Albert Ajnshtajni mbi socializmin

0
673

Dita, 2 maj 2018

Moikom Zeqo

Në 5 maj 2018 është jubileu i 200 vjetorit të lindjes së Karl Marksit, mendimtari më i madh dhe më me ndikim në shekujt XIX dhe XX dhe padyshim nga më të lexuarit dhe më të diskutuarit në shekullin XXI.

Në tërë planetin, sidomos në Europë, SHBA dhe sidomos në Gjermani flitet dhe shkruhet për këtë ekonomist dhe filozof gjenial, por në Shqipëri ka një heshtje alergjike, të pakuptimtë.

Por heshtja nuk është argument, as stimilim mendor, apo strukturë pozitive debati dhe ballafaqimi shkencor.
Është e njohur përgjigjja, që Marksi i kthente disa dishepujve të tij të fandaksur, që u shkruante: ”një gjë është e sigurtë, që unë nuk jam marksist“.

Regjimet totalitare komuniste, në gati gjysmën e njerëzimit në shekullin e XX, në matricën e propagandës ideologjike e emblematuan Marksin, por kjo qe një spekulim eksperimental dhe ideologjik i pazakontë.

Edhe Niçen, që nuk kishte asnjë lidhje me nazizmin, e emblementuan si filozof të nazizmit.

Ndërkohë që teoria shkencore e Marksit qe analiza strukturale e sistemeve ekonomike-shoqërore, për të treguar se nuk ka sisteme dhe statukuo të përjetshme, përkundrazi dialektika tregon, se çdo gjë është në ndryshim të pandalshëm, sipas semantikës së ligjeve të brendshme të vetë historisë.

Nuk mund të subjektivizohet marrëzishëm objektiviteti i procesit historik!

E vërteta ekziston pavarësisht pohimit, apo mohimit të dijetarëve, dhe aq me tepër të pushtetarëve dhe propagandave dhe ideologjive përjashtuese, in extremis.

Një gjeni i jashtëzakonshëm i shkencës në shekullin e XX, Albert Ajnshtajni e ka njohur teorinë e Marksit, e dinte se çfarë ishte dhe socializmi totalitar, apo dhe burokratik në Bashkimin Sovjetik të stalinizmit dhe nuk ishte aspak dakord me këtë aplikim virtual të vetë socializmit, sidomos jashtë kritereve universale humane, por gjykon megjithatë, se ligjet e historisë nuk mund të anulohen, as të shmangen, sidomos në ndryshimin progresiv të sistemeve dhe arritjeve të reja moderne dhe adekuate.

Në 1989 më ra në dorë shkrimi i Albert Ajnshtajnit, i përkthyer në shqip, (nuk e di kush e kish përkthyer) mbi socializmin.

Ajnshtajni e kish bërë këtë studim në 1949 (viti i lindjes time!)
Në 1996 në Uashington D.C. e bleva dhe librin në anglisht të artikujve kryesore të Ajnshtajnit, ku ishte konkretisht dhe artikulli për socializmin.

Si dijetar i madh që qëndron mbi sistemet politike, Ajnshtajni kërkon shkencëzimin e procesit ekonomik botëror.
Nga pikëpamja metodologjike ligjet e astronomisë dhe të shoqërisë nuk kanë ndryshme kontrastuese.

Ajnshtajni është kundër socializmit totalitar stalinian.
Por përtej karakterit subjektiv Ajnshtajni i drejtohet ligjësisë së objektives.

A ka ligje të brendshme shoqëria?
Statusi i saj është i ndryshueshëm.

Shkrimi i Ajnshtajnit më çuditi.
Socializmi real në Shqipëri kishte dështuar.

Në 1991 në revistën “Sot” sëbashku me mikun tim Guro Zeneli (ndjesë pastë!) e botuam këtë shkrim të Ajnshtajnit.
Në shumë pikëpamje ky shkrim është një sfidë mendore për lëvizshmërinë e procesit historik, se sa për tabutë e statukuove.

* * *

Ja çfarë shkruan Ajnshtajni i pavdekshëm:

“A duhet të shtjellojë pikëpamjet e veta për një çështje të tillë, siç është “socializmi”, një specialist jo i fushës ekonomike e sociale? Unë mendoj se duhet për një varg shkaqesh.

Në radhë të parë këtë çështje ta shqyrtojmë nga pikëpamja e dijeve shkencore.
Mund të duket që nuk ka dallime thelbësore metodologjike midis astronomisë dhe ekonomisë.

Shkencëtarët e të dyja fushave përpiqen të zbulojnë ligje të përgjithshme që zbatohen për një grup të caktuar fenomenesh, me qëllim që të bëhet sa më e qartë lidhja e ndërsjelltë e këtyre fenomeneve. Në realitet dallime të tilla metodologjike ekzistojnë.

Zbulimin e ligjeve të përgjithshme në fushën ekonomike e vështirëson fakti që në fenomenet ekonomike që vëzhgojmë shpesh ndikojnë një numër i madh faktorësh, të cilët është shumë e vështirë t’i vlerësosh e t’i studiosh të marrë veçmas. Krahas kësaj, përvoja e grumbulluar në fillim të ashtuquajturës periudhë qytetërimi të historisë njerëzore, siç dihet, ka pasur dhe ka ndikime e kufizime të mëdha jo vetëm të karakterit ekonomik. Për shembull, shumica e shteteve të mëdha në histori ia dedikojnë ekzistencën e vet pushtimeve. Ndërsa klasat shfrytëzuese të shteteve pushtuese e kanë konfirmuar veten nga ana juridike dhe ekonomike si klasa të privilegjuara të vendit që kanë pushtuar.

Ata e kanë bërë monopol të tyre të drejtën për zotërimin e tokës, të drejtën për të caktuar në detyra e punë të rëndësishme e të nderuara njerëz të shtresës së tyre. Këta njerëz të privilegjuar, duke pasur nën kontroll arsimin e kulturën, e shndërruan ndarjen e shoqërisë në klasa, në një institut të përhershëm, krijuan sistemin e vlerave, nga i cili njerëzit që nga ajo kohë, në mënyrë kryesisht të pavetëdijshme, udhëhiqen në qëndrimet e tyre në shoqëri. Por tradita historike, si të thuash, është një çështje që i përket së djeshmes.

Ne asgjëkundi nuk e kemi kapërcyer tërësisht atë që Tarstjen Bebleni (ekonomist, sociolog dhe politikolog amerikan , nje nga autoret e koncepsionit te institucianalizimit) e quan “fazë grabitqare”të zhvillimit të njerëzimit.

Disa fakte ekonomike që vëzhgojmë i përkasin kësaj faze, bile dhe ligjet që mund të nxjerrin mbështetur në këta nuk mund të zbatohen për asnjë fazë tjetër.

Përderisa qëllimi i vërtetë i socializmit është kapërcimi i “fazës grabitëse”në zhvillimin e njerëzimit dhe ecja përpara, shkenca e ekonomisë, me zhvillimin që ka sot, mund të hedhë sadopak dritë për të ardhmen e shoqërisë socialiste.

Së dyti, qëllimi i socializmit është social dhe etik.

Shkenca nuk mund të krijojë qëllime, aq më pak, nuk është e zonja të frymëzojë me to njerëzit. Shumë-shumë shkenca mund të vejë në dispozicion mjete për realizimin e disa qëllimeve. Por në vetëvete qëllimet kuptohen nga individë (personalitete) m ideale të larta etike. Po në qoftë se këto qëllime nuk janë të vdekura që kur lindin, por vitale e të forta, ato i përkrahin dhe i zhvillojnë shumë njerëz, të cilët në mënyrë gjysmësubkoshiente përcaktojnë evolucionin e ngadalshëm të shoqërisë.

Por duhet të jemi të kujdesshëm në këtë çështje, të mos mbivlerësojmë shkencën dhe metodat shkencore për hir të këtyre faktorëve kur bëhet fjalë për probleme të shoqërisë njerëzore. Gjithashtu nuk duhet menduar që vetëm ekspertët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre për çështjet e organizimit të shoqërisë.

Kohët e fundit dëgjohen zëra të shumtë që shoqëria njerëzore po përjeton kriza, që stabiliteti i saj është lëkundur shumë. Kjo situatë karakterizohet nga indiferentizmi ose edhe nga armiqësia e individëve e ndaj grupeve të vegjël apo të mëdhenj, të cilëve u përkasin.

Për të sqaruar se çfarë kam parasysh me këtë, po i referohem përvojës time personale. Në një diskutim që pata me një njeri të mençur e të nderuar pak kohë më parë për çështjen e rrezikut të luftës, e cila për mendimin tim paraqet një rrezikshmëri të madhe për ekzistencën e vetë njerëzimit, unë vërejta që vetëm organizimi mbinacional (ndërnacional) mund të na shpëtojë nga ky rrezik.

Në lidhje me këtë bashkëbiseduesi im, në mënyrë shumë të qetë dhe gjakftohtë, m’u përgjigj: “përse të kemi kaq frikë nga zhdukja e racës njerëzore”.
Jam i bindur që një shekull më parë asnjë nuk do ta thoshte kaq lehtë një gjë të tillë.

Deklarata e këtij njeriu, i cili më kot përpiqej të gjente ekuilibër në vetvete, tregon se ky praktikisht e kishte humbur shpresën për suksesin. Kjo është shprehje e një vetmie e izolimi të sëmurë, nga të cilët vuajnë shumë në ditët tona.

Ku qëndron shkaku i kësaj gjendjeje?
A ka një rrugëdalje nga kjo?

Është e lehtë të shtrosh pyetje të tilla, por është vështirë t’u përgjigjesh me një farë besimi, t’u japësh një përgjigje sado pak të saktë. Unë do të përpiqem të bëj ç’është e mundur për t’u dhënë një përgjigje këtyre pyetjeve, megjithëse e kuptoj mirë që ndjenjat, aspiratat dhe qëllimet tona shpesh janë kontradiktore e të pakuptueshme, dhe se ato nuk mund t’i shprehim në formula të thjeshta e të qarta.

Njeriu është njëkohësisht individ dhe qenie shoqërore. Si individ, ai përpiqet të mbrojë ekzistencën e vet dhe të të afërmëve të tij, të plotësojë dëshirat e veta personale dhe të zhvillojë aftësitë që ka. Si qenie shoqërore ai përpiqet të fitojë respektin dhe dashurinë e njerëzve të tjerë, të ndajë me ta gëzimet, t’i qetësojë ata në raste fatkeqësish, të përmirësojë kushtet e tyre të jetesës. Vetë ekzistenca e këtyre qëllimeve dhe e aspiratave të ndryshme, që shpesh janë kontradiktore, përcakton karakterin e njeriut, nga kombinimi i tyre specifik varet shkalla se sa individi mund të arrijë ekuilibrin e brendshëm dhe të japë kontributin e tij në mirëqenien e shoqërisë.

Është plotësisht e mundshme që një forcë relative e këtyre dy qëllimeve të përcaktohet edhe nga trashëgimia. Por në fund të fundit individi formohet në mjedise, ku ndodh procesi i zhvillimit të tij, nga struktura e shoqërisë ku ai rritet, nga traditat e kësaj shoqërie, formohet nga ajo, nga mënyra se si ko shoqëri i vlerëson tipat e ndryshëm e qëndrimet e tyre.

Einstein, 1921 – by F. Schmutzer, restoration

Nocioni abstrakt “shoqëri” për qenien individuale të njeriut do të thotë shuma e lidhjeve dhe e raporteve të ndërsjellta, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta me bashkëkohësit dhe me të gjithë brezat e mëparshëm. Individi është i aftë të mendojë, të ndjejë, të luftojë e të punojë në mënyrë të pavarur, por ai varet nga shoqëria me ekzistencën e tij fizike, intelektuale e emocionale aq saqë nuk mund ta gjykosh ose ta kuptosh të marrë jashtë shoqërisë. Kjo “shoqëri”i siguron njeriut mjetet e jetesës, ushqimin, veshjen, banesën, mjetet e punës, komunikon me të me gjuhën, me anën e së cilës shpreh përmbajtjen kryesore të mendimeve. Jeta e tij i dedikohet punës dhe arritjeve të miliona njerëzve të së kaluarës e të tanishëm, të gjithë atyre që përfshihen në fjalën e vogël “shoqëri”.

Prandaj është e qartë që varësia e individit nga shoqëria është një fakt që nuk mund të mohohet, ashtu si edhe për bletët dhe milingonat. Por, në qoftë se, gjithë procesi jetësor i milingonave dhe i bletëve përcaktohet deri në detajet më të vogla nga instinktet e trashëguara, modeli social dhe marrëdhëniet e ndërsjellta të njerëzve mund të variojnë e të ndryshojnë. Kujtesa, aftësia për t’iu përshtatur kushteve e kombinacioneve të reja, gjuha si mjet komunikimi, bëjnë të mundur të krijohen marrëdhënie të tilla midis njerëzve që nuk përcaktohen nga ligji biologjik. Kjo shfaqet në traditat në institutet e organizatat shoqërore, në literaturë, në arritjet e shkencës dhe të teknikës, në veprat e artit. Kështu shpjegohet pse njeriu, në një farë mënyre mund të ndikojë në jetën e vet me qëndrimet e tij dhe pse në këtë proces të menduarit e ndërgjegjshëm dhe dëshirat luajnë një rol përcaktues.

Kur lind njeriu, në sajë të trashëgimisë, fiton një strukturë biologjike, që mund ta quajmë në një farë mënyre të fiksuar dhe të pandryshueshme, duke përfshirë këtu edhe qëllimet e ndryshme që janë karakteristikë për qenien njerëzore. Përveç kësaj, gjatë jetës së tij ai fiton kulturë, që e merr nga shoqëria nëpërmjet marrëdhënieve e lidhjeve me njerëzit, si dhe shumë ndikime të tjera.

Pikërisht kjo pasuri kulturore, me kalimin e kohës, ndryshon, duhet të ndryshojë e në një shkallë të madhe edhe kjo përcakton marrëdhëniet midis individit dhe shoqërisë. Antropologjia e sotme, me përfundimet e studimeve krahasuese të të ashtuquajturve kultura primitive, na mëson se qëndrimi shoqëror i qenieve njerëzore përcaktohet, varet shumë nga modelet mbizotëruese të kulturës dhe nga tipet e organizimit që mbizotërojnë në shoqëri. Pikërisht këtu i mbështesin shpresat e tyre ata që synojnë të përmirësojnë jetën e njeriut. Në bazë të trashëgimisë biologjike, njerëzit nuk janë të dënuar të zhdukin njëri-tjetrin ose të lihen në mëshirën e fatit të egër.

Atëherë si duhet ta ndryshojmë strukturën e shoqërisë dhe kulturën e saj që jeta e njeriut të bëhet më e mirë? Të mos harrojmë kurrë se ka disa kushte të caktuara që nuk mund t’i ndryshojmë menjëherë për të arritur këtë. Siç theksova më sipër, natyra biologjike e njeriut nuk mund të ndryshojë në qëllimet praktike. Përveç kësaj, proceset teknologjike e demografike të shekujve të fundit kanë krijuar kushte të tilla, që gjithashtu janë të pandryshueshme. Në zonat me vendbanime të përhershme e me një popullsi të dendur, prodhimi i mjeteve të domosdoshme të jetesës domosdo parakupton ndarjen shoqërore të punës dhe një aparat administrativ tepër të centralizuar të prodhimit. Ka ikur përgjithmonë, ajo kohë, kur individë ose grupe relativisht të vogla mund të siguronin një mirëqenie të lartë për vete që sipas pikëpamjes ose mentalitetit të së kaluarës duket kaq idilike. Do ta tepronim po të thoshim që, përsa i përket prodhimit e konsumit, njerëzimi tanimë përbën një bashkësi botërore.

Tani mund të përcaktoj shkurt se ku qëndron thelbi i krizës së sotme. Kjo ka të bëjë me raportet e individit me shoqërinë. Individi sot, më shumë se kohë më parë, është i ndërgjegjshëm për varësinë e tij nga shoqëria. Mirëpo individi nuk e kupton këtë varësi si një fenomen pozitiv, si një lidhje organike me shoqërinë, si një forcë mbrojtëse të tij. Ai e kupton këtë vetëm si një kërcënim jo vetëm për ekzistencën e tij natyrore, por edhe për ekzistencën e tij ekonomike. Përveç kësaj, pozita në shoqëri është e tillë ku ambiciet e tij egoiste shtohen vazhdimisht, në një kohë që qëllimet sociale, të cilat janë më të dobëta për natyrën e tij, vijnë gjithnjë duke u eliminuar. Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga pozita që kanë në shoqërinë kapitaliste, vuajnë nga një doze më e vogël apo më e madhe egoizmi. Kështu, duke qenë në një farë mënyre skllav të egoizmit, ata e ndjejnë veten pa mbrojtje, të vetmuar, të paaftë për të mposhtur këtë ndjenjë, pra thjesht nuk kënaqen me jetën. Njeriu mund ta gjejë idealin e jetës, që është kaq e shkurtër dhe plot rreziqe, vetëm po t’ia kushtojë veten shoqërisë.

Pikërisht anarkia e ekonomisë së shoqërisë kapitaliste në formën që ekziston sot është, për mendimin tim, burimi i vërtetë i tërë të këqijave.

Në ekonominë e sotme kapitaliste një masë e madhe prodhuesish përpiqen vazhdimisht t’i marrin njëri-tjetrit frytet e punës së tyre kolektive jo me anë të forcës, por në bazë të ligjeve të shoqërisë kapitaliste. Në këtë plan e rëndësishme është që mjetet e prodhimit, domethënë të gjitha kapacitetet prodhuese të domosdoshme për prodhimin e mallrave të konsumit, si dhe për të vënë në punë investimet e reja të kapitalit, mund të jenë me ligj dhe në pjesën dërrmuese janë pronë private e disa personave të veçantë.

Më tej unë do të quaja “punëtorë”të gjithë ata që nuk janë pronarë të mjeteve të prodhimit, megjithëse ky përcaktim nuk i përgjigjet plotësisht përdorimit të mëparshëm të këtij termi. Pronari i mjeteve të prodhimit është në gjendje të blejë fuqinë punëtore. Duke përdorur mjetet e prodhimit, punëtori prodhon mallra të reja, që janë pronë e kapitalistit. Këtu rëndësi ka pikërisht raporti midis vlerës reale të asaj që prodhon punëtori dhe pagës që ai merr. Përderisa kontrata e punës do të jetë e “lirë”, paga që merr punëtori përcaktohet jo nga vlera reale e mallrave që ai ka prodhuar, por nga nevojat e tij minimale, nga kërkesa e kapitalistëve për fuqi punëtore dhe oferta e saj. Rëndësi ka të kuptohet edhe në teori se paga e punëtorit nuk përcaktohet nga vlera e mallit që ai ka prodhuar.

Është evidente prirja e kapitalit privat të sotëm drejt koncentrimit të madh.

Ndodh kështu pjesërisht nga konkurrenca midis kapitalistëve, por edhe nga fakti se zhvillimi i teknologjisë dhe rritja e shkallës së ndarjes shoqërore të punës stimulojnë formimin e njësive prodhuese gjithnjë më të mëdha në kurriz të njësive të vogla. Si rrjedhojë e këtij koncentrimi është krijuar oligarkia e kapitullit privat, pushteti klasor i të cilit nuk mund të kontrollohet në mënyrë efektive, bile as në shoqërinë kapitaliste më demokratike.

Kështu do të ndodhë përderisa anëtarët e organeve legjislative do të zgjidhen nga partitë politike, që financohen dhe janë nën ndikimin kryesisht të sipërmarrësve privatë, atë, të cilët në praktikë synojnë të ndajnë zgjedhësit nga përfaqësuesit e tyre që hartojnë dhe aprovojnë ligjet. Si rrjedhojë, përfaqësues të tillë nuk i mbrojnë në mënyrë efektive interesat e grupeve jo të privilegjuara të popullsisë. Për më tepër, në kushtet e sotme sipërmarrësit privatë kontrollojnë medoemos, drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, burimet kryesore të informacionit (shtypin, radion, kulturën, arsimin).

Prandaj në shoqërinë kapitaliste qytetari i thjeshtë jo vetëm që nuk mund t’i përdorë të drejtat e veta politike, por në shumicën e rasteve ata as nuk mund të arrijnë në konkluzione objektive.

Gjendja e ekonomisë së sotme që mbështetet në pronën private kapitaliste karakterizohet nga dy parime themelore: së pari, mjetet e prodhimit (kapitali) janë pronë private, të cilat pronarët i administrojnë sipas interesit të tyre dhe, së dyti, kontrata e punës është e lirë. Në këtë kuptim shoqëri thjesht kapitaliste nuk ekziston. Në mënyrë të veçantë duhet të theksojmë që në sajë të një lufte të gjatë të ashpër politike punëtorët arritën suksesin që u siguruan disa kategorive të punëtorëve një punë “më të mirë”nëpërmjet kontratës së lirë të punës. Por në tërësi ekonomia e sotme nuk dallon shumë nga kapitalizmi “i pastër”.

Prodhimi realizohet për fitim dhe jo për dobinë e shoqërisë. Prandaj nuk ka garanci që të gjithë ata që duan e janë në gjendje të punojnë, mund të sigurojnë punë. Pothuajse gjithmonë ekziston ushtria e të papunëve. Punëtori vazhdimisht rrezikon të humbasë vendin e punës. Derisa të papunët dhe punëtorët që marrin pagë të vogël nuk favorizojnë një treg fitimprurës, prodhimi i mallrave të konsumit është i kufizuar dhe, si rrjedhojë, krijohen vështirësi të mëdha. Progresi teknik shpesh çon në rritjen e numrit të të papunëve dhe jo në lehtësimin e punëve të rënda. Qëllimi i prodhimit është fitimi, që sigurohet nga konkurrenca midis kapitalistëve. Pikërisht ky është shkaku i mospërdorimit të kapitalit në dobi të shoqërisë, gjë që çon në depresione gjithnjë e më të mëdha. Konkurrenca e pakufizuar shton pareshtur harxhimin e kotë të punës dhe, në këtë mënyrë, gjymton ndërgjegjen shoqërore të individit, për të cilën fola më sipër.

Pikërisht ky gjymtim i individit është e keqja më e madhe e kapitalizmit. Madje edhe i gjithë sistemi ynë i arsimit vuan nga kjo e keqe. Një ndjenjë e fuqishme e konkurrencës është futur te studentët, të cilët sukseset e larta kanë mësuar t’i shfrytëzojnë si armë për t’u përgatitur për karrierën e ardhshme.

Jam i bindur që ka vetëm një rrugë për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj së keqeje dhe kjo është krijimi i ekonomisë socialiste, me sistemin e saj përkatës të arsimit, që ka në bazë qëllimet sociale. Në ekonominë socialiste mjetet e prodhimit i zotëron vetë shoqëria dhe i përdor ato në bazë të një plani. Në ekonominë me plan prodhimi i përgjigjet nevojave të shoqërisë, punësohen të gjithë forcat e afta për punë dhe garantohen mjetet e jetesës për të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët. Në vend të synimeve egoiste për famë, pushtet dhe sukses vetjak, siç ndodh në shoqërinë kapitaliste të sotme, në shoqërinë socialiste arsimi që është plotësim i zhvillimit të aftësive vetjake të individit, do të ketë si qëllim zhvillimin e ndjenjës së përgjegjësisë së individit për njerëzit e tjerë, për gjithë shoqërinë.

Megjithatë, të mos harrojmë që ekonomia me plan nuk është ende socializëm. Ekonomia me plan si e tillë mund të shoqërohet dhe me një skllavërim të plotë të individit. Fitorja e socializmit kërkon edhe zgjidhjen e disa problemeve të ndërlikuara social-politike. Për shembull: ç’masa duhen marrë në kushtet e ekzistencës së një pushteti ekonomik e politik tepër të centralizuar për të parandaluar shndërrimin e burokracisë në një forcë të tillë, që mbërthen gjithë qelizat e pushtetit. Ose si duhen mbrojtur të drejtat e individit dhe njëkohësisht të realizohet kundërvënia e forcave demokratike ndaj pushtetit të burokracisë?

Kështu qëllimet dhe problemet e socializmit nuk janë kaq të thjeshta për t’u kuptuar e për t’u zgjidhur.
Prandaj kuptimi i qartë i tyre ka një rëndësi shumë të madhe për shekullin tonë.
Përderisa në kushtet e sotme diskutimi i lirë i këtyre problemeve praktikisht është i ndaluar, mendoj që krijimi i kësaj reviste do t’i shërbejë shumë shoqërisë.“

Ky studim serioz për Ajnshtajnin është njëkohësisht edhe një reflektim universal, pa qene aspak “një herezi“ e papranueshme, por grishje për të menduar për të ardhmen më humaniste të botës.