. Nëse populli merr siguri, që nuk ofron në bashkëqeverisje me partitë-banda të PAN-it, besimi tek qytetarët do të rritej për Vetëvendosjen.

Koalicioni me dikë është domosdo, edhe pse besimi i VV, për fitore të bollshme, është i madh. Megjithatë, e vetmja zgjidhje reale do të ishte LDK-ja, si subjekt i painkriminuar. Sepse çkapja e shtetit, nuk mund të bëhet me ata që e kanë kapur shtetin. Tashmë, dihet, se LDK-ja, strukturat e saj, madje, edhe shumica absolute e Kryesisë, janë të shpërfillura nga Lidërshipi – klani Mustafa. Kjo është një e fshehtë publike. Rrjedhimisht, elektorati i LDK-së preferon koalicionin me LVV. Edhe Kurti ka qenë selektiv në kritika. Ka kursyer LDK-në, strukturat e saj, por, akuzon Lidërshipin e saj, për konspiracionet e pista me PAN-in.

Kjo dëshmohet edhe me deklarimet e ish-ministrave të LDK-së, në ish Qeverinë Kurti, të cilët flasin në supërlativë për bashkëpunimin korrekt me kryeministrin Albin Kurti. Dy rastet e shkëputura, janë ndërhyrje direkte e jashtme. Dhe, këtë e thotë edhe “Deutsche Welle”, zyrtare gjermane: “Njeriu që organizoi rrëzimin e Qeverisë Kurti, tani, është i akuzuari i Hagës“.

1 KOMENT

  1. Nuk eshte Albini as asnjeri politikan kurban apo shqip i FLIJUAR, sepse PARLAMENTI I KOSOVES ka vendos gjithmone ashtu qysh ka pase te drejte te VENDOS.

    Ndersa VV ka perdorur dhune dhe teror ne Parlament… e cila dhune denohet sipas ligjit.

    Me politike mirren ata njerez qe dojnë me u marr me politike… edhe ketu nuk ka kurrfarë sakrifice, por njerezit ofrohen per me punue si sherbyes apo sherbetor publik… e jo si egersire ne parlament.

Komentet janë mbyllur.