ARIF EJUPI
Familja Dashai, me prejardhje nga fshati Nagllavë e Klinës së Kosovës,që nga viti 1989, jeton dhe vepron në komunën Giornico të kantonit Tiçino të Zvicrës, jugore.
Kjo familje e vyeshme dhe integruar shumë shpejt në shoqërinë zvicerane si detyrë parësore vetvetes ia pati parashtruar shkollimin e fëmijëve të saj.
Mundin e bashkëshortëve Tush dhe Gjyle Dashi e shpërbleu me arritje të larta në fushën e Bio-mjeksisë, djali i tyre Albert Dashi.
Ai dhjetorin vitit të kaluar në Universitetin kombëtar të Singapurit, pa mbushur ende moshën 30 vjeçare mbrojti me sukses të dalluar tezën e punimit të doktoraturës, në fushën e gjenetikës dhe të epigjenetikës.
Komisioni në përbërje të profesorëve të njohur ndërkombëtarë: Associate Professor Prahba Sampath Nus, Associate Professor Lena Ho Wai Mun, Duke – Nus dhe Assistant Professor Wang Xiaomeng, NTU, vlerëson lartë punën hulumtuese në këtë lëmi të djaloshit me origjinë nga Kosova, prof. dr. Albert Dashi.
Ndërkaq, Roger Foo, kërkues shkencor në Institutin shtetëror të gjenetikës në Singapur, i pranishëm në këtë mbrojtje doktorature duke e përgëzuar për suksesin e arritur z. Dashi, pati thënë “Ky punim ka peshë të veçantë në gjenetikë, ngase ende në këtë sferë janë të pamjaftueshme kërkimet shkencore”.
Dashi edhe studimet e nivelit Bachelor dhe Master në drejtimin Bio-mjekësi, i pati përfunduar me nota të larta dhe në afat rekord, në Universitetin e Fiburgut, përkatësisht në atë të Bernës në Zvicër, ku edhe jetoi deri më 2014.
Ai dhe eksperti i së njëjtës fushë prof. dr Oliver Worsley, si ish- bursist të Asociacionit “Astar” të Singapurit, duke u mbështetur në metodën hap pas hapi në sukses, në gusht të vitit 2018 themelojnë kompaninë e pavarur “Sequential Skin” me seli në Singapur.
Objekt studimi kjo kompani ka analizat me mjete gjenetike të lëkurës së njeriut, dhe diagnostikimin e saktë të sëmundjeve dhe anamolive të tjera.
Po ashtu gjatë këtyre ditëve kjo shoqëri ka eksperimentuar pandërprerë disa metoda nëpërmjet të cilave është arritur diagnostikimi i shpejtë dhe i saktë i të dyshuarëve me Covid-19.
Në kontakt të drejtëpërdrejtë me prof. dr. Albert Dashi, mësojmë që ai dhe disa ekspertë shqiptarë të Mjekësisë, që veprojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kosovë lindore, dhe vende të tjera të botës, janë tubuar në një ekip, të përbashkët për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër Covid-19.
Dhe jo vetëm kaq prof. dr. Dashi, spscialist në gjenetikë dhe epigjenetikë bën të ditur që në Singapur, ka filluar aplikimi i një test kontrolli, me përbërje nga substanca dhe materiale kimike, nëpërmjet të cilit shpejt dhe saktë kryhet diagnostikimi i të dyshuarëve me virusin Covid-19.
Ky test ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Diagnostikimi me kohë i Covid-19, sipas prof. dr. Albert Dashi, lehtëson punën e punonjësve shëndetësor dhe jep mundësi shtesë të marrjes së masave preventive në parandalimin e kësaj pandemie, që ka goditur pothuajse gjithë botën.
Prof. dr. Dashi, thërret të gjithë specialistët shqiptarë të fushës së mjekësisë që të inkuadrohen në luftën anti – Covid-19.
Ai ndihmesën e tij po e jep duke qenë në lidhje të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, dhe atë të Kosovës.
Më kusht që kjo gjendje të tejkalohet sa më me pak viktima prof. dr. Dashi, apelon tek të gjithë specialistët e kujdesit shëndetësor që përvojën e tyre ta pasqyrojnë me këshilla dhe sugjerime nëpërmjet faqes së më poshtëme të krijuar enkas për këtë problematikë.