ALBANA PONARI, NË LIBRIN “KUR FLASIN ZEMRAT…”

0
1051
Prof. Murat Gecaj, 4 tetor 2017

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Kam shkruar edhe më parë se, në librin tim “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, dhjetor 2016), kam folur për rreth 65 poete e shkrimtare, artiste dhe veprimtare të njohura, si nga Shqipëria e trojet tjera amtare, por edhe nga ngulimet e shqiptarëve, nëpër shtete të ndryshme të botës, si në Evropë, Amerikë e Kanada. Në vazhim të librit të maparshëm, “Për ju, krijuese…”(Tiranë, 2015), ku kam treguar për 91 femra të tilla, synimi ka qenë për t’i bërë ato të njohura te lexuesit e interesuar dhe për t’i mbështetur, sadopak, në krijimtarinë, jetën dhe veprimtaritë e tyre të dobishme, si për veten dhe shoqërinë.

Ndërmjet autoreve të librit të dytë, që përmenda më lart, kam shkuar edhe për Albana Ponarin, poete bashkakrahinase e imja, pra nga Malësia e Gjakovës (Tropja) dhe me banim, tash disa vjet, në Milano të Italisë. Për t’i evidenuar vlerat e krijimeve të saj, por dhe për ta falënderuar për bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë, për botimin e librit “Kur flasin zemrat…”, për atë kam shkruar që në fillim të tij. Gjithësej, janë dy shkrime, njëri-pas tjetrit. I pari e ka titullin”Vendlindja, pjesë e pandarë e jetës dhe shpirtit poetik”. Në fakt, ai është recension i librit të saj, “Larg, m’u tret vështrimi…”(Tiranë, 2016).

Duke u ndalur shkurtimishht në vlerat kryesore të poezive të tij, kam shënuar edhe këto radhë: “Autorja e këtij vëllimi, me atdhetarizmin e vetë, trajton në poezitë e saj edhe tema të mprehta, që na interesojnë të gjithëve, sidomos në periudhën, që po kalojmë. Ajo u këndon bukurive mahnitëse të natyrës shqiptare: “Ku lindin shqiponjat,/nga Jugu në Veri,/e rritin shtatin vashat/me plot bukuri;/ku djemtë si azgana/të mbrojnë me dashni,/atje gjendesh ti,/e jemja Shqipni!” Këtë motiv e përcjellin edhe disa krijme tjera të frymëzuara, si: “Shqipnisë…”,”Oh, moj Shqipni!…”, “Jam Kosovë e jam Shqipëri”, “Plavë e Guci” etj.”

Ndërsa, nga fundi, kam shtuar: “Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshroj të përmendi diçka, nga poezia filozofike e autores: “Kur mbylli sytë,/ndiej errësirën,/por diku larg shoh një pikëz/dritë;/është shpresa, që lindë prej vullnetit,/si drita në fund të tunelit…” dhe më tej: “Më parë nuk kisha menduar,/se, dritë dhe errësirë, vetë unë jam;/jam vetë qendra e Universit,/dritë dhe errësirë, brenda kam…”.

Kur flasin zemrat - Murat Gecaj

2.
Në vazhdim të shkrimit të parë, në këtë libër është botuar “Vizitë “suprizë”, në mjediset e SHB dhe Shtypshkronjës “Edlora”-Tiranë”. Fjala është për ardhjen këtu të vetë poetes Albana Ponari, nga Milano e Italisë, pasi u shtyp dhe u bë gati për qarkullim libri i saj, “Larg m’u tret vështrimi…”. Aty ajo u njoh e bëri biseda të ngrohta dhe shprehu mirënjohjen e saj, për administratoren, Edlira Kame, punëtoren e libërlidhjes, Ariana Mbrakulli etj.

Siç shkruhet në faqet e këtij libri, plot emocione, gjatë udhës për në Rinas, ajo postoi në Internet pamjen e Shqiponjës, që ndodhet në hyrje të kryeqytetit, bashkë me fotografinë e saj, shoqëruar me fjalët mallëngjyese të një emigranteje, sipër : “Mirupafshim, Tiranë! 27.90.2016”. Ndërsa mori me vete jo vetëm librin e ri poetik, “Larg, m’u tret vështrimi”, për të cilin ajo mbeti mjaft e kënaqur nga cilësia e botimit, por gjithashtu ishte e mbushur me kënaqësi dhe emocione, që u ndodh përsëri ndërmjet familjarëve dhe miqëve të saj të nderuar.

Por edhe kur shkoi në vendbanimin e saj, Albana nuk e “harroi” udhëtimin e kryer në Atdhe. Në faqet 223-224 të këtij libri, në pjesën e katërt, “Mesazhe të ndryshme”, është botuar përshendetja e saj, dërguar nga Milano. Ndër të tjera, ajo shprehet me fjalë të sinqerta dhe dashamirëse:”Duke ju falënderuar nga zemra për vëmendjen tuaj, ndaj poezive te mia, me pelqimet dhe komentet tuaja, ju paraqes librin tim të dytë, me titullin, “Larg m’u tret vështrimi…””.

…Tani, mikja poete Albana Ponari vazhdon të jetojë e punojë, me familjen, në Milano të Italisë. Por me mendje e zemër gjithnjë është në Atdhe, pranë familjarëve, miqëve e dashamirëve të saj. Krahas punëve të ditës, ajo thurë poezi të bukura, disa prej të cilave ia kushton vendlindjes. Deri tani, ajo ka hartuar afër 40 poezi. Ja, titujt e disave prej tyre: “Poezi malli për Atdheun”. “Paqe”, “Emigranti”, “Ata që ëndërrojnë”, “Lumturi” etj. Sigurisht, ajo dëshiron që, me ato, ta botojë një vëllim tjetër poetik, sa më shpejt të jetë e mundur.

Prandaj e përshëndesim dhe e urojmë përzemërsisht miken krijuese Albana Ponari, për librin e saj, që përmendëm më parë dhe dëshirojmë e shpresojmë që, me emrin e saj, të kemi ndër duar një vëllim të ri poetik!

Tiranë, 5 shkurt 2017