NË VITIN JUBILAR TË GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDËRBEUT, BOTOHET NË TIRANË LIBRI: ‘ALBANIA-POEMË PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT’
‘Pena e stërholluar e Xhemail Ali Pecit, me një akribi fanatiku, ka latuar ngeshëm (punoi plot njëzet vjet 1992 – 2012), me një kulturë dhe dije të lakmueshme, lapidarin e shkëlqyer – poemën “ALBANIA”.
Vepra “ALBANIA – Poemë për Shqipërinë dhe Shqiptarët”, e autorit Xhemail Ali Peci, paraqet një margaritar të letrave shqipe. Ajo, e shkruar me një përkushtim e dashuri të zjarrtë atdhetare, ka edhe specifikat e veta përmbajtësore, koceptuale, strukturore e metrike, andaj, besoj, se do të plotësojë një boshllëk në literaturën tonë dhe, shumë shpejt, do zë vendin e merituar në biblioteka e në duart e lexuesve të shumtë.’
(Bedri Tahiri, Lapidar për shekullin e shqiptarëve. Galicë, 27 nëntor 2012)
* * *
‘Ç’sy të bukur, përplot fshehtësi ndjellëse, që të shkojnë aq shumë! Zonja Mëmë, dua të jem i hapur me Ty, pëshpërit Poeti dhe i këndon mësuesit të gjuhës shqipe, Arbërisë, Skënderbeut, i këndon Themistokli Gërmenjit, motrës së tij Çamërisë (dhe jo më kot Çamërinë e kthen në metaforë të madhe!). Nuk përjetohet kurrë e njëjta ngjarje, ecën nëpër tronditje të fuqishme, po harruar asnjëherë, asgjë… Zonja Mëmë, a mund ta vendosim ligjin e zemrës mbi ligjet e faktit, që s’përbëjnë shqetësim për ligjin asnjëherë, pa shenjën e ambicies djallëzore? Faleminderit, Mëmë e Shenjtë, por Bijtë dhe Bijat e Tua do të jenë vërtet të mrekullueshëm.
Ja dhe një sekret që e ruaja prej kaq kohe dhe ta kumtova tani, duke ndjerë një lehtësim të madh. Shkak m’u bënë poemat e fuqishme të Xhemail Pecit që ma ndollën drithërimën shpirtërore dhe më dhanë tjetër fuqi. Se dhe unë shqiptar do të jem kudo që të hap e të mbyll sytë. Kjo ndjesi më jep tjetër karakter dhe më frymon tjetër shpirt. Gjithmonë do të gjeja rastin e volitshëm për ta shprehur ndjenjën time të madhërishme, duke u përdëllyer për Ty… Të kam para syve kur afrohesh dhe kur largohesh, me atë hapin Tënd të lehtë e të shpejtë, teksa ndreq paksa zërin e ngrohtë dhe përngre vështrimin, ja tek të dëgjoj zërin Tënd miklues, që më fton të jem në një hap me Ty, Zonja Mëmë! E mira ime, drita ime, jeta ime…’
(Xhevair Lleshi: Përdëllim i thellë për atdheun. Tiranë, 2 qershor 2018)
* * *
HERONJVE DHE DËSHMORËVE TË ATDHEUT, TË CILËT ME GJAKUN E TYRE SHKRUAN FAQE LAVDIE E KRENARIE, DUKE NDERUAR DHE LARTËSUAR EMRIN E SHQIPËRISË NË IDEALIN E TYRE TË SHENJTË PREJ BREZNIVE ORËMIRA, PËR TA BËRË SHQIPËRINË TË LIRË, TË BASHKUAR DHE DEMOKRATIKE, SI DHE PËR TA PARË ATË TË PËRPARUAR E NË GJIRIN E KOMBEVE TË QYTETËRUARA
* * *
Në ligjërimin shqip e në këngëtimet e gjakut,
në thëllimet e shekujve me krahë vetëtimash,
degët e trungut ilir me rrënjët bri pragut,
me vite nëntorësh mbi supe e me re suferinash,
përflakur dhe përgjakur fletëve të meshareve,
nisej të shkruhej gjuha shqipe :
me gjakun e shqiptarëve !
(Gjuha shqipe)
Do shkoj.
Do nisem.
Do vejë atje ku më thërret liria,
se po s’shkova unë,
do shkoj Shqipëria!…
(Vdekja e Themistokli Gërmenjit)
Pikëllim i përgjakur që i rri mbi qepallë të syrit Çamëria,
e lotët i pikojnë faqeve, dhimbjet i mba në gji Shqipëria,
eh sa mot dhe sa mort, era e detit valën e mba pikëlluar,
ja troku i kuajve e tej Konstantini Doruntinën ka në duar.
A do vijë e a do t’kthehet, o nënë a do vijë tej legjendës,
o Zot a do të gdhijë agimi në fjalën e dhënë tej bjeshkës,
po fjala e poetit që mba mbi supe valën e kaltër të detit,
nënë, vallë a do t’vijë në gjirin tënd, e prapë pranë vetit?
(Krahu i shqiponjës)
Lezhës, Krujës, dhe Prizrenit, tej Vlorës rendur Shqipëria,
Gjergjët, Abdylët edhe Ismail Qemalët, pas u vinte historia,
Naimi dhe Fishta, Avniu e Vojo Kushi, tej ai Selam Salaria,
nga gjiri i saj dolën, edhe bota ç’e njohu si të tillë: Albania.
Kur i erdhën bajlozët shfaqur mbi tokë e turrur si vetë lubia,
plagët i mblodhi, e dheun fort ua drodhi ai Gjergj Elez Alia,
kokat nën këmbë ua hodhi, dhe gjakun për pajë e mori liria,
se bota gjithë të tillë e njohu sa herë që botës i foli: Albania.
(Nën hijen e flamurit)
* * *
Albania. Shkronja e parë e gjuhës zonjë vihet lart dhe më e para n’radhë,
kjo alfa dhe omega e shqiptarëve e kjo fjalë fluturake që pri u ka n’ballë,
ngrihet i lavdisë së Shqipërisë flamuri, e veç me gjak shqiptarësh ngritur,
ngrihet qiellit t’shenjtë të Shqipërisë, atje ku perëndia atë vetë e ka pritur.
* * *
Se e kemi një gjuhë e një gjak, një djep, e një mëmë ku të gjithë pimë sisë,
një prehër të shenjtë që na lindi dhe emër na dha, prehër e gji i Shqipërisë,
atdheu i gjakut tonë, në heshtje na sheh dhe ne na flet përmendroja e lirisë,
nder i emrit të nënës dhe nder i atdheut, kënga jonë e shenjtë e zë i lavdisë.
Ai flamur, ai ballë edhe ai nder i shenjtë i kombit, e ajo besa-besë e burrit,
ata hapa levendësh me tufët e kuqe të opingave ngulur fort në maje të gurit,
ata sy shqiponje dhe ata krerë nëpër shekujt, ngritur kur u printe ballit liria,
janë lindja dhe vdekja, djepi dhe varri ynë janë, janë vetë ne dhe Shqipëria:
Për këtë gjak që më ka mbetur, për nder e për këtë qumësht që kam në gji,
në keni në zemrat tuaja e ndër rrembat gjak nga gjaku im e nga dejtë e mi,
o të shekujve shpirtbardhë, o shqiptarë, ua them si mëmë dhe me dashuri :
o rroni t’gjithë si vëllezër e për të mbarë, o mos thoni se ja që ka Shqipëri!
(Zemërthirrjet e tua Shqipëri)