Albin Kurti po bën me Bregoviçin, atë që ka tentuar të bëjë Milosheviçi, apo Shesheli

0
128
Rama përqafon Albinin

Mero Baze Nga Mero Baze, TemA

Ka tri kategori njerëzish, që po tentojnë të krijojnë një debat fals mbi koncertin e këngëtarit Goran Bregoviç, një emblemë e muzikës së ish-Jugosllavisë, i keqpërdoruar më pas nga shpërthimet e nacionalizmave në Ballkan, keqpërdorim që vazhdon akoma, tashmë nga disa “patriotë” shqiptarë.

Në krye të fushatës qëndron Albin Kurti, i cili në fakt nuk ka asnjë problem me Bregoviçin, pasi problemin e ka me Serbinë, të cilën e ka partneren kryesore tregtare në vend. Ai e ka objektiv sherrin me Shqipërinë dhe personalisht me Edi Ramën, me një agjendë të qartë për të thelluar konfliktin me të, në emër të “nacionalizmit”. Mund ta kursente Bregoviçin se ai, edhe pa të, ka gjetur dhjetëra arsye të krijojë një klimë armiqësore me Shqipërinë, por nuk është se mërzitemi që e gjeti dhe këtë rast. Objektivi i tij për të mposhtur Shqipërinë politike dhe për të zgjeruar tregun me Serbinë ‘armike’, është karikatura e vetme e të ashtuquajturit “nacionalizëm” kosovar, i cili në fakt është fiks ajo që i duhet Serbisë në Kosovë.

Madje dhe metodat që po përdor, janë tërësisht të huazuara nga Serbia dhe nacionalizimi serb. Po i përdor tifozët “Kuq e Zi”, si tifozat e Cervena Zvezdës që “kërcënojnë” me dhunë nëse nuk bëhet siç duan ata. Kjo është gjëja më serbe, që Albin Kurti po i ofron Shqipërisë këtë verë.

Albin Kurti e ka të gjithë me Edi Ramën dhe Shqipërinë. Përballja e tij me pushtetin, pafuqia e tij për të menaxhuar gënjeshtrat e veta patriotike dhe mbi të gjitha karakteri i tij frikacak për tu përballur me agjendën ndërkombëtar të bisedimeve me Serbinë, e kanë kthyer atë në një skuth të stërkëmbshave ndërshqiptare, për të krijuar probleme të tjera, e për të mos u marrë me ato për të cilat është votuar.

Bregoviç nuk e pengon Albin Kurtin të realizojë ato që ka premtuar në Kosovë, as mirqënien përrallore për shqiptarët, as luftën ndaj nepotizmit dhe farefisnive në pushtet dhe në dashtë, as reciprocitetin me Serbinë. Ai thjeshtë i duhet për të mos bërë asgjë nga ato që ka thënë. Bregoviç nuk ka frymëzuar masakra, as me motivet e tij cigane, as me thirrje direkte. Bashkëpunimi i tij me Kusturicën si kineast nuk e bën atë automatikisht një luftënxitës, ashtu siç nuk bën automatkisht patriot Albin Kurtin, fakti që ka bashkëpunuar me Adem Demaçin.

Kategoria e dytë janë një racë këngëtarësh shqiptarë, të cilët nuk kanë lënë këngë serbe e greke pa vjedhur, për t’u dukur kompozitorë e këngëtarë dhe sot befas duan të bien në sy si patriotë, për shkak të hijes ku mund t’u bëjë një muzikant autentik i rajonit. Këta i kuptoj, si gjithë mediokrit që frustrohen nga talentet dhe “patriotizmi” i tyre nuk është se më shkakton më pak bezdi, se muzika e tyre. Kjo është njësoj sikur të thuash që Vaçe Zela duhet ndaluar, se ka kënduar në kohën e Enver Hoxhës.

Kategoria e tretë janë një sërë kolegësh gazetarë, të cilët i kanë hyrë një debati historiko-shoqëror, mbi një moratorium mbi ndëshkueshmërinë e krimeve serbe ndër shqiptarët, që sipas tyre deri atëherë, as Bregoviçi dhe askush tjetër nga ish-Jugosllavia nuk duhet të ftohet në Shqipëri.

Bregoviçi ka ardhur në Shqipëri kur ka qenë në pushtet Sali Berisha dhe ka qenë i ftuari special i TV Klan, ekranit puthadorë të Sali Berishës. Ka ardhur dhe Zravko Çoliç. Nuk i pashë të shqetësuar atëherë kaq shumë edhe pse Bregoviçi mori dhe çelsin e Kryeqytetit dhe Çoliç u prit nga Presidenti i vendit. Bregoviçi nuk po vjen në Shqipëri të mohojë krimet serbe, e as t’i kujtojë ato. Po vjen si një muzikant i pranuar ballkanas. E di që e kanë me Edi Ramën edhe pse nuk e ka ftuar ai, por ky është fiks reagimi, që ai ëndërron në këto raste. Kursejani këtë nder!

I mirëkuptoj qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës që ndjehen të frustruar nga ideja se Shqipëria nuk ka të njëjtin standard të refuzimit ndaj Serbisë, kur vjen puna tek pushuesit nga Serbia në Shqipëri, apo këngëtarët nga Serbia, por kjo nuk ka të bëjë me patriotizmin, por me iluzionin e tyre se çfarë duhet të refuzojmë nga Serbia.

Nga Serbia duhet të refuzojmë nacionalizmin, politikën kriminale ndaj popujve te tjerë, përfshij dhe shqiptaret, duhet të refuzojmë sindromën e Millosheviçit dhe Sheshelit, që duan të dominojnë shoqërinë me nacionalizëm. Vetë Kosova nuk refuzon as miellin, as keksat, dhe as gjithë 70 për qind të tregut, që e ka nga Serbia.

Shqipëria ka respektuar dhe mbështetur çdo politikë të Kosovës ndaj Serbisë, sa i përket krimeve të luftës dhe historisë së tyre të vjetër dhe të re. Por të thuash se Shqipëria po shet Kosovën, se lejon turistë serbë të pushojnë në Sarandë, ndërkohë të njëjtët që bëjnë këto akuza, janë thjeshtë tregtarë të paketave turistike për Mal të Zi apo Turqi, nuk është luftë patriotike ndaj Shqipërisë, por agresion ekonomik ndaj Shqipërisë, jo në emër të Kosovës, por në emër të Malit të Zi, apo Turqisë. Janë të lirë ta bëjnë atë luftë tregtare, por jo të na e shesin si lufte patriotike. Nuk ua kemi ne fajin që nuk ua mbushin mendjen dhe serbëve të shkojnë në Turqi apo Mal të Zi, e jo në Sarandë apo Durrës.

Ajo që po bën Albin Kurti dhe sëra e tij në Kosovë me Bregoviçin, është fiks ajo që ka tentuar të bëjë me të, Millosheviçi apo Shesheli, ta përdornin atë si mish për top, për një revansh nacionalist ndaj një vendi tjetër. Në këtë rast, Albin Kurti po e përdor kundër Shqipërisë. Faleminderit, por Shqipëria nuk ka nevojë për “polici patriotike” drejtuar nga Albin Kurti, se çfarë duhet të lexojë, shikojë apo dëgjojë. Personalisht më mirë dëgjoj motive cigane, se sa motivet “patriotike” të Albin Kurtit.